Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kem më shumë besim te vetja?

Si të kem më shumë besim te vetja?

KAPITULLI 12

Si të kem më shumë besim te vetja?

Po Jo

Kur shihesh në pasqyrë, a je i kënaqur me pamjen tënde? □ □

A mendon se ke aftësi të lavdërueshme? □ □

A je në gjendje t’i bësh ballë presionit të bashkëmoshatarëve? □ □

A i pranon kritikat me vend? □ □

A reagon siç duhet ndaj vërejtjeve pa vend që bëjnë të tjerët për ty? □ □

A mendon se të tjerët të duan? □ □

A kujdesesh për shëndetin? □ □

A kënaqesh kur të tjerët kanë sukses? □ □

Në përgjithësi, a mendon se je i suksesshëm? □ □

Nëse iu përgjigje jo disa prej pyetjeve të mësipërme, ndoshta nuk ke shumë besim te vetja dhe kjo të pengon të shohësh pikat e tua të forta. Ky kapitull do të të ndihmojë t’i zbulosh ato.

SHUMË të rinj luftojnë me pasiguritë që kanë për pamjen e aftësitë, si edhe për vlerën e tyre në krahasim me moshatarët. A je edhe ti një prej tyre? Nëse po, nuk je i vetmi që ndihesh kështu.

«Të metat më bëjnë të ndihem përtokë. Zakonisht jam kritikia më e keqe e vetes.»​—Leticia.

«Eh, sado e bukur ose i bukur të jesh, prapëseprapë sheh gjithmonë të tjerë që janë më të bukur se ti.»​—Helena.

«Ndihem shumë në siklet kur jam me të tjerët. Kam frikë mos dukem një hiç.»​—Rakela.

Nëse pohimet e mësipërme janë të vërteta edhe për ty, mos u dëshpëro. Ka zgjidhje. Shqyrto tri gjëra që do të të ndihmojnë të kesh më shumë besim te vetja e ta shohësh veten nga një këndvështrim më pozitiv.

Bëj për të tjerët

Shkrimi kyç. «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»​—Veprat 20:35.

Ç’do të thotë? Kur ndihmon të tjerët, ndihmon veten. Në ç’kuptim? Një proverb biblik thotë: «Bujaria do të shpërblehet. Kush jep një gotë ujë, do të marrë një gotë ujë në këmbim.» (Proverbat 11:25, Contemporary English Version) Pa dyshim që ndihesh më mirë me veten kur ndihmon të tjerët. *

«Mendoj se ç’mund të bëj për të tjerët dhe përpiqem të ndihmoj ndonjë që është në nevojë në kongregacion. Ndihem më mirë kur u tregoj dashuri dhe vëmendje të tjerëve.»​—Briana.

«Shërbimi i krishterë është shpërblyes, pasi të bën të mos mendosh për veten, por për të tjerët.»​—Joni.

Mbaj parasysh: Mos i ndihmo të tjerët vetëm me synimin për të marrë diçka në këmbim. (Mateu 6:2-4) Të japësh me motivin e gabuar nuk të çon gjëkundi. Zakonisht të tjerët e dallojnë se po shtiresh.​—1 Selanikasve 2:5, 6.

Çfarë të bësh? Mendo për dikë që ke ndihmuar në të kaluarën. Kush ishte dhe çfarë bëre për të?

․․․․․

Si u ndjeve më pas?

․․․․․

Mendo për dikë tjetër që mund të ndihmosh dhe shkruaj si ta bësh këtë.

․․․․․

Gjej shokë të mirë

Shkrimi kyç. «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»​—Proverbat 17:17.

Ç’do të thotë? Një shok i mirë është mbështetje e jashtëzakonshme në kohë të vështira. (1 Samuelit 18:1; 19:2) Vetëm mendimi se dikush interesohet për ty mund të të ngrejë moralin. (1 Korintasve 16:17, 18) Prandaj, shoqërohu me ata që ndikojnë për mirë te ti.

«Shokët e vërtetë nuk do të të lënë në baltë.»​—Donaldi.

«Ndonjëherë ajo që të ndihmon më shumë është dijenia se dikush interesohet vërtet për ty. Kjo të bën të ndihesh njeri me vlerë.»​—Edra.

Mbaj parasysh: Përpiqu që me shokët të jesh vetvetja, jo të shtiresh vetëm sa për t’u pëlqyer atyre. (Proverbat 13:20; 18:24; 1 Korintasve 15:33) Nëse bën veprime të pamenda thjesht për t’u bërë përshtypje të tjerëve, do të ndihesh i poshtëruar e i marrë nëpër këmbë.​—Romakëve 6:21.

Çfarë të bësh? Poshtë shkruaj emrin e një shoku që të ndihmon në mënyrën e duhur të kesh më shumë besim te vetja.

․․․․․

Pse të mos planifikosh të kalosh pak kohë me të?—Shënim: Nuk ka pse të jetë i grup-moshës sate.

Mos u dorëzo kur gabon

Shkrimi kyç. «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë.»​—Romakëve 3:23.

Ç’do të thotë? Me pak fjalë: je i papërsosur. Kjo do të thotë se do të ketë momente kur do të thuash ose do të bësh diçka të gabuar. (Romakëve 7:21-23; Jakovi 3:2) Gabimet nuk mund t’i shmangësh, por ama mund të kontrollosh mënyrën si reagon kur gabon. Bibla thotë: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur.»​—Proverbat 24:16.

«Ndonjëherë mungesa e vetëvlerësimit vjen kur krahasojmë dobësitë tona me pikat e forta të të tjerëve.»​—Kevini.

«Të gjithë kanë cilësi të mira dhe të meta. Duhet të jemi krenarë për cilësitë e mira dhe të punojmë me të metat tona.»​—Lorena.

Mbaj parasysh: Mos e përdor papërsosmërinë si justifikim për ta bërë rrugë mëkatin. (Galatasve 5:13) Nëse qëllimisht përfshihesh në keqbërje, nuk do të kesh miratimin e personit më të rëndësishëm, Perëndisë Jehova.​—Hebrenjve 10:26, 27.

Çfarë të bësh? Poshtë shkruaj çfarë dëshiron të përmirësosh te vetja.

․․․․․

Shkruaj datën e sotme përbri cilësisë që shkrove. Bëj kërkime në botimet tona që të kuptosh si të përmirësosh dhe shiko sa ke ndryshuar në fund të një muaji.

Vlera jote e vërtetë

Bibla thotë: «Perëndia është më i madh se zemra jonë.» (1 Gjonit 3:20) Kjo do të thotë se ai shikon te ti vlera që ti nuk i sheh te vetja. Por a e ndryshojnë këtë fakt të metat e tua? Përfytyro sikur ke një kartëmonedhë me vlerë 5000 lekë që është grisur pak. A do ta hidhje ose do ta shihje si të pavlerë vetëm se është pak e grisur? Patjetër që jo! Ka ende të njëjtën vlerë, me ose pa atë grisje.

Njësoj është edhe me vlerën që ke në sytë e Perëndisë. Të metat e tua nuk e pengojnë Perëndinë të shohë vlerat e tua. Ai vëren dhe vlerëson te ti përpjekjet që bën për t’i pëlqyer, pavarësisht se sa të papërfillshme të duken ty. Vërtet, Bibla jep sigurinë se «Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij».​—Hebrenjve 6:10.

NË KAPITULLIN TJETËR:

A të pushton ndonjëherë trishtimi i thellë? Nëse po, çfarë mund të bësh?

[Shënimi]

^ par. 21 Nëse je Dëshmitar i Jehovait, mendo sa i lumtur do të jesh po t’u japësh të tjerëve lajmin për Mbretërinë e Perëndisë.​—Isaia 52:7.

SHKRIMI KYÇ

«Secili të tregojë me prova se si është vepra e vet, dhe atëherë do të ketë shkak të ngazëllohet vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»​—Galatasve 6:4.

KËSHILLË

Mos i thuaj vetes gjëra të tilla, si «Jam kot fare» dhe «Nuk bëj asgjë si duhet». Ekzagjerime të tilla vetëm sa të shkurajojnë. Prandaj, përveç të metave, prano edhe pikat e tua të forta.

A E DIJE . . . ?

Pikëpamja që ke për veten, ndikon te mënyra si të konsiderojnë e madje si të trajtojnë të tjerët.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Kur moshatarët më shajnë para të tjerëve, do të ․․․․․

Kur të vërej se po përqendrohem vetëm te dobësitë e mia, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse të rinjtë në mënyrë të veçantë priren të mos kenë besim te vetja?

● Pse është e rëndësishme të kesh respekt për veten në masën e duhur?

[Diçitura në faqen 88]

«Dikush mund të jetë shumë simpatik dhe prapë t’i duket vetja i shëmtuar. Nga ana tjetër, dikush mund të mos jetë dhe aq i bukur, por i duket vetja yll bote. Është e gjitha çështje qëndrimi.»​—Elisa

[Figura në faqen 90]

Kartëmonedha nuk e humbet vlerën ngaqë është pak e grisur. Po ashtu, vlera jote në sytë e Perëndisë nuk bie për shkak të papërsosmërisë tënde