Si ta largoj trishtimin?
KAPITULLI 13
Si ta largoj trishtimin?
«Sa herë miqtë e mi kanë probleme, unë jam pranë tyre për t’i ndihmuar dhe për t’i bërë që të ndihen më mirë. Por pastaj—dhe kjo është pjesa që nuk e sheh njeri—shkoj në shtëpi, mbyllem në dhomë dhe ia plas të qarit.»—Kela.
«Kur ndihem përtokë, veçohem nga të tjerët. Nëse më ftojnë diku, nxjerr ndonjë justifikim për të mos shkuar. Jam «ekspert» për t’ia fshehur familjes trishtimin tim. Ata mendojnë se jam shumë mirë.»—Riku.
A JE ndier ndonjëherë si Kela ose Riku? Nëse po, mos u nxito për të nxjerrë përfundimin se ka diçka që nuk shkon te ti. Ç’është e vërteta, çdokënd e kap trishtimi herë pas here. Kjo u ndodhte edhe grave e burrave besnikë që përmenden në Bibël.—1 Samuelit 1:6-8; Psalmi 35:14.
Në disa raste, ndoshta e kupton përse je i trishtuar, kurse në raste të tjera jo. «Nuk është e thënë të kesh ndonjë problem të madh që të trishtohesh,—thotë Ana 19-vjeçare.—Mund të ndodhë në çdo kohë, edhe nëse nuk ke asnjë problem. Është e çuditshme, por ndodh.»
Pavarësisht nga arsyeja ose edhe nëse duket se nuk ka arsye, ç’mund të bësh kur trishtimi të mbërthen me kthetrat e tij? Provo sugjerimet e mëposhtme:
1. Fol me dikë. Ndërsa kalonte vështirësi të mëdha, Jobi tha: «Do të flas në vrerin e shpirtit tim.»—Jobi 10:1.
Kela: «Lehtësimi që ndiej pasi kam folur me dikë, është i mahnitshëm. Tani dikush e di çfarë po kaloj. Kështu që mund të më hedhë litarin, të më nxjerrë nga pusi ku kam rënë e më në fund të më shpëtojë.»
Sugjerim: Poshtë shkruaj emrin e një shoku me të cilin mund të hapesh kur të pushton trishtimi.
․․․․․
2. Shkruaj si ndihesh. Kur trishtimi të mjegullon pikëpamjen për jetën, ndoshta dëshiron t’i hedhësh mendimet e tua në letër. Në psalmet e frymëzuara, Davidi ndonjëherë shprehte trishtimin e thellë. (Psalmi 6:6) Shprehja e ndjenjave me shkrim, të ndihmon ‘të ruash mençurinë dhe aftësinë për të menduar’.—Proverbat 3:21.
Edra: «Ndërsa shkruaj, arrij të organizoj rrëmujën që më është mbledhur në kokë nga trishtimi. Kur i shpreh ndjenjat dhe kupton pse ndihesh ashtu, trishtimi lehtësohet.»
Sugjerim: Përdor tabelën në faqen 93 për të kuptuar si
është më mirë të reagosh në situata sprovuese. Kjo do të ta lehtësojë trishtimin.3. Lutu. Bibla thotë se, nëse lutesh për atë që të shqetëson, ‘paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë e tua mendore’.—Filipianëve 4:6, 7.
Estera: «Po përpiqesha të kuptoja pse ndihesha aq keq, por ishte e pamundur. I kërkova Jehovait të më ndihmonte të isha e lumtur. Isha shumë e lodhur që trishtohesha edhe kur nuk kisha arsye. Më në fund gjeta forcën ta mposhtja trishtimin. Mos e nënvlerëso kurrë forcën e lutjes!»
Sugjerim: Përdor Psalmin 139:23, 24 si model për lutjet që i bën Jehovait. Hapja zemrën dhe kërkoji të të ndihmojë që të gjesh se cila është arsyeja e trishtimit tënd.
Përveç sugjerimeve të mësipërme, Fjala e Perëndisë, Bibla, mund të jetë një ndihmë me vlerë. Kur e mbush mendjen me mendime inkurajuese nga tregimet biblike, kjo mund të ndikojë për mirë në ndjenjat e tua. (Psalmi 1:1-3) Gjithashtu, për të gjetur më shumë mendime inkurajuese nga Bibla, mund të shqyrtosh pjesët me titull «Ja një model» në secilin nga vëllimet e këtij libri. Në faqen 227 të vëllimit 2, do të shohësh edhe se si apostulli Pavël i përballoi me sukses ndjenjat negative që kishte ndonjëherë për shkak të papërsosmërisë.
Kur trishtimi nuk largohet
«Disa herë në mëngjes,—thotë Rajani,—më duket sikur e kam më të lehtë të mos dal nga krevati, sesa të jetoj një ditë tjetër pa pikë qëllimi.» Rajani vuan nga depresioni dhe nuk është i vetmi. Studimet tregojnë se rreth 1 në 4 të rinj vuajnë nga ndonjë lloj depresioni gjatë rritjes.
Si mund të kuptosh nëse vuan nga depresioni? Disa shenja janë: ndryshim i theksuar në humor dhe në sjellje, veçim nga shoqëria, rënie interesi pothuajse për çdo gjë, ndryshim i madh në zakonet e të ngrënit e të fjeturit dhe
ndjenja të theksuara pavlefshmërie ose ndjenja të pajustifikueshme faji.Sigurisht, thuajse të gjithë mund të kenë ndonjëherë një ose disa nga këto simptoma. Por nëse simptomat vazhdojnë për më shumë se dy javë, pse të mos flasësh me prindërit për t’u vizituar te një mjek? Mjeku mund të të ndihmojë të kuptosh nëse trishtimi yt ka një shkak mjekësor. *
Nëse vuan nga depresioni, nuk ka asgjë për të të ardhur turp. Me mjekime, shumë janë bërë më mirë—ndoshta më mirë se ç’ishin ndier prej kohësh. Pavarësisht nëse trishtimi yt vjen nga depresioni ose jo, mos harro fjalët ngushëlluese të Psalmit 34:18: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»
Po sikur trishtimi të jetë aq i fortë sa të kesh menduar t’i japësh fund jetës?
[Shënimi]
^ par. 22 Kur trishtimi zgjat, disa të rinj mendojnë t’i japin fund jetës. Nëse edhe ti ke menduar për një gjë të tillë, fol pa vonuar me një të rritur tek i cili ke besim.—Për më shumë informacion, shih kapitullin 14 të këtij libri.
SHKRIMI KYÇ
«Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»—Psalmi 34:18.
KËSHILLË
Kur je i trishtuar, përshkruaj si ndihesh dhe pse mendon se je i trishtuar. Një muaj më vonë, lexoje atë që shkrove. A ndihesh më mirë në lidhje me atë problem? Nëse po, shkruaj se çfarë të ndihmoi.
A E DIJE . . . ?
S’ka asgjë të keqe të qash, edhe nëse je djalë. Në një moment të jetës së tij, mbreti David pranoi: «Gjithë natën e njom shtratin tim dhe e laj me lot krevatin tim.»—Psalmi 6:6.
HAPAT QË DUA TË BËJ . . .
Për të ngritur humorin, mund të përfshihem në aktivitetet e mëposhtme: ․․․․․
Shoqërimi me këta miq do të më ndihmojë të lehtësoj trishtimin: ․․․․․
Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․
ÇFARË MENDON?
● A të ndihmon e qara?
● Si të ndihmon shoqërimi me të tjerë që të kapërcesh trishtimin?
[Diçitura në faqen 96]
«Kur jam e trishtuar, nuk duhet të veçohem nga të tjerët. Vërtet mund të kem nevojë të rri vetëm që të qartësoj idetë dhe ndoshta t’i fus një të qarë të mirë. Por, pas kësaj, e di se është më mirë të shoqërohem me të tjerë që të heq mendjen nga ajo që më trishtonte.»—Kristina
[Tabela dhe figurat në faqen 93]
Fletë pune
Si ta lehtësosh trishtimin?
Plotëso tabelën
Situata
Një mësues(e) më bën të ndihem i/e pavlerë
Reagimi i gabuar
Nuk përpiqem më të mësoj në lëndën e tij/e saj
Reagimi i duhur
Sugjerim: Shih kapitullin 20 të këtij libri
Situata
Një shok/shoqe nuk ma var fare
Reagimi i gabuar
Përhap thashetheme për të
Reagimi i duhur
Sugjerim: Shih kapitullin 10 në vëllimin 2
Situata
Prindërit po divorcohen
Reagimi i gabuar
Mbaj mëri ndaj njërit ose ndaj të dy prindërve
Reagimi i duhur
Sugjerim: Shih kapitullin 4 të këtij libri
Situata
․․․․․
Reagimi i gabuar
․․․․․
Reagimi i duhur
․․․․․
Situata
․․․․․
Reagimi i gabuar
․․․․․
Reagimi i duhur
․․․․․
[Figura në faqen 95]
Me ndihmë e përpjekje, mund të dalësh nga pusi i thellë i trishtimit