Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i bëj ballë tundimit?

Si t’i bëj ballë tundimit?

KAPITULLI 9

Si t’i bëj ballë tundimit?

S’ka as dhjetë minuta që ka filluar festa, kur Kerëni sheh dy djem që hyjnë me disa çanta kartoni të mëdha. Dihet se ç’ka brenda tyre. Asaj i kishte kapur veshi një bisedë mes atyre djemve që thoshin se në festë do të kishte alkool me shumicë.

Befas Kerëni dëgjon nga pas një zë të njohur. «Ç’më rri ashtu ti ‘Miss Mërzia’?» Kerëni kthehet dhe sheh shoqen e saj, Xhesikën, me dy shishe birre të sapohapura. Xhesika ia zgjat njërën dhe i thotë: «Ec tani, mos më thuaj se je tepër e vogël për të bërë pak qejf.»

Kerëni nuk do që ta pranojë. Por presioni është më i fortë nga ç’ia merrte mendja. Xhesikën e ka shoqe dhe nuk do që të tjerët ta konsiderojnë si «Miss Mërzia», siç e quajti ajo. Pastaj, Xhesika është vajzë e mirë. Dhe nëse pi ajo, ç’të keqe ka të pijë edhe Kerëni. «Hë se birrë është,—thotë me vete Kerëni.—Nuk është se po pi drogë apo po bëj seks.»

KUR je i ri, tundimi vjen në shumë forma. Shpesh ka të bëjë me gjininë tjetër. «Vajzat e shkollës nuk të shqiten,—thotë Ramoni 17-vjeçar.—Kanë qejf të të prekin dhe të shohin deri ku mund të arrijnë me ty. S’duan t’ia dinë se u thua jo!» Diana, edhe ajo 17 vjeçe, ka parë se kjo është e vërtetë. Ajo thotë: «Një djalë m’u afrua dhe më hodhi krahun. I gjuajta fort në krah dhe i thashë: ‘Ç’bën ore! As të njoh fare!’»

Edhe ti mund të hasësh tundime dhe mbase duket se presioni s’ka të sosur. Tundimet e vazhdueshme janë si trokitjet e përsëritura në derë edhe pse ke vënë tabelën «Mos trokit!». A e dëgjon këtë trokitje më shpesh nga ç’do të doje? Për shembull, a të tundon ndonjë nga gjërat e mëposhtme?

□ Të pish cigare

□ Të shohësh pornografi

□ Të pish alkool

□ Të kryesh marrëdhënie seksuale

□ Të marrësh drogë

□ Tjetër ․․․․․

Nëse ke vënë shenjën ✔ te ndonjëra nga kutitë e mësipërme, mos nxirr përfundimin se nuk je i prerë për të qenë i krishterë. Mund të mësosh t’i mbash nën kontroll dëshirat e gabuara dhe t’i bësh ballë tundimit. Si? Duke kuptuar çfarë e shkakton tundimin, do ta kesh më të lehtë. Shqyrto tre faktorë.

1. Papërsosmëria. Të gjithë njerëzit e papërsosur kanë prirjen të bëjnë atë që është e keqe. Edhe apostulli Pavël, një i krishterë i pjekur, pranoi me çiltërsi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.» (Romakëve 7:21) Është e qartë se edhe njeriu më i ndershëm hera-herës i ndien «dëshirat e mishit [dhe] dëshirat e syve». (1 Gjonit 2:16) Por, po ta mbash mendjen te tundimi për të vepruar keq, vetëm sa i përkeqëson gjërat, pasi Bibla thotë: «Dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.»​—Jakovi 1:15.

2. Ndikimet e jashtme. Tundimin e ke ngado që hedh sytë. «Si në shkollë, edhe në punë, njerëzit flasin gjithë kohën për seksin,—thotë Gertruda.—Në televizor e në kinema, gjithnjë paraqitet kaq magjepsës, kaq emocionues. Rrallë tregohen pasojat negative.» Gertruda e ka provuar vetë sa të forta mund të jenë ndikimet e bashkëmoshatarëve dhe të medias. Ajo kujton: «Kur isha 16 vjeçe, mendoja se kisha rënë në dashuri. Mami u ul me mua dhe më tha se po të vazhdoja siç e kisha nisur, do të ngelesha shtatzënë. U trondita që e çonte nëpër mend një gjë të tillë. Dy muaj më vonë, ngela shtatzënë.»

3. «Dëshirat karakteristike rinore.» (2 Timoteut 2:22) Këtu përfshihet çdo dëshirë tipike e rinisë, siç është dëshira e fortë për t’u pranuar nga të tjerët ose që të të konsiderojnë të rritur. Këto dëshira nuk janë të gabuara në vetvete, por po të lihen pa fre, mund ta bëjnë tundimin më të vështirë për ta përballuar. Për shembull, dëshira që të tjerët të të konsiderojnë të rritur mund të të bëjë të hedhësh poshtë parimet e mira që të kanë mësuar në familje. Kështu ndodhi me Stivin kur ishte 17 vjeç. Ai thotë: «U rebelova kundër prindërve dhe bëja gjithçka që më kishin thënë të mos e bëja, dhe kjo ndodhi pak pas pagëzimit.»

Si t’i bësh ballë?

Kuptohet që ndikimet e përmendura më sipër janë të forta. Gjithsesi, ti mund t’i bësh ballë tundimit. Si?

● Në fillim, përcakto cili është tundimi më i fortë për ty. (Tashmë mund ta kesh bërë këtë në faqen 65.)

● Pastaj pyet veten: «Kur e has më shpesh këtë tundim?» Vër një shenjë ✔ përbri njërit prej rasteve të mëposhtme:

□ Në shkollë

□ Kur jam vetëm

□ Në punë

□ Tjetër ․․․․․

Nëse e di kur ka më shumë rrezik ta hasësh këtë tundim, mund të arrish ta shmangësh fare. Për shembull, mendo për situatën në fillim të kapitullit. Ç’sinjal mund t’i kishte vlejtur si paralajmërim Kerënit se në festë do të kishte telashe?

․․․․․

Si mund ta kishte shmangur fare tundimin?

․․․․․

● Tani që ke përcaktuar cili është tundimi dhe ke kuptuar kur ka më shumë të ngjarë ta hasësh, je gati të veprosh. Gjëja më e rëndësishme për ty është të kuptosh si mund ta ndeshësh sa më rrallë ose ta shmangësh fare atë tundim. Më poshtë shkruaj ç’mund të bësh.

․․․․․

(Shembuj: Nëse pas mësimit takon shpesh shokë shkolle që të shtyjnë të pish cigare me ta, mbase mund të ndërrosh rrugë që të mos i takosh. Në rast se të vijnë shpesh materiale pornografike të padëshiruara kur je në Internet, ndoshta mund të instalosh programe që bllokojnë materialet nga ai burim dhe të gjitha sitet e ngjashme. Veç kësaj, mund të përdorësh fjalë më specifike kur bën kërkime në Internet.)

Sigurisht nuk mund t’i shmangësh të gjitha tundimet. Herët a vonë mund të hasësh ndonjë tundim goxha të fortë, mbase atëherë kur nuk e pret. Ç’mund të bësh?

Ji i përgatitur

Kur Jezui «u tundua nga Satanai», refuzimi i tij ishte i menjëhershëm. (Marku 1:13) Pse? Sepse ai e kishte të qartë çfarë qëndrimi do të mbante në lidhje me çështjet që u ngritën. Jezui tashmë kishte vendosur t’i bindej Atit të tij kurdoherë. (Gjoni 8:28, 29) Jezui i tha me bindje këto fjalë: «Nuk zbrita nga qielli për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi.»​—Gjoni 6:38.

Në faqen tjetër, shkruaj dy arsye pse duhet t’i bësh ballë tundimit që ndesh më shpesh dhe dy veprime që do të të ndihmojnë ta bësh këtë.

Pse duhet t’i bësh ballë tundimit?

1 ․․․․․

2 ․․․․․

Veprime që do të të ndihmojnë t’i bësh ballë:

1 ․․․․․

2 ․․․․․

Mos harro se, kur i dorëzohesh tundimit, bëhesh skllav i dëshirave të tua. (Titit 3:3) Pse të lejosh të bëhesh rob i dëshirave të forta? Ji aq i pjekur sa t’i kesh ti nën kontroll dëshirat, dhe jo të të kenë ato nën kontroll ty. (Kolosianëve 3:5) Dhe lutu që të vazhdosh kështu.​—Mateu 6:13. *

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 15

NË KAPITULLIN TJETËR:

Ndihesh i këputur kohët e fundit? Zbulo si mund të kesh një shëndet më të mirë dhe si të rimarrësh forcat.

[Shënimi]

^ par. 43 Shih edhe kapitujt 33 e 34 të këtij libri.

SHKRIMI KYÇ

«Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»​—1 Korintasve 10:13.

KËSHILLË

Përdor kutinë «Kur shokët të bëjnë presion» që gjendet te faqet 132 dhe 133 të librit Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, për të planifikuar se si do të përgjigjesh nëse dikush të tundon të bësh diçka të gabuar.

A E DIJE . . . ?

Perëndia paratha se Jezui do të ishte besnik, por kjo nuk do të thotë se Jezui ishte robot, i programuar për t’u bindur. Përkundrazi, ai ishte një qenie me vullnet të lirë. Ai vetë zgjodhi të qëndronte besnik​—nuk ishte diçka e paracaktuar për të kohë më parë. Ja pse u lut me zjarr kur ishte nën sprovë.​—Hebrenjve 5:7.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Që të jem më i fortë për t’i bërë ballë tundimit, do të ․․․․․

Disa njerëz, vende dhe rrethana që duhet të shmang, janë ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● A tundohen krijesat e përsosura?​—Zanafilla 6:1-3; Gjoni 8:44.

● Ç’ndikim mund të ketë besnikëria jote te të tjerët kur i bën ballë tundimit?​—Proverbat 27:11; 1 Timoteut 4:12.

[Diçitura në faqen 68]

«Ajo që më ndihmon është dijenia se kam përkrah Qenien më të fuqishme në univers dhe se mund t’i kërkoj ndihmë në çdo kohë.»​—Kristoferi

[Kutia dhe figura në faqen 67]

Provo!

Merr një busull dhe vëre në mënyrë të tillë që shigjeta të tregojë veriun. Pastaj vër një magnet pranë busullës. Çfarë ndodh? Shigjeta nuk e tregon më me saktësi drejtimin. Ajo kthehet nga magneti.

Ndërgjegjja jote është si busulla. Në qoftë se stërvitet siç duhet, do të tregojë «veriun» e do të të ndihmojë të marrësh vendime të mençura. Por shoqëria e keqe, ashtu si një magnet, ushtron një tërheqje që mund të ta çorientojë gjykimin për vlerat morale. Ç’mësim del nga kjo? Përpiqu t’i shmangësh njerëzit dhe situatat që mund të ta shtrembërojnë ndërgjegjen.​—Proverbat 13:20.

[Figura në faqen 69]

Kur i dorëzohesh tundimit, bëhesh skllav i dëshirave të tua