Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jam gati të largohem nga shtëpia?

A jam gati të largohem nga shtëpia?

KAPITULLI 7

A jam gati të largohem nga shtëpia?

«Ndonjëherë më duket sikur njerëzit më shohin me përçmim ngaqë jetoj akoma me prindërit. Sikur nuk quhesh e rritur, po të mos shkëputesh prej tyre.»​—Keti.

«Më vjen shumë inat që nuk kam pavarësinë që dua. Kam menduar të largohem nga shtëpia.»​—Fiona.

SHUMË kohë para se të jesh gati të largohesh nga shtëpia, mund të dëshirosh pavarësinë. Kjo është normale. Në fund të fundit, siç thuhej edhe në kapitullin 3, qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që të rinjtë të rriten e pastaj të lënë babanë e nënën dhe të krijojnë familjen e tyre. (Zanafilla 2:23, 24; Marku 10:7, 8) Po si ta kuptosh nëse je vërtet gati të largohesh nga shtëpia? Le të shohim tri pyetje të rëndësishme që duhet t’u përgjigjesh. E para është . . .

Cilat janë arsyet?

Hidhi një sy listës më poshtë. Rendit sipas rëndësisë arsyet pse do që të ikësh nga shtëpia.

․․․․․ Të iki nga problemet në shtëpi

․․․․․ Të jem më i pavarur

․․․․․ Të fitoj respektin e shokëve

․․․․․ Të ndihmoj një shok që ka nevojë të ndajë shpenzimet e shtëpisë

․․․․․ Të bëj punë vullnetare në një vend tjetër

․․․․․ Të fitoj përvojë

․․․․․ Të mos u bie më në qafë prindërve financiarisht

․․․․․ Tjetër ․․․․․

Arsyet e mësipërme nuk janë medoemos të këqija, por duhet ta mendosh mirë se cila është arsyeja e vërtetë pse do që të largohesh nga shtëpia. Për shembull, nëse po ikën që t’u bësh bisht problemeve në shtëpi, realiteti mund të të befasojë.

Daniela, e cila u largua për pak kohë nga shtëpia kur ishte 20 vjeçe, mësoi mjaft nga përvoja e saj. Ajo thotë: «Të gjithëve na duhet të jetojmë me disa kufizime. Kur jeton më vete, për shkak të orarit të punës ose të të ardhurave të pakta, nuk mund të bësh çfarë të duash.» Karmeni, që shkoi jashtë shtetit për gjashtë muaj, thotë: «Më pëlqente si përvojë, por shpesh nuk kisha fare kohë të lirë. Më duhej të bëja punët e shtëpisë: të pastroja, të rregulloja gjërat e prishura, të shkulja barërat e këqija, të laja rrobat, të fërkoja dyshemenë etj.»

Mos lejo që të tjerët të të shtyjnë të marrësh një vendim të nxituar. (Proverbat 29:20) Edhe nëse ke arsye të vlefshme për t’u larguar nga shtëpia, vetëm kjo nuk mjafton. Duhet të dish të kujdesesh për veten. Kjo na çon në pyetjen e dytë . . .

A jam i përgatitur?

Të ikësh nga shtëpia për të jetuar më vete, është si të bësh një ekskursion në natyrë. A do të guxoje të shkoje në vende të pabanuara pa ditur të ngresh tendën, të ndezësh zjarrin, të gatuash ose të lexosh hartën? Vështirë se po. E megjithatë, mjaft të rinj largohen nga shtëpia pa ditur tamam si të mbajnë një shtëpi.

Mbreti i mençur Solomon tha se ‘mendjeholli i shqyrton hapat e tij’. (Proverbat 14:15) Për të kuptuar nëse je i përgatitur të jetosh më vete, shqyrto aspektet e mëposhtme. Vër një shenjë ✔ përbri aftësive që tashmë ke dhe një shenjë ✘ përbri atyre që duhet të përmirësosh.

Administrimi i parave: «Kurrë nuk më është dashur të nxjerr lekë nga xhepi,—thotë Serena 19-vjeçare.—Kam frikë të largohem nga shtëpia dhe t’i administroj vetë paratë.» Si të mësosh t’i administrosh paratë?

Një proverb biblik thotë: «Njeriu i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim.» (Proverbat 1:5) Prandaj, pse nuk pyet prindërit se sa mund të shkojnë shpenzimet mujore për një person për qiranë ose kredinë, ushqimin, makinën ose udhëtimet? Pastaj kërkoju prindërve të të mësojnë si të administrosh të ardhurat dhe si të paguash faturat. *

Punët e shtëpisë: Brajani, 17 vjeç, thotë se ajo që e tremb më shumë po të largohet nga shtëpia, është larja e rrobave. Si ta kuptosh nëse je gati për t’u kujdesur për veten? Aroni 20-vjeçar sugjeron: «Përpiqu të jetosh për një javë sikur të jesh më vete. Ha vetëm atë që ke gatuar vetë, që ke blerë vetë, me paratë që janë fryt i punës tënde. Vish rrobat që lan dhe hekuros vetë. Pastro dhe rregullo shtëpinë. Gjithashtu, përpiqu të udhëtosh vetë, pa ndihmën e dikujt që të çon me makinë atje ku do ti.» Ky sugjerim do të të ndihmojë për dy gjëra: (1) të fitosh aftësi të dobishme dhe (2) të vlerësosh më shumë punën që bëjnë prindërit.

Marrëdhëniet me të tjerët: A ke marrëdhënie të mirë me prindërit, motrat e vëllezërit? Nëse jo, mund të mendosh që do ta kishe më të lehtë po të jetoje me një shok ose shoqe. Por shiko çfarë tregon Eva 18-vjeçare: «Dy nga shoqet e mia filluan të jetonin bashkë. Para se të transferoheshin, ishin shoqe të ngushta, por nuk jetonin dot me njëra-tjetrën. Njëra ishte e rregullt, tjetra e çrregullt. Njëra ishte e përqendruar tek adhurimi i Perëndisë, tjetra jo dhe aq. Nuk funksionoi!»

Cila është zgjidhja? Erina, 18 vjeçe, thotë: «Mund të mësosh shumë për marrëdhënien me të tjerët gjatë kohës që jeton me familjen. Mëson si të zgjidhësh problemet dhe të hapësh rrugë. Kam vënë re se ata që largohen nga shtëpia për të shmangur mosmarrëveshjet me prindërit, mësojnë t’u bëjnë bisht problemeve, e jo t’i zgjidhin.»

Rregullsia në aktivitetet fetare: Disa largohen nga shtëpia me synimin për të mos marrë pjesë në aktivitetet fetare të prindërve. Disa të tjerë kanë dëshirën e mirë të mbajnë një program të rregullt për studimin e Biblës dhe për aktivitetet fetare, por shumë shpejt i merr rryma dhe bien në zakone të këqija. Si t’ia bësh që ‘besimi yt të mos shkallmohet si një anije’? *​—1 Timoteut 1:19.

Perëndia Jehova do që të gjithë ne t’i vërtetojmë ato që besojmë. (Romakëve 12:1, 2) Prandaj, vendos një program të rregullt për leximin e Biblës dhe aktivitetet fetare, e përmbaju atij. Pse të mos e shkruash këtë program në kalendar dhe të shohësh nëse mund t’i përmbahesh për një muaj pa shtysën e prindërve?

Pyetja e tretë dhe e fundit është . . .

Çfarë synimi kam?

A do që të largohesh nga shtëpia për të shpëtuar nga problemet ose nga autoriteti i prindërve? Nëse po, ti po përqendrohesh tek ajo që po lë e jo tek ajo që ke përpara. Por kjo është si të ngasësh makinën duke parë prapa me sytë e ngulur te pasqyra​—je kaq i përqendruar tek ajo që po lë pas, sa nuk sheh se ku po shkon. Çfarë mëson nga kjo? Mos mendo vetëm ikjen nga shtëpia—​përqendrohu te një synim që ia vlen.

Disa të rinj Dëshmitarë të Jehovait janë transferuar për të predikuar në zona të ndryshme brenda vendit të tyre, madje edhe në shtete të tjera. Disa të tjerë largohen nga shtëpia që të ndihmojnë për ndërtimin e vendeve të adhurimit ose që të punojnë në një zyrë dege të Dëshmitarëve të Jehovait. Ndërsa të tjerë mendojnë se duhet të jetojnë më vete për ca kohë, para se të martohen. *

Cilido qoftë synimi yt, mendohu mirë. Një proverb biblik thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim, por kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.» (Proverbat 21:5) Dëgjoji këshillat e prindërve. (Proverbat 23:22) Lutu për këtë çështje. Dhe, para se të marrësh vendimin, shqyrto parimet biblike që trajtuam më lart.

Pyetja që duhet bërë nuk është: «A jam gati të largohem nga shtëpia?», por «A jam gati të mbaj shtëpinë time?» Nëse përgjigjja për pyetjen e dytë është po, atëherë mund të jetë koha të jetosh më vete.

[Shënimet]

^ par. 23 Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitulli 19.

^ par. 27 Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitujt 34 dhe 35.

^ par. 32 Në disa kultura, është zakon që fëmijët, sidomos vajzat, të jetojnë me prindërit derisa të martohen. Bibla nuk përmban këshilla specifike për këtë çështje.

SHKRIMI KYÇ

«Njeriu do ta lërë babanë dhe nënën.»​—Mateu 19:5, Diodati i Ri.

KËSHILLË

Për njëfarë kohe, jepu prindërve shumën që mbulon shpenzimet e tua për ushqimin, strehimin dhe të tjera si këto. Nëse nuk arrin ose nuk je i gatshëm të mbulosh shpenzimet e tua ndërkohë që jeton me prindërit, zor se do të jesh gati për të jetuar më vete.

A E DIJE . . . ?

Arsyeja pse do që të largohesh nga shtëpia, do të përcaktojë sa i lumtur do të jesh kur të jetosh më vete.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Synimi që dua të arrij duke ikur nga shtëpia është ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Edhe pse jeta në familjen tënde është e vështirë, si mund të nxjerrësh dobi duke ndenjur në shtëpi për njëfarë kohe?

● Gjatë kohës që jeton me prindërit, çfarë mund të bësh që të jesh ndihmë për familjen dhe njëkohësisht të përgatitesh për të jetuar më vete?

[Diçitura në faqen 52]

«Është normale të dëshirosh pavarësinë. Por, nëse arsyeja pse dëshiron të largohesh është që të shpëtosh nga rregullat, kjo tregon se nuk je vërtet gati për të jetuar më vete.»​—Aroni

[Figura në faqet 50, 51]

Të largohesh nga shtëpia është si të bësh një ekskursion në natyrë. Para se të nisesh, duhet të mësosh të kujdesesh për veten