Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse u ndanë babi dhe mami?

Pse u ndanë babi dhe mami?

KAPITULLI 4

Pse u ndanë babi dhe mami?

«Isha në shtëpi me mamin ditën kur babi iku nga shtëpia. Isha vetëm gjashtë vjeçe, prandaj nuk e kuptoja se ç’po ndodhte. Ndërsa shihja televizor ulur në dysheme, dëgjova mamin që qante me ngashërim dhe i përgjërohej babit që të mos ikte. Ai zbriti shkallët me valixhe në dorë, u ul në gjunjë, më puthi dhe më tha: ‘Babi do të të ketë gjithmonë xhan.’ Pastaj hapi derën e iku. Nuk e pashë më për një kohë të gjatë. Që atëherë kam pasur frikë se mos ikte edhe mami.»​—Elina, 19 vjeçe.

DIVORCI i prindërve mund të të duket si fundi i botës, si një katastrofë që do të të shkaktojë vuajtje për gjithë jetën. Shpesh, të pushtojnë një sërë ndjenjash: turp, zemërim, ankth, frikë se mos të braktisin, faj, dëshpërim dhe një ndjenjë e thellë boshllëku​—madje edhe një dëshirë për t’u hakmarrë.

Nëse prindërit e tu kanë pak kohë që janë ndarë, mbase edhe ti po përjeton ndjenja të tilla. Kjo është normale, pasi Krijuesi ynë kishte si qëllim që fëmijët të rriteshin nga të dy prindërit, nga babai dhe mamaja. (Efesianëve 6:1-3) Megjithatë, tani nuk e sheh çdo ditë njërin prej prindërve, që ndoshta e ke dashur shumë. «E admiroja me të vërtetë babin dhe doja të rrija me të,—thotë Danieli, prindërit e të cilit u ndanë kur ishte shtatë vjeç.—Por na mori mami nën kujdestari.»

Pse ndahen?

Shpeshherë, ndarja është diçka e papritur për fëmijët, sepse prindërit i kanë fshehur mirë problemet e tyre. «U trondita,—thotë Rakela, e cila ishte 15 vjeçe kur prindërit e saj u divorcuan.—Gjithnjë mendoja se ishin të dashuruar.» Edhe nëse prindërit hahen e grihen, prapëseprapë mund të të bjerë si bombë kur ata ndahen.

Në të shumtën e rasteve, ndarja ndodh ngaqë njëri nga prindërit është fajtor për sjellje të gabuar seksuale. Në këto rrethana, Perëndia e lejon bashkëshortin e pafajshëm të divorcohet dhe të martohet përsëri. (Mateu 19:9) Në raste të tjera, ‘furia, e bërtitura dhe sharjet’ kanë çuar në dhunë, duke i ngjallur njërit prind frikë për mirëqenien e vet fizike, si edhe për atë të fëmijëve.​—Efesianëve 4:31.

Duhet pranuar se disa çifte ndahen për arsye më pak të vlefshme. Në vend që të përpiqen t’i zgjidhin problemet, disa me egoizëm divorcohen duke pohuar se ‘nuk janë të lumtur’ ose ‘nuk janë më të dashuruar’. Kjo gjë nuk i pëlqen Perëndisë, i cili «e urren divorcin» e këtij lloji. (Malakia 2:16) Gjithashtu, Jezui la të kuptohej se disa familje mund të prishen kur njëri nga bashkëshortët bëhet i krishterë.​—Mateu 10:34-36.

Sidoqoftë, fakti që prindërit mund të kenë vendosur të mos të tregojnë gjë ose t’u japin përgjigje të turbullta pyetjeve të tua në lidhje me divorcin, nuk do të thotë se nuk të duan. Të zhytur në dhembjen e tyre, prindërit thjesht mund ta kenë të vështirë të flasin për divorcin. (Proverbat 24:10) Për ta mund të jetë edhe e sikletshme të pranojnë gabimet e tyre.

Çfarë mund të bësh?

Kupto se çfarë të frikëson. Ngaqë divorci mund të ta kthejë botën përmbys, ndoshta shqetësohesh për gjëra që dikur i konsideroje normale t’i kishe. Pavarësisht nga kjo, mund të arrish ta përballosh frikën duke kuptuar së pari se çfarë të frikëson. Më poshtë vër një shenjë ✔ te kutia përbri çdo pike që të frikëson më shumë ose shkruaj çfarë të frikëson ty përbri kutisë «Tjetër».

□ Edhe prindi tjetër do të më braktisë.

□ Nuk do të kemi mjaft para për të jetuar.

□ Është deri diku faji im që prindërit u divorcuan.

□ Nëse martohem, edhe martesa ime do të dështojë.

□ Tjetër ․․․․․

Fol për shqetësimet e tua. Mbreti Solomon tha se ka «një kohë për të folur». (Eklisiastiu 3:7) Prandaj, përpiqu të kuptosh se kur është koha e duhur për të folur me prindërit për gjërat e mësipërme që të frikësojnë. Bëjua të ditur se sa i trishtuar ose i pështjelluar je. Ndoshta do të arrijnë të të shpjegojnë se ç’po ndodh e kështu do të ndihesh më pak në ankth. Nëse prindërit nuk duan ose nuk janë në gjendje të të japin ndihmën që të duhet në atë moment, mbase mund t’i hapesh një miku të pjekur. Merr iniciativën të shkosh te një mik i tillë. Vetëm fakti që ke dikë që të dëgjon, mund të të lehtësojë jashtëzakonisht.​—Proverbat 17:17.

Mbi të gjitha, Ati yt qiellor, ‘Dëgjuesi i lutjes’ është i gatshëm të të dëgjojë. (Psalmi 65:2) Zbrazja zemrën atij, ‘sepse ai interesohet për ty’.​—1 Pjetrit 5:7.

Çfarë nuk duhet të bësh?

Mos mbaj mëri. «Prindërit e mi ishin egoistë,—thotë Danieli që përmendëm më sipër.—Ata s’e vrisnin shumë mendjen për ne dhe për ndikimin e veprimeve të tyre te ne.» Ndjenjat e Danielit janë më se normale dhe mund të ketë të drejtë të ndihet kështu. Por, si do t’u përgjigjeshe pyetjeve vijuese? Shkruaji përgjigjet më poshtë.

Ç’pasoja do të kishte Danieli nëse nuk do ta frenonte zemërimin dhe do të mbante mëri? (Lexo Proverbat 29:22.) ․․․․․

Ndonëse e vështirë, pse mund të jetë mirë për Danielin që të përpiqet t’i falë prindërit për lëndimin që i kanë shkaktuar? (Lexo Efesianëve 4:31, 32.) ․․․․․

Si mund ta ndihmojë Danielin e vërteta themelore te Romakëve 3:23 që t’i shohë prindërit me një sy realist? ․․․․․

Mos u sill në një mënyrë që i shkakton probleme vetes. «Isha i mërzitur dhe i dëshpëruar pas divorcit të prindërve,—kujton Deni.—Fillova të kisha probleme në shkollë dhe ngela në klasë një vit. Pas kësaj . . . u bëra si klouni i klasës dhe ngatërrohesha në shumë sherre.»

Sipas teje, çfarë po përpiqej të arrinte Deni duke u bërë klouni i klasës? ․․․․․

Çfarë e shtynte të ngatërrohej në shumë sherre? ․․․․․

Nëse ke dashur t’i ndëshkosh prindërit duke u sjellë keq, si mund të të ndihmojë parimi te Galatasve 6:7 që të kesh pikëpamjen e duhur? ․․․․․

Çfarë mund të presësh në të ardhmen?

Që një dëmtim fizik, për shembull një kockë e thyer, të shërohet plotësisht, mund të duhen javë ose madje muaj. Po kështu, dëmtimet emocionale kërkojnë kohë që të shërohen. Disa ekspertë mendojnë se më e keqja e një divorci kalon brenda tre vjetësh. Mund të të duket një kohë e gjatë, por ki parasysh se duhet të ndodhin shumë gjëra para se jeta jote të stabilizohet.

Së pari, duhet riorganizuar rutina familjare që është prishur për shkak të divorcit. Gjithashtu, do të kalojë kohë para se prindërit ta marrin veten emocionalisht. Vetëm atëherë mund të jenë në gjendje të të japin ndihmën e duhur. Dhe, ndërsa jeta jote fillon të rikthehet në normalitet, edhe ti do të fillosh të ndihesh sërish si më parë.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 25

NË KAPITULLIN TJETËR:

A je në ankth ngaqë prindi yt është martuar përsëri? Si mund ta përballosh?

SHKRIMI KYÇ

‘Ka një kohë për t’u shëruar.’​—Eklisiastiu 3:1, 3.

KËSHILLË

Në qoftë se prindërit e tu janë divorcuar, njëri ose ka shumë të ngjarë që të dy kanë bërë gabime. Përpiqu të kuptosh cilat janë gabimet e tyre, në mënyrë që të mos i përsëritësh nëse vendos të martohesh në të ardh men.​—Proverbat 27:12.

A E DIJE . . . ?

Problemet martesore të prindërve të tu nuk janë të trashëgueshme.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Mund t’i tregoj se çfarë më frikëson (shkruaj emrin e një personi të pjekur me të cilin do të doje të flisje) ․․․․․

Në rast se më vjen dëshira t’i ndëshkoj prindërit duke u sjellë keq, mund ta mbaj nën kontroll nëse veproj si më poshtë: ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse prindërit mund të ngurrojnë të flasin me ty për divorcin?

● Pse është e rëndësishme të kujtosh se divorci është një mosmarrëveshje që prindërit e kanë me njëri-tjetrin e jo me ty?

[Diçitura në faqen 32]

«Pasi mami na braktisi, isha e dëshpëruar dhe qaja përditë. Megjithatë, lutesha shpesh, angazhohesha për të ndihmuar të tjerët dhe rrija me miq të pjekur. Mendoj se nëpërmjet këtyre mënyrave, Perëndia Jehova më ndihmoi t’ia dilja mbanë.»​—Natalia

[Figura në faqen 33]

Të marrësh veten pas divorcit të prindërve është si shërimi i një krahu të thyer: është një proces i dhembshëm, por në fund do të shërohesh