Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të shkoj mirë me motrën ose vëllanë?

Si të shkoj mirë me motrën ose vëllanë?

KAPITULLI 6

Si të shkoj mirë me motrën ose vëllanë?

Në një renditje nga 1-shi te 5-a, ku 1-shi do të thotë «të largët» dhe 5-a «të lidhur ngushtë», si do ta përcaktoje marrëdhënien tënde me vëllezërit a motrat? ․․․․․

DISA janë mjaft të lidhur me motrën ose vëllanë. Për shembull, Felisia, 19 vjeçe, thotë: «Motra ime 16-vjeçare, Irena, është një nga shoqet e mia më të mira.» Edhe Karla 17-vjeçare, thotë për të vëllanë, Erikun 20-vjeçar: «Shkojmë shkëlqyeshëm. Nuk zihemi kurrë.»

Por shumë të tjerë kanë një marrëdhënie si ajo e Lorenës me Marlën. «Zihemi për çdo gjë,—thotë Lorena,—qoftë edhe për gjëra të vogla.» Apo je në të njëjtën situatë si Alisa 12-vjeçare që thotë për të vëllanë 14-vjeçar, Denisin: «Më ngre nervat! Hyn si era me shi në dhomën time dhe m’i merr gjërat gjoja borxh, pa më pyetur. Është kalama fare.»

A ke ndonjë motër ose vëlla që t’i ngre nervat? Sigurisht, përgjegjësinë për të mbajtur rregull në shtëpi e kanë prindërit. Megjithatë, herët a vonë do të të duhet të mësosh si të shkosh mirë me të tjerët. Këtë mund ta mësosh sa je ende në shtëpi.

Mendo për mosmarrëveshjet që ke pasur me motrën a vëllanë. Për çfarë ziheni më tepër? Hidhi një sy listës më poshtë dhe vër një shenjë ✔ përbri asaj lloj mosmarrëveshjeje që të luan mendsh.

Sendet personale. Motra/vëllai m’i merr gjërat gjoja borxh, pa më pyetur.

Përplasjet e karakterit. Motra/vëllai është egoist, vepron pa u menduar shumë ose përpiqet të më kontrollojë jetën.

Privaciteti. Më hyn në dhomë pa trokitur ose më lexon mesazhet a postën elektronike pa marrë leje fare.

Tjetër ․․․․․

Nëse motra a vëllai të bezdis vazhdimisht​—duke bërë si shefi yt ose duke të cenuar privacitetin—​vështirë të mos grumbullosh mëri. Por një proverb biblik thotë: «Duke shtypur hundën, del gjak; dhe duke mos frenuar zemërimin, vjen sherri.» (Proverbat 30:33) Nëse mban mëri, ka shumë mundësi të kesh një shpërthim zemërimi, pikërisht siç del gjak po të shtypësh hundën. Pastaj gjendja vetëm sa do të rëndohet. (Proverbat 26:21) Çfarë mund të bësh që acarimi të mos kthehet në shpërthim zemërimi? Një nga gjërat e para është të identifikosh problemin e vërtetë.

Kupto ku qëndron rrënja e problemit

Problemet midis motrave e vëllezërve janë si puçrrat. Nga jashtë puçrra është një plagë e shëmtuar, por shkaku është infeksioni nën lëkurë. Po kështu, përplasja midis motrave e vëllezërve shpesh është vetëm tregues i një problemi më të thellë.

Mund ta shtrydhësh puçrrën, por kështu vetëm sa heq simptomën dhe mund të të mbetet shenjë ose infeksioni mund të të përkeqësohet. Zgjidhja më e mirë është të trajtosh infeksionin, dhe kështu të parandalosh daljen e puçrrave të tjera. E njëjta gjë është edhe me problemet që ke me motrën a vëllanë. Mësohu të kuptosh shkakun e vërtetë dhe do të shkosh përtej grindjes, drejt e në rrënjë të problemit. Kështu do të arrish të veprosh siç këshillon mbreti i mençur Solomon: «Gjykimi i thellë me siguri ia ngadalëson zemërimin njeriut.»​—Proverbat 19:11.

Për shembull, Alisa, që përmendëm më sipër, tha për të vëllanë, Denisin: «Hyn si era me shi në dhomën time dhe m’i merr gjërat gjoja borxh, pa më pyetur.» Kjo është simptoma. Po cili mendon se është shkaku i vërtetë? Ka mundësi të jetë çështje respekti. Në përpjekje për të zgjidhur problemin, Alisa mund t’i thotë Denisit që kurrë të mos i shkelë në dhomë e të mos ia marrë gjërat. Por kjo do të ishte një zgjidhje vetëm për simptomën dhe ka mundësi t’i fuste më shumë në sherr. Megjithatë, nëse Alisa do ta bindte Denisin të respektonte privacitetin dhe gjërat e saj, marrëdhënia e tyre do të përmirësohej patjetër.

Mëso t’i zgjidhësh ose t’i shmangësh mosmarrëveshjet

Sigurisht, identifikimi i rrënjës së problemit përbën vetëm një pjesë të zgjidhjes së tij. Ç’mund të bësh për ta zgjidhur një problem dhe të mos keni përplasje të tjera në të ardhmen? Përpiqu të bësh gjashtë hapat e mëposhtëm.

1. Bini dakord për disa rregulla bazë. Mendo edhe një he rë për atë që identifikove si shkak të mosmarrëveshjes midis jush. Shikoni nëse të dy mund të bini dakord për disa rregulla që do t’ju ndihmojnë ta zgjidhni problemin që në rrënjë. Për shembull, nëse grindeni për sendet personale, rregulli numër një mund të jetë: «Gjithmonë pyet para se të marrësh diçka që nuk të përket.» Rregulli numër dy: «Respekto të drejtën e vëllait a të motrës për të thënë: ‘Jo, nuk mund ta marrësh.’» Kur të vendosni rregullat, mendoni për urdhrin e Jezuit: «Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.» (Mateu 7:12) Në këtë mënyrë, mund të vendosni rregulla që mund t’i ndiqni të dy. Pastaj flisni me prindërit për t’u siguruar nëse janë dakord me rregullat që keni vënë.​—Efesianëve 6:1.

2. Ji i pari për t’i zbatuar rregullat. Apostulli Pavël shkroi: «Ti pra, që mëson një tjetër, nuk mëson veten? Ti që predikon ‘mos vidh’, vjedh për vete?» (Romakëve 2:21) Si ta zbatosh këtë parim? Për shembull, nëse do që motra ose vëllai yt të respektojë privacitetin tënd, atëherë edhe ti duhet të trokasësh para se të hysh në dhomën e tij a të saj ose të marrësh leje para se t’ia lexosh mesazhet ose postën elektronike.

3. Mos u fyej shpejt. Pse është një këshillë e mirë kjo? Sepse, siç thotë një proverb biblik, «fyerja prehet në gji të budallenjve». (Eklisiastiu 7:9) Nëse fyhesh kollaj, asnjëherë nuk do të jesh i lumtur. Në fakt, motra ose vëllai do të thotë ose do të bëjë gjëra që të mërzitin. Por pyet veten: «Po unë, a i kam bërë ose a i kam thënë ndonjë gjë të ngjashme në të kaluarën?» (Mateu 7:1-5) «Kur isha 13 vjeçe, më dukej vetja më e mira,—thotë Xheni,—dhe se mendimi im ishte më i rëndësishmi dhe duhej dëgjuar. Motra e vogël tani po kalon një fazë të ngjashme. Kështu që përpiqem të mos mërzitem me ato që thotë.»

4. Fal dhe harro. Problemet serioze duhen diskutuar dhe zgjidhur. Por, a duhet të diskutosh me motrën ose vëllanë për çdo gabim që bëjnë? Perëndia Jehova e vlerëson gatishmërinë tënde ‘për të kapërcyer shkeljen’. (Proverbat 19:11) Alisona 19-vjeçare thotë: «Unë dhe motra, Rakela, zakonisht arrijmë t’i sheshojmë problemet. Të dyja kërkojmë falje shpejt dhe pastaj shpjegojmë se cili ishte shkaku i grindjes sipas nesh. Ndonjëherë e mendoj mirë dhe e lë për të nesërmen që të flas për problemin. Shpesh, të nesërmen në mëngjes duket sikur mosmarrëveshja është fshirë nga kujtesa dhe as që ia vlen të flasim për të.»

5. Përfshijini edhe prindërit në rolin e arbitrit. Nëse ti me motrën a vëllanë nuk arrini të zgjidhni një çështje të rëndësishme, prindërit mund t’ju ndihmojnë të bëni paqe. (Romakëve 14:19) Por mos harro se aftësia për të sheshuar një mosmarrëveshje pa ndërhyrjen e prindërve, tregon pjekuri të vërtetë.

6. Vlerëso cilësitë e mira të motrës a të vëllait. Me siguri motra ose vëllai ka cilësi që ti i admiron. Shkruaj një gjë që vlerëson te secili prej vëllezërve a motrave.

Emri Çfarë vlerësoj?

․․․․․ ․․․․․

Në vend që të fiksohesh pas të metave të motrave a të vëllezërve, pse të mos gjesh mundësinë t’u thuash se çfarë vlerëson tek ata?​—Psalmi 130:3; Proverbat 15:23.

Bibla e pranon se motra ose vëllai mund të mos jetë gjithmonë shoqja ose shoku yt më i ngushtë. (Proverbat 18:24) Por miqësia juaj mund të forcohet nëse «vazhdoni të duroni . . . njëri-tjetrin», edhe kur të japin «shkak për t’u ankuar». (Kolosianëve 3:13) Nëse vepron kështu, ndoshta motrat a vëllezërit do të të acarojnë më pak. Madje edhe ti do t’i mërzitësh më pak ata.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Si ta kuptosh nëse je vërtet gati për t’u larguar nga shtëpia?

SHKRIMI KYÇ

«Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë njerëzit.»​—Filipianëve 4:5.

KËSHILLË

Nëse ke një motër ose vëlla me të cilin e ke të vështirë të shkosh mirë, shiko anën pozitive. Ai ose ajo po të ndihmon të zhvillosh aftësi të vlefshme për jetën.

A E DIJE . . . ?

Kur të largohesh nga shtëpia, ndonjëherë do të të rrethojnë njerëz që do të t’i ngrenë nervat, qoftë shokët e punës, qoftë njerëz të tjerë të pasjellshëm, të pandjeshëm dhe mendjemëdhenj. Shtëpia është vendi ku mund të mësosh si t’i përballosh paqësisht këto lloj vështirësish.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Disa rregulla bazë që mund të vendos me motrën ose vëllanë ․․․․․

Mund të jem më pak acarues për motrën/​vëllanë nëse unë ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse është e rëndësishme të kuptosh dallimin midis simptomës dhe rrënjës së problemit?

● Sipas teje, cilat janë të mirat kur ke motra e vëllezër?

[Diçitura në faqen 46]

«Pa motrën dhe vëllanë, kujtimet e mia më të bukura do t’i merrte era. Atyre që kanë motra e vëllezër do t’u thosha: ‘Vlerësojini!’»​—Merilina

[Kutia në faqen 42]

Fletë pune

Identifiko rrënjën e problemit

Dëshiron të jesh më i aftë për të identifikuar rrënjën e mosmarrëveshjeve me motrën a vëllanë? Nëse po, lexo ilustrimin e Jezuit për djalin që iku nga shtëpia dhe shpërdoroi gjithë trashëgiminë e tij. (Luka 15:11-32) Shiko me kujdes si reagoi vëllai i madh kur u kthye në shtëpi i vëllai. Pastaj përgjigjju pyetjeve të mëposhtme.

Cila ishte shkëndija që e shtyu vëllanë e madh të reagonte ashtu? ․․․․․

Sipas teje, cila ishte rrënja e problemit? ․․․․․

Si u përpoq i ati ta zgjidhte problemin? ․․․․․

Çfarë duhej të bënte vëllai i madh që problemi të zgjidhej? ․․․․․

Tani mendo për një nga rastet e fundit që je grindur me motrën a vëllanë. Pastaj shkruaj përgjigjen përbri pyetjeve më poshtë. ․․․․․

Cila ishte shkëndija e grindjes? ․․․․․

Cila mendon se mund të jetë rrënja e problemit? ․․․․․

Çfarë rregullash bazë mund të vendosni që të zgjidhni këtë problem dhe të parandaloni të tjera në të ardhmen? ․․․․․

[Figura në faqen 43]

Problemet midis motrave e vëllezërve janë si puçrrat; që të mos të dalin më, duhet të trajtosh shkakun e problemit, e jo vetëm simptomën