Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse nuk u pëlqej vajzave?

Pse nuk u pëlqej vajzave?

KIPUTILLI 28

Pse nuk u pëlqej vajzave?

Po e lë me gojë hapur. I kam treguar gjithçka për veten: gjërat që kam, vendet ku kam qenë, njerëzit që njoh. Me siguri ajo vdes që të dalë me mua.

Do të doja t’ia mbathja një orë e më parë! Nuk e kupton që po përpiqem t’ia mbyll me lezet. Si t’i jap fund muhabetit pa u treguar e paedukatë?

JE NË moshë për t’u lidhur me dikë. Do të doje të gjeje një vajzë që të pëlqen dhe që ka të njëjtat bindje fetare me ty. (1 Korintasve 7:39) Por, sa herë je munduar të nisësh një lidhje, të është dukur dështim total. Çfarë nuk funksionoi? A kërkojnë vajzat vetëm djem të pashëm? «S’do ishte keq të kishte ca muskuj»,—pranon një vajzë me emrin Lisa. Megjithatë, shumica e vajzave kërkojnë diçka më shumë. «Jo të gjithë djemtë e pashëm kanë brumë»,—thotë Keri 18-vjeçare.

Çfarë do të thotë «të kesh brumë»? Nëse do që ta njohësh më mirë një vajzë, çfarë faktorësh duhet të marrësh parasysh? Dhe ç’parime biblike bën mirë të shqyrtosh?

Hapi i parë

Para se të fillosh një lidhje me një vajzë, duhet të zhvillosh disa aftësi bazë që do të të ndihmojnë edhe të zësh shoqëri me këdo. Mendo për aspektet e mëposhtme.

Mëso të jesh i sjellshëm. Bibla thotë se dashuria «nuk sillet në mënyrë të pahijshme». (1 Korintasve 13:5) Sjellja e mirë tregon se i respekton të tjerët dhe po piqesh e po zhvillon një personalitet si i Krishtit. Por ama, sjellja e mirë nuk është një kostum që e vesh për t’u bërë përshtypje të tjerëve dhe e zhvesh sa fut këmbët në shtëpi. Pyete veten: «A sillem mirë me familjarët?» Nëse jo, mirësjellja jote do të duket artificiale kur ke të bësh me njerëz të tjerë. Mos harro: për të zbuluar ç’njeri je në të vërtetë, një vajzë e zgjuar sheh me kujdes si i trajton ata të shtëpisë tënde.​—Efesianëve 6:1, 2.

Ja çfarë thonë vajzat: «Më tërheq shumë kur një djalë tregon mirësjellje edhe në gjëra të vogla, si të më hapë derën, edhe në gjëra më të mëdha, si të jetë i sjellshëm dhe i vëmendshëm jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj familjarëve të mi.»​—Tina.

«Kur dikush që sapo e kam njohur, ia nis me pyetje tepër personale, si: ‘A po njihesh me ndonjë?’ ose ‘Çfarë synimesh ke?’, atëherë më del nga qejfi. Është i paedukatë dhe më vë në siklet.»​—Katja.

«Më duket mungesë respekti kur çunat i gënjen mendja se mund të luajnë me ndjenjat tona, sikur ndjenjat tona të jenë pa rëndësi fare dhe se jemi aq keq për t’u martuar, sa kemi ngelur në mëshirën e tyre.»​—Aleksa.

Kujdesu për higjienën personale. Higjiena e mirë nuk tregon respekt vetëm për të tjerët, por edhe për veten. (Mateu 7:12) Kur ti e respekton veten, ka më shumë mundësi që të tjerët të të respektojnë. Nga ana tjetër, po ta lësh pas dore higjienën, po i ul pikë vetes teksa përpiqesh të fitosh simpatinë e një vajze.

Ja çfarë thonë vajzat: «Një djali që interesohej për mua, i vinte shumë erë goja. S’e duroja dot këtë gjë.»​—Kejli.

Mëso të bashkëbisedosh. Baza e një lidhjeje të qëndrueshme është komunikimi i mirë. Duhet të bisedosh jo vetëm për gjërat që të interesojnë ty, por edhe për ato që i interesojnë asaj. (Filipianëve 2:3, 4) Duhet të dëgjosh me vëmendje çfarë ka për të thënë dhe vlerësoji mendimet e saj.

Ja çfarë thonë vajzat: «Një djalë më bën për vete nëse di të bisedojë lirshëm me mua, kur i mban mend gjërat që i kam thënë dhe bën pyetje që e mbajnë gjallë bisedën.»​—Kristina.

«Mendoj se djemtë tërhiqen nga ajo që shohin, kurse vajzat tërhiqen më shumë nga ajo që dëgjojnë.»​—Laura.

«Dhuratat janë fantastike. Por, kur një djalë ke qejf ta dëgjosh tek bisedon, kur të qetëson e të jep zemër me fjalët e tij . . . do të ishte yll fare! Kjo po që ia vlen.»​—Emi.

«Njoh një çun që është i sjellshëm dhe nuk e kalon cakun. Arrijmë të bëjmë biseda të thella dhe nuk thotë gjëra të tilla si: ‘Sa aromë të mirë mban’ ose ‘Sa e lezetshme je bërë sot’. Më dëgjon me vëmendje dhe kjo e bën çdo vajzë të ndihet mirë.»​—Beti.

«Do të kisha dëshirë ta njihja më mirë dikë që ka humor, por që di të bisedojë edhe për gjëra më serioze, pa u dukur njeri fallso.»​—Kejli.

Ji i përgjegjshëm. Bibla thotë: «Secili do të mbajë ngarkesën e vet.» (Galatasve 6:5) Vajzat nuk i tërheq një djalë që nuk arrin të mbajë as punën, ngaqë është dembel ose e ka mendjen te qejfi.

Ja çfarë thonë vajzat: «Do të doja që disa çuna të mbanin më shumë përgjegjësi. Ndryshe, të dalin fare nga qejfi. Nuk të lënë një shije të mirë.»​—Keri.

«Disa çuna nuk i kanë shumë të qarta synimet e tyre. Nëse u intereson një gocë, zbulojnë se çfarë synimesh ka ajo dhe pastaj thonë: ‘Vërtet?! Edhe unë këtë synim kam!’ Por veprimet e tyre tregojnë krejt të kundërtën.»​—Beti.

Të jesh i përgjegjshëm, siç u tha më sipër, do të të ndihmojë të kesh shoqëri të mira, por ç’të bësh nëse e ndien se je gati të nisësh një lidhje serioze me një vajzë?

Hapi i dytë

Merr iniciativën. Në rast se ke një shoqe të cilën e admiron dhe mendon se mund të jetë një bashkëshorte e mirë, shprehja interesin. Thuaja hapur dhe qartë se çfarë ndien për të. Po, mund të të zënë ethet se mos të refuzon, por fakti që je gati të marrësh iniciativën, tregon se je rritur. Megjithatë ki kujdes: ky nuk është një propozim për martesë. Prandaj trego aftësi dalluese. Një propozim tepër serioz dhe solemn mund ta frikësojë një vajzë në vend që ta bëjë për vete.

Ja çfarë thonë vajzat: «S’ia lexoj dot mendjen tjetrit. Në qoftë se ndonjëri dëshiron të njihet me mua, duhet të tregohet i sinqertë dhe të ma thotë qartë.»​—Nina.

«Është e sikletshme nëse kemi qenë shokë. Por do ta vlerësoja dikë po të më thoshte thjesht që dëshiron të më njohë më mirë, jo vetëm si shoqe.»​—Hejli.

Respekto vendimin e vajzës. Po sikur shoqja jote të thotë se nuk dëshiron të nisë një lidhje më serioze me ty? Tregoji se e respekton duke besuar se ajo e njeh zemrën e saj dhe se jo-ja e saj do të thotë jo. Do të tregoje papjekuri po t’i qepeshe si rrodhe. Vërtet, po ta shpërfillësh refuzimin e qartë të një vajze, madje të acarohesh që ajo të refuzoi, po mendon për interesat e saj apo të tuat?​—1 Korintasve 13:11.

Ja çfarë thonë vajzat: «Më ngrihen nervat kur i them një djali një jo të prerë dhe ai provon prapë.»​—Klara.

«I shpjegova një djali se nuk më interesonte, por ai e donte se s’bën numrin tim të telefonit. Doja të tregohesha e sjellshme. Në fund të fundit, për të s’duhej të ishte e lehtë të merrte guximin të më shprehte çfarë ndiente. Por pastaj m’u desh të isha shumë e prerë me të.»​—Sara.

Çfarë të mos bësh?

Disa djem mendojnë se mund ta fitojnë kollaj simpatinë e vajzave. Madje bëjnë garë me shokët se kush do të bëjë për vete më shumë vajza. Sidoqoftë, kjo konkurrencë është mizore dhe do të të hapë nam të keq. (Proverbat 20:11) Mund ta shmangësh këtë pasojë nëse mban parasysh sugjerimet e mëposhtme.

Mos flirto. Kush flirton, përdor lajka, lëvizje e pozicione provokuese. Ai nuk ka ndër mend të nisë një lidhje me qëllim fisnik. Këto veprime dhe qëndrime shpërfillin këshillën e Biblës që t’i trajtosh «më të rejat si motra, me plot dëlirësi». (1 Timoteut 5:2) Ata që flirtojnë nuk janë shokë të mirë dhe si bashkëshortë janë edhe më keq. Vajzat e mençura e dinë këtë.

Ja çfarë thonë vajzat: «Është shumë e papëlqyeshme kur dikush të lajkaton dhe ti e di që po të njëjtat gjëra i ka thënë edhe shoqes sate vetëm një muaj më parë.»​—Hejli.

«Një djalë i lezetshëm filloi të flirtonte me mua, duke folur kryesisht për veten. Kur një vajzë tjetër u bashkua me grupin tonë, bëri njësoj me të. Edhe kur një e tretë erdhi te ne, përdori të njëjtën taktikë. Sa gjë e shëmtuar!»​—Tina.

Mos luaj me ndjenjat e një vajze. Mos prit që shoqëria me një vajzë të jetë njësoj si shoqëria me një djalë. Pse? Mendo: nëse i thua një shoku se i shkon kostumi i ri ose flet rregullisht dhe hapesh me të, ai nuk do të mendojë se ke ndonjë interes romantik për të. Por në qoftë se i bën komplimente një vajze për paraqitjen e saj ose flet rregullisht me të dhe i hapesh, ajo fare mirë mund të mendojë se ndien për të.

Ja çfarë thonë vajzat: «Sipas meje djemtë nuk e kuptojnë që me vajzat s’mund të sillen njësoj si me shokët e tyre.»​—Shirli.

«Një djalë më merr numrin e telefonit dhe më dërgon një mesazh. Por, . . . si ta marr këtë? Një vajzë mund të lidhet emocionalisht me një djalë që i dërgon mesazhe, por sa mund të njohësh dikë nëpërmjet mesazheve?»​—Mariola.

«Them se një djalë nuk e kupton sa shpejt mund të ndiejë një vajzë, sidomos, nëse ai është tip që kujdeset për të tjerët dhe me të cilin flet rehat. Nuk është puna se ajo vdes të lidhet me dikë. Por mendoj se shumica e vajzave duan të bien në dashuri dhe gjithnjë i kanë sytë të hapur për të gjetur njeriun e duhur.»​—Alisona.

LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË NË VËLLIMIN 2, KAPITULLI 3

NË KAPITULLIN TJETËR:

Sipas teje, cili është ndryshimi midis dashurisë dhe dashuriçkës.

SHKRIMI KYÇ

«Vishni personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë.»​—Efesianëve 4:24.

KËSHILLË

Pyet disa të rritur të pjekur se çfarë aftësie është shumë e rëndësishme të zhvillojë një djalë dhe shiko nëse ajo është një fushë ku ke nevojë të përmirësosh.

A E DIJE . . . ?

Pamja e jashtme është më pak e rëndësishme se njeriu i brendshëm.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Një fushë ku mund të përmirësoj sjelljen, është ․․․․․

Për t’u bërë më i aftë në bashkëbisedim, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Si mund të tregosh që e respekton veten?

● Si mund ta tregosh se i respekton mendimet dhe ndjenjat e një vajze?

[Diçitura në faqen 198]

«Djemtë mendojnë se do t’i bëjnë për vete vajzat po të vishen me njëfarë stili ose po të jenë disi të pashëm. Edhe pse kjo është deri diku e vërtetë, them se mjaft vajza më tepër tërhiqen prej cilësive të mira të personalitetit.»​—Kejti

[Figura në faqen 197]

Sjellja e mirë nuk është një kostum që e vesh për t’u bërë përshtypje të tjerëve dhe e zhvesh sa fut këmbët në shtëpi