Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të mbrohem nga grabitqarët seksualë?

Si të mbrohem nga grabitqarët seksualë?

KAPITULLI 32

Si të mbrohem nga grabitqarët seksualë?

Çdo vit, miliona njerëz përdhunohen ose bëhen viktima të abuzimit seksual në mënyra të tjera dhe studimet tregojnë se shënjestra kryesore janë të rinjtë. Për shembull, është llogaritur se në Shtetet e Bashkuara, rreth gjysma e viktimave të përdhunimit janë nën 18 vjeç. Duke pasur parasysh përhapjen e këtij fenomeni, është shumë e rëndësishme që të shqyrtosh këtë temë. *

«Më mbërtheu dhe më hodhi përtokë aq shpejt sa nuk po merrja vesh çfarë po ndodhte. U përpoqa me çdo mënyrë të mbrohesha. Nxora një spraj me spec djegës, por ma flaku tutje. U përpoqa të bërtisja, por vetëm ajër më doli nga mushkëritë. E shtyva, e gjuajta me shkelma, me grushta dhe e çora. Dhe në ato momente ndjeva një thikë që më depërtoi në lëkurë. U mpiva komplet.»​—Aneta.

GRABITQARËT seksualë janë shtuar mjaft në ditët e sotme dhe shpesh shënjestra e sulmeve të tyre janë të rinjtë. Disa të rinj, si Aneta, sulmohen nga një i panjohur. Të tjerë sulmohen nga një fqinj. Kështu i ndodhi Natalisë. Kur ishte vetëm 10 vjeçe, një adoleshent që jetonte afër shtëpisë së saj, abuzoi me të seksualisht. «Isha kaq e frikësuar dhe e turpëruar sa në fillim nuk i tregova askujt»,—thotë ajo.

Shumë të rinj kanë pasur ngacmime seksuale nga një pjesëtar i familjes. «Nga mosha 5 deri 12 vjeçe babai abuzonte me mua,—thotë një grua me emrin Karmen.—Kur isha 20 vjeçe më në fund u përballa me të. Më kërkoi falje, por pas disa muajsh më nxori nga shtëpia.»

Abuzimi seksual nga një fqinj, shok ose pjesëtar i familjes është bërë më se i zakonshëm në ditët e sotme dhe kjo është shqetësuese. * Por sulmet ndaj të rinjve nuk janë diçka e re. Kjo gjë e turpshme ndodhte edhe në kohën kur u shkrua Bibla. (Joeli 3:3; Mateu 2:16) Sot jetojmë në kohë kritike. Shumë nuk kanë «përzemërsi të natyrshme» dhe është përhapur mjaft shfrytëzimi seksual i vajzave (e madje edhe i djemve). (2 Timoteut 3:1-3) Edhe pse nuk ka një masë parandaluese që të garanton sigurinë, ka mjaft mënyra për t’u mbrojtur. Ja disa këshilla:

Hap sytë. Kur del nga shtëpia, shih se çfarë ndodh para e mbrapa teje dhe majtas e djathtas. Disa zona njihen si të rrezikshme, sidomos natën. Për aq sa është e mundur, ose shmangi këto zona, ose të paktën merr masa që të të shoqërojë dikush.​—Proverbat 27:12.

Mos jep përshtypje të gabuara. Mos flirto ose mos u vish në mënyrë provokuese. Këto mund të japin përshtypjen se dëshiron të bësh seks ose se nuk do të refuzoje po të vinte rasti.​—1 Timoteut 2:9, 10.

Fol për kufijtë. Nëse po njihesh me dikë, fol me të për çfarë është e përshtatshme dhe çfarë jo. * Kur të keni vendosur kufijtë, mos lejo që të gjendesh në situata kompromentuese ku mund të abuzojnë me ty.​—Proverbat 13:10.

Mos ki frikë të ngresh zërin. Nuk ka asgjë të keqe të thuash me vendosmëri: «Mos e bëj!» ose «Hiqi duart!» Mos u spraps nga frika se mos lidhja juaj merr fund. Nëse ai ndahet me ty vetëm për këtë çështje, nuk ia vlen të vazhdosh me të. Në fund të fundit, meriton një burrë të vërtetë, një burrë që respekton trupin dhe parimet e tua.

Ki kujdes kur futesh në Internet. Mos jep kurrë informacione personale ose mos fut fotografi që tregojnë se ku banon. * Nëse merr një ftesë të hapur për seks, zakonisht përgjigja më e mirë është të mos përgjigjesh fare. Heshtja i bën të pafuqishëm shumë prej këtyre grabitqarëve.

Nëse ndjek hapat e mëparshëm, do të jesh më e mbrojtur ndaj sulmeve. (Proverbat 22:3) Megjithatë, të themi të vërtetën, jo gjithmonë do të arrish ta kesh nën kontroll situatën. Për shembull, jo gjithmonë do të kesh mundësi të udhëtosh me dikë tjetër ose të shmangësh zonat e rrezikshme. Madje, ndoshta banon në një zonë të rrezikshme.

Ndoshta nga përvojat e hidhura ke mësuar se sado të përpiqesh t’i shmangësh, prapëseprapë gjërat e këqija ndodhin. Ashtu si Aneta, që përmendëm në fillim të kapitullit, ndoshta të ka ndodhur po njësoj, kur nuk e kishe mendjen e nuk ishe aq e fortë sa të shpëtoje. Ose si Karmeni, ke qenë viktimë e këtyre sulmeve në vogëli dhe si e tillë nuk kishe fuqi të kontrolloje situatën​—a madje të kuptoje tamam se çfarë po ndodhte. Si mund t’i përballosh ndjenjat e fajit që shpesh i torturojnë ata që janë viktima të abuzimit seksual?

Si të përballosh ndjenjat e fajit?

Aneta lufton akoma me ndjenjat e fajit për atë që ndodhi. «Jam armikja më e keqe e vetes,—thotë ajo.—Vazhdoj ta xhiroj akoma në mendje atë që ndodhi atë natë. Më duket sikur duhej të isha përpjekur më shumë që ta sprapsja. Por, pasi më nguli thikën, u paralizova nga frika. Nuk mund të bëja asgjë më tepër, por mendoj se duhej të isha përpjekur më shumë.»

Edhe Natalia lufton me ndjenjat e fajit. «Nuk duhej të kisha aq shumë besim,—thotë ajo.—Prindërit na e kishin vënë si rregull që unë dhe motra të ishim gjithmonë bashkë kur dilnim për të luajtur jashtë, por nuk ua vura veshin. Prandaj mendoj se i dhashë unë rast fqinjit që të më bënte keq. Ajo që ndodhi ndikoi edhe te familja ime dhe ndihem fajtore që u shkaktova aq shumë dhembje. Kjo më vret më shumë.»

Nëse ndihesh si Aneta ose Natalia, si mund t’i përballosh ndjenjat e fajit? Së pari, përpiqu të mbash gjithmonë parasysh se, nëse të përdhunuan, nuk është se ti doje. Disa e nënvlerësojnë këtë çështje me justifikimin se «djemtë janë djem» dhe se ato që përdhunohen, e kërkojnë vetë. Por askush nuk meriton të përdhunohet. Nëse ke qenë viktimë e një akti të tillë të llahtarshëm, nuk është faji yt.

Sigurisht, është e lehtë të lexosh fjalët «nuk është faji yt», por t’i besosh mund të jetë shumë më e vështirë. Disa e mbajnë përbrenda atë që u ka ndodhur dhe torturohen nga ndjenjat e fajit e nga ndjenja të tjera negative. Megjithatë, kujt i leverdis më shumë heshtja jote, ty apo abuzuesit? Ti meriton të gjesh një zgjidhje tjetër.

Trego çfarë ndodhi

Bibla na tregon se në kulmin e dëshpërimit të tij, Jobi i drejtë tha: «Do ta shfrej brengën. Do të flas në vrerin e shpirtit tim.» (Jobi 10:1) Edhe ti do ta kesh më të lehtë po të veprosh si ai. Nëse flet me një njeri të besuar për përdhunimin, me kalimin e kohës do të arrish ta pranosh atë që ndodhi dhe të lehtësohesh nga ndjenjat që të brengosin.

Në fakt, nëse je e krishterë, është e rëndësishme që të flasësh me pleqtë e kongregacionit. Fjalët ngushëlluese të barinjve të dashur, mund të të sigurojnë se, si viktimë e përdhunimit, nuk je ndotur nga mëkati i dikujt tjetër. Këtë zbuloi edhe Aneta. Ajo thotë: «Fola me një shoqe të ngushtë dhe ajo më nxiti të flisja me dy pleq të krishterë në kongregacion. Jam e kënaqur që fola me ta. Ata u ulën e biseduan me mua disa herë dhe më thanë pikërisht ato fjalë që kisha nevojë të dëgjoja​—se ajo që kishte ndodhur, nuk kishte ndodhur për fajin tim. Nuk kisha faj për asgjë

Kur flet për atë që ndodhi dhe shpreh si ndihesh, nuk të gërryen zemërimi dhe mëria. (Psalmi 37:8) Mund të të ndihmojë edhe të ndihesh e lehtësuar, për herë të parë pas shumë vjetësh. Pasi u tregoi prindërve për abuzimin që i ishte bërë, Natalia kuptoi që kjo ishte më se e vërtetë. «Ata më mbështetën,—thotë ajo.—Më nxitën të flisja dhe kjo më ndihmoi të mos ndihesha aq e dëshpëruar dhe e zemëruar përbrenda.» Gjithashtu, Natalia gjeti ngushëllim edhe te lutja. «Më ndihmonte shumë kur flisja me Perëndinë,—shprehet ajo,—sidomos në rastet kur ndieja se nuk mund të hapesha me askënd tjetër. Kur lutem, mund të flas lirshëm. Më jep një ndjenjë paqeje dhe qetësie.» *

Edhe ti mund të zbulosh se ka ‘një kohë për t’u shëruar’. (Eklisiastiu 3:3) Ki besim te mbështetja e miqve që janë si pleqtë të cilët përshkruhen si «një strehë për t’u mbrojtur nga era dhe si një vend për t’u fshehur nga shtrëngata». (Isaia 32:2). Kujdesu për veten si fizikisht, ashtu edhe emocionalisht. Pusho sa duhet. Dhe mbi të gjitha, mbështetu te Perëndia i çdo ngushëllimi, Jehovai, i cili së shpejti do të sjellë një botë të re ku «keqbërësit do të shfarosen, kurse ata që shpresojnë te Jehovai, do të trashëgojnë tokën».​—Psalmi 37:9.

[Shënimet]

^ par. 3 Në disa raste vajzën e përdhunon djali me të cilin shoqërohet duke ushtruar forcë ose duke e droguar që të mos bëjë rezistencë.

^ par. 7 Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitulli 4.

^ par. 10 Edhe pse ky kapitull u drejtohet vajzave, këshillat që jepen vlejnë edhe për djemtë.

^ par. 12 Për më shumë informacion, shih vëllimin 2, kapitulli 11.

^ par. 23 Ndonjëherë viktimat e abuzimit bien në depresion të rëndë. Në një rast të tillë, mund të jetë e mençur konsultimi me një mjek. Për më shumë informacion në lidhje me përballimin e ndjenjave dëshpëruese, shih kapitujt 13 dhe 14 të këtij libri.

SHKRIMI KYÇ

«Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, . . . pa përzemërsi të natyrshme, . . . pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë.»​—2 Timoteut 3:1-3.

KËSHILLË

Nëse ke qenë viktimë e abuzimit seksual, mbaj një listë shkrimesh që mund të të ngushëllojnë. Disa prej tyre mund të jenë: Psalmi 37:28; 46:1; 118:5-9; Proverbat 17:17 dhe Filipianëve 4:6, 7.

A E DIJE . . . ?

Në Shtetet e Bashkuara, më shumë se 90 për qind e të miturve që kanë qenë viktima të abuzimit seksual, e njohin abuzuesin.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Kur të ndihem në faj për atë që ndodhi, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Cilat janë dobitë kur flet me dikë për abuzimin që të është bërë?

● Çfarë mund të të ndodhë ty dhe të tjerëve nëse nuk flet?

[Diçitura në faqen 232]

«Është shumë e vështirë të flasësh për abuzimin, por është gjëja më e mirë që mund të bësh. Të ndihmon të çlirohesh nga trishtimi e zemërimi dhe të rimarrësh fuqitë.»​—Natalia

[Kutia në faqen 230]

«Po të më doje . . . »

Ka një lloj grabitqarësh seksualë që nuk i detyrojnë vajzat, por me dinakëri luajnë me ndjenjat e tyre. Si? Duke u thënë fjalë të tilla, si: «Të gjithë bëjnë seks», «S’ka për ta marrë vesh njeri» ose siç thuhej në kapitullin 24 të këtij libri «Po të më doje, do ta bëje këtë». Mos u mashtro nga një djalë që përpiqet të të mbushë mendjen se seksi është i barabartë me dashurinë. E vërteta është se çdokush që mendon kështu, po kërkon veçse kënaqësinë e vet. Nuk po mendon për ty apo për të mirën tënde. Kurse një burrë i vërtetë do t’i vinte interesat e tua mbi të vetat dhe do të tregonte se ka forcën t’u përmbahet normave morale të Perëndisë. (1 Korintasve 10:24) Një burrë i vërtetë nuk do t’i trajtonte vajzat si objekte seksuale. Përkundrazi, do t’i shihte «të rejat si motra, me plot dëlirësi».​—1 Timoteut 5:1, 2.

[Figura në faqen 233]

Pesha e ndjenjave që të lë abuzimi, mund të jetë tepër e rëndë për ta mbajtur vetëm. Pse të mos kërkosh ndihmën e dikujt duke folur me të?