Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta përballoj ndarjen?

Si ta përballoj ndarjen?

KAPITULLI 31

Si ta përballoj ndarjen?

«Ishim shokë prej 5 vjetësh dhe kishim gjashtë muaj që po dilnim bashkë për t’u njohur. Kur donte t’i jepte fund lidhjes, nuk arrinte as të ma thoshte në sy. Thjesht nuk më fliste më me gojë. Ndihesha përtokë. Zhgënjimi po ma merrte frymën. Vrisja mendjen: ‘Ku gabova?’»​—Rakela.

NDARJA mund ta ndrydhë natyrën e qeshur dhe ta kthejë në trishtim e lot. Mendo për Xhefrin dhe Suzanën që kishin dy vjet që po njiheshin. Gjatë asaj kohe u lidhën shumë emocionalisht. Tërë ditën Xhefri i dërgonte mesazhe në celular plot fjalë dashurie. Hera-herës i bënte dhurata për t’i treguar se mendonte për të. «Xhefri përpiqej të më dëgjonte e të më kuptonte,—thotë Suzana.—Më bënte të ndihesha e veçantë.»

S’kaloi shumë dhe Xhefri e Suzana flitnin për martesën dhe se ku do të jetonin si burrë e grua. Ai i mori edhe masën për t’i blerë unazën. Pastaj, befas i dha fund lidhjes. Suzana ndihej e dërrmuar. Ndonëse bënte gjërat e përditshme, ishte e mpirë nga tronditja. Ajo thotë: «Isha e rraskapitur mendërisht dhe fizikisht.» *

Pse është e dhembshme?

Nëse gjendesh në situatën e Suzanës, mbase mendon: «A do ta marr ndonjëherë veten?» Është normale të dëshpërohesh. «Dashuria është e fortë sa vdekja»,—shkroi mbreti Solomon. (Kënga e Solomonit 8:6) Pra, ndarja mund të jetë një nga përvojat më të dhembshme që ke kaluar. Disa kanë thënë se është sikur të vdes një pjesë e jotja. Edhe ti mund të kalosh në faza të tilla trishtimi ose të tjera faza tipike si këto:

Mohimi. «S’mund të marrë fund. Ka për të ndërruar mendje pas nja dy ditësh.»

Inati. «Si ma bëri këtë? S’e duroj dot!»

Dëshpërimi. «Jam kot fare. Kurrë s’ka për të më dashur njeri.»

Pranimi. «Do t’ia dal. Ndarja është e dhembshme, por po e marr veten.»

E mira është që mund të arrish në fazën e fundit, pra ta pranosh situatën. Se sa kohë do të të duhet, varet nga disa gjëra, si për shembull, sa ka zgjatur lidhja dhe deri ku kishte shkuar. Por ndërkohë, si ta përballosh vuajtjen?

Si t’i bësh ballë?

Mbase e ke dëgjuar shprehjen: koha shëron çdo plagë. Në fillim kur ndahesh, këto mund të tingëllojnë fjalë boshe. Kjo ndodh ngaqë koha është veç një pjesë e zgjidhjes. Le ta ilustrojmë: kur çahesh, me kalimin e kohës plaga do të të mbyllet, por tani të dhemb. Duhet ta ndalosh gjakrrjedhjen dhe të lehtësosh dhembjen. Gjithashtu duhet ta mbrosh që të mos të infektohet. Njësoj ndodh edhe me plagën emocionale. Tani për tani të dhemb. Por mund të bësh disa gjëra që ta lehtësosh dhembjen dhe të mos e lejosh vrerin të ta infektojë plagën. Koha do të bëjë të sajën, por si mund të bësh ti pjesën tënde? Ndiq sugjerimet e mëposhtme.

Mos e ndrydh pikëllimin. S’ka asgjë të keqe ta zbrazësh dëshpërimin me të qarë. Në fund të fundit Bibla thotë se ka «një kohë për të qarë» e madje «një kohë për të vajtuar». (Eklisiastiu 3:1, 4) Të qash, nuk do të thotë se je e dobët. Edhe Davidi, një luftëtar i guximshëm, kur ishte në ankth të madh, tha: «Çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lot mbi shtrojen time.»​—Psalmi 6:6, Diodati i Ri.

Kujdesu për shëndetin. Ushtrimet dhe ushqimi i shëndetshëm do të të ndihmojnë të fitosh energjinë e humbur nga vuajtja emocionale. Bibla thotë: «Stërvitja e trupit është e dobishme.»​—1 Timoteut 4:8.

Në ç’aspekte të shëndetit është e nevojshme të tregosh kujdes?

․․․․․

Zëre kohën me veprimtari. Mos hiq dorë nga gjërat që të pëlqejnë. Tani më shumë se kurrë mos u veço nga të tjerët. (Proverbat 18:1) Po të shoqërohesh me ata që interesohen për ty, do të përqendrohesh në gjëra pozitive.

Ç’synime mund të vësh?

․․․․․

Shprehja ndjenjat Perëndisë në lutje. Kjo mund të jetë e vështirë. Pas një ndarjeje, disa ndihen sikur i ka tradhtuar edhe Perëndia. Ata mendojnë: «U luta sa s’ka që të gjeja dikë dhe ja çfarë ndodhi.» (Psalmi 10:1) Megjithatë, a është e drejtë ta shohësh Perëndinë si një mbles qiellor? Patjetër që jo. Ai nuk është fajtor as kur ndonjë nga palët dëshiron t’i japë fund lidhjes. Një gjë e dimë mirë për Jehovain: ‘Ai interesohet për ty.’ (1 Pjetrit 5:7) Prandaj zbrazja zemrën në lutje. Bibla thotë: «Bëjani të njohura Perëndisë kërkesat tuaja. . . . Kështu paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë tuaja mendore me anë të Krishtit Jezu.»​—Filipianëve 4:6, 7.

Për çfarë gjërash mund t’i lutesh në veçanti Jehovait tek lufton me dhembjen e ndarjes?

․․․․․

Shiko përpara

Pasi të ketë kaluar koha dhe plaga të jetë mbyllur, është mirë ta mendosh me kujdes ç’ndodhi me lidhjen tuaj. Kur të ndihesh gati për këtë, një ndihmë mund të jetë të shkruash përgjigjet e pyetjeve në kutinë «ç’mund të mësoj nga ndarja?» në faqen 224.

Vërtet, lidhja juaj nuk doli siç shpresoje. Por mbaj mend: mes një shtrëngate është e lehtë të përqendrohesh te qielli i zymtë e te rrebeshi. Mirëpo, pastaj shiu ndalet e qielli kthjellohet. Të rinjtë që folën në këtë kapitull, me kalimin e kohës e morën veten dhe ecën para. Ji e sigurt se njësoj do të jetë edhe me ty!

NË KAPITULLIN TJETËR:

Ç’mund të bësh që të mbrohesh nga grabitqarët seksualë?

[Shënimi]

^ par. 5 Ndonëse në kapitull tregohen përvojat e disa vajzave, parimet vlejnë njësoj edhe për djemtë.

SHKRIMI KYÇ

«[Jehovai] shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme.»​—Psalmi 147:3.

KËSHILLË

Suzana, e përmendur në fillim të këtij kapitulli, bëri një listë me shkrime biblike dhe e mbante gjithnjë pranë që t’i lexonte kur ndihej e mbytur nga emocionet. Ndoshta edhe ti mund të bësh kështu me disa nga shkrimet në këtë kapitull.

A E DIJE . . . ?

Pjesa më e madhe e lidhjeve në adoleshencë nuk kurorëzohen me martesë dhe ata pak që martohen, kanë një probabilitet të madh të përfundojnë në divorc.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Për ta marrë veten nga një ndarje, do të ․․․․․

Që të jem një partner më i mirë kur të njihem me një tjetër, do të përmirësoj në ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Çfarë ke mësuar për veten nga lidhja që kishe?

● Çfarë ke mësuar për seksin tjetër?

[Diçitura në faqen 227]

«Koha të ndihmon t’i shohësh gjërat më qartë. Me kalimin e kohës, emocionet nuk janë më aq të forta, kështu që e sheh situatën me kthjelltësi dhe ndien se më e keqja ka kaluar. Gjithashtu, arrin të kuptosh më mirë se kush je dhe çfarë do të të pëlqente tani te një partner, si edhe nga se të ruhesh që të mos biesh në të njëjtën situatë në të ardhmen.»​—Korina

[Kutia në faqen 224]

Fletë pune

Ç’mund të mësoj nga ndarja?

A ta tregoi arsyen e ndarjes? Në rast se po, shkruaje më poshtë, pavarësisht nëse të duket apo jo një arsye e vlefshme.

Çfarë arsyesh të tjera mendon se mund të ketë pasur? ․․․․․

Kur kthen kokën pas, a mendon se mund të kishe bërë diçka që do ta ndryshonte fundin? Nëse po, çfarë? ․․․․․

A të ka treguar kjo përvojë se çfarë do të doje të përmirësoje për t’u bërë njeri më i pjekur dhe një i krishterë më i mirë? ․․․․․

A ka diçka që do ta bëje ndryshe në një lidhje të ardhshme? Çfarë? ․․․․․

[Figura në faqen 223]

Ndarja është si një çarje: të dhemb, por me kalimin e kohës do të shërohet