Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ç’duhet të di për duhanin?

Ç’duhet të di për duhanin?

KAPITULLI 33

Ç’duhet të di për duhanin?

Shiko mundësitë e mëposhtme dhe vër një shenjë ✔ anash çdo pike ku gjen veten.

□ Jam kureshtar

□ Po kaloj strese

□ Dua që të tjerët të më pranojnë

□ Kam hallin e peshës

NËSE shënove ndonjë nga pikat në faqen 237, ke diçka të përbashkët me shokët e tu që pinë ose që u ka shkuar mendja të pinë duhan. Për shembull:

Shuarja e kureshtjes. «Doja të provoja si ishte të pije duhan. Kështu pranova cigaren që më dha një vajzë në shkollë, dola dhe e piva fshehurazi.»​—Trejsi.

Përballimi i stresit dhe pranimi nga të tjerët. «Në shkollë, çunat e gocat thoshin ‘më duhet një cigare’, e pastaj ‘aa, tani po që mund t’ia dal’. Kur isha e stresuar, doja të ndihesha edhe unë ashtu.»​—Niki.

Rënia në peshë. «Disa goca pinë duhan për të ruajtur elegancën​—është shumë më kollaj se të mbash dietë!»​—Samanta.

Megjithatë, para se të ndezësh cigaren e parë​—ose cigaren tjetër—​ndalu e mendo. Mos u bëj si peshku që ha karremin. Vërtet peshku fiton diçka të vogël, por sa shtrenjtë e paguan! Më mirë ndiq këshillën e Biblës dhe përdor ‘aftësitë e tua për të menduar në mënyrë të kthjellët’. (2 Pjetrit 3:1) Mundohu t’u përgjigjesh pyetjeve të mëposhtme.

Çfarë di në të vërtetë për duhanin?

Shëno nëse pohimet e mëposhtme janë të vërteta apo të rreme.

a. Duhani do të më pakësojë stresin.

□ E vërtetë □ E rreme

b. Mund ta nxjerr thuajse gjithë tymin.

□ E vërtetë □ E rreme

c. Pasojat te shëndeti do t’i ndiej vetëm kur të jem i rritur.

□ E vërtetë □ E rreme

ç. Duhani më bën më interesant për seksin tjetër.

□ E vërtetë □ E rreme

d. Po të pi duhan, s’i bëj keq njeriu përveç vetes.

□ E vërtetë □ E rreme

dh. Perëndisë nuk i intereson nëse unë pi duhan apo jo.

□ E vërtetë □ E rreme

Përgjigjet

a. E rreme. Për momentin duhani e lehtëson stresin që vjen kur po vdes për një cigare. Mirëpo, shkencëtarët kanë zbuluar se në të vërtetë nikotina shton hormonet e stresit.

b. E rreme. Sipas disa studimeve, mbi 80 për qind e grimcave të tymit që thith, mbeten brenda trupit.

c. E rreme. Ndonëse rreziqet shtohen pas çdo cigareje që pi, disa pasoja janë të menjëhershme. Disave u mjafton një cigare e vetme që t’u bëhet ves duhani. Mushkëritë do të të dobësohen dhe ka të ngjarë të vuash nga një kollë që s’të shqitet. Rrudhat në lëkurë do të të shtohen dhe do të të dalin para kohe. Duhani shton rrezikun e çrregullimit të funksioneve seksuale, krizave të panikut dhe depresionit.

ç. E rreme. Studiuesi Llojd Xhonston vërejti se adoleshentët që pinë duhan, nuk janë «edhe aq tërheqës për shumicën e seksit tjetër».

d. E rreme. Çdo vit vdesin mijëra vetë ngaqë thithin tymin e duhanit të të tjerëve. Pra, do të dëmtosh familjen, miqtë, e madje edhe kafshët që ke në shtëpi.

dh. E rreme. Kush dëshiron t’i pëlqejë Perëndisë, duhet të pastrohet nga «çdo ndotje e mishit». (2 Korintasve 7:1) S’diskutohet që duhani ndot trupin. Nëse zgjedh të jesh i papastër, duke dëmtuar veten dhe të tjerët me anë të duhanit, s’mund të jesh mik i Perëndisë.​—Mateu 22:39; Galatasve 5:19-21.

Si të mos bie pre?

Atëherë, ç’do të bësh nëse të ofrojnë një cigare? Shpesh mjafton një përgjigje e thjeshtë, por e prerë, si: «Jo faleminderit, nuk e pi.» Nëse tjetri ngul këmbë ose edhe të tall, mos harro se është e drejta jote të zgjedhësh. Mund të thuash:

● «Kur mësova sa rreziqe ka, e ndava mendjen se nuk bën për mua.»

● «Kam plane të rëndësishme për të ardhmen, prandaj dua të marr frymë edhe për ca kohë.»

● «Sipas teje, s’paskam të drejtë të vendos për veten time?»

Sidoqoftë, ashtu si të rinjtë e cituar në këtë kapitull, presionin më të madh mbase e ke nga vetja. Po të jetë kështu, kundërshtoje këtë «zë të brendshëm» duke arsyetuar rreth pyetjeve të mëposhtme:

● A do të më sjellë vërtet ndonjë të mirë duhani? Për shembull, nëse vendos të pi duhan vetëm që të më pranojnë të tjerët, a do të më pranojnë vërtet kur s’kam thuajse asgjë tjetër të përbashkët me ta? E fundja, a dua t’u shkoj pas avazit atyre që do të kënaqeshin teksa i bëj dëm vetes?

● «Sa shtrenjtë do t’i kushtojë duhani xhepit dhe shëndetit tim, pa përmendur humbjen e respektit të të tjerëve?»

● «A dua ta shes miqësinë me Perëndinë për një cigare?»

Po nëse të është bërë ves duhani, si të shpëtosh?

Si ta lë?

1. Binde veten. Shkruaj arsyet që ke ti për ta lënë dhe hidhu një sy herë pas here. Një motiv i fortë mund të jetë dëshira që të jesh i pastër në sytë e Perëndisë.​—Romakëve 12:1; Efesianëve 4:17-19.

2. Kërko ndihmë. Nëse ke pirë fshehtas, tani është momenti të flasësh hapur. Tregoju atyre që ua ke mbajtur sekret, se do ta lësh duhanin dhe kërkoju të të ndihmojnë. Nëse dëshiron t’i shërbesh Perëndisë, lutju për ndihmë.​—1 Gjonit 5:14.

3. Cakto një datë. Jepi vetes dy javë kohë a më pak, dhe shëno në kalendar ditën kur ke vendosur ta lësh. Tregoju familjes dhe miqve se në atë datë do ta lësh duhanin.

4. Kërko dhe zhduk. Para datës që ke caktuar, rrëmo cep më cep nëpër dhomë, makinë e rroba se mos gjen ndonjë cigare dhe zhduki. Hiq gjithë çakmakët, shkrepëset dhe tavllat e duhanit.

5. Përballo simptomat e lënies. Pi mjaft lëngje frutash ose ujë dhe fli më shumë. Mos harro se sikleti është i përkohshëm, kurse dobitë janë të përhershme.

6. Shmang tundimet. Rri larg situatave e vendeve ku mund të të vijë të pish duhan. Gjithashtu, mund të të duhet të ndërpresësh shoqërinë me ata që e pinë.​—Proverbat 13:20.

Mos bjer në grep!

Vit për vit, firmat e duhanit shpenzojnë miliarda dollarë për reklama. Kë në mënyrë të veçantë kanë në shënjestër? Në një dokument të brendshëm të një kompanie duhani thuhet: «Adoleshenti i sotëm, mund të jetë klienti ynë i rregullt nesër.»

Mos i lejo biznesmenët e industrisë së duhanit të të zhvatin xhepat. Pse ta hash karremin e tyre? As ata, as shokët e tu që pinë duhan, nuk mendojnë për të mirën tënde. Në vend që të dëgjosh ata, vërja veshin këshillës së Biblës dhe mëso «si të nxjerrësh dobi për vete».​—Isaia 48:17.

NË KAPITULLIN TJETËR:

A të bëjnë presion shokët që të pish alkool? Kupto përse duhet të dish kufirin tënd.

[Shënimet]

Edhe pse ky kapitull flet për ata që pinë cigare, problemet dhe rreziqet që nxirren në pah, vlejnë edhe për ata që përtypin duhan.

Si marihuana, ashtu edhe hashashi bëhen nga pjesë të ndryshme të bimës së kanabisit. Por hashashi është pesë herë më i fortë se marihuana.

SHKRIMI KYÇ

«Të qëndrojmë larg gjithçkaje që e ndot trupin.»​—2 Korintasve 7:1, Contemporary English Version.

KËSHILLË

Mos nxirr justifikime, të tilla si «do ta thith vetëm një herë». Shpesh këto justifikime bëjnë që t’i dorëzohesh prapë këtij vesi.​—Jeremia 17:9.

A E DIJE . . . ?

Përdorimi i llojeve të duhanit pa tym, si për shembull me përtypje, mund të nxjerrë më shumë nikotinë se cigaret dhe përmban rreth 25 lëndë helmuese kancerogjene që rritin rrezikun e kancerit të fytit e të gojës.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse një shok klase më bën presion që të pi duhan, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Edhe pse i di rreziqet, prapëseprapë pse mund të tundohesh që të pish duhan?

● Çfarë të ka bindur se nuk është mirë të pish duhan?

[Diçitura në faqen 240]

«Kur më zgjatin ndonjë cigare, vetëm buzëqesh dhe u them: ‘Jo, faleminderit. Nuk dua të më zërë kanceri.’»​—Alejna

[Kutia dhe figura në faqen 241]

A është vërtet aq e keqe marihuana?

«Disa thonë se përdorimi i marihuanës është një mënyrë për të shpëtuar nga problemet,—thotë Elena, e cila jeton në Irlandë,—dhe se nuk ka ndonjë efekt anësor të dëmshëm.» A ke dëgjuar edhe ti fjalë të tilla për marihuanën? Krahaso disa opinione të përhapura me të vërtetën.

Opinioni i përhapur. Marihuana nuk është e dëmshme.

E vërteta. Efektet e përhershme të marihuanës që dihen ose dyshohen, janë: dobësim i kujtesës, dëmtim i aftësisë për të mësuar, mosfunksionim i sistemit imunitar dhe dëmtim i shëndetit seksual si te vajzat, ashtu edhe te djemtë. Mund të shkaktojë kriza ankthi, psikozë dhe paranojë. Fëmijët që lindin nga nëna që pinë marihuanë, ka më shumë të ngjarë të kenë probleme me sjelljen, me përqendrimin dhe vështirësi të mëdha në marrjen e vendimeve.

Opinioni i përhapur. Të pish marihuanë është më pak e dëmshme se të pish duhan.

E vërteta. Në krahasim me duhanin, nëpërmjet marihuanës ti mund të futësh katër herë më shumë katran në rrugët e frymëmarrjes dhe pesë herë më shumë monoksid karboni në gjak, një substancë helmuese. Pesë cigare marihuane përmbajnë po aq lëndë helmuese kancerogjene sa një paketë duhani.

Opinioni i përhapur. Nuk bëhesh i varur ndaj marihuanës.

E vërteta. Adoleshentët që kanë probleme mendore ose emocionale, mund të bëhen shumë shpejt të varur ndaj marihuanës. Të tjerë bëhen të varur pasi e kanë përdorur për shumë kohë. Përveç këtyre, studimet tregojnë se adoleshentët që pinë marihuanë, janë shumë më të prirur të përdorin edhe droga të tjera, si për shembull kokainë.

[Kutia dhe figurat në faqet 244, 245]

Ndikimi i duhanit në trupin tënd

Hidhu një sy njerëzve të shëndetshëm në reklamat e cigareve. Pastaj krahasoji ato imazhe me ndikimin që ka vërtet duhani në trupin tënd.

Në gojë dhe fyt: Mund të shkaktojë kancer

[Figura]

Kancer në gjuhë

Në zemër: Ngurtëson dhe ngushton arteriet, pengon që zemra të marrë oksigjen sa duhet dhe rrit deri në katër herë rrezikun e sëmundjeve të zemrës

[Figura]

Arterie e bllokuar

Në mushkëri: Shkatërron qeskat e ajrit, shkakton inflamacion në rrugët e frymëmarrjes dhe rrit deri në 23 herë rrezikun e kancerit në mushkëri

[Figura]

Mushkëria e një duhanpirësi

Në tru: Rrit deri në katër herë rrezikun e hemorragjisë cerebrale

Në lëkurë: Mund të shkaktojë plakje të parakohshme

Te dhëmbët: Shkakton zverdhjen

Në stomak: Shkakton kancer

Në pankreas: Shkakton kancer

Në fshikëzën e urinës: Shkakton kancer

Në veshkë: Shkakton kancer

[Figura në faqen 239]

Ashtu si peshku që ha karremin, duhanpirësi fiton diçka të vogël, por e paguan shtrenjtë