Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta lë drogën?

Si ta lë drogën?

KAPITULLI 35

Si ta lë drogën?

A JE skllav i drogës? Ndoshta e di se vesi i drogës po të dëmton mendërisht dhe fizikisht. Madje mund të jesh përpjekur ta lësh, por i je kthyer prapë. Nëse është kështu, mos u dëshpëro. Ka njerëz që kanë arritur ta lënë e mund ta lësh edhe ti. Për shembull, më poshtë tregohet për tre persona me prejardhje shumë të ndryshme që tregojnë se si e lanë drogën.

EMRI: Marta

E KALUARA IME: Mami nuk ishte e martuar kur linda unë, kështu që unë dhe motra u rritëm pa baba. Që kur isha 12 vjeçe, fillova të shkoja në disko me një teze që i pëlqente shumë të kërcente. Isha mjaft e hedhur dhe pa kaluar shumë u lidha me njerëz që kishin vese të këqija. Fillova të provoja droga të ndryshme kur isha 13 vjeçe. Fillova edhe kokainën. Në fillim më pëlqente droga. Por pak më vonë, më filluan halucinacionet dhe kisha frikë nga gjithçka. Dhe kur mbaronte efekti i drogës, mendoja vetëm të vrisja veten. Doja ta lija drogën, por nuk kisha vullnet.

SI E LASHË DROGËN? Fillova të mendoja për Perëndinë e madje shkova disa herë në kishë. Por u demoralizova më shumë. Kur isha 18 vjeçe, shkova të jetoja me të dashurin dhe linda një djalë. Lindja e djalit më shtoi dëshirën të ndryshoja mënyrën e jetesës. Te shtëpia përballë times erdhi të banonte një shoqja ime e mëparshme. Ajo më erdhi për vizitë dhe më pyeti se si po ia kaloja. I zbraza zemrën. Më tha se ishte bërë Dëshmitare e Jehovait dhe më ftoi të studioja Biblën me të. Pranova.

Mësova se jeta që bëja nuk i pëlqente Perëndisë dhe se duhej ta lija drogën e duhanin. Por droga më kishte mbërthyer fort në kthetrat e saj. I përgjërohesha Jehovait disa herë në ditë që të më ndihmonte t’i lija veset e këqija. Doja të isha e miratuar në sytë e tij. (Proverbat 27:11) Gjashtë muaj pasi kisha filluar studimin e Biblës dhe shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait, arrita ta lija drogën. Tani bëj një jetë më domethënëse. Nuk ndihem më e demoralizuar gjithë kohën. Kam njohur një burrë të krishterë të mrekullueshëm dhe jam martuar me të. Djalin e kam rritur sipas parimeve biblike. I jam kaq mirënjohëse Jehovait që m’i dëgjoi lutjet dhe më ndihmoi!

EMRI: Marsjo

E KALUARA IME: U rrita në rrethinat e Santu-Andresë, një qytet me popullsi të dendur në shtetin e San-Paulos, Brazil. E fillova duhanin, drogën dhe vjedhjen që në moshë të njomë. Disa nga shokët e mi ishin përfshirë në vjedhje makinash dhe në trafikun e drogës. Njëri prej tyre u jepte drogë falas të rinjve në zonën tonë. Pastaj, kur bëheshin të varur ndaj saj, u duhej ta blinin prej tij.

Policia patrullonte gjithmonë në zonën tonë dhe më arrestuan disa herë për shkelje të vogla dhe një herë me dyshimin se mos isha përfshirë në trafikun e drogës. Shumë herë ruaja në shtëpinë time gjërat dhe armët e vjedhura të një bande.

Njerëzit kishin frikë nga unë. Sytë i kisha flakë të kuq. Nuk qeshja kurrë. Në fakt, kisha vazhdimisht një fytyrë prej vrasësi. Më kishin vënë nofkën «Tufaun» (Tajfun) sepse kudo që shkoja, krijoja probleme. Gjithashtu, pija me tepri dhe bëja një jetë imorale. Shumë nga shokët e mi vdiqën ose përfunduan në burg. Isha kaq i mërzitur, sa lidha një litar në një degë peme dhe u përpoqa të varja veten.

SI E LASHË DROGËN? I kërkova Perëndisë të më ndihmonte. Pastaj, takova Dëshmitarët e Jehovait dhe fillova të studioja Biblën. Mësova se Perëndia ka një emër, Jehova, dhe se kujdeset për ata që përpiqen të jetojnë sipas normave të tij, e i ndihmon. (Psalmi 83:18; 1 Pjetrit 5:6, 7) M’u desh të bëja shumë ndryshime. Një nga gjërat më të vështira ishte të mësoja të buzëqeshja.

I lutesha vazhdimisht Jehovait për ndihmë dhe zbatoja këshillat e Biblës. Për shembull, i ndërpreva lidhjet me «shokët» e mëparshëm dhe nuk shkoja më në klube. Por zgjodha të shoqërohesha me njerëz që jetonin sipas normave biblike. Ka qenë një luftë e vështirë, por nuk jam më hajdut dhe ngatërrestar. Dhe u bë më shumë se dhjetë vjet që e kam lënë drogën.

EMRI: Kreg

E KALUARA IME: U rrita në një fermë në Australinë Jugore. Babai ishte i alkoolizuar dhe u nda me mamanë kur isha tetë vjeç. Mamaja u martua përsëri dhe qëndrova me të derisa vajta 17 vjeç. Atë vit mësova të qethja dele dhe fillova të jetoja me grupe qethësish që shkonin nga një vend në tjetrin për punë. Fillova të merrja droga të ndryshme dhe të abuzoja me alkoolin. Rrita flokët. Përdorja dyll flokësh, i bëja gërshet dhe futja rruaza në to. U bëra ziliqar e i vrazhdë dhe krijova një temperament të keq. Përfundova në burg më shumë se një herë.

U transferova në një qytet të vogël në Australinë Perëndimore dhe jetova me të dashurën, e cila ishte banakiere në një hotel aty afër. Pinim alkool dhe tymosnim të dy. Marihuanën e rritnim vetë.

SI E LASHË DROGËN? Sapo kishim korrur marihuanën kur Dëshmitarët e Jehovait trokitën në derën e shtëpisë sonë të vjetër e të rrënuar. Në fakt, nuk i pranova menjëherë ato që më thanë. Por, me kalimin e kohës vërtetova se ajo që thotë Bibla, është e vërtetë. Pastaj, pak nga pak, luftova me secilin nga problemet e mia.

Shpejt e kuptova që duhej të hiqja dorë nga marihuana. Çfarë do të thoshte kjo? Isha munduar shumë për të rritur marihuanën, kështu që në fillim mendova ta jepja falas. Por e kuptova që kjo nuk ishte një zgjidhje e mirë, kështu që e shkatërrova fare. Lutja ka qenë një ndihmë e madhe për të mos abuzuar më me drogën dhe alkoolin. U luta për frymën e Perëndisë që të më ndihmonte të luftoja dhe të fitoja betejat e mia. Gjithashtu, nuk u shoqërova më me ata njerëz që më nxitnin të vazhdoja veset e këqija. Ndërsa i mësoja dhe i zbatoja mësimet e Biblës, fitova sigurinë emocionale që më duhej për të kapërcyer disa nga të metat e mia. Edhe e dashura ime studioi Biblën, i la zakonet e vjetra dhe filloi një jetë të re. Pastaj u martuam. Për 21 vjet kemi gëzuar një shëndet më të mirë dhe tani kemi kënaqësinë të rritim dy fëmijë. Rrëqethem kur mendoj se si do të ishte jeta ime nëse Jehovai nuk do të më kishte ndihmuar që të ndryshoja mënyrën e jetesës.

SHKRIMI KYÇ

«Jehovai është forca dhe fuqia ime.»​—Isaia 12:2.

KËSHILLË

Nëse është e mundur, shmangi njerëzit, vendet dhe gjërat që lidhen me përdorimin tënd të mëparshëm të drogës. Studimet tregojnë se vetëm kur i sheh, mund të të ngjallet dëshira për ta përdorur prapë.

A E DIJE . . . ?

Abuzimi me drogën mund të ndryshojë strukturën e trurit.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse marr përsëri drogë, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse është e nevojshme që një person të bëjë ndryshime rrënjësore në jetën e tij nëse do që ta lërë drogën?

● Si mund ta ndihmojë dikë mësimi i së vërtetës për Perëndinë?

[Diçitura në faqen 253]

«Duke jetuar sipas normave të larta të Biblës, tani jam e lumtur dhe bëj një jetë domethënëse.»​—Marta

[Figura në faqen 256]

Të ikësh nga varësia ndaj drogës, është si të ikësh nga një shtëpi që ka marrë zjarr​—do të lësh disa gjëra mbrapa, por do të shpëtosh jetën