Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i përdor si duhet paratë?

Si t’i përdor si duhet paratë?

KAPITULLI 19

Si t’i përdor si duhet paratë?

Sa shpesh të duket se s’të dalin paratë?

□ Asnjëherë

□ Ndonjëherë

□ Shpesh

Sa shpesh blen gjëra që nuk t’i mban xhepi?

□ Asnjëherë

□ Ndonjëherë

□ Shpesh

Sa shpesh blen ndonjë gjë, jo se të duhet, por se është me ofertë?

□ Asnjëherë

□ Ndonjëherë

□ Shpesh

A TË duket se s’të dalin kurrë paratë? Sikur të kishe ca më shumë, mund ta blije lojën me kompjuter që të pëlqen. Sikur ta kishe rrogën më të madhe, mund t’i blije këpucët që «të duhen». Ose mund të gjendesh në situata si ajo që përshkruan Jona: «Ndonjëherë shoqet më ftojnë të dalim e të bëjmë ndonjë gjë që kërkon para. Dua të shkoj me to e të bëj qejf. Kujt i pëlqen të thotë: ‘Më vjen keq, por s’kam lekë.’»

Megjithatë, në vend që të mërzitesh për paratë që nuk ke, pse të mos mësosh t’i përdorësh si duhet ato që ke nëpër duar? Mund të presësh derisa të jetosh më vete për të mësuar si t’i përdorësh paratë. Por, a s’do të ishte njësoj sikur të hidheshe nga avioni pa mësuar më parë se si përdoret parashuta? Vërtet që mund ta marrësh me mend se ç’duhet të bësh teksa lëshohesh drejt tokës. Por, a s’do të ishte më mirë të mësoje gjërat elementare për përdorimin e parashutës para se të hidheshe?!

Po kështu, koha më e përshtatshme për të mësuar si t’i përdorësh si duhet paratë, është kur jeton me prindërit, para se t’i dalësh zot vetes e të përballesh me realitetin e ashpër të jetës. Mbreti Solomon shkroi: ‘Paraja është mbrojtje.’ (Eklisiastiu 7:12) Megjithatë, ajo do të të mbrojë vetëm po të mësosh si t’i mbash nën kontroll shpenzimet. Kjo do të të rritë sigurinë te vetja dhe respektin që kanë prindërit për ty.

Mëso gjërat bazë

A i ke pyetur ndonjëherë prindërit se si mbahet shtëpia? Për shembull, a e di sa para shkojnë çdo muaj për dritat, ngrohjen dhe ujin? A e di sa para duhen për shpenzimet e makinës, për ushqimin, për qiranë ose për të paguar kredinë e shtëpisë? Mos harro se edhe ti ke pjesën tënde në këto shpenzime, dhe kur të jetosh për hesapin tënd, do t’i paguash nga xhepi yt. Pra, edhe ti duhet të kesh një ide sa do të shpenzosh për këto gjëra. Kërkoju prindërve të të tregojnë disa fatura dhe dëgjoji me kujdes kur të shpjegojnë se si ia bëjnë për t’i paguar.

«Njeriu i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim, dhe njeriu me kuptueshmëri përfiton nga drejtimi i aftë që i japin të tjerët»,—thotë një proverb në Bibël. (Proverbat 1:5) Për shembull, Ana kërkoi këshilla nga prindërit. Ajo thotë: «Babi më mësoi si t’i llogaritja shpenzimet dhe më tregoi sa e rëndësishme është të mbash mirë shënim cilat fatura janë paguar dhe cilat janë për t’u paguar.»

Ndërkohë, e ëma i mësoi Anës disa gjëra të tjera praktike. «Ajo më tregoi sa rëndësi ka që të krahasoj çmimet para se të blej»,​—thotë Ana. Pastaj shton: «Mami mund të bëjë mrekullira vetëm me pak para.» Si i ka vlejtur Anës gjithë kjo? Ajo tregon: «Tani edhe unë di si t’i përdor paratë. I kontrolloj me kujdes shpenzimet dhe s’më dhemb koka nga borxhet.»

Dallo pengesat

Kuptohet, është e lehtë të thuash se nuk do të shpenzosh më tepër se ç’duhet, po s’është kaq e lehtë ta bësh, sidomos kur jeton me prindërit dhe ata të japin rregullisht një sasi parash ose ti vetë je me rrogë. Pse? Sepse shumicën e faturave e paguajnë prindërit. Prandaj, një pjesë të mirë të parave mund ta shpenzosh për çfarë të duash. E mund të jetë edhe qejf të harxhosh para.

Megjithatë, problem ndoshta është kur shoqëria të shtyn të shpenzosh më tepër se ç’duhet. Elena, një vajzë 21-vjeçare, thotë: «Në rrethin tim shoqëror të dalësh nëpër dyqane është bërë një nga argëtimet kryesore. Kur dal me ta, më duket sikur ekziston një rregull i pashkruar që po deshe të bësh qejf, duhet të fusësh dorën në xhep.»

Është normale që të dëshirosh të jesh si shokët. Por pyete veten: «Po prish para sepse kam mundësi apo sepse ndihem i detyruar ta bëj?» Shumë veta prishin para sepse duan të fitojnë respektin e shokëve e të kolegëve. Mundohen të bëjnë përshtypje me çfarë kanë, jo me çfarë janë. Kjo prirje mund të hapë probleme të mëdha me paratë, sidomos në rast se mban kartë krediti. Si t’i dalësh para këtij problemi?

Mbaji nën kontroll shpenzimet

Në vend që ta çosh në fund kartën e kreditit ose ta bësh tym gjithë rrogën për një herë që del me shokët, provo zgjidhjen që ka gjetur Elena. «Kur dal me shoqërinë,—thotë ajo,—planifikoj që më përpara dhe vendos sa lekë do të prish. Rrogën e depozitoj menjëherë në llogarinë time bankare dhe kur dal për qejf, tërheq vetëm aq sa kam nevojë. Gjithashtu, kam parë se është më mirë të dal nëpër dyqane vetëm me ata që nuk i shpërdorojnë paratë dhe më nxitin të shoh në dyqane të ndryshme, që të mos blej gjënë e parë që më del përpara.»

Ja disa sugjerime të tjera nëse përdor kartë krediti:

● Mba shënim shpenzimet dhe krahaso me kujdes sa para janë tërhequr nga karta e kreditit, për t’u siguruar se të është zbritur vetëm shuma e harxhuar.

● Paguaj menjëherë. Nëse është e mundur, bëj pagesë të plotë.

● Kujdes kur e jep me telefon ose me Internet numrin e kartës së kreditit ose datën e skadimit të saj.

● Mos e përdor kartën e kreditit për të tërhequr para si bën me një kartë bankare. Tërheqja e parave me kartë krediti zakonisht ka përqindje interesi më të lartë.

● Mos ia jep hua kartën e kreditit askujt, as një miku.

Por, a s’do të zgjidhej çdo gjë po të kishe më shumë para? Jo medoemos! Le ta ilustrojmë: nëse po nget makinën dhe s’di t’i japësh ose i jep me sy të mbyllur, a do të kishte më shumë mundësi të mbërrije shëndoshë e mirë në vendin për ku je nisur, duke i hedhur më shumë karburant? Po kështu, nëse nuk mëson si të mbash nën kontroll shpenzimet, zgjidhja nuk do të ishte të fitosh më tepër para.

Ndoshta mendon se di si t’i harxhosh paratë. Megjithatë, pyet veten: «Sa para harxhova muajin e kaluar? Për çfarë i harxhova?» Nuk e di? Ja disa sugjerime si t’i mbash nën kontroll shpenzimet dhe jo të të mbajnë ato nën kontroll ty.

1. Mbaj shënime. Të paktën për një muaj, shëno sa para merr dhe datën kur i more. Shëno çdo gjë që ke blerë dhe sa kushtoi. Në fund të muajit llogarit sa ke harxhuar nga të ardhurat që ke pasur.

2. Bëj një buxhet. Shih tabelën në faqen 163. Në kolonën e parë rendit të gjitha të ardhurat që parashikon të marrësh në një muaj. Në kolonën e dytë, shëno se për çfarë planifikon t’i harxhosh ato para; përdori ato që ke shkruar (në hapin 1) si udhëzues. Gjatë muajit, në kolonën e tretë shkruaj sa ke harxhuar për secilin nga shpenzimet e planifikuara. Veç tyre, shëno edhe të gjitha shpenzimet e paplanifikuara.

3. Shtriji këmbët sa ke jorganin. Nëse po harxhon më shumë nga ç’parashikoje për disa gjëra dhe sheh se po hyn në borxh, shpenzo aq sa ta mban xhepi. Paguaj borxhet. Mbaj nën kontroll shpenzimet.

Nëse përdoret si duhet, paraja zgjidh punë. Në fakt, për pjesën më të madhe të njerëzve, të fitosh dhe t’i harxhosh si duhet paratë është një gjë e rëndësishme në jetë. Megjithatë, duhet ekuilibër. «Paraja ka vendin e saj, por s’është gjithçka,—thotë një djalë me emrin Mateo.—S’duhet të jetë kurrë më e rëndësishme se familja ose Jehovai.»

NË KAPITULLIN TJETËR:

A është e varfër familja jote? Nëse po, si t’i përballosh sa më mirë kushtet që ke?

SHKRIMI KYÇ

‘Paraja është mbrojtje, por përparësia e njohurisë është se bashkë me mençurinë i ruan gjallë ata që e zotërojnë.’​—Eklisiastiu 7:12.

KËSHILLË

Shëno çfarë duhet të blesh para se të dalësh për pazar. Mos merr më shumë para nga ç’të duhen dhe bli vetëm gjërat që ke shënuar.

A E DIJE . . . ?

Nëse në kartën e kreditit ke një borxh prej 1.450 € me 18,5 % interes dhe paguan vlerën minimale mujore, për të shlyer borxhin të duhen 11 vjet dhe vetëm interesat do të arrijnë në 1.400 € më shumë.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Mund t’i mbaj nën kontroll shpenzimet duke ․․․․․

Para se të blej me kartë krediti, do të ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Pse duhet të mësosh t’i përdorësh si duhet paratë kur jeton akoma në shtëpi?

● Pse mund të jetë e vështirë t’i përdorësh si duhet paratë?

● Si mund t’i përdorësh të ardhurat që kepër të ndihmuar të tjerët?

[Diçitura në faqen 162]

«Kur bëj një buxhet, kursej më shumë. Nuk blej gjëra që s’më duhen.»​—Lea

[Figura në faqen 158]

Paratë flasin

Për çfarë i harxhon paratë? Nëse e bën zakon të harxhosh për të ndihmuar të tjerët, jo vetëm fjalët, por edhe paratë e tua thonë se interesohesh vërtet për ta. (Jakovi 2:14-17) Kur jep rregullisht kontribute për adhurimin e vërtetë, po ‘e nderon Jehovain me gjërat e tua me vlerë’. (Proverbat 3:9) Ama, nëse paratë i harxhon gjithmonë vetëm për nevojat dhe qejfet e tua, çfarë thonë paratë për ty?

[Tabela dhe figurat në faqen 163]

Fletë pune

Buxheti im mujor

Kopjoje këtë faqe.

Të ardhurat

PARATË QË MË JAPIN PRINDËRIT

PUNA ME ORAR TË SHKURTUAR

TË TJERA

Gjithsej

․․․․․lekë

Shpenzimet e planifikuara

USHQIMI

․․․․․

VESHJA

․․․․․

TELEFONI

․․․․․

ZBAVITJA

․․․․․

KURSIME

․․․․․

TË TJERA

․․․․․

Gjithsej

․․․․․lekë

Shuma e shpenzuar realisht

USHQIMI

․․․․․

VESHJA

․․․․․

TELEFONI

․․․․․

ZBAVITJA

․․․․․

DHURATA

․․․․․

KURSIME

․․․․․

TË TJERA

Gjithsej

․․․․․lekë

[Figura në faqen 160]

T’i harxhosh paratë pa karar, është si t’i japësh makinës me sy të mbyllur