Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë do të bëj me jetën time?

Çfarë do të bëj me jetën time?

KAPITULLI 38

Çfarë do të bëj me jetën time?

«Në fillim nuk e vrisja shumë mendjen për të ardhmen. Por, kur shkolla po mbaronte, e kuptova se po hyja në botën reale, ku vetë do të punoja e vetë do të paguaja faturat.»​—Aleksi.

MENDO sikur po planifikon të bësh një udhëtim shumë kilometra larg shtëpisë. Ndoshta në fillim do të shohësh hartën për të përcaktuar drejtimin më të mirë. Është po njësoj me planifikimin e së ardhmes sate. «Ke qindra mundësi para teje»,​—thotë Majkëlli, një i ri që tani shërben në një nga zyrat e degës të Dëshmitarëve të Jehovait. Si të zgjedhësh mes gjithë atyre mundësive? «Gjithë puna është te synimet»,—thotë ai.

Shihe synimin si një vend ku dëshiron të mbërrish. Nëse endesh kuturu, mbase nuk do të arrish kurrë. Është shumë më mirë të shohësh një hartë e të planifikosh drejtimin që do të marrësh. Kështu ndjek paralajmërimin e Proverbave 4:26: «Sheshoje rrugën ku ecin këmbët e tua.» Një përkthim tjetër thotë: «Mendohu mirë për atë që do të bësh.»​—ECM.

Në vitet që do të vijnë, do të marrësh plot vendime të rëndësishme për sa i përket adhurimit, punës, martesës, familjes dhe çështjeve të tjera të rëndësishme. Do ta kesh më të lehtë të marrësh vendime të mençura në qoftë se më parë e di për ku je drejtuar. Dhe ndërsa planifikon drejtimin tënd në jetë, ka një faktor që nuk duhet ta shpërfillësh.

Kujto krijuesin tënd!

Në rast se do që të jesh vërtet i lumtur, duhet t’u vësh veshin fjalëve të mbretit të mençur Solomon: «Kije parasysh krijuesin tënd sa je ende i ri.» (Eklisiastiu 12:1, ECM) Pra, dëshira për t’i pëlqyer Perëndisë duhet të ndikojë në drejtimin që do të zgjedhësh në jetë.

Pse është e rëndësishme kjo? Te Zbulesa 4:11, Bibla thotë: «Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka dhe falë vullnetit tënd ato ekzistuan dhe u krijuan.» Për të gjitha krijesat në qiell dhe në tokë mirënjohja ndaj Krijuesit është si një borxh që i kanë Atij. Po ti, a je mirënjohës që të ka dhënë «jetë, frymë dhe gjithçka»? (Veprat 17:25) A nuk nxitesh t’i japësh diçka në këmbim Perëndisë Jehova, për të treguar çmueshmëri për gjithçka të ka dhënë?

Duke mbajtur mirë në mendje Krijuesin e tyre, shumë të rinj Dëshmitarë të Jehovait kanë zgjedhur shërbimin e plotkohor. Le të shohim disa lloje shërbimi mjaft interesante.

Shërbimi i pionierit. Pionierët e rregullt bëjnë shumë duke kaluar mjaft orë në shërbim. Duke u stërvitur dhe duke fituar përvojë, pionierët aftësohen për të qenë mësues të Biblës.

Shërbimi aty ku ka më shumë nevojë. Disa transferohen në zona ku ka pak lajmëtarë të Mbretërisë. Të tjerë mësojnë një gjuhë të huaj dhe shërbejnë në një kongregacion të asaj gjuhe në zonën e tyre ose në një vend tjetër. *

Shërbimi misionar. Pionierë të kualifikuar, të shëndetshëm dhe të fortë stërviten që të shërbejnë në vende të huaja. Misionarët bëjnë një jetë shumë interesante dhe plot domethënie.

Shërbimi në Bethel. Anëtarët e familjes Bethel shërbejnë në zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait. Në disa vende, shërbimi i tyre përfshin shtypjen dhe dërgimin e literaturës biblike.

Shërbimi ndërkombëtar. Shërbëtorët ndërkombëtarë udhëtojnë në vende të tjera për të ndihmuar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë, Sallave të Asambleve dhe ndërtesave të degës.

Shkolla e Stërvitjes për Shërbim. Këtë shkollë mund ta bëjnë pleq dhe shërbëtorë ndihmës të kualifikuar që janë beqarë. Ajo i stërvit në çështje organizative dhe në oratori. Disa të diplomuar marrin caktime në vende të huaja.

Planifiko ç’drejtim do të marrësh

Në të vërtetë, shërbimi në kohë të plotë është një synim shumë i bukur dhe të sjell një mal me bekime. Megjithatë ky hap duhet menduar mirë që më përpara. Për shembull, mendo se çfarë di të bësh për të mbajtur veten kur të jesh në shërbimin e plotkohor.

Keli e kishte të qartë në mendje synimin për t’u bërë pioniere, kështu filloi të planifikonte çfarë pune do të bënte. «Duhej të zgjidhja një punë për të përballuar shpenzimet pa lënë shërbimin»,—thotë ajo.

Keli u regjistrua në një shkollë të mesme profesionale. Kjo e ndihmoi të arrinte synimin kryesor. «Ajo që doja, ishte të filloja shërbimin në kohë të plotë. Gjithë të tjerat ishin dytësore»,—thotë Keli, e cila është e kënaqur me zgjedhjen që bëri. «Mendoj se ky ishte vendimi më i mirë që mund të kisha marrë»,—thotë ajo.

Kërko drejtim

Imagjino sikur po udhëton në një zonë të panjohur dhe në njëfarë pike mbase të duhet të pyesësh dikë. Mund të bësh njësoj kur planifikon të ardhmen. Merr mendimin e të tjerëve. Proverbat 20:18 thotë: «Me anë të këshillës planet janë të sigurta.»

Prindërit mund të të japin këshilla shumë të mira. Por, mund të kërkosh këshilla edhe nga të krishterë të tjerë të pjekur që shfaqin në jetë mençurinë që vjen nga zbatimi i këshillave të Perëndisë. «Shiko të rriturit që janë një shembull i shkëlqyer në kongregacionin tënd, ose aty afër»,​—këshillon Roberto, një djalë rreth të 20-ave që shërben në Bethel.

Më shumë se kushdo tjetër, Perëndia Jehova dëshiron të të ndihmojë të bësh ato zgjedhje që do të të bëjnë shumë të lumtur. Prandaj, kërkoji të të ndihmojë ‘të vazhdosh të dallosh se cili është vullneti i tij’ lidhur me të ardhmen tënde. (Efesianëve 5:17) Ndiq në çdo fushë këshillën e Proverbave 3:5, 6: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.»

Për më shumë informacion, shih DVD-në «Të rinjtë pyesin: Çfarë do të bëj me jetën time?» Ajo është në dispozicion në më shumë se 30 gjuhë

[Shënimi]

SHKRIMI KYÇ

«Më vini në provë . . . ,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—po s’ju hapa portat e qiejve dhe po s’ju derdha një bekim të tillë, sa të mos keni më nevojë.»​—Malakia 3:10.

KËSHILLË

Fol me dikë që ka shërbyer për shumë vjet në kohë të plotë. Përpiqu të kuptosh pse kanë bërë këtë zgjedhje dhe ç’bekime kanë pasur.

A E DIJE . . . ?

Ashtu si rryma elektrike mund të vërë në punë një pajisje, fryma e shenjtë mund të të nxitë të bësh më shumë në shërbim të Perëndisë.​—Veprat 1:8.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Që të gjej më shumë kënaqësi në shërbim, do të flas me ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Çfarë prirjesh dhe aftësish ke?

● Si mund t’i përdorësh aftësitë për të lëvduar Jehovain?

● Cila nga format e shërbimit të plotkohor të përmendura në këtë kapitull të tërheq më shumë?

[Diçitura në faqen 313]

«I admiroj vërtet prindërit. Zelli i tyre i vazhdueshëm në shërbim, mënyra si i kanë përballuar vështirësitë ekonomike dhe inkurajimi që më kanë dhënë për t’u angazhuar në shërbimin e plotkohor, kanë pasur një ndikim shumë të mirë tek unë.»​—Xheredi

[Kutia në faqen 314]

Fletë pune

Synimet e mia

Shëno cilat janë synimet që dëshiron të vësh. Shkruaj synimet e tua duke plotësuar vendet bosh ose shto synime të tjera.

Synime për shërbimin

□ Të rris shërbimin në orë në muaj ․․․․․

□ Të lë ․․․․․ kopje literaturë çdo muaj

□ Të përdor Biblën kur flas për besimin tim

□ Të bëj ․․․․․ rivizita çdo muaj

□ Të filloj një studim biblik

Synime të tjera: ․․․․․

Synime për studimin

□ Të lexoj ․․․․․ faqe të Biblës çdo ditë

□ Të përgatitem për mbledhjet e kongregacionit

□ Të bëj kërkime për këto tema biblike: ․․․․․

Synime në kongregacion

□ Të komentoj të paktën një herë në çdo mbledhje

□ Të filloj bisedën me një më të rritur që dua ta njoh më mirë

□ Të vizitoj një vëlla ose motër të moshuar a të sëmurë

Synime të tjera: ․․․․․

Data e sotme ․․․․․

Rishikoje këtë listë pas gjashtë muajsh dhe shih sa i ke arritur synimet që vure. Nëse është e nevojshme, përshtati ose shto të tjera.

[Figura në faqen 312]

Synimet të ndihmojnë të mos i çosh dëm energjitë pa arritur gjëkundi