Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse të tregoj që bëj një jetë të dyfishtë?

Pse të tregoj që bëj një jetë të dyfishtë?

KAPITULLI 16

Pse të tregoj që bëj një jetë të dyfishtë?

□ Pirja e alkoolit

□ Shoqëria me ata që për prindërit janë shokë të këqij

□ Dëgjimi i muzikës degraduese

□ Festat e shfrenuara

□ Takimet fshehurazi

□ Filmat e dhunshëm ose imoralë dhe videolojërat me dhunë

□ Fjalët e pista

HIDHI një sy listës në faqen e mëparshme. A bën ndonjë nga këto prapësi fshehurazi prindërve? Atëherë, ndoshta e di që s’po vepron mirë. Mbase të bren ndërgjegjja dhe kjo të bën të vuash. (Romakëve 2:15) Por prapëseprapë, e ke të vështirë t’u tregosh prindërve. Veç kësaj, kur mendon si mund të reagojnë, thua më mirë të mos e dinë që të mos i lëndosh. Por, mos ke arritur deri aty sa bën një jetë të dyfishtë? Çfarë mund të të ketë çuar deri këtu?

Joshja e një jete të pavarur

Bibla thotë se në fund «burri do të lërë babanë dhe nënën». (Zanafilla 2:24) E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gruan. Pra, është më se normale dëshira që të ndihesh i rritur, të kesh mendimin tënd dhe të vendosësh vetë. Por, disa rebelohen kur prindërit nuk ia lejojnë disa gjëra që sipas tyre janë pa mend ose të gabuara.

Ndoshta është e vërtetë se disa prindër duken tepër të rreptë. «Mezi na lënë të shohim ndonjë film»,—ankohet një vajzë me emrin Kim. Pastaj shton: «Babai na e ka ndaluar gati fare të dëgjojmë muzikë.» Përballë këtyre kufizimeve, sipas tyre të paarsyeshme, disa të rinj fillojnë të lakmojnë lirinë që duket se gëzojnë shokët.

Një adoleshente me emrin Temi tregon një arsye tjetër pse disa të rinj bëjnë një jetë të dyfishtë​—që të pranohen nga shokët e shkollës. «Në fillim, nisa të flisja me fjalë të pista në shkolIë,—kujton ajo.—Kështu nuk ndihesha shumë ndryshe nga të tjerët. Më vonë, provova duhanin. Gjithashtu, pija alkool derisa vija në qejf. Pastaj, fillova të dilja me djem, fshehurazi, se prindërit ishin të rreptë dhe nuk më linin.»

Një djalë me emrin Pit pati një përvojë të ngjashme: «U rrita si Dëshmitar i Jehovait. Por kisha frikë se do të më tallnin.» Si ia bëri? «Bëra ç’munda të më shihnin me sy të mirë,—thotë ai.—Gënjeja dhe sajoja lloj-lloj justifikimesh pse nuk merrja dhurata kur kishte festa fetare.» S’kaloi shumë dhe këto kompromise të vogla, e çuan Pitin në shkelje më të rënda.

Jehovait s’i shpëton asgjë

Jeta e dyfishtë s’është diçka e re. Edhe disa izraelitë në lashtësi provuan të bënin një jetë të dyfishtë dhe menduan se do t’ia hidhnin. Mirëpo, profeti Isaia i paralajmëroi: «Mjerë ata që mundohen t’i fshehin thellë planet e tyre nga Jehovai, veprat e të cilëve kryhen në një skutë të errët, ndërkohë që thonë: ‘Kush na sheh e kush na njeh?’» (Isaia 29:15) Ata harruan se i kishte parë Perëndia. Kur erdhi koha, ai u kërkoi llogari për çfarë kishin bërë.

Edhe sot është po njësoj. Edhe nëse arrin t’u fshihesh prindërve, s’mund t’u fshihesh syve të Perëndisë Jehova. Hebrenjve 4:13 thotë: «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara tij, por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.» Atëherë, a ia vlen të fshihesh? Mos kujto se mund t’i hedhësh hi syve Perëndisë, duke u hequr si i devotshëm kur je në mbledhje. Jehovai e dallon kur njerëzit ‘e nderojnë me buzë, por zemra e tyre është larguar shumë prej tij’.​—Marku 7:6.

A e di se ata që bëjnë një jetë të dyfishtë e lëndojnë Jehovain? Vërtet mund të lëndohet Jehovai? Po, vërtet. Kur izraelitët e lashtë e braktisën Ligjin e Perëndisë, «i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit». (Psalmi 78:41) Sa dhembje mund të ndiejë ai sot, kur të rinj të rritur «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait», bëjnë prapësi fshehurazi!​—Efesianëve 6:4.

Ndreqi gjërat

E kemi për detyrë para Perëndisë, prindërve dhe vetes, të rrëfejmë çfarë kemi bërë fshehurazi. Vërtet, kjo mund të jetë e sikletshme dhe mund të sjellë pasoja të pakëndshme. (Hebrenjve 12:11) Për shembull, nëse e ke bërë ves të gënjesh dhe të mashtrosh, ke shpërdoruar besimin e prindërve. Ndaj, s’është çudi që për ca kohë të të vënë disa kufizime më shumë. Megjithatë, t’i rrëfesh gabimet është gjëja më e mirë që mund të bësh. Pse?

Le të bëjmë një shembull. Ta zëmë se ke shkuar me prindërit në plazh. Në një çast që ata s’e kanë mendjen, nuk i bindesh fjalës së tyre, por futesh në ujë vetëm. Befas e gjen veten në një gropë thithëse, ndërkohë që s’di not. A do ta kishe siklet të kërkoje ndihmë? A do të shqetësoheshe shumë se prindërit mund të të disiplinonin që nuk i dëgjove? Jo, do të thërrisje me sa fuqi të kishe.

Po ashtu, nëse po bën një jetë të dyfishtë, ke nevojë për ndihmë urgjente. Ajo që u bë, u bë, por mund të ndryshosh për mirë të ardhmen. Sado e dhimbshme dhe e vështirë të jetë, më mirë të thërrasësh për ndihmë sesa t’i bësh më shumë dëm vetes ose familjes. Nëse të vjen vërtet keq për çfarë ke bërë, Jehovai do të tregohet i mëshirshëm.​—Isaia 1:18; Luka 6:36.

Prandaj, thuaju të vërtetën prindërve. Kupto se ata janë të lënduar. Prano disiplinën. Nëse vepron kështu, do t’u sjellësh gëzim prindërve dhe Perëndisë Jehova. Veç kësaj, do të ndihesh i lehtësuar që tani ke ndërgjegje të pastër.​—Proverbat 27:11; 2 Korintasve 4:2.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Të duket se ke shumë gjëra të përbashkëta me shokët e klasës. Por, çfarë duhet të dish për shoqërinë me ta?

SHKRIMI KYÇ

«Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.»​—Proverbat 28:13.

KËSHILLË

Mos i minimizo gabimet, por as mos i zmadho. Gjithmonë kujto se Jehovai është gati të falë.​—Psalmi 86:5.

A E DIJE . . . ?

Nuk është keq të kesh ndjenja faji; ato mund të të bëjnë të kthesh rrugë. Por nëse vazhdon të mëkatosh, dëmton ndërgjegjen. Ajo bëhet e pandjeshme, si vraga e thellë e një djegieje.​—1 Timoteut 4:2.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Nëse po bëj jetë të dyfishtë, do të flas me ․․․․․

Mund t’i përballoj pasojat e disiplinës duke ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

● Ç’i shtyn disa të rinj të bëjnë jetë të dyfishtë?

● Cilat janë disa nga pasojat e jetës së dyfishtë?

● Pse ia vlen të përpiqesh për ta lënë këtë lloj jete?

[Diçitura në faqen 140]

«Mendoj se të rinjtë duhet të tregojnë sa më shpejt të jetë e mundur se janë të krishterë me norma të larta morale. Sa më gjatë të presin, aq më të vështirë do ta kenë.»​—Linda

[Figura në faqen 141]

Nëse e sheh se po fundosesh në një jetë të dyfishtë, duhet të kërkosh ndihmë