Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa rëndësi t’i jap muzikës?

Sa rëndësi t’i jap muzikës?

KAPITULLI 31

Sa rëndësi t’i jap muzikës?

Sa rëndësi ka muzika për ty?

□ Jetoj edhe pa të

□ S’jetoj dot pa të

Kur dëgjon muzikë?

□ Kur udhëtoj

□ Kur studioj

□ Gjithë kohën

Cila rrymë muzikore të pëlqen më shumë dhe pse? ․․․․․

DUKET se të gjithë e kemi në gen aftësinë për të shijuar muzikën dhe melodinë. Mirëpo shumë të rinj s’bëjnë dot pa muzikë. «S’jetoj dot pa të,—thotë Ambra 21-vjeçare.—Dëgjoj muzikë pothuaj gjithë kohën, madje edhe kur pastroj, gatuaj, kryej ndonjë porosi ose mësoj.»

Ritmi mund të jetë matematikë e thjeshtë, kurse muzika kapërcen logjikën e ftohtë dhe depërton në ndjenjat tona më të thella. Ashtu si «një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është», edhe një këngë në kohën e duhur mund të ta ledhatojë shpirtin. (Proverbat 15:23) «Nganjëherë të duket sikur askush s’të kupton çfarë ndien»,​—thotë Xhesi, një vajzë 16-vjeçare.​—Por kur dëgjoj grupin tim të preferuar, bindem se nuk jam e vetmja që e zë trishtimi.»

Mollë sherri?

Nga njëra anë ti e do muzikën që dëgjon, nga ana tjetër, prindërit mund të kenë një mendim krejt të ndryshëm për të. Një adoleshent thotë: «Babi bërtet: ‘Boll me këtë muzikë koti! Po më dhembin veshët!’» Kur të vjen në majë të hundës, të duket sikur prindërit po kapen kot. «Po kur ishin vetë të rinj?—thotë një adoleshente.—A s’thoshin edhe prindërit e tyre se muzika e tyre nuk dëgjohej?» Ingridi 16-vjeçare ankohet me fjalët: «Duket sikur të rriturit kanë ngelur prapa. Sa mirë do të ishte sikur të pranonin se edhe brezi ynë merr vesh nga muzika!»

Ingridi ka njëfarë të drejte. Siç mund ta dish, midis brezave ka pasur gjithmonë përplasje për sa u përket shijeve. Por kjo s’do të thotë se tema e muzikës duhet të kthehet gjithmonë në një mollë sherri. Sekreti është të gjendet diçka e pëlqyeshme për të dyja palët. Nëse prindërit e respektojnë Biblën, ke një avantazh të vërtetë. Pse? Sepse fjala e Perëndisë mund të të ndihmojë si ty, edhe prindërit të dalloni çfarë nuk është aspak e pranueshme dhe ku ka vend për shije personale. Për këtë, duhet të analizosh dy faktorë të rëndësishëm: (1) mesazhi që përcjell muzika që dëgjon dhe (2) sa muzikë dëgjon. Së pari, le të shohim pyetjen:

Ç’mesazh përcjell muzika që dëgjoj?

Muzika është si ushqimi. Ushqimi i duhur në sasinë e duhur të bën mirë. Ushqimi i keq në çfarëdolloj sasie të bën keq. Mjerisht, me muzikën, zakonisht të tërheq më shumë ajo që të bën keq. «Si ka mundësi që melodive më të bukura u vënë tekstet më të shpifura?»​—ankohet një djalë me emrin Stiv.

A ka rëndësi teksti nëse të pëlqen muzika? Për t’u përgjigjur, bëji vetes këto pyetje: «Nëse dikush do të më jepte të pija helm, si do të ma prishte mendjen? Duke e futur në shëllirë apo në sherbet?» Jobi, një njeri besnik, bëri këtë pyetje: «A nuk i peshon veshi fjalët, si shijon qiellza ushqimin?» (Jobi 12:11) Prandaj, mos e dëgjo një këngë vetëm sepse të pëlqen ritmi ose muzika, domethënë sherbeti, por ‘peshoji fjalët’ duke parë me vëmendje titullin dhe tekstin. Pse? Sepse teksti i lezetuar me muzikë do të ndikojë te mendimet dhe qëndrimet e tua.

Është për të ardhur keq, por pjesa më e madhe e këngëve më të fundit që mbahen për interesante, flasin për seksin, dhunën dhe drogën. Nëse mendon se tekste të tilla nuk ndikojnë te ti, kjo do të thotë se «helmi» ka filluar tashmë të bëjë punën e vet.

Mendo me kokën tënde

Presioni i shokëve për të dëgjuar muzikë degraduese mund të jetë i jashtëzakonshëm. Presion bën edhe industria e muzikës. Me ndihmën e radios, Internetit dhe televizorit, muzika është bërë një industri e fuqishme që nxjerr miliarda e miliarda dollarë fitime. Ekspertë të fuqishëm në fushën e biznesit punojnë vetëm për të modeluar dhe kontrolluar shijet e tua muzikore.

Mirëpo kur lë shokët ose median të të diktojë çfarë duhet të dëgjosh, humbet mundësinë për të zgjedhur. Bëhesh një skllav që nuk mendon me kokën e vet. (Romakëve 6:16) Bibla të nxit t’i rezistosh ndikimit të botës në këto çështje. (Romakëve 12:2) Prandaj, duhet të stërvitësh «aftësitë perceptuese . . . për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Si t’i përdorësh aftësitë perceptuese kur zgjedh çfarë muzike të dëgjosh? Le të shohim disa sugjerime:

Shih ambalazhimin. Shpesh ambalazhimi ose reklama të njeh mjaftueshëm me përmbajtjen. Skenat me seks, dhunë ose praktika spiritiste duhet të të ndezin alarmin. Ka shumë mundësi që edhe muzika të jetë e papranueshme.

Shih tekstin. Çfarë thotë? A do t’i dëgjoje ose përsërisje vazhdimisht ato ide? A janë shprehur mendimet në harmoni me vlerat dhe parimet e tua si i krishterë?​—Efesianëve 5:3-5.

Vër re si ndikon. «Kuptova se shumë nga muzika dhe tekstet që dëgjoja më futnin në një gjendje dëshpërimi»,—thotë një djalë me emrin Filip. Kuptohet, muzika mund të ndikojë në mënyra të ndryshme. Por, ç’gjendje shpirtërore të krijon muzika që dëgjon? Pyet veten: «A më rri mendja te mendime të papastra pasi dëgjoj muzikën ose tekstin? A kanë filluar të futen në fjalorin tim disa fjalë rrugësh që dëgjohen nëpër këngë?»​—1 Korintasve 15:33.

Mendo për të tjerët. Çfarë thonë prindërit për muzikën që dëgjon? Kërko mendimin e tyre. Mendo edhe se si mund t’u duket vëllezërve dhe motrave në kongregacion. A do të shqetësonte ndokënd muzika jote? Përshtatja për respekt ndaj ndjenjave të të tjerëve, është shenjë pjekurie.​—Romakëve 15:1, 2.

Duke i bërë vetes pyetjet e mësipërme, do të dish të zgjedhësh muzikë që të ngroh shpirtin, por nuk të ftoh miqësinë me Perëndinë. Megjithatë, duhet mbajtur parasysh edhe diçka tjetër.

Deri ku është masa?

Muzika e mirë, njësoj si ushqimi i mirë, mund të jetë e shëndetshme. Megjithatë, një proverb i mençur paralajmëron: «Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, që të mos velesh e ta vjellësh.» (Proverbat 25:16) Mjalti njihet për vetitë e tij kuruese. Megjithatë, edhe një gjë e mirë, nëse e tepron, mund të të bëjë dëm. Çfarë mësojmë nga kjo? Edhe gjërat e mira duhet të jenë me masë.

Mirëpo, disa të rinj lejojnë që muzika të bëhet zot i jetës së tyre. Për shembull, Xhesi që përmendëm më lart, thotë: «Dëgjoj muzikë gjithë kohën, madje edhe kur studioj Biblën. U them prindërve se më ndihmon të përqendrohem. Por nuk më besojnë.» A të duken të dëgjuara fjalët e saj?

Si mund ta kuptosh nëse e tepron me muzikën? Pyet veten:

Sa kohë më ikën çdo ditë duke dëgjuar muzikë? ․․․․․

Sa para harxhoj çdo muaj për muzikën? ․․․․․

A po ndikon muzika te marrëdhëniet e mia me familjen? Nëse po, shkruaj si mund ta ndreqësh këtë situatë. ․․․․․

Çfarë mund të bësh?

Nëse muzika po të zapton pjesën më të madhe të jetës, bën mirë të vësh kufij dhe të tregohesh më i matur. Për shembull, ndoshta të duhet të lësh zakonin e mbajtjes së kufjeve në vesh gjithë ditën ose të ndezësh muzikën me të hyrë në shtëpi.

Nuk është keq edhe të mësosh të shijosh disa momente qetësie. Kjo mund të të ndihmojë të studiosh më mirë. «Kupton shumë më mirë nëse muzika është e fikur»,—thotë Stivi i përmendur më lart. Përpiqu të mësosh pa muzikë dhe ke për të parë sa do të rritet përqendrimi yt.

Veç kësaj, duhet të programosh kohë për të lexuar e studiuar Biblën dhe botimet e bazuara në të. Në disa raste, Jezu Krishti kërkoi një vend të qetë për t’u lutur e medituar. (Marku 1:35) A është i qetë dhe pa zhurmë vendi ku studion? Nëse jo, ndoshta po pengon rritjen tënde frymore.

Bëj zgjedhjen e duhur

Muzika është vërtet një dhuratë nga Perëndia, por duhet të dish si ta përdorësh. Mos bëj si Marinela, e cila thotë: «Kam muzikë që e di se duhet ta hedh. Por është kaq e bukur!» Mendo sa po e dëmton ajo mendjen dhe zemrën duke dëgjuar gjëra të këqija! Mos bjer në këtë kurth. Mos lejo që muzika të të ndikojë ose të bëhet zot i jetës sate. Ndiq normat e larta të krishtere kur përzgjedh muzikën. Kërkoji Perëndisë ndihmë dhe drejtim. Gjej shokë që kanë të njëjtat bindje me ty.

Muzika të ndihmon të çlodhesh dhe të qetësohesh. Mund të të ndihmojë të mbushësh boshllëkun e vetmisë. Por, kur muzika mbaron, problemet janë ende aty. Veç kësaj, këngët nuk mund të zëvendësojnë shokët e vërtetë. Prandaj, mos lejo që muzika të bëhet gjëja më e rëndësishme për ty në jetë. Kënaqu me të, por mos i jep më shumë rëndësi nga sa i takon.

NË KAPITULLIN TJETËR:

Hera-herës ke nevojë për çaste çlodhjeje. Si mund të të ndihmojnë parimet e Biblës t’i shijosh sa më shumë?

SHKRIMI KYÇ

«A nuk i peshon veshi fjalët, si shijon qiellza ushqimin?»​—Jobi 12:11.

KËSHILLË

Nëse do që prindërit të kuptojnë pse ti pëlqen një këngë ose një grup muzikor, bëje ti hapin e parë dhe përpiqu të pëlqesh muzikën që pëlqejnë ata.

A E DIJE . . . ?

Nëse s’do që prindërit të dëgjojnë muzikën tënde të preferuar, mund të jetë ngaqë diçka nuk shkon me shijet e tua muzikore.

HAPAT QË DUA TË BËJ . . .

Mund të mos i kaloj caqet me muzikën nëse ․․․․․

Nëse shokët më bëjnë presion të dëgjoj muzikëtë papërshtatshme, do të them: ․․․․․

Pyetje që dua t’u bëj prindërve: ․․․․․

ÇFARË MENDON?

Pse ka kaq rëndësi çfarë muzike zgjedh?

Si mund të përcaktosh nëse një këngë është e përshtatshme apo jo?

Çfarë mund të bësh për të zgjeruar shijete tua muzikore?

[Diçitura në faqen 259]

«Nganjëherë e gjej veten duke dëgjuar një këngë që e di se nuk është për mua. Nëse nuk e fik menjëherë, e shoh se filloj të gjej justifikime që të vazhdoj ta dëgjoj.»​—Kamela

[Kutia dhe figurat në faqen 258]

Zgjero shijet muzikore

A s’të pëlqejnë më shumë ushqime tani se kur ishe pesë vjeç? Kjo ndodh sepse ke filluar të pëlqesh shije të reja. Njësoj është edhe me muzikën. Mos u kufizo vetëm me një rrymë. Përpiqu të zgjerosh shijet e tua muzikore.

Një mënyrë si ta bësh këtë, është duke mësuar një instrument. Kjo jo vetëm që ta bën jetën interesante dhe të sjell kënaqësi, por edhe mund të të prezantojë me lloje të tjera muzike përveç muzikës së shumëdëgjuar komerciale. Si ta gjesh kohën për ta mësuar? Mund të shfrytëzosh kohën që sheh televizor ose loz në kompjuter. Shih çfarë thonë këta të rinj.

«Kur luan një instrument zbavitesh shumë dhe mund të jetë një mënyrë shumë e mirë për të shprehur ndjenjat. Duke mësuar si të luaj këngë të reja kam mësuar të pëlqej rryma të ndryshme muzikore.»​—Briani, 18 vjeç, i bie kitarës, pianos dhe baterisë.

«Nëse do të luash mirë në një instrument, duhet të ushtrohesh, dhe kjo s’është gjithmonë zbavitëse. Por kur e zotëron mirë një pjesë muzikore ndihesh mirë dhe e kënaqur.»​—Xhejdi, 13 vjeçe, i bie violës.

«Kur kaloj një ditë të vështirë ose s’jam në terezi, i bie kitarës dhe kjo më ndihmon të qetësohem. Ndihem mirë kur luaj muzikë të këndshme dhe qetësuese.»​—Vanesa, 20 vjeçe, i bie kitarës, pianos dhe klarinetës.

«Më parë mendoja: ‘S’do t’i bie kurrë kaq mirë sa ky apo ai.’ Por vazhdova me ngulm të ushtrohesha dhe tani kënaqem vërtet kur e luaj mirë një pjesë. Gjithashtu, tani i vlerësoj më shumë të tjerët që u bien instrumenteve.»​—Xhejkobi, 20 vjeç, i bie kitarës.

[Figura në faqen 255]

Muzika është si ushqimi. Ushqimi i duhur në sasinë e duhur të bën mirë. Ushqimi i keq në çfarëdolloj sasie të bën keq