Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë më ofron e ardhmja?

Çfarë më ofron e ardhmja?

Kapitulli 38

Çfarë më ofron e ardhmja?

«KAM frikë nga e ardhmja, një e ardhme në një botë ku rrinë pezull kërcënimet bërthamore.» Kështu u shpreh një i ri gjerman, duke iu drejtuar zyrtarit më të lartë politik të vendit të tij.

Ndoshta, spektri i vdekjes nga një shpërthim bërthamor, ngjashëm rri si hije në vizionin tënd për të ardhmen. «Përse duhet ta vras mendjen për të marrë nota të mira në shkollë?​—pyeti një djalë.​—Sido që të jetë, bota do të hidhet në erë.» Në fakt, në një anketë të zhvilluar me fëmijët e moshës shkollore, djemtë përcaktonin luftën bërthamore si frikën e tyre më të madhe. Vajzat e radhisnin të dytën, menjëherë pas frikës «së vdekjes së prindërve».

Megjithatë, kërcënimi i bombës kërpudhë nuk është e vetmja re e zezë që duket në horizont. Kërcënimi «i mbipopullimit, i shterimit të burimeve natyrore, i ndotjes së mjedisit» dhe i katastrofave të tjera kanosëse, e çuan psikologun e famshëm B. F. Skiner në këtë përfundim: «Lloji ynë tani duket se është i kërcënuar.» Më vonë, ai pohoi: «Jam shumë pesimist. Nuk kemi për t’i zgjidhur problemet tona, vërtet jo.»

Përderisa edhe hulumtuesit e shkolluar e shohin të ardhmen duke u dridhur, nuk është për t’u habitur që shumë të rinj shfaqin këtë qëndrim: «Le të hamë e të pimë, sepse nesër do të vdesim.» (1. Korintasve 15:32) Në fakt, nëse e ardhmja jote varet në aftësinë e politikanëve dhe shkencëtarëve, ajo duket e zymtë vërtet, sepse Jeremia 10:23 thotë: «Njeriut tokësor nuk i përket udha e vet. Nuk i përket njeriut që ecën as të drejtojë hapin e vet.»​—BR.

Nuk është vetëm se njeriut i mungon aftësia për të qeverisur. Vëre se nuk i «përket» njeriut për ta bërë; ai nuk ka të drejtë për të drejtuar të ardhmen e tokës. Prandaj, përpjekjet e tij janë të destinuara për të dështuar. Për këtë arsye, Jeremia u lut për ndërhyrjen hyjnore: «Më korrigjo, o Jehova, megjithatë me gjykim.» (Jeremia 10:24, BR) Kjo do të thotë se të ardhmen tonë do ta vendosë Krijuesi ynë. Por, ç’e ardhme do të jetë?

Qëllimi i Perëndisë për tokën dhe e ardhmja jote

Pak pas krijimit të njeriut, Perëndia i tha çiftit të parë njerëzor: «Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.» (Zanafilla 1:28) Në këtë mënyrë, njeriut iu ofrua perspektiva e jetës në një parajsë botërore.

Megjithatë, çifti i parë u rebelua kundër sundimit të Perëndisë. Siç tha më vonë Solomoni, «Perëndia e ka bërë njeriun të drejtë, por njerëzit kanë kërkuar shumë marifete [plane, BR]». (Eklisiastiu 7:29) Planet njerëzore janë treguar shkatërrimtare, duke i lënë brezit të tanishëm si trashëgimi mjerimin dhe perspektivat më të zymta për të ardhmen.

A do të thotë kjo se Perëndia e ka braktisur tokën për t’u bërë një glob i ndotur, radioaktiv dhe ndoshta pa jetë? E pamundur. Ai është «Perëndia që ka formuar tokën dhe e ka bërë; ai e ka vendosur, nuk e ka krijuar pa trajtë, por e ka formuar që të banohej». Prandaj, është e sigurt se qëllimi i tij i shpallur për tokën do të plotësohet.​—Isaia 45:18; 55:10, 11.

Por, kur dhe si? Lexo vetë kapitullin 21 të Lukës! Atje Jezui paratha problemet që kanë plagosur njerëzimin gjatë këtij shekulli: luftëra botërore, tërmete, sëmundje, mungesa ushqimi, përhapje të kriminalitetit. Cila është domethënia e këtyre ngjarjeve? Vetë Jezui shpjegon: «Kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër. . . . Kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se Mbretëria e Perëndisë është afër.»​—Luka 21:10, 11, 28, 31.

Kjo Mbretëri është çelësi për të ardhmen tënde. Me fjalë të thjeshta, ajo është një qeveri, mjeti i Perëndisë për të sunduar mbi tokën. Ajo qeveri mbretërore do ta marrë me forcë kontrollin e tokës nga duart njerëzore. (Danieli 2:44) «Ata që shkatërrojnë dheun», do të përballojnë vetë shkatërrimin nga dora e Perëndisë, për të shpëtuar tokën dhe njerëzimin nga sulmet e tërbuara të abuzimit njerëzor.​—Zbulesa 11:18; Eklisiastiu 1:4.

E sigurt nën qeverisjen e Mbretërisë së Perëndisë, toka do të bëhet gradualisht një parajsë në të gjithë globin. (Luka 23:43) Do të vendoset përsëri një ekuilibër i përsosur ekologjik. Përse jo, do të ketë edhe harmoni ndërmjet njeriut dhe bishave. (Isaia 11:6-9) Lufta dhe armët e luftës do të zhduken. (Psalmi 46:8, 9) Krimet, urija, problemi i strehimit, sëmundjet, madje edhe vetë vdekja do të eliminohen të gjitha. Banorët e tokës «do të gëzojnë një paqe të madhe».​—Psalmi 37:10, 11; 72:16; Isaia 65:21, 22; Zbulesa 21:3, 4.

‘Sigurohu’ për premtimet e Perëndisë

Jetë e përhershme në një parajsë: kjo mund të jetë e ardhmja jote. Por, ndërkohë që ideja mund të të tingëllojë tërheqëse, ndoshta e ke të vështirë të braktisësh bindjen se të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell ose dyshon rreth vetë Biblës. Edhe disa të rinj mes Dëshmitarëve të Jehovait, kanë parë nganjëherë se besimi i tyre ka qenë mjaft i lëkundshëm. Briseida, për shembull, ishte rritur nga prindër Dëshmitarë. Të pranoje se Bibla është e vërtetë, ishte sikur të pranoje se dita ndjek natën. Megjithatë, një ditë ajo kuptoi se nuk e dinte përse e besonte Biblën. «Mendoj se deri në atë moment e kisha besuar, ngaqë e besonin edhe prindërit»,​—tha ajo.

«Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij [Perëndisë]»,​—thotë Bibla. (Hebrenjve 11:6) Megjithatë, besimi nuk është diçka që ti e ke, për shkak se nëna dhe babai yt e kanë. Që e ardhmja të jetë e sigurt, ti duhet të ndërtosh një besim të bazuar në prova të qëndrueshme, një «pritje e sigurt e gjërave që shpresohen». (Hebrenjve 11:1) Siç pohon Bibla, ti duhet «të sigurohesh për të gjitha gjërat» ose siç shprehet një parafrazim i Biblës, «sigurohuni se gjithçka që është thënë, është e sigurt që është e vërtetë».​—1. Selanikasve 5:21, The Living Bible.

Tregoji vetes se Bibla është e vërtetë

Së pari, ndoshta duhet të provosh nëse Bibla është vërtet e «frymëzuar nga Perëndia». (2. Timoteut 3:16) Si mund ta bësh? Në të vërtetë, vetëm Perëndia i Plotfuqishëm mund ‘të shpallë fundin që në fillim’. (Isaia 43:9; 46:10) Ai e ka bërë këtë vazhdimisht në Bibël. Lexo profecitë e regjistruara në Lukën 19:41-44 dhe 21:20, 21 në lidhje me rënien e Jerusalemit. Ose profecitë në Isainë 44:27, 28 dhe 45:1-4 në lidhje me rënien e Babilonisë. Historia botërore tregon se me sa saktësi i paratha Bibla këto ngjarje. «Pasi shqyrtova disa nga profecitë e saj,​—tha Ani 14-vjeçare,​—mbeta e mahnitur kur shihja se si kishte mundur të parathoshte gjithçka që ndodhi.»

Saktësia historike e Biblës, ndershmëria, sinqeriteti dhe mungesa e kontradiktave janë arsye të tjera për të pasur besim në Biblën. * Por, si mund të dish se mënyra se si e kuptojnë Dëshmitarët e Jehovait Biblën, është e drejtë? Banorët e Beresë së lashtë nuk i pranonin qorrazi shpjegimet e apostullit Pavël mbi Biblën. Përkundrazi, ata ‘i shqyrtonin çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu’.​—Veprat 17:11.

Ngjashëm, të nxisim edhe ty të bësh një studim të thellë të mësimeve të Biblës. Botimi Çfarë mëson vërtet Bibla? (botuar nga Dëshmitarët te Jehovait) i parashtron këto mësime në mënyrë të qartë. Nëse prindërit e tu janë Dëshmitarë të Jehovait, pa dyshim ata do të jenë të aftë të të ndihmojnë në çdo pyetje që mund të kesh. «Ji i ndershëm me prindërit nëse ke ndonjë problem në lidhje me këtë gjë,​—sugjeron një vajzë me emrin Gerta.​—Bëj pyetje nëse ka diçka që të duket e vështirë për t’u besuar.» (Proverbat 15:22) Me kalimin e kohës, pa dyshim që do të arrish të çmosh se Jehovai me të vërtetë i ka bekuar Dëshmitarët e tij me një kuptueshmëri të mrekullueshme të të vërtetave biblike.

Një djalë me emrin Klajdi thotë: «Kushtet e sotme të botës më dëshpërojnë. Atëherë lexoj vargje biblike si Zbulesa 21:4 dhe gjej diçka ku të shpresoj.» Po, një besim i fortë në premtimet e Perëndisë, ndikon patjetër në perspektivën tënde. E shikon të ardhmen me një parandjenjë të lumtur e jo të zymtë. Jeta jote e tanishme nuk bëhet një betejë e kotë, por një mjet ‘për të mbledhur si thesar të sigurt për veten një bazë të shkëlqyer për të ardhmen, në mënyrë që të jeni të qëndrueshëm në jetën e vërtetë’.​—1. Timoteut 6:19.

Por për të arritur atë ‘jetë të vërtetë’, a mjafton vetëm mësimi dhe besimi në mësimet e Biblës?

[Shënimi]

^ par. 20 Për informacion më të hollësishëm në lidhje me vërtetësinë e Biblës, shiko faqet 58-68 të botimit Të arsyetojmë me anë të Shkrimeve (botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, angl.).

Pyetje për t’u trajtuar

□ Cilat gjëra i frikësojnë shumë të rinj në lidhje me të ardhmen?

□ Cili ishte qëllimi fillestar i Perëndisë për tokën? Përse mund të jemi të sigurt se qëllimi i Perëndisë nuk ka ndryshuar?

□ Çfarë roli luan Mbretëria në plotësimin e qëllimit të Perëndisë për tokën?

□ Përse është e nevojshme që të provosh vërtetësinë e mësimeve të Biblës dhe si mund ta bësh?

□ Si mund t’i tregosh vetes se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia?

[Diçitura në faqen 306]

«Jam shumë pesimist. Nuk kemi për t’i zgjidhur problemet tona, vërtet jo.»​—Psikologu B. F. Skiner

[Figura në faqen 307]

Krijuesi i tokës nuk do të lejojë që njeriu të rrënojë planetin tonë

[Figura në faqen 309]

A të është mbushur mendja për vërtetësinë e Biblës?