Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të jem më i afërt me Perëndinë?

Si të jem më i afërt me Perëndinë?

Kapitulli 39

Si të jem më i afërt me Perëndinë?

I AFËRT me Perëndinë? Duket se për shumë njerëz Perëndia është një figurë e ftohtë dhe e largët, një «Shkak i parë» i pakuptimtë. Prandaj, ideja për të qenë i afërt me të, mund të duket shqetësuese dhe madje e frikshme për ty.

Nga ana tjetër, ndoshta të ka ndodhur si i ndodhi një vajze me emrin Linda. Ajo ishte rritur nga prindër të krishterë dhe kujton: «Gjatë gjithë viteve [të adoleshencës], rrallëherë mungoja në mbledhjet e krishtere dhe kurrë nuk ka shkuar muaji pa kryer veprën e predikimit. Megjithatë, kurrë nuk zhvillova me të vërtetë një marrëdhënie të afërt personale me Jehovain.»

Sidoqoftë, vetë e ardhmja jote varet nga fakti që të jesh i afërt me Perëndinë. Jezu Krishti tha: «Kjo do të thotë jeta e përhershme që të fitojnë njohuri mbi ty, të vetmin Perëndi të vërtetë.» (Gjoni 17:3, BR) Kjo «njohuri» nuk është vetëm aftësia për të mësuar apo për të thënë përmendësh fakte; edhe një ateist mund ta bëjë këtë. Ajo përfshin kultivimin e një marrëdhënieje me Perëndinë, duke u bërë mik i tij. (Krahaso Jakovit 2:23.) Perëndia nuk është i paafrueshëm, përkundrazi ai na fton ‘ta kërkojmë’ dhe ‘ta gjejmë’, sepse «ai nuk është larg nga secili prej nesh».​—Veprat 17:27.

Si mund ta njohësh Perëndinë?

A je ndalur ndonjëherë të vështrosh yjet e largëta, të dëgjosh i mrekulluar mërmërimën e detit? A ke mbetur i magjepsur nga një flutur e hijshme, ose nga bukuria delikate e një gjethëze? Gjithë këto vepra të Perëndisë japin vetëm një vështrim të fuqisë, mençurisë dhe dashurisë së tij të pamatë. ‘Cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, janë të dukshme nëpërmjet veprave të tij.’​—Romakëve 1:19, 20.

Prapëseprapë, ti duhet të dish për Perëndinë më shumë nga sa mund të zbulojë vetëm krijimi. Për këtë arsye, Perëndia ka siguruar Fjalën e tij të shkruar. Ai libër zbulon se Perëndia nuk është ndonjë qenie e paemër ose ndonjë forcë e pakuptimtë, por një Person i vërtetë që ka një emër. «Pranoni që Jehovai është Perëndia»,​—shpall psalmisti. (Psalmi 100:3, BR) Bibla zbulon, gjithashtu, Personin pas këtij emri: «Një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim dhe i pasur në dashamirësi dhe në të vërtetë.» (Të Dalët 34:6, BR) Tregimi i hollësishëm që përmbahet në të, lidhur me marrëdhëniet e Perëndisë me njerëzimin, na jep mundësi, në fakt, ta shohim Perëndinë në veprim. Prandaj, leximi i Biblës është një gjë e rëndësishme për të qenë më i afërt me Perëndinë.

Bëje të këndshëm leximin e Biblës!

Duhet pranuar se Bibla është një libër ku ka shumë për të lexuar. Vëllimi i saj i madh, shpesh i shkurajon të rinjtë për ta lexuar. Disa ankohen, gjithashtu, se Bibla është e mërzitshme. Megjithatë, Bibla është zbulimi i Perëndisë për njeriun. Ajo tregon se si erdhëm këtu dhe ç’e ardhme na pret. Shpjegon me saktësi çfarë duhet të bëjmë për të jetuar përgjithmonë në Parajsën në tokë. Si është e mundur, atëherë, që të jetë e mërzitshme? Është e vërtetë që Bibla nuk është një libër argëtues dhe në të ka «disa gjëra të vështira për t’u kuptuar». (2. Pjetrit 3:16) Por nuk ka asnjë arsye që leximi i Biblës të jetë i mërzitshëm.

Një djalë me emrin Ervin, na jep një këshillë praktike për ta bërë leximin e Biblës më interesant, duke thënë: «Përpiqem të përfytyroj vendin dhe të vë veten atje.» Merr, për shembull, tregimin e kapitullit 6 të Danielit. Mos e lexo në mënyrë pasive, por përpiqu ta përfytyrosh veten si Danieli. Je arrestuar me akuzën e turpshme se i je lutur Perëndisë tënd. Dënimi? Me vdekje. Ushtarët persë të tërheqin zvarrë deri tek varri, një gropë e thellë plot me luanë të uritur.

Guri gjigant që mbulon gropën, rrokulliset me një gjëmim të mbytur. Poshtë, ulërimat e luanëve të rrëqethin mishin. Ti zmbrapsesh i tmerruar, por ushtarët e mbretit të mbërthejnë e të hedhin në atë gropë vdekjeje dhe e rrokullisin përsëri gurin mbi gropë. Në errësirën që të rrethon, ndjen që diçka si një gëzof kafshe fërkohet pas teje . . .

E mërzitshme? Vështirë. Por ama, mos harro se nuk po lexon për t’u zbavitur. Përpiqu të dallosh se çfarë të mëson tregimi për Jehovain. Për shembull, a nuk tregon përvoja e Danielit se Perëndia lejon që shërbëtorët e tij të përballojnë prova të vështira?

Gjithashtu, mundohu të kesh një program të rregullt leximi! Në fakt, nëse i kushton vetëm 15 minuta në ditë leximit të Biblës, ndoshta arrin ta përfundosh atë gati brenda një viti. ‘Bleje kohën’ nga disa aktivitete më pak të rëndësishme, si shikimi i televizorit. (Efesianëve 5:16, BR) Pak nga pak që i përkushtohesh leximit të Biblës, do të ndihesh më i afërt se kurrë me Perëndinë.​—Proverbat 2:1, 5.

Lutja të afron më shumë me të

Një adoleshente me emrin Irida, vërente: «Është e vështirë të thuash se me të vërtetë ke një marrëdhënie personale me një person, nëse nuk flet me të.» Si «Dëgjues i lutjes», Jehovai na fton të flasim me të. (Psalmi 65:2, BR) Nëse i lutemi atij me besim, «pavarësisht se çfarë i kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon».​—1. Gjonit 5:14, BR.

Linda (e përmendur më lart) e mësoi këtë gjë nga përvoja personale. Ajo kujton se në një pikë në jetën e saj, kur problemet dhe tensionet po e mbytnin, «për ditë të tëra ajo u lut pa pushim për të gjetur zgjidhje për problemet e saj». Perëndia që më parë i dukej kaq i largët, filloi t’i dukej afër saj, pak nga pak që gjente forcë për të përballuar vështirësitë që kishte. Një vajzë tjetër me emrin Elisa, e mësoi vlerën e lutjes në të njëjtën mënyrë: «Nganjëherë ndihesh sikur po i shpreh dikujt ndjenjat më të thella dhe nuk ka si Jehovai për t’i shprehur ato, sepse Jehovai kupton dhe vetë e di se ai është i vetmi që vërtet mund të të ndihmojë.»

Por, a shërben lutja vetëm për të dhënë lehtësim emocional? Jo, Jakovit 1:2-5 na siguron se kur ndeshemi me prova të ndryshme, duhet ‘të kërkojmë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar dhe do të na jepet’. Ndoshta Perëndia nuk të siguron rrugëdalje nga prova, por na garanton mençurinë për ta përballuar këtë sprovë. Ai mund të të sjellë në mendje parime biblike që lidhen me çështjen. (Krahaso Gjonin 14:26.) Ose mund të bëjë që disa gjëra të vijnë në vëmendjen tënde përmes studimit personal të Biblës apo përmes mbledhjeve të krishtere. Gjithashtu, mos harro se ai ‘nuk do të lejojë që të tundohesh përtej fuqive të tua, por . . . do të të japë dhe rrugëdalje’. Po, ai nuk do të të lërë «në baltë». (1. Korintasve 10:13; 2. Korintasve 4:9, BR) A nuk do të ndiheshe më i afërt me Perëndinë, duke përjetuar ndihmën e tij në përballimin e sprovave?

Por, mos u lut vetëm për problemet personale! Në lutjen e tij model, Jezui i dha rëndësi parësore shenjtërimit të emrit të Jehovait, ardhjes së Mbretërisë së tij dhe kryerjes së vullnetit të Perëndisë. (Mateu 6:9-13) «Përgjërimi bashkë me falënderim» është, gjithashtu, një përbërës i rëndësishëm i lutjes.​—Filipianëve 4:6, BR.

A e ke të vështirë të lutesh? Lutu për këtë! Kërkoji Perëndisë të të ndihmojë t’i hapësh zemrën! ‘Këmbëngul në lutje’ dhe me kalimin e kohës do të kuptosh se mund të bisedosh po aq lirshëm me Jehovain, njëlloj si me miqtë e tu. (Romakëve 12:12) «E di se sa herë kam ndonjë problem,​—thotë Ledia,​—mund t’i drejtohem Jehovait për drejtim dhe ai do të më ndihmojë.»

Me Perëndinë nuk është e nevojshme të përdorësh fjalë të zbukuruara dhe të mëdha. «Hap zemrën tënde para tij»,​—tha psalmisti. (Psalmi 62:8) Lëre të njohë ndjenjat dhe shqetësimet e tua! Kërkoji ndihmë në lidhje me dobësitë e tua! Lutu për bekimin e tij mbi familjen tënde dhe shokët e tjerë të krishterë! Kërkoji falje kur gabon! Falënderoje çdo ditë për dhuratën e jetës! Kur bëhet një pjesë e rregullt e jetës, lutja mund të të çojë në një marrëdhënie të ngushtë e të lumtur me Perëndinë Jehova.

Shpalle publikisht miqësinë tënde me Perëndinë!

Pasi ke filluar të shijosh miqësinë me Perëndinë, a nuk duhet të jesh i zellshëm që të ndihmosh edhe të tjerët për të fituar këtë marrëdhënie të çmuar? Në fakt, nga ata që dëshirojnë të jenë miq të Perëndisë, kërkohet «të shpallin publikisht shpëtimin».​—Romakëve 10:10, BR.

Shumë persona fillojnë ta ndajnë besimin e tyre në mënyrë joformale, duke folur me shokët e shkollës, fqinjët dhe të afërmit. Më vonë, ata bashkohen me Dëshmitarët e Jehovait në veprën e tyre të predikimit «shtëpi më shtëpi». (Veprat 5:42, BR) Megjithatë, për disa të rinj kjo vepër publike është një gur pengese. «Mendoj se shumë të rinj kanë turp të shkojnë shtëpi më shtëpi,​—thotë një djalë i krishterë.​—Kanë frikë se çfarë do të mendojnë shokët e tyre.»

Por, cilin miratim vlerëson me të vërtetë: atë të bashkëmoshatarëve apo atë të mikut tonë qiellor, Jehovait? A duhet të lejosh që frika apo turpi të të pengojë për të fituar shpëtimin? «Le të mbajmë fort shpalljen publike të shpresës sonë pa u lëkundur»,​—nxit apostulli Pavël. (Hebrenjve 10:23, BR) Do të kuptosh se me stërvitje dhe përgatitje të mjaftueshme, mund të fillosh të gjesh gëzim të vërtetë në veprën e predikimit.​—1. Pjetrit 3:15.

Kur të jetë koha e përshtatshme, çmueshmëria për Mikun tënd qiellor duhet të të nxisë të bësh një dedikim pa rezerva ndaj Perëndisë dhe ta simbolizosh atë me pagëzimin në ujë. (Romakëve 12:1; Mateu 28:19, 20) Bërja e një shpalljeje publike për t’u bërë një dishepull i pagëzuar i Krishtit, nuk është diçka për t’u marrë lehtë. Ajo përfshin ‘mohimin e vetvetes’, duke lënë mënjanë ambiciet personale dhe duke kërkuar më parë interesat e Perëndisë Jehova. (Marku 8:34) Përveç kësaj, përfshin identifikimin e vetes me organizatën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait.

«Mendoj se shumë të rinj ngurrojnë të pagëzohen,​—vëren një djalë me emrin Albert.​—Kanë frikë se është një hap vendimtar nga i cili nuk mund të kthehen më pas.» Vërtet, nuk mund ta kthesh pas dedikimin ndaj Perëndisë. (Krahaso Eklisiastiu 5:4.) Megjithatë, ai «që di të bëjë mirë edhe nuk e bën, bën mëkat», i pagëzuar apo i papagëzuar qoftë. (Jakovit 4:17) Pika është: A e çmon miqësinë e Perëndisë? A je i nxitur të kesh dëshirë t’i shërbesh atij përgjithmonë? Atëherë, mos lejo që frika të të pengojë të shpallesh mik i Perëndisë!

Dobi të përhershme për miqtë e Perëndisë

Zgjedhja e miqësisë me Perëndinë, do të të çojë në kundërshtim me gjithë botën. (Gjoni 15:19) Mund të bëhesh shënjestër e talljeve. Mund të të sulmojnë vështirësi, probleme dhe tundime. Mos lejo askënd apo asgjë që të dëmtojë marrëdhënien tënde me Perëndinë! Ai premton mbështetjen e tij të padështueshme, duke thënë: «Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.»​—Hebrenjve 13:5.

Ky libër nuk është gjë tjetër, veçse një provë e interesit të Jehovait dhe organizatës së tij për mirëqenien tënde të përhershme. Edhe pse nuk ka qenë e mundur që brenda këtyre faqeve të trajtonim të gjitha pyetjet dhe problemet që mund të kesh, sigurisht që e çmon më shumë se kurrë se ç’burim i pashtershëm mençurie është Bibla. (2. Timoteut 3:16, 17) Kur ke probleme që të mundojnë, kërko në këtë libër të shenjtë. (Proverbat 2:4, 5) Nëse prindërit e tu janë me frikë Perëndie, ke edhe një burim tjetër mençurie frymore dhe mbështetjeje, vetëm duke u hapur atyre zemrën.

Para së gjithash, mos harro se Perëndia Jehova i disponon të gjitha përgjigjet. Ai është «një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi» dhe mund të të drejtojë në çdo vështirësi. (Psalmi 46:1) Prandaj, ‘kujto, tani, Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate’! (Eklisiastiu 12:1) Kjo është rruga që do ta bëjë zemrën e Jehovait të gëzuar. (Proverbat 27:11) Gjithashtu, është mënyra për të fituar jetën e përhershme në një parajsë që nuk do të ketë kurrë fund: shpërblimin që Perëndia ka ruajtur për miqtë e tij.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse është e rëndësishme që të kesh një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë?

□ Çfarë zbulon Bibla për Perëndinë?

□ Si mund ta bësh leximin e Biblës të këndshëm dhe të efektshëm?

□ Çfarë përfshin «shpallja publike» e besimit tënd? A je i nxitur të bësh kështu? Përse?

□ Çfarë roli kanë mbledhjet në afrimin me Perëndinë dhe si mund të përfitosh sa më shumë prej tyre?

□ Çfarë dobish kemi duke qenë miq të Perëndisë?

[Diçitura në faqen 311]

A është vërtet e mundur të jem i afërt me Perëndinë?

[Diçitura në faqen 312]

Bibla është zbulimi i Perëndisë për njeriun. Ajo tregon se si erdhëm këtu dhe ç’e ardhme na pret

[Kutia dhe figura në faqet 316, 317]

Mbledhjet: Një ndihmë për të qenë më i afërt me Perëndinë

«Kam parë se shoqëria e ngushtë me persona të tjerë që e duan Jehovain, më ndihmon të qëndroj më afër tij.» Kështu tha një vajzë nga Nigeria. Në Sallat e tyre të Mbretërisë, Dëshmitarët e Jehovait kanë mundësi të kenë periudha të tilla shoqërimi. (Hebrenjve 10:23-25) Anita 16-vjeçare thotë: «Në Sallën e Mbretërisë gjej miq të vërtetë.»

Megjithatë, këto mbledhje nuk mbahen vetëm për të qenë në shoqëri. Sallat e Mbretërisë ofrojnë një kurs arsimimi biblik, të përbërë nga pesë mbledhje javore. Trajtohet një spektër i gjerë subjektesh: jeta familjare, profeci biblike, sjellja, doktrina dhe shërbimi i krishterë, sa për të përmendur disa. Megjithëse nuk janë një vënie e përpunuar në skenë, këto mbledhje paraqiten në një mënyrë interesante. Fjalimet dhe trajtimet në grup, shpesh bëhen të larmishme me intervista dhe demonstrime të gjalla. Shkolla e Shërbimit Teokratik shquhet në mënyrë të veçantë, për faktin se ka stërvitur me mijëra persona për të qenë oratorë publikë të efektshëm.

Po nëse tashmë merr pjesë në mbledhje? Përpiqu të përfitosh më shumë prej tyre. (1) Përgatitu: «Kam caktuar një kohë për të studiuar librat që përdorim në mbledhje»,​—thotë Anita. Kjo gjë do ta bëjë më të lehtë (2) pjesëmarrjen. Që kur ishte i ri, Jezui dëgjonte aktivisht, bënte pyetje dhe jepte përgjigje kur diskutohej për gjëra frymore në tempull. (Luka 2:46, 47) Edhe ti mund «t’u kushtosh më shumë se vëmendja e zakonshme gjërave të dëgjuara», duke marrë shënime për të mos u shpërqendruar. (Hebrenjve 2:1, BR) Kur kërkohet pjesëmarrja e auditorit, merr pjesë me komente.

Një tjetër sugjerim i dobishëm është (3) të përdorësh atë që mëson. Ndaji me të tjerët gjërat që mëson! Ajo që është më e rëndësishme, zbatoje në jetën tënde atë që mëson, duke bërë ndryshimet e nevojshme. Trego se e vërteta ‘vepron në ty’!​—1. Selanikasve 2:13.

Jepu përparësi mbledhjeve. Nëse je i mbingarkuar me detyra shkollore, mundohu t’i bësh para mbledhjes. «Më pëlqen të bisedoj pas mbledhjes dhe të qëndroj deri vonë,​—thotë një djalë me emrin Artan.​—Por, kur kam për të bërë detyrat, iki sapo mbaron mbledhja.» Sido që të organizohesh, bëj sa të mundesh për të qenë i rregullt në mbledhje. Ato janë të rëndësishme për rritjen tënde frymore.

[Figura në faqen 315]

Leximi i Biblës është thelbësor për zhvillimin e miqësisë me Perëndinë

[Figurat në faqen 318]

«E di se sa herë kam ndonjë problem, mund t’i drejtohem Jehovait për drejtim dhe ai do të më ndihmojë»