Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta kontrolloj kohën që i kushtoj TV-së?

Si ta kontrolloj kohën që i kushtoj TV-së?

Kapitulli 36

Si ta kontrolloj kohën që i kushtoj TV-së?

PËR shumë njerëz, të rinj dhe të vjetër, televizori është bërë vërtet një drogë. Anketat tregojnë se deri në moshën 18-vjeçare, një amerikan do të ketë kaluar rreth 15.000 orë para televizorit. Që kjo gjë është bërë një ves, shihet mirë e bukur, kur telespektatorët më të apasionuar përpiqen ta heqin atë.

«Nuk mund të rri pa parë televizor. Kur është i ndezur, nuk mund ta shpërfill. Nuk mund ta fik. . . . Kur shkoj për ta fikur, fuqia m’i lëshon krahët. Kështu ulem para tij për orë të tëra.» Një i ri i papjekur? Jo, ky ishte një instruktor i kolegjit anglez. Megjithatë, edhe të rinjtë mund të jenë si të droguar pas televizorit. Vëre reagimet e disave që ranë dakort të kalonin «një javë pa televizor»:

«Jam në një gjendje depresioni . . . Po çmendem.»​—Elvira dymbëdhjetëvjeçare.

«Nuk arrij ta besoj se do ta heq ndonjëherë këtë ves. Jam e dashuruar pas televizorit.»​—Linda trembëdhjetëvjeçare.

«Prova ishte e tmerrshme. Kisha një dëshirë të madhe për të parë televizor. Më e keqja vinte në mbrëmje nga ora tetë deri në dhjetë.»​—Luli njëmbëdhjetëvjeçar.

Nuk është aspak për t’u habitur, pra, se pjesa më e madhe e këtyre të rinjve kanë bërë festë në fund të «javës pa televizor», me një vrull të marrë për të shkuar para ekranit të televizorit. Nuk është aspak për të qeshur lidhur me këtë, sepse vesi i televizorit mbart një numër të madh problemesh të mundshme. Le të shohim disa prej tyre:

Nota të dobëta: Instituti Kombëtar i Shëndetit Mendor (SHBA) raportonte se shikimi i tepërt i televizorit, mund të çojë në «rezultate të ulëta në shkollë, veçanërisht në lexim». Një libër, akuzon më tej: «Ndikimi i televizorit mbi fëmijët është që të besojnë se mësimi duhet të jetë një gjë e lehtë, pasive dhe zbavitëse.» (The Literacy Hoax) Për një njeri që i është bërë ves televizori, studimi mund të jetë një torturë.

Zakone të këqija leximi: Kur ka qenë hera e fundit që ke marrë një libër dhe e ke lexuar nga fillimi në fund? Një zëdhënës i Shoqërisë së Librashitësve në Gjermaninë Perëndimore, ankohej: «Jemi bërë një komb me njerëz që kthehen në shtëpi pas punës dhe i zë gjumi para televizorit. Lexohet gjithnjë e më pak.» Një raport nga Australia thotë në mënyrë të ngjashme: «Për çdo orë studim, një fëmijë australian do të ketë parë shtatë orë televizor.»

Jetë e dobët familjare: Një grua e krishterë shkruante: «Ngaqë shikoja tepër televizor . . . isha shumë e vetmuar dhe ndihesha e izoluar. Ishte sikur në familjen [time] ishin të gjithë të huaj.» Në mënyrë të ngjashme, a e shikon se harxhon më pak kohë me familjen, për shkak të televizorit?

Dembelizëm: Disa mendojnë se vetë pasiviteti i televizorit «mund ta bëjë [një të ri] të mendojë se nevojat [e tij] do të plotësohen pa përpjekje dhe duke e përballuar jetën me pasivitet».

Shfaqja ndaj ndikimeve të dëmshme: Disa rrjete private televizive ta sjellin pornografinë brenda në shtëpi. Programet normale shpesh nuk japin gjë tjetër veçse përplasje makinash, shpërthime, therje, qitje dhe gjuajtje me karate. Sipas një llogaritjeje, që në moshën 14 vjeç, një i ri në Shtetet e Bashkuara asiston përmes televizorit në vrasjen e 18.000 njerëzve, për të mos përmendur kacafytjet dhe vandalizmin.

Studiuesi anglez, Uilliam Belson, zbuloi se djemtë që ushqeheshin me programe të dhunshme televizive, janë më të dhënë «për të kryer vepra të dhunshme të llojit të rëndë». Ai pohoi, gjithashtu, se dhuna në televizor mund të nxisë «sharjet dhe të folurit e pahijshëm, agresivitetin në sport dhe në lojë, kërcënimin për të përdorur dhunë kundër një djali tjetër, shkrimin e parrullave nëpër mure [dhe] thyerjen e xhamave». Ndërkohë që mund ta mendosh veten të imunizuar ndaj ndikimeve të tilla, studimi i Belsonit zbuloi se ekspozimi ndaj dhunës në televizor «nuk ndryshon qëndrimin e vetëdijshëm të një djali kundrejt» dhunës. Dieta e qëndrueshme e dhunës siç duket cënonte frenimin e nënvetëdijshëm kundër dhunës.

Por më shqetësues është ndikimi që vesi i dhunës në televizor mund të ketë mbi marrëdhënien e një personi me Perëndinë, i cili ‘urren atë që do dhunën’.​—Psalmi 11:5.

Si mund të kem vetëkontroll?

Kjo nuk do të thotë medoemos se televizori duhet parë si diçka e keqe në vetvete. Shkrimtari Vans Pakard vë në dukje: «Shumë programe të transmetuara nga televizioni amerikan ia vlen t’i shohësh . . . Shpesh, në orët e para të mbrëmjes transmetohen programe që janë arritje të mrekullueshme fotografike mbi natyrën, duke filluar që nga aktiviteti i lakuriqëve të natës, kastorëve, bizonëve dhe i peshkut top. Televizioni shtetëror jep balet, opera dhe muzikë dhome të mrekullueshme. Televizori është një mjet shumë i mirë për të ndjekur ngjarjet e rëndësishme . . . Herë pas here, ai transmeton pjesë dramatike shumë të arrira.»

Megjithatë, edhe një gjë e mirë kur teprohet, mund të jetë e dëmshme. (Krahaso Proverbat 25:27.) Nëse e kupton se të mungon vetëkontrolli për ta fikur kur jepen programe të dëmshme, është mirë të kujtosh fjalët e apostullit Pavël: «Nuk lë asgjë të më bëjë skllavin e vet.» (1. Korintasve 6:12, Today’s English Version) Si mund të lirohesh, atëherë, nga skllavëria e televizorit dhe të kesh vetëkontroll kur e sheh?

Shkrimtarja Linda Nilsen vëren: «Vetëkontrolli fillon me mësimin e vënies së synimeve.» Së pari, shqyrto zakonet e tanishme! Gjatë një jave, mbaj shënim se çfarë programesh shikon dhe sa kohë harxhon çdo ditë para televizorit! A e ndez sapo vë këmbën në shtëpi? Kur e fik? Sa programe «duhet të shohësh» çdo javë? Mund të mbetesh i çuditur kur të shohësh rezultatet.

Prandaj, shqyrto seriozisht se çfarë programesh shikon! Bibla pyet: «Veshi a nuk i shqyrton vallë fjalët, ashtu si i shijon qiellza ushqimet?» (Jobi 12:11) Prandaj, përdor aftësi shquese (bashkë me këshillën e prindërve) dhe përcakto cilat programe ia vlen vërtet për t’i parë. Disa e vendosin që më parë se çfarë programesh do të shohin dhe e ndezin televizorin vetëm për ato programe! Të tjerë marrin masa më të rrepta, duke e bërë rregull të mos shohin televizor gjatë javës së shkollës ose të shohin një orë në ditë.

Po sikur një televizor i heshtur të jetë një tundim shumë i madh për ty? Një familje e zgjidhi problemin në këtë mënyrë: «E mbajmë televizorin në qilar për të mos e pasur nëpër këmbë . . . Kur është atje tundohesh më pak për të shtypur butonin sapo fut këmbën në shtëpi. Duhet të shkosh kastile atje për të parë diçka.» Mbajtja e televizorit në dollap ose thjesht me spinë të stakuar, mund të ketë po aq efektshmëri.

Është interesante se mes gjithë «dhimbjeve të zvjerdhjes», të rinjtë që morën pjesë në «javën pa televizor», gjetën disa zëvendësime pozitive për televizorin. Një vajzë kujtoi: «Flisja me nënën. U bë për mua një person më interesant, vëmendja ime nuk ishte e ndarë nga ajo dhe ekrani i televizorit.» Një vajzë tjetër e kaloi kohën duke u ushtruar në kuzhinë. Një djalë i ri me emrin Gjergji, pa se mund të ishte bukur të shkoje «në park në vend se të shihje televizor», ose të peshkoje, të lexoje apo të shkoje në plazh.

Përvoja e Eraldit (shiko kutinë «Isha maniak pas televizorit»), ilustron se një tjetër çelës për të kontrolluar kohën që i kushtojmë televizorit, është të kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1. Korintasve 15:58, BR) Edhe ti do të kuptosh se të jesh më i afërt me Perëndinë, të studiosh Biblën me ndihmën e shumë botimeve të shkëlqyera që tani janë në dispozicion dhe të jesh i zënë në veprën e Perëndisë, do të të ndihmojë të mposhtësh vesin e televizorit. (Jakovit 4:8) Vërtet, kufizimi i kohës që i kushton televizorit, do të thotë të mos shohësh disa programe të preferuara. Por, përse duhet ta përdorësh pa pushim televizorin, duke ndjekur si një skllav çdo program? (Shiko 1. Korintasve 7:29, 31.) Është më mirë «të jesh i rreptë» me veten si apostulli Pavël, i cili njëherë tha: «E rrah me grushta trupin tim dhe e drejtoj atë si një skllav.» (1. Korintasve 9:27, BR) A nuk është kjo më mirë sesa të jesh skllav i televizorit?

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse shikimi i televizorit mund të quhet një ves për shumë të rinj?

□ Cilat janë disa pasoja fuqimisht të dëmshme të shikimit të tepërt të televizorit?

□ Cilat janë disa mënyra për të kontrolluar kohën që i kushtojmë shikimit të televizorit?

□ Çfarë mund të bësh në vend se të shikosh televizor?

[Diçitura në faqen 295]

«Jam në një gjendje depresioni . . . Po çmendem.»​—Elvira dymbëdhjetë vjeçare, pjesëmarrëse në «javën pa televizor»

[Kutia në faqet 292, 293]

«Isha maniak pas televizorit»: Intervistë

Intervistuesi: Çfarë moshe kishe kur u bëre skllav i televizorit?

Eraldi: Rreth dhjetë vjeç. Sapo kthehesha nga shkolla në shtëpi, ndizja televizorin. Në fillim, shihja filmat vizatimorë dhe programet për fëmijë. Pas këtyre vinin lajmet, . . . dhe unë shkoja në kuzhinë për të marrë diçka për të ngrënë. Pastaj, kthehesha përsëri para televizorit dhe shikoja derisa të më vinte gjumë.

Intervistuesi: Por, kur e gjeje kohën për shokët?

Eraldi: Televizori ishte shoku im.

Intervistuesi: Pra, asnjëherë s’ke pasur kohë për të luajtur apo për të bërë sport?

Eraldi: [duke qeshur] Nuk kam asnjë aftësi sportive. Duke parë gjithë kohën televizor, nuk i zhvillova kurrë ato. Nuk di të luaj aspak basketboll. Në klasën e gjimnastikës isha gjithmonë i fundit që zgjidhesha. Megjithatë, do të doja t’i kisha zhvilluar pak më shumë aftësitë e mia sportive, jo për t’u mburrur para të tjerëve, por të paktën për t’u zbavitur vetë.

Intervistuesi: Po për notat, ç’mund të na thuash?

Eraldi: Në 8-vjeçare ia hodha mirë. Rrija deri vonë dhe i bëja detyrat e shtëpisë në minutën e fundit. Ndërsa në shkollën e mesme e kisha më të vështirë, pasi kisha zhvilluar zakone shumë të dobëta studimi.

Intervistuesi: A ka ndikuar negativisht mbi ty shikimi i tepërt i televizorit?

Eraldi: Po. Nganjëherë në shoqëri me të tjerë, në vend që të marr pjesë në bisedë, e ndiej se i shikoj sikur të isha duke parë një emision në televizor. Do të doja të isha më i shoqërueshëm.

Intervistuesi: Kurse në këtë bisedë ia dole mbanë. Siç duket e ke mposhtur vesin.

Eraldi: Fillova të largohesha nga televizori pasi hyra në shkollë të mesme. . . . Kërkova shoqërinë e të rinjve Dëshmitarë dhe fillova të bëja përparim frymor.

Intervistuesi: Por, ç’lidhje ka kjo me shikimin e televizorit?

Eraldi: Ndërsa rritej çmueshmëria ime për gjërat frymore, kuptoja se shumë nga programet që shikoja, nuk ishin me të vërtetë për të krishterë. Ndjeva, gjithashtu, nevojën për të studiuar më shumë Biblën dhe për t’u përgatitur për mbledhjet e krishtere. Kjo do të thoshte të pakësoja dukshëm shikimin e televizorit. Megjithatë, nuk ishte e lehtë. Më pëlqenin filmat vizatimorë që jepeshin të shtunën në mëngjes. Por, pastaj një vëlla i krishterë në kongregacion më ftoi që të shtunën në mëngjes të shkoja me të në predikimin shtëpi më shtëpi. Në këtë mënyrë, e lashë vesin e televizorit të shtunën në mëngjes. Kështu, më në fund mësova ta zbusja me të vërtetë shikimin e televizorit.

Intervistuesi: Po sot?

Eraldi: Akoma kam pak problem. Nëse televizori është i ndezur, nuk mund të bëj asgjë. Prandaj, pjesën më të madhe të kohës e lë fikur. Në fakt, televizori im ka disa muaj që është me defekt dhe nuk e kam vrarë shumë mendjen ta rregulloj.

[Figura në faqen 291]

Për disa televizori është bërë një drogë e vërtetë

[Figura në faqen 294]

Kur televizori vendoset në një vend jo të volitshëm, je më pak i tunduar ta ndezësh