Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përgjigje praktike

Përgjigje praktike

Parathënie

Përgjigje praktike

«PËRSE prindërit nuk më kuptojnë?» «A duhet ta provoj drogën dhe alkoolin?» «Ç’mund të thuhet për marrëdhëniet seksuale para martesës?» «Si mund ta kuptoj nëse është dashuri e vërtetë?» «Çfarë më ofron e ardhmja?»

Nuk je as i pari dhe as i fundit që bën këto pyetje. Megjithatë, kur të rinjtë ngrenë këto çështje themelore, shpesh hasin përgjigje kontradiktore. Marrim, për shembull, pijet alkoolike. Prindërit ndoshta nuk të këshillojnë t’i përdorësh, ndërsa ata vetë i përdorin. Revistat dhe programet televizive i ngrenë në qiell. Bashkëmoshatarët të nxisin t’i provosh. Kështu, pra, nuk është për t’u habitur se shumë të rinj sinqerisht s’dinë nga t’ia mbajnë kur bëhet fjalë se si të veprojnë.

Duke kuptuar nevojën e përgjigjeve të ndershme dhe praktike për pyetjet e të rinjve sot, në revistën Zgjohuni! * në janar të 1982-shit filloi të botohej rubrika «Të rinjtë pyesin . . . ». Kjo seri artikujsh ngjalli menjëherë pëlqimin e lexuesve. «Rubrika është provë e interesit të vazhdueshëm për gjendjen e vështirë të të rinjve sot»,​—shkroi një lexues me mirënjohje. «Shpresoj dhe lutem që këta artikuj të mos mbarojnë kurrë»,​—shkroi një tjetër.

Një lexues tjetër i ri u shpreh akoma në këtë mënyrë: «Jam 14 vjeç dhe kurrë nuk e mendoja se të bëhesh i madh është kaq e vështirë. Të rinjtë sot përballojnë shumë presione. Prandaj, jam shumë mirënjohës për këta artikuj. Çdo natë e falënderoj Perëndinë që bën të mundur të botohen.» Megjithatë, artikujt nuk ishin për fëmijë dhe as ishte bërë ndonjë përpjekje për të «fyer» lexuesit. «Të rinjtë pyesin . . . » gjeti kështu një publik të ndjeshëm tek të rriturit. «Jam 40 vjeçe,​—shkroi një nënë,​—dhe këta artikuj janë vërtet si mana nga qielli për ne prindërit.» Për pleqtë e krishterë, këta janë veçanërisht të dobishëm për të kuptuar të rinjtë në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe për t’i trajtuar me ta.

Përse «Të rinjtë pyesin . . . » ka ngjallur një entuziazëm të tillë? Sepse përgjigjet e dhëna janë vërtet praktike! Çdo artikull është rezultat i kërkimeve të thella. Përveç kësaj, për të përcaktuar me saktësi se cilat janë mendimet dhe ndjenjat e të rinjve, korrespondentët e revistës Zgjohuni! kanë folur me qindra të rinj në të gjithë botën! Shprehjet e tyre të hapura kanë ndihmuar shumë për t’i bërë këta artikuj realistë dhe praktikë.

Megjithatë, sekreti i vërtetë i suksesit të rubrikës «Të rinjtë pyesin . . . » qëndronte në faktin se përgjigjet e dhëna nuk ishin bazuar në teori apo në opinione personale, por në të vërtetat e përhershme që gjenden në Fjalën e Perëndisë, Biblën. «Biblën?»​—mund të pyesësh. Po, ajo ka shumë për t’u thënë të rinjve. (Shiko Proverbat, kapitujt 1-7; Efesianëve 6:1-3.) Ajo është frymëzuar nga Krijuesi ynë që i di fare mirë «dëshirat e rastit të të rinjve». (2. Timoteut 2:20-22, BR; 2Ti 3:16) Ndërkohë që shoqëria njerëzore ka ndryshuar shumë që nga kohët biblike, dëshirat rinore kanë ndryshuar fare pak. Prandaj, Bibla është më aktuale se kurrë. Megjithatë, ne nga ana jonë jemi përpjekur që t’i paraqesim këshillat e Biblës në mënyrë të tillë që të rinjve të mos u duket sikur po u bëhet moral, por përkundrazi që të arsyetohet me ta. Megjithëse materiali u shkrua duke pasur në mend së pari të rinjtë Dëshmitarë të Jehovait, kushdo që ka respekt për mençurinë që përmban Bibla mund ta lexojë atë me kënaqësi.

Në përgjigje të kërkesave të shumë lexuesve, kemi përmbledhur një numër të artikujve të rubrikës «Të rinjtë pyesin . . . » në formën e një libri. Të 39 kapitujt e përfshirë këtu në formë të përmbledhur, paraqesin informacione nga më shumë se 100 artikuj të marrë nga rreth 200 artikuj të botuar në revistën Zgjohuni! nga viti 1982 deri në vitin 1989. Libri përfshin edhe material të ri dhe përveç kësaj është ilustruar mjaft mirë me fotografi të rinjsh nga vende dhe raca të ndryshme.

Mos ngurro të shikosh me vëmendje përmbajtjen dhe të ndalesh në çështjet që të interesojnë më shumë. Megjithatë, të këshillojmë që më vonë të gjesh kohë për ta lexuar librin nga fillimi në fund, duke i kërkuar shkrimet në kopjen tënde të Biblës.

Në disa familje, komunikimi prindër-fëmijë mungon ose në të shumtën e rasteve është i vështirë. Për këtë arsye kemi shtuar diçka të re të quajtur «Pyetje për t’u trajtuar», të cilat gjenden në fund të çdo kapitulli. Pyetjet nuk janë përgatitur për t’u shqyrtuar paragraf për paragraf dhe as nuk u shërbejnë prindërve si mjet për t’i marrë fëmijët në pyetje. Ato janë përgatitur për të nxitur bashkëbisedimin ndërmjet të rinjve dhe prindërve. Shumë nga pyetjet japin mundësi për të dhënë pikëpamjen tënde ose për ta zbatuar materialin në trajtim me vetë situatën tënde.

Prandaj, shumë familje ndonjëherë mund ta përdorin këtë libër si bazë për studimin familjar, duke vepruar kështu: çdo anëtar i familjes mund t’i lexojë paragrafët sipas radhës, duke gjetur të gjitha shkrimet e cituara. Pyetjet për t’u trajtuar mund të bëhen herë pas here, në fund të nëntitujve të përshtatshëm apo në fund të gjithë kapitullit. Të gjithë janë të inkurajuar t’i shprehin ndjenjat e tyre hapur dhe me ndershmëri. Të rinjve do t’u sjellë kënaqësi diskutimi i librit ndërmjet tyre.

Këto janë «kohë të vështira» edhe për të rinjtë. (2. Timoteut 3:1, BR) Megjithatë, duke pasur njohuri nga Fjala e Perëndisë, mund ta kapërcesh me sukses këtë periudhë të vështirë të jetës. (Psalmi 119:9) Prandaj, është kënaqësi për ne të sigurojmë këtë përmbledhje me informacione praktike të bazuara në Bibël, për t’u dhënë përgjigje disa pyetjeve që ndoshta të lënë pak në mëdyshje.

Botuesit

[Shënimi]

^ par. 5 Gjysmëmujore e botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.