Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është normale të hidhërohem kështu?

A është normale të hidhërohem kështu?

Kapitulli 16

A është normale të hidhërohem kështu?

MIRI kujton ditën kur i vdiq i ati: «Isha në gjendje shoku. . . . ‘Jo, s’mund të jetë e vërtetë’,​—vazhdoja t’i thosha vetes.»

Ndoshta të ka vdekur dikush që e do: një prind, një vëlla, një motër ose një shok. Nuk je vetëm i hidhëruar, por i zemëruar, i hutuar dhe i frikësuar. Nuk i mban dot lotët, megjithëse përpiqesh aq sa mundesh. Ose ndodh që e ndrydh dhimbjen brenda teje.

Vërtet, është i natyrshëm reagimi emocional, kur na vdes një person i dashur. Edhe Jezu Krishti, kur mësoi për vdekjen e një miku të ngushtë, «shpërtheu në lotë» dhe «psherëtiu» brenda vetes. (Gjoni 11:33-36, BR; krahaso 2. Samuelit 13:28-39.) Mendo se edhe të tjerë janë ndier si ti dhe kjo do të të ndihmojë të përballosh më me lehtësi humbjen.

Mohimi i realitetit

Fillimisht mund të ndihesh si i mpirë. Ndoshta thellë brenda vetes, shpreson se është vetëm një ëndërr e keqe, se dikush do të vijë e do të të zgjojë dhe pastaj gjithçka do të kthehet si më parë. Nëna e Silvit, për shembull, vdiq nga kanceri. Silvi thotë: «Në të vërtetë akoma nuk e kam pranuar se ajo nuk është më. Nëse ndodh diçka për të cilën më parë mund ta diskutoja me të, i them vetes: ‘Duhet të flas me mamin.’»

Ata që kanë humbur një person të dashur, priren të mos e pranojnë se vdekja ka ndodhur me të vërtetë. Madje mund të mendojnë se për një çast e kanë parë të ndjerin në rrugë, në një autobus që kalonte aty pranë apo në metro. Edhe një hije ngjashmërie mund të ndezë shpresën se ndoshta gjithçka që ka ndodhur më parë ka qenë vetëm një keqkuptim. Mos harro se Perëndia e krijoi njeriun për të jetuar, jo për të vdekur. (Zanafilla 1:28; 2:9) Prandaj, është më se normale që e kemi të vështirë të pranojmë vdekjen.

«Si mundi të ma bënte këtë?»

Nëse ka momente kur je pak i zemëruar me personin e vdekur, mos u habit. Silvi kujton: «Kur më vdiq mami, kishte momente kur mendoja: ‘Nuk na the se do të vdisje. Ike pa u ndier.’ Ndihesha e tradhtuar.»

Ngjashëm, vdekja e një vëllai apo motre mund të ngjallë ndjenja të tilla. «Është gati qesharake të zemërohesh me dikë që ka vdekur,​—thotë Klejda,​—por, kur më vdiq motra, nuk munda ta përmbaja zemërimin. Në mendje më vinin mendime të tilla: ‘Si vdiq e më la vetëm? Si mundi të ma bënte këtë?’» Disa zemërohen me motrën ose vëllanë, për gjithë dhimbjen që vdekja e tij apo e saj u ka shkaktuar. Disa ndihen të lënë pas dore, ndoshta edhe të lënduar, për shkak të gjithë kohës dhe vëmendjes që i kanë kushtuar vëllait apo motrës para se të vdiste. Prindërit e pushtuar nga hidhërimi, nga frika se mos humbin edhe një fëmijë tjetër, bëhen menjëherë tepër mbrojtës, gjë që mund të ngjallë, gjithashtu, mllef kundrejt të ndjerit.

«Ah, sikur . . . »

Një ndër reagimet e shpeshta është edhe ndjenja e fajit. Pyetje dhe dyshime të shkojnë nëpër mend. «Mos duhej të bënim më shumë? Mos duhej të konsultoheshim me një mjek tjetër?» Fill pas këtyre rreshtohen shprehjet «ah, sikur». «Ah, sikur të mos ishim grindur kaq shumë!» «Ah, sikur të kisha qenë më i sjellshëm!» «Ah, sikur të kisha vajtur unë në vend të tij te dyqani!»

Miri thotë: «Do të doja të isha më i durueshëm dhe i arsyeshëm me babin ose të kisha bërë më shumë punë në shtëpi, që ta lehtësoja pak kur të kthehej.» Kurse Elisa vëren: «Kur mami u sëmur dhe vdiq papritur e pakujtuar, kishim shumë ndjenja, që qëndronin pezull për njëra-tjetrën. Tani ndihem shumë fajtore. Mendoj për të gjitha gjërat që duhej të kisha thënë apo që s’duhej të kisha thënë, për të gjitha gjërat ku kam gabuar.»

Ndoshta, e ndien veten fajtor edhe për gjithë sa ka ndodhur. Silvi kujton: «Ndihesha fajtore për çdo zënkë që kishim pasur, për të gjitha streset që i kisha shkaktuar mamit. Mendoja se gjithë stresi që i kisha shkaktuar, i kishte kontribuar zhvillimit të sëmundjes së saj.»

«Çfarë t’u them shokëve?»

Një vejushë tregonte për të birin: «Juli kishte inat t’u tregonte fëmijëve të tjerë se i ati kishte vdekur. Ky fakt e shqetësonte e më pas edhe e zemëronte, vetëm sepse ndihej në siklet.»

Një libër (Death and Grief in the Family) thotë: «‘Çfarë t’u them shokëve?’ Kjo është një pyetje me rëndësi të madhe për shumë nga ata që kanë humbur një vëlla apo një motër. Shpesh, ata që kanë humbur një motër apo një vëlla, mendojnë se shokët nuk e kuptojnë se çfarë po përjetojnë. Përpjekjet për t’u lënë të kuptojnë se sa e madhe është humbja, ndeshen me vështrime të ngulëta dhe me mëdyshje. . . . Si pasojë, ai që ka pësuar vdekjen e motrës apo vëllait, mund të ndihet i lënë mënjanë, i izoluar dhe nganjëherë edhe anormal.»

Megjithatë, përpiqu të kuptosh se të tjerët nganjëherë thjesht nuk dinë çfarë t’i thonë një shoku të hidhëruar, kështu që e kyçin gojën fare. Gjithashtu, humbja që ke pësuar, mund t’u sjellë atyre ndër mend se edhe ata mund të humbin një person të dashur. Duke mos dashur ta mendojnë, ata të rrinë pak larg.

Përballo hidhërimin!

Një hap i madh për të mposhtur hidhërimin, është vetëdija se një gjë e tillë është normale. Të vazhdosh të mohosh realitetin, s’bën gjë tjetër veç zgjat hidhërimin. Nganjëherë, familja lë një vend bosh në tavolinën e ngrënies për të ndjerin, sikur ai të vinte e të hante me ta. Megjithatë, një familje vendosi të vepronte ndryshe. Nëna thotë: «Nuk u ulëm më në tavolinën e ngrënies siç uleshim më parë. Im shoq u ul në karrigen e Danielit dhe kjo më ndihmoi ta mbushja atë boshllëk.»

Gjithashtu, është e dobishme të kuptosh se edhe pse ka pasur gjëra që duheshin apo s’duheshin thënë ose bërë, zakonisht nuk janë ato arsyet që kanë shkaktuar vdekjen e personit të dashur për ty. Përveç kësaj, ne «të gjithë gabojmë në shumë gjëra».​—Jakovit 3:2.

Shprehi ndjenjat!

Dr. Erl Grollman bën këtë sugjerim: «Nuk mjafton vetëm të pranosh ndjenjat e tua kontradiktore. Duhet t’i shprehësh hapur. . . . Një kohë e tillë duhet shfrytëzuar për të shprehur ndjenjat.» Në këtë kohë nuk duhet të izolohesh.​—Proverbat 18:1.

Dr. Gollman thotë se duke mohuar hidhërimin, «vetëm zgjat agoninë dhe vonon kalimin e procesit të hidhërimit». Ai sugjeron: «Gjej një person që di të dëgjojë, një shok që e kupton se shumë nga ndjenjat e tua janë reagime normale të pikëllimit tënd të hidhur.» Një prind, një vëlla, një motër, një shok ose një plak në kongregacionin e krishterë, shpesh mund të japë një mbështetje të vërtetë.

Po kur të vjen për të qarë? Dr. Gollman shton: «Për disa, lotët janë terapia më e mirë për tensionin emocional, si për burra, për gra e për fëmijë. Qarja është një mënyrë natyrale për të zbutur ankthin dhe për të lehtësuar dhimbjen.»

Bashkëpuno me familjen!

Edhe prindërit mund të jenë një ndihmë e madhe për ty në kohë humbjeje dhe po ashtu mund të jesh edhe ti për ta. Për shembull, Xhenit dhe Sarës nga Anglia, u vdiq vëllai i tyre 23 vjeç, i quajtur Darrall. Si e përballuan ato hidhërimin? Xheni përgjigjet: «Meqenëse në shtëpi ishim katër, unë ndihmoja babin në çdo gjë, kurse Sara ndihmonte mamin. Në këtë mënyrë, nuk qëndronim vetëm.» Xheni kujton akoma: «Kurrë më parë s’e kisha parë babin duke qarë. Qau disa herë dhe në njëfarë mënyre ishte mirë. Tani, kur më vjen ndër mend, ndihem e kënaqur që munda t’i qëndroja pranë edhe vetëm për ta ngushëlluar.»

Një shpresë që të jep forcë

Një të riu nga Anglia, me emrin David, i vdiq e motra 13-vjeçare, me emrin Xhenet, nga sëmundja e Hoxhkinit. Ai thotë: «Një gjë që më bëri shumë mirë, ishte një varg që u citua në fjalimin e varrimit, i cili thoshte: ‘Sepse Perëndia ka vendosur një ditë, kur ai ka për qëllim të gjykojë tokën me drejtësi dhe ka siguruar një garanci për të gjithë njerëzit në faktin që ka ringjallur Jezuin nga të vdekurit.’ Oratori theksoi fjalën «garanci» në lidhje me ringjalljen. Pas varrimit, kjo ishte një burim i madh force për mua.»​—Veprat 17:31; shiko gjithashtu Markun 5:35-42; 12:26, 27; Gjoni 5:28, 29; 1. Korintasve 15:3-8.

Shpresa e ringjalljes që jep Bibla nuk e eliminon hidhërimin. Kurrë nuk do ta harrosh atë person të dashur. Megjithatë, shumë kanë gjetur ngushëllim të vërtetë në premtimet e Biblës dhe si rezultat, kanë filluar pak nga pak të lirohen nga dhimbja e humbjes së një personi që kanë dashur.

Pyetje për t’u trajtuar

□ A mendon se është e natyrshme të hidhërohesh kur të vdes një person i dashur?

□ Çfarë emocionesh mund të përjetojë një person i hidhëruar dhe pse?

□ Në cilat mënyra mund ta përballojë një i ri hidhërimin?

□ Si mund ta ngushëllosh një shok që ka humbur një person të dashur?

[Diçitura në faqen 128]

«Në të vërtetë akoma nuk e kam pranuar se ajo nuk është më. . . . I them vetes: ‘Duhet të flas me mamin’»

[Diçitura në faqen 131]

«Kur më vdiq mami, . . . mendoja: ‘Nuk na the se do të vdisje. Ike pa u ndier.’ Ndihesha e tradhtuar»

[Figura në faqen 129]

«Nuk është e vërtetë që më ka ndodhur mua!»

[Figura në faqen 130]

Kur na vdes një person i dashur, na nevojitet mbështetja e një njeriu të dashur