Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse jam i pakënaqur me veten?

Përse jam i pakënaqur me veten?

Kapitulli 12

Përse jam i pakënaqur me veten?

«MË DUKET vetja shumë e rëndomtë»,​—psherëtin Lola. A ka pasur raste, kur edhe ti ke pasur ndjenja negative për veten?

Në fakt, çdokush duhet të ketë njëfarë respekti për veten. Ai është quajtur «elementi që i jep dinjitet ekzistencës njerëzore». Përveç kësaj, Bibla thotë: «Duaje të afërmin tënd si veten tënde.» (Mateu 19:19) Atëherë, nëse ke mendime negative për veten, ka shumë mundësi që të kesh mendime negative edhe për të tjerët.

‘Asgjë nuk arrij ta bëj siç duhet!’

Përse ndodh që të kesh këto ndjenja negative për veten? Së pari, sepse kufizimet që ke mund të të zhgënjejnë. Ti po rritesh dhe shpesh kalon periudha ngathtësie, gjë që të krijon një shqetësim të përditshëm: të bien gjërat nga dora dhe përplasesh gjithandej. Gjithashtu, nuk ke edhe përvojën e një të rrituri për të kapërcyer zhgënjimet. Përveç kësaj, për shkak se «aftësitë [e tua] shquese» nuk janë stërvitur në mënyrë të mjaftueshme «përmes përdorimit», jo gjithmonë ndodh që të marrësh vendimet më të mençura. (Hebrenjve 5:14, BR) Nganjëherë mund të të duket sikur asgjë nuk arrin ta bësh siç duhet.

Diçka tjetër që shkakton humbjen e respektit për veten, mund të jetë fakti që nuk arrin të jesh në lartësinë e kërkesave të prindërve. Një djalë thotë: «Po të marr një ‘dhjetë minus’ në shkollë, prindërit duan të dinë përse nuk mora ‘dhjetë’ dhe më thonë se jam një dështak.» Pa dyshim që prindërit kanë instiktin për t’i nxitur fëmijët të bëjnë maksimumin. Nëse nuk i arrin pretendimet e tyre të arsyeshme, ji i sigurt se do të ta thonë! Bibla këshillon: «Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënës sate.» (Proverbat 1:8, 9) Mos u shkurajo, por merre kritikën me qetësi dhe nxirr mësim prej saj.

Megjithatë, ç’mund të themi, nëse prindërit bëjnë krahasime të padrejta? («Përse s’shikon vëllanë tënd më të madh, Gertin? Ai gjithmonë është dalluar si nxënës i shkëlqyer.») Krahasime të tilla, sado që ndonjëherë mund të duken lënduese, shpesh kanë një anë të mirë. Prindërit duan që ti të jesh gjithmonë më i miri. Nëse mendon se është e tepërt ajo që kërkojnë nga ti, përse të mos flasësh me qetësi me ta për këtë gjë?

Krijo respekt për veten!

Si mund të veprosh nëse ke prirje për të humbur respektin për veten? Së pari, shqyrtoji ndershmërisht cilësitë e tua pozitive dhe negative! Do të zbulosh se shumë nga të ashtuquajturat të meta, janë të parëndësishme. Por, çfarë mund të themi për të meta serioze, si gjaknxehtësia apo egoizmi? Përpiqu me vetëdije për t’i përmirësuar këto të meta dhe respekti yt për veten sigurisht që do të rritet.

Përveç kësaj, mos i mbyll sytë para faktit se ke edhe disa dhunti. Ndoshta mendon se të jesh një kuzhinier i mirë ose të ndërrosh gomën e shpuar të makinës nuk është ndonjë gjë e rëndësishme. Por një njeri i uritur apo një shofer që ka mbetur në mes të rrugës, do të të admironte për faktin që ke aftësi të tilla. Sill, gjithashtu, ndër mend virtytet e tua. A je një tip studioz? I durueshëm? I dhembshur? Bujar? Zemërbutë? Këto cilësi kanë më shumë peshë, sesa të metat e vogla.

Shqyrto edhe këtë listë të shkurtër. Ajo mund të të ndihmojë.

Vëri vetes synime të arritshme! Nëse synon gjithmonë të kapësh qiellin, mund të zhgënjehesh hidhur. Vëri vetes synime të arritshme. Si të duket, për shembull, të mësosh të shkruash në makinë shkrimi? Mëso t’i biesh një vegle muzikore ose të përvetësosh një gjuhë të huaj! Përmirëso ose zgjero fushën tënde të leximit. Respekti për veten është pasojë e arritjeve.

Puno mirë! Nëse e bën punën shkel e shko, nuk ke si të ndjesh diçka pozitive për veten. Perëndia u kënaq nga veprat e tij të krijimit dhe i shpalli epokat e krijimit në përfundim të tyre si ‘të mira’. (Zanafilla 1:3-31) Edhe ti mund të nxjerrësh kënaqësi në çdo lloj pune që bën në shtëpi ose në shkollë, duke e bërë atë mirë dhe me ndërgjegje.​—Shiko Proverbat 22:29.

Bëj për të tjerët! Respekti për veten nuk fitohet duke ndenjur duarkryq e duke pritur që të tjerët të të shërbejnë. Jezui tha se kushdo «që do të dojë të bëhet i madh, . . . [duhet] të jetë shërbëtor» ose t’u shërbejë të tjerëve.​—Marku 10:43-45.

Për shembull, Keti 17-vjeçare vendosi të bënte 60 orë çdo muaj gjatë pushimeve të verës, për të ndihmuar të tjerët të mësonin të vërtetat biblike. Ajo thotë: «Kjo gjë më ka afruar më shumë me Jehovain. Gjithashtu, më ka ndihmuar të zhvilloj një dashuri të vërtetë për të tjerët.» Vështirë të mendosh se kësaj vajze të lumtur i mungon respekti për veten!

Zgjidhi shokët me kujdes! «Jam shumë e pakënaqur me veten,​—thotë Stela 17-vjeçare.​—Kur jam me ata që kanë besim në mua, punoj mirë. Kurse me ata që më trajtojnë si bishti i kavallit, më ikën truri fare.»

Ata që janë mendjemëdhenj dhe fyes, mund të të ngjallin me të vërtetë ndjenja negative. Prandaj, zgjidh shokë që interesohen vërtet për mirëqenien tënde, shokë që të ndërtojnë!​—Proverbat 13:20.

Bëje Perëndinë shokun më të ngushtë! «Zoti [Jehovai, BR] është kështjella ime, fortesa ime»,​—tha psalmisti David. (Psalmi 18:2) Ai nuk mbështetej në aftësitë e tij, por në miqësinë e ngushtë me Jehovain. Prandaj, kur më vonë pati momente të vështira, mundi t’u qëndronte kritikave të ashpra pa e humbur gjakftohtësinë. (2. Samuelit 16:7, 10) Edhe ti mund t’i ‘afrohesh Perëndisë’ e në këtë mënyrë të mos ‘mburresh’ për veten, por për Jehovain.​—Jakovit 2:21-23; 4:8; 1. Korintasve 1:31.

Qorrsokaqe

Një shkrimtar ka thënë: «Nganjëherë, adoleshentët me personalitet të dobët dhe me pak respekt për veten përpiqen të zhvillojnë një përfytyrim të rremë ose një fasadë, me të cilën mund të përballojnë botën.» Rolet që marrin disa janë të njohura: «të ashpër», persona të shfrenuar që i kushtojnë tepër vëmendje shoqërisë, ‘pank’ fanatikë të muzikës rrok të veshur në mënyrë ekstravagante. Megjithatë, pas kësaj fasade, këta të rinj akoma luftojnë me ndjenjat e inferioritetit.​—Proverbat 14:13.

Le të shohim, për shembull, ata që jepen pas imoralitetit «për të larguar ndjenjat e depresionit, për të rritur respektin për veten [duke provuar ndjenjën se të tjerët i duan], për të gjetur intimitet dhe së fundi me shtatzaninë për të fituar dashuri dhe për t’u pranuar pa u vënë në dyshim nga një qenie tjetër njerëzore: një fëmijë». (Coping With Teenage Depression) Një vajzë e re që një herë ishte zhgënjyer, shkroi: «Në vend që të përpiqesha të ndërtoja një lidhje të fortë me Krijuesin, u përpoqa të gjeja ngushëllim në intimitetin seksual. Ajo që arrita ishte një hiç, më shumë vetmi dhe dëshpërim.» Prandaj, kujdes nga të tilla qorrsokaqe!

Kujdes!

Është interesante të vërejmë se Shkrimet na paralajmërojnë vazhdimisht që të mos mendojmë tepër për veten. Përse? Sepse me sa duket, shumica prej nesh, në përpjekje për të krijuar besim tek vetja, priren të kalojnë masën. Shumë bëhen egoistë dhe i stërmadhojnë mundësitë dhe aftësitë e tyre. Disa poshtërojnë të tjerët që të ngrenë veten në qiell.

Para shumë kohësh, në shekullin e parë, rivaliteti i ashpër ndërmjet hebrenjve dhe paganëve (johebrenjve), preku një kongregacion të krishterë në Romë. Prandaj, apostulli Pavël i kujtoi paganët se vetëm përmes «dashamirësisë» së Perëndisë, ata ishin «shartuar» në një pozitë të favorshme përpara Perëndisë. (Romakëve 11:17-36, BR) Edhe hebrenjtë e vetëquajtur të drejtë, duhej të përballonin papërsosmëritë e tyre. Pavli tha: «Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.»​—Romakëve 3:23.

Pavli nuk i privoi ata nga respekti për veten, por tha: «Përmes dashamirësisë së pamerituar që më është dhënë i them kujtdo . . . të mos mendojë për veten më shumë sesa është e nevojshme të mendojë.» (Romakëve 12:3, BR) Prandaj, ndërkohë që është «e nevojshme» të kesh një masë respekti për veten, nuk duhet shkuar në ekstreme lidhur me këtë.

Dr. Alan From vëren: «Kush e koncepton veten ashtu siç duhet, nuk është i pikëlluar dhe as nuk ka një gëzim të shfrenuar. . . . Nuk është pesimist, por edhe optimizmi nuk është i pafre. Nuk është as kokëkrisur dhe as i lirë nga ndonjë frikë e veçantë . . . Ai e kupton se nuk është personi më i suksesshëm i kohërave, por edhe se nuk është gjithnjë një hiç.»

Prandaj, ji modest! «Perëndia i kundërshton kryelartët dhe u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve.» (Jakovit 4:6, BR) Prano që ke dhunti dhe mos i mbyll sytë para të metave! Përkundrazi, përpiqu t’i përmirësosh! Herë pas here do të dyshosh akoma për veten. Megjithatë, s’ke pse të dyshosh vlerat e tua ose faktin që Perëndia kujdeset për ty, sepse «në qoftë se dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij».​—1. Korintasve 8:3.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse disa të rinj kanë ndjenja negative për veten? A mund t’i kuptosh se si ndihen?

□ Çfarë mund të bësh nëse prindërit kërkojnë shumë prej teje?

□ Cilat janë disa mënyra për të krijuar respekt për veten?

□ Cilat qorrsokaqe për të krijuar respektin për veten duhen shmangur?

□ Përse duhet të kesh kujdes që të mos mendosh tepër për veten?

[Diçitura në faqen 98]

Respekti për veten është quajtur «elementi që i jep dinjitet ekzistencës njerëzore»

[Figura në faqen 99]

A ndihesh i poshtëruar, inferior? Ka një zgjidhje

[Figura në faqen 101]

Duke u mburrur dhe duke u lavdëruar, nuk e zgjidh problemin e mungesës së respektit për veten

[Figura në faqen 102]

A mendon ndonjëherë se asgjë nuk arrin ta bësh siç duhet?