Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse jam kaq i dëshpëruar?

Përse jam kaq i dëshpëruar?

Kapitulli 13

Përse jam kaq i dëshpëruar?

Deri në moshën 17-vjeçare, Marçela gjithmonë kishte jetuar në lartësinë e idesë që e ëma kishte formuar për të si një vajzë e përsosur. Më pas, ajo u tërhoq nga aktivitetet shkollore, nuk pranonte më ftesa për në festa dhe madje të krijonte përshtypjen se as nuk e vriste mendjen për notat në shkollë, që kishin rënë nga «dhjetë» në «shtatë». Kur prindërit e pyesnin me butësi se çfarë nuk shkonte, ajo largohej duke bërtitur: «Më lini të qetë! Ç’do gjë shkon mirë.»

Në moshën 14-vjeçare, Mireli ishte një tip i rrëmbyer dhe agresiv, me një temperament shpërthyes. Në shkollë s’e mbante vendi dhe shkaktonte shumë turbullira. Kur ishte i zemëruar apo me nerva, ia shkelte me motorr nëpër shkretëtirë ose zbriste kodrat e thepisura i hipur mbi një monopatinë.

MARÇELA dhe Mireli, vuanin që të dy nga forma të së njëjtës sëmundje, nga depresioni. Dr. Donald MekNu i Institutit Kombëtar të Higjienës Mendore në Shtetet e Bashkuara, thotë se 10 deri 15 për qind e fëmijëve të moshës shkollore, mund të vuajnë nga çrregullime të gjendjes shpirtërore. Ata që vuajnë nga depresioni i rëndë janë më të paktë.

Nganjëherë problemi është me bazë biologjike: disa infeksione ose sëmundje në sistemin endokrin, ndryshimet hormonale të ciklit menstrual, hipoglicemia, disa mjekime, kontakti me disa metale ose prodhime kimike toksike, reaksionet alergjike, dieta e paekuilibruar dhe anemia. Të gjitha këto mund të shkaktojnë depresion.

Presionet shkaktojnë depresion

Megjithatë, vetë vitet e adoleshencës janë shpesh burim i stresit emocional. Duke mos pasur përvojën e një të rrituri për të përballuar peripecitë e jetës, një i ri mund të mendojë se askush nuk kujdeset për të dhe mund të dëshpërohet hidhur për gjëra relativisht të vogla.

Fakti që nuk mund t’u përgjigjet kërkesave të prindërve, mësuesve ose shokëve është një tjetër shkak për trishtim. Donaldi, për shembull, mendonte se duhej të shkëlqente në shkollë, që t’u pëlqente prindërve të tij shumë të arsimuar. Duke mos e arritur këtë, ra në një gjendje depresioni dhe mendonte të vriste veten. «Kurrë nuk arrita të bëj një gjë siç duhet. Gjithmonë i kam zhgënjyer të gjithë.» Kështu u ankua Donaldi.

Fakti që një ndjenjë dështimi mund të krijojë depresion, është i dukshëm nga rasti i një njeriu me emrin Epafrodit. Gjatë shekullit të parë, ky i krishterë besnik u dërgua me një mision special për të ndihmuar apostullin Pavël, që ishte i burgosur. Por, sapo arriti tek Pavli, ai u sëmur, kështu që tani i duhej Pavlit të kujdesej për të. Prandaj, mund ta kuptosh se përse Epafroditi u ndie sikur nuk e kishte kryer misionin dhe për këtë «u dëshpërua». Siç duket, nuk mendonte më për gjithë ato të mira që kishte bërë para se të sëmurej.​—Filipianëve 2:25-30, BR.

Ndjenja e një humbjeje

Fransin Klagsbrun shkroi në një libër të saj (Too Young to Die​—Youth and Suicide): «Në rrënjë të shumë depresioneve me natyrë emocionale, shtrihet një ndjenjë e thellë humbjeje për dikë apo diçka që ka qenë shumë e dashur.» Prandaj, humbja e një prindi nga vdekja ose divorci, humbja e punës apo e karrierës ose edhe humbja e shëndetit fizik, mund të jenë burimi i depresionit.

Megjithatë, humbja më shkatërrimtare për një të ri, është humbja e dashurisë, ndjenja se të tjerët nuk e duan dhe nuk kujdesen për të. «Kur mami na la, e ndieja veten të tradhtuar dhe të vetmuar,​—thotë një vajzë e re me emrin Ledia.​—M’u duk sikur m’u shemb bota në kurriz.»

Prandaj, mundohu të përfytyrosh hutimin dhe dhimbjen e disa të rinjve, kur ndeshen me probleme familjare, si divorci, alkoolizmi, gjaktrazimi, rrahja e gruas nga burri, abuzimi i fëmijëve ose thjesht fakti që lihen në harresë nga një prind, që është zhytur në problemet e tij apo e saj. I vërtetë është proverbi i Biblës: «Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote [duke përfshirë edhe aftësinë për t’i rezistuar depresionit] është shumë e pakët.» (Proverbat 24:10) Një i ri madje mund ta fajësojë gabimisht veten për problemet në familjen e tij.

Mëso të njohësh simptomat!

Ka shkallë të ndryshme depresioni. Një i ri mund të demoralizohet përkohësisht nga ngjarje të papritura. Por, zakonisht këto gjendje dëshpërimi, zhduken në një kohë relativisht të shkurtër.

Megjithatë, nëse gjendja e dëshpëruar shpirtërore vazhdon për njëfarë kohe dhe personi ka ndjenja negative të shoqëruara me ndjenjën se nuk vlen aspak, me ankth dhe zemërim, atëherë kjo gjë mund të zhvillohet në atë që mjekët e quajnë depresion i lehtë kronik. Siç tregojnë rastet e Marçelës dhe Mirelit (të përmendur më lart), simptomat mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme. Dikush mund të ketë kriza ankthi. Një tjetër mund të ndihet i lodhur gjatë gjithë kohës, të mos ketë oreks, të bëjë gjumë të trazuar, të dobësohet ose të ketë një varg incidentesh.

Disa të rinj përpiqen ta fshehin gjendjen e tyre të dëshpëruar, duke u zhytur kokë e këmbë në dëfrime: në një varg festash të pafundme, imoralitet seksual, vandalizma, pije të rënda e të tjera të ngjashme. «Në të vërtetë, nuk e kuptoj përse kam maninë të dal gjithmonë jashtë,​—tha një djalë 14-vjeçar.​—Di vetëm këtë që kur jam vetëm e kuptoj se sa keq ndihem.» Është pikërisht siç e përshkruan Bibla: «Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar.»​—Proverbat 14:13.

Kur është më shumë se vetëm një trishtim

Nëse depresioni i lehtë kronik nuk kurohet, ai mund të kthehet në një çrregullim më serioz: në depresion të rëndë. (Shiko faqen 107.) «Ndihesha shpesh sikur kisha ‘vdekur’ përbrenda,​—thoshte Ledia, një viktimë e depresionit të rëndë.​—Vetëm jetoja dhe nuk kisha asnjë emocion. Ndihesha gjithmonë si pre e tmerrit.» Në depresionin e rëndë, gjendja e zymtë shpirtërore është e pandalueshme dhe mund të vazhdojë për muaj të tërë. Si pasojë, ky lloj depresioni është faktori më i zakonshëm i vetëvrasjeve tek adoleshentët, që tani në shumë vende quhet një «epidemi e fshehtë».

Emocioni më mbizotërues, për të mos thënë më dërrmues që shoqërohet me depresionin e rëndë, është një ndjenjë e theksuar e pashpresë. Profesori Xhon E. Mak shkruan për një vajzë 14-vjeçare të quajtur Vivien, që u bë viktimë e depresionit të rëndë. Nga pamja e jashtme në tërësi, ajo ishte një vajzë e përsosur me prindër që kujdeseshin shumë për të. Megjithatë, në thellësi të dëshpërimit, ajo vari veten! Profesor Mak shkroi: «Paaftësia e Vivienës për të parashikuar një përmirësim të gjendjes së saj të dëshpëruar, një shpresë të çfarëdollojshme që më në fund do ta lehtësonte nga dhimbja e saj, zinte një vend të rëndësishëm në vendimin e saj për të vrarë veten.»

Prandaj, ata që janë prekur nga depresioni i rëndë, mendojnë se nuk do të përmirësohen më kurrë, se nuk ka më një të ardhme për ta. Sipas disa ekspertëve, një mungesë e tillë shprese, çon shpesh në vetëvrasje.

Megjithatë, nuk është vetëvrasja rrugëdalja. Ledia, për të cilën jeta ishte bërë si një ëndërr e tmerrshme, tha: «Përfundimisht më erdhi në mendje ideja e vetëvrasjes. Por kuptova se derisa të vinte momenti i vetëvrasjes, ekzistonte gjithmonë një fije shprese.» Nuk zgjidhet asgjë, duke i dhënë fund jetës. Mjerisht, shumë të rinj kur gjenden përballë dëshpërimit, nuk arrijnë as të përfytyrojnë një mundësi apo zgjidhje tjetër për një përfundim më të favorshëm. Në këtë mënyrë, Ledia u përpoq ta fshihte problemin që kishte, duke marrë heroinë. Ajo tha: «Derisa mbaronte efekti i drogës isha shumë e sigurt në vetvete.»

Përballimi i depresioneve të lehta

Ka mënyra praktike për të kuruar gjendjet depresive. «Disa njerëz ndihen të dëshpëruar, sepse kanë uri,​—vërejti Dr. Natan Klain, specialist në fushën e depresionit në Nju Jork.​—Ata mund të mos kenë ngrënë mëngjes dhe për një arsye apo një tjetër mund të mos hanë edhe drekë. Atëherë nga ora tre fillojnë të pyesin veten ç’kanë që nuk ndihen mirë.»

Edhe ushqimi që përdor mund të luajë një rol të rëndësishëm. Denisa, një vajzë e re e plagosur nga ndjenjat e dëshpërimit, thotë: «Nuk e kuptoja se ushqimi pa vlera të larta ushqyese e dëmtonte shumë gjendjen time shpirtërore dhe në fakt i përdorja shumë. Tani vërej se kur i përdor më pak ëmbëlsirat, ndihem më mirë.» Gjithashtu, është e dobishme të bësh disa ushtrime fizike që mund të të ngrenë moralin. Në disa raste, do të ishte mirë t’u nënshtroheshe disa analizave mjekësore, pasi depresioni mund të jetë simptomë e ndonjë sëmundjeje fizike.

Të fitosh betejën me mendjen

Në të shumtën e rasteve, depresioni shkaktohet ose keqësohet nga mendimet negative për veten. «Kur ke të bësh me shumë njerëz që të ulin, arrin në përfundimin se nuk vlen asgjë»,​—tha me psherëtimë Eva 18-vjeçare.

Mendo: A u përket të tjerëve të masin vlerën tënde si person? Edhe Pavli, një apostull i krishterë, u bë objekt i këtyre talljeve. Disa i thoshin se ishte ngordhalaq dhe orator i dobët. A e bëri kjo Pavlin të ndihej i pavlerë? Jo, aspak! Pavli e dinte se gjëja më e rëndësishme ishte plotësimi i normave të Perëndisë. Mund të mburrej për atë që kishte kryer me ndihmën e Perëndisë, pavarësisht se çfarë thoshin të tjerët. Nëse edhe ti sjell ndër mend faktin se gëzon një reputacion para Perëndisë, shpesh gjendja e zymtë shpirtërore kalon.​—2. Korintasve 10:7, 10, 17, 18.

Ç’mund të themi nëse je i dëshpëruar, për shkak të ndonjë dobësie apo mëkati që ke kryer? «Edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë,​—i tha Perëndia Izraelit,​—do të bëhen të bardha si bora.» (Isaia 1:18) Kurrë mos e harro dhembshurinë dhe durimin e Atit tonë qiellor! (Psalmi 103:8-14) Por edhe ti, a po përpiqesh me të gjitha forcat për të mposhtur problemin që ke? Ti duhet të bësh pjesën tënde, nëse do ta qetësosh mendjen nga ndjenjat e fajit. Një proverb thotë: «Ai që i rrëfen dhe i braktis ato [shkeljet e tij], ka për të fituar mëshirën.»​—Proverbat 28:13.

Një mënyrë tjetër për të luftuar pikëllimin, është t’i vësh vetes synime të arritshme. Për të qenë i suksesshëm, nuk është e thënë të jesh gjithmonë i pari në klasë. (Eklisiastiu 7:16-18) Prano faktin se zhgënjimet janë pjesë e jetës! Kur ndodhin, mos mendo, «askujt nuk i bëhet dhe as që do t’i bëhet ndonjëherë vonë se çfarë po më ndodh», por thuaji vetes: «Do të më kalojë.» Gjithashtu, nuk është keq nëse qan.

Vlera e arritjeve

«Dëshpërimi nuk largohet vetë,​—këshillon Ditila që ka kaluar me sukses disa momente shkurajimi.​—Duhet të mendosh ndryshe ose të merresh me ndonjë aktivitet fizik. Diçka duhet të bësh.» Merr, për shembull, Lindën e cila kur po përpiqej të luftonte me të gjitha mundësitë kundër një gjendjeje të hidhur depresioni, tha: «Jam dhënë e tëra pas qepjes. Rregulloj veshjet e mia dhe me kalimin e kohës e harroj atë që më shqetëson. Kjo gjë më ndihmon vërtet.» Duke bërë gjëra për të cilat e ndien veten të aftë, mund të krijosh respekt për veten, gjë që zakonisht është pika më e ulët gjatë depresionit.

Gjithashtu, është e dobishme të merresh me aktivitete që të sjellin kënaqësi. Përpiqu të dalësh e të blesh diçka që të pëlqen, luaj, gatuaj diçka që të pëlqen më shumë, shëtiti sytë nëpër ndonjë librari, ha darkë jashtë, lexo dhe zgjidh fjalëkryqe si ato që dalin në revistën Zgjohuni!

Denisa kuptoi se organizimi i udhëtimeve të shkurtra dhe përkushtimi ndaj synimeve të vogla, e ndihmuan të përballonte gjendjen e saj depresive. Megjithatë, ajo që e ndihmoi më shumë, ishte ndihma që u jepte të tjerëve. «U njoha me një vajzë të re shumë të dëshpëruar dhe fillova ta ndihmoja për të studiuar Biblën,​—thotë Denisa.​—Ato biseda të përjavshme më jepnin mundësi t’i tregoja se si mund të mposhtte dëshpërimin e saj. Bibla i dha asaj shpresë të vërtetë. Në të njëjtën kohë, kjo gjë më ndihmoi edhe mua.» Është pikërisht ashtu siç tha Jezui: «Ka më shumë lumturi të japësh, sesa të marrësh.»​—Veprat 20:35.

Fol me dikë për këtë!

«Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.» (Proverbat 12:25) «Një fjalë e mirë» nga një person që të kupton, mund të ndryshojë gjithçka. Askush nuk mund të ta lexojë zemrën, prandaj hapja atë dikujt që i beson dhe që ka aftësi të të ndihmojë. Sipas Proverbave 17:17, «një shok është i dashur gjithmonë dhe bëhet si një vëlla në kohë shqetësimi». (The Bible in Basic English) Eraldi 22-vjeçar shprehet kështu: «Kur e mban të gjithë përbrenda, është sikur të mbash vetëm një barrë të rëndë. Kurse kur flet me dikë që mund të të ndihmojë, ajo bëhet më e lehtë.»

«E kam provuar,​—mund të thuash,​—dhe s’kam dëgjuar gjë tjetër veçse të më bëhet moral për të parë anën e mirë të jetës.» Atëherë, ku mund të gjesh dikë, që të jetë i kuptueshëm në të dëgjuar dhe këshillues objektiv?​—Proverbat 27:5, 6.

Ku të kërkosh ndihmë?

Së pari, ‘jepua zemrën’ prindërve! (Proverbat 23:26) Ata të njohin më mirë se kushdo dhe në të shumtën e rasteve mund të të ndihmojnë nëse u jep mundësi. Nëse kuptojnë se problemi është serioz, ata mund të marrin masa që të marrësh ndihmë profesionale. *

Një tjetër burim ndihme, janë anëtarët e kongregacionit të krishterë. «Kaq mirë e kisha fshehur gjendjen time gjatë viteve, saqë askush nuk e dinte deri në ç’pikë kisha arritur,​—thotë Ledia.​—Por, më pas ia besova problemin tim një gruaje të moshuar në kongregacion. Ajo më kuptonte, pasi edhe vetë kishte kaluar disa përvoja si ato të miat. Në këtë mënyrë, u inkurajova kur mendoja se edhe të tjerët kishin kaluar momente të tilla dhe i kishin përballuar me sukses.»

Jo, depresioni i Ledias nuk u zhduk sa hap e mbyll sytë. Por, pak nga pak ajo filloi t’i përballonte emocionet e saj, ndërsa e bënte më të ngushtë lidhjen e saj me Perëndinë. Mes adhuruesve të vërtetë të Jehovait edhe ti mund të gjesh shokë dhe një «familje» që interesohet sinqerisht për mirëqenien tënde.​—Marku 10:29, 30; Gjoni 13:34, 35.

Fuqi përtej normales

Megjithatë, ndihma më e madhe për të kaluar pikëllimin, është ajo që apostulli Pavël e quan «fuqia përtej normales», e cila vjen nga Perëndia. (2. Korintasve 4:7, BR) Nëse mbështetesh në të, ai mund të të ndihmojë të luftosh kundër depresionit. (Psalmi 55:22) Me frymën e tij të shenjtë, ai jep fuqi përtej burimeve normale që mund të kesh.

Kjo miqësi me Perëndinë vërtet na siguron. «Në momente hidhërimi,​—thotë një vajzë me emrin Genta,​—unë lutem shumë. E di se Jehovai do të më sigurojë një rrugëdalje, pavarësisht se sa serioz është problemi.» Ditila shton: «Jehovait mund t’i thuash çdo gjë. Vetëm hapi zemrën dhe e di se edhe nëse asnjeri s’të kupton, ai të kupton dhe kujdeset me të vërtetë për ty.»

Prandaj, nëse je i dëshpëruar, lutju Perëndisë dhe gjej një person të mençur që të kupton, të cilit mund t’i shfaqësh ndjenjat. Në kongregacionin e krishterë do të gjesh ‘pleq’, që janë këshillues të aftë. (Jakovit 5:14, 15) Ata janë të gatshëm të të ndihmojnë për të mbajtur miqësinë me Perëndinë. Në fakt, Perëndia të kupton dhe të fton t’i hedhësh mbi të të gjitha ankthet e tua, ‘sepse ai kujdeset për ty’. (1. Pjetrit 5:6, 7, BR) Po, Bibla premton: «Paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.»​—Filipianëve 4:7.

[Shënimi]

^ par. 40 Shumica e ekspertëve në mjekësi, këshillojnë që viktimat e depresionit të rëndë, duhet të marrin ndihmë profesionale, për shkak të rrezikut të vetëvrasjes. Për shembull, mund të nevojiten mjekime që mund t’i japë vetëm një mjek profesionist.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Cilat janë disa gjëra që mund ta bëjnë një të ri të bjerë në depresion? A je ndier ndonjëherë kështu?

□ A mund t’i identifikosh simptomat e depresionit kronik të shkallës së lehtë?

□ A di ta dallosh depresionin e rëndë? Pse kjo është një sëmundje serioze?

□ Përmend disa mënyra për të luftuar gjendjen e keqe shpirtërore. A të ka bërë efekt ndonjë nga këto sugjerime?

□ Përse është kaq e rëndësishme të flasësh kur je i dëshpëruar seriozisht?

[Diçitura në faqen 106]

Tek adoleshentët depresioni i rëndë është faktori më i zakonshëm i vetëvrasjeve

[Diçitura në faqen 112]

Miqësia personale me Perëndinë mund të të ndihmojë të përballosh depresionin e rëndë

[Kutia në faqen 107]

A bëhet fjalë për depresion të rëndë?

Çdokush mund të ketë përkohësisht një ose më shumë nga simptomat e mëposhtme dhe s’është e thënë se ka ndonjë problem serioz. Megjithatë, nëse disa simptoma qëndrojnë ose ndonjëra prej tyre është aq e theksuar, sa bëhet pengesë për aktivitetet e tua normale, mund të kesh (1) sëmundje fizike dhe në këtë rast nevojitet ekzaminimi i plotë nga një mjek ose (2) një çrregullim serioz mendor: depresion të rëndë.

Asgjë nuk të kënaq. Nuk të kënaq asnjë nga aktivitetet që më parë të kanë pëlqyer. Të duket sikur nuk po jeton realitetin, sikur je në mjegull dhe sikur i bën mekanikisht gjërat e përditshme.

Ndihesh plotësisht i padenjë. Mendon se jeta jote nuk ka asgjë të rëndësishme për t’u ofruar të tjerëve dhe është tërësisht e kotë. Mund të ndihesh i rënduar me faje.

Ndryshime të mëdha të humorit. Nëse njëherë e një kohë ke qenë tip i hapur, tani mund të mbyllesh ose anasjelltas. Mund të qash shpesh.

Fare pa shpresë. Të duket se punët shkojnë keq, se s’mund të bësh asgjë dhe se gjendja nuk do të përmirësohet kurrë.

Do të doje të ishe i vdekur. Ankthi që ndjen është kaq i madh, saqë do të dëshiroje të ishe më mirë i vdekur.

Nuk arrin të përqendrohesh. Përsërit disa herë të njëjtat mendime ose lexon pa kuptuar.

Ndryshim i zakoneve të të ushqyerit dhe i funksioneve të brendshme. Mungesë oreksi ose oreks i tepërt. Kapsllëk i herëpashershëm ose diarre.

Gjumë i trazuar. Ke shumë ose pak gjumë. Shpesh natën shikon ëndrra të frikshme.

Dhimbje të ndryshme. Ke dhimbje koke dhe të kap ngërçi. Ke dhimbje barku dhe kraharori. Ndihesh vazhdimisht i lodhur pa asnjë arsye.

[Figura në faqen 108]

Një i ri mund të kalojë në depresion për faktin se nuk mund t’u përgjigjet kërkesave të prindërve

[Figura në faqen 109]

Mënyra më e mirë për të përballuar problemin është të flasësh me dikë dhe të hapësh zemrën

[Figura në faqen 110]

Një mënyrë tjetër akoma për të luftuar pikëllimin është të bësh diçka për të tjerët