Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse jam kaq i ndrojtur?

Përse jam kaq i ndrojtur?

Kapitulli 15

Përse jam kaq i ndrojtur?

«TË GJITHË më thonë se jam e bukur»,​—shkroi një vajzë e re në një rubrikë gazete. Pastaj, vazhdon të thotë: «E kam të vështirë të flas me të tjerët. Po të shoh ndonjë në sy kur flas, skuqem e tëra dhe më ngecin fjalët në grykë . . . Në punë kam dëgjuar disa të thonë se jam ‘mendjemadhe’, sepse nuk i flas askujt. . . . Nuk jam mendjemadhe. Jam vetëm e ndrojtur.»

Një anketë tregonte se 80 për qind e personave që u pyetën, kishin qenë disa herë të ndrojtur në jetën e tyre dhe 40 për qind gjithmonë e konsideronin veten si të ndrojtur. Në fakt, ndrojtja ka qenë e zakonshme për njerëzit që nga kohët më të hershme. Bibla na tregon se Moisiu me ndrojtje nuk pranoi të vepronte si zëdhënës i Perëndisë para kombit të Izraelit. (Të Dalët 3:11, 13; 4:1, 10, 13) Duket, gjithashtu, se edhe dishepulli i krishterë, Timoteu, ishte i ndrojtur dhe i mungonte siguria kur fliste dhe kur i duhej të ushtronte me vend autoritetin e tij.​—1. Timoteut 4:12; 2. Timoteut 1:6-8.

Ç’është ndrojtja?

Ndrojtja është një ndjenjë turbulluese në prani të njerëzve të panjohur, të personave me autoritet, personave të seksit të kundërt dhe madje edhe të bashkëmoshatarëve. Është një pështjellim ekstrem lidhur me veten, i cili ndikon mbi viktimën në mënyra të ndryshme. Disa ndihen në siklet. Me sytë e ulur poshtë dhe me zemrën që u rreh fort, ata e kanë të vështirë të flasin. Të tjerë e humbin gjakftohtësinë dhe fillojnë të flasin e s’dinë të pushojnë. Të tjerë akoma e kanë të vështirë të shprehin pa ngurruar mendimet dhe preferencat e tyre.

Është e vërtetë, megjithatë, se njëfarë ndrojtjeje paraqet edhe aspekte pozitive. Ajo ngjan me modestinë dhe përulësinë dhe një nga gjërat që Perëndia kërkon dhe lavdëron është ‘të jesh modest kur ecën me të’. (Mikea 6:8, BR) Ka edhe një tjetër dobi kur tregohesh i matur dhe modest, kur nuk ke një qëndrim arrogant dhe tepër agresiv. Një person i ndrojtur shpesh çmohet si një dëgjues i mirë. Por, kur ndrojtja na kufizon e pengon shprehjen e mundësive tona të plota dhe ndikon dëmshëm në marrëdhëniet, punën dhe ndjenjat tona, është koha për të bërë diçka lidhur me të.

Pikësëpari, është mirë të kuptohet problemi. (Proverbat 1:5) Ndrojtja nuk të shfaq siç je. Ajo përshkruan qëndrimin, reagimin tënd ndaj situatave, modelin e sjelljes që ke mësuar dhe përforcuar përmes përvojave me të tjerët. Mendon se të tjerët kanë mendime të këqija për ty dhe se nuk të pëlqejnë. Mendon se të tjerët janë më të mirë dhe më normalë se ti. Mendon se gjërat do të keqësohen, po të përpiqesh të krijosh lidhje me të tjerët. Pret që gjërat të keqësohen dhe shpesh ndodh ashtu, sepse je i tensionuar dhe vepron sipas bindjeve.

Si ndikon ndrojtja në jetën tënde?

Duke u zmbrapsur, duke mos u shprehur dhe duke u shqetësuar tepër për veten, sa të mos u kushtosh vëmendje të tjerëve, mund të lësh përshtypjen se je mendjemadh, i pashoqërueshëm, i mërzitshëm dhe madje një person që s’e ha meraku ose injorant. Kur e ke mendjen vetëm tek vetja, është e vështirë të përqendrohesh në bisedë. Në këtë mënyrë, i kushton më pak vëmendje informacionit që po merr. Kështu, ndodh ajo që i frikësohesh më shumë: lë përshtypje prej budallai.

Në thelb, je kyçur pas mureve të burgut të ndrojtjes dhe çelësin e ke flakur tej. Nuk i shfrytëzon rastet. Pranon gjëra ose situata që në të vërtetë nuk të pëlqejnë, vetëm sepse ke frikë të flasësh dhe të shprehësh mendimin tënd. Humb gëzimet që përjetohen kur njeh persona të tjerë, kur krijon shoqëri të reja apo kur bën gjëra që do të ta pasuronin jetën. Megjithatë, edhe të tjerët humbin. Ata nuk arrijnë kurrë të njohin personalitetin tënd të vërtetë.

Mposhtja e ndrojtjes

Me kohë dhe përpjekje, ky qëndrim mund të ndryshojë. Fillimisht, mos u merakos shumë nëse personi tjetër të çmon apo jo. Ndoshta ai e ka mendjen të mendojë për veten dhe për atë që do të thotë apo do të bëjë. Nëse ai flet si kalama duke të tallur, përpiqu të kuptosh se është ai që nuk është në rregull! «Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend.» (Proverbat 11:12) Ata që ia vlen t’i kesh shokë, nuk do të gjykojnë për nga pamja e jashtme, por nga lloji i personit që je.

Gjithashtu, përpiqu të jesh pozitiv! Askush nuk është i përsosur. Të gjithë kemi dobësitë dhe pikat tona të forta. Mos harro: ka mënyra të ndryshme për t’i parë gjërat dhe shijet ndryshojnë. Mospërputhja në mendime nuk do të thotë se të përçmojnë si person.

Mëso, gjithashtu, të jesh i paanshëm kur gjykon të tjerët. Një djalë që më parë ishte i ndrojtur, thotë: «Zbulova dy gjëra tek vetja . . . Së pari, se isha tepër egocentrik. Mendoja tepër për veten dhe shqetësohesha shumë se çfarë do të mendonin të tjerët për atë që thosha. Së dyti, u atribuoja të tjerëve arsye të gabuara, nuk u besoja dhe mendoja se më përçmonin.»

Ky djalë mori pjesë në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. «Dëgjova një fjalim që me të vërtetë më ndihmoi,​—kujton ai.​—Oratori theksoi se dashuria duhet të të shtyjë të shkosh tek të tjerët; se dashuria të shtyn të mendosh më të mirën dhe jo më të keqen për të tjerët. Kështu, mësova të mos u atribuoja më arsye të gabuara të tjerëve. I thashë vetes: ‘Ata do të bëhen të kuptueshëm, të sjellshëm dhe të kujdesshëm.’ Fillova të besoja tek të tjerët. E dija se disa mund të mendonin keq për mua, megjithatë tani e kuptova se ishte punë për ta.

Mësova, përveç kësaj, se duhej të filloja të tregoja dashuri në mënyrë aktive, domethënë, të isha më i komunikueshëm me të tjerët,​—shpjegoi ai.​—Fillimisht u përpoqa me më të rinjtë. Më vonë, fillova t’i vizitoja të tjerët në shtëpitë e tyre. Mësova të isha i ndjeshëm ndaj nevojave të tyre, të mendoja si mund t’i ndihmoja.» Në këtë mënyrë, ai kuptoi vërtetësinë e këshillës së Jezuit në Lukën 6:37, 38: «Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; . . . Jepni dhe do t’ju jepet. . . . Sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu.»

Sa për të filluar

Prandaj, mëso të jesh i afrueshëm, të përshëndesësh dhe të fillosh një bisedë! Është e thjeshtë, mund të mjaftojnë disa fjalë për kohën. Mos harro: ti vetë ke 50 për qind të përgjegjësisë. Gjysma tjetër i përket personit tjetër. Nëse bën ndonjë gafë kur flet, mos mendo se mori fund gjithçka. Po qeshën të tjerët, qesh edhe ti me ta. Shprehja «më shkau goja» do të të ndihmojë të qetësohesh dhe të vazhdosh bisedën.

Vish rroba që të bëjnë të ndihesh rehat dhe sigurohu se ato janë të pastra dhe të hekurosura! Kur e di se lë një përshtypje të mirë do të kesh më pak frikë dhe do të mund të përqendrohesh në bisedë. Qëndro drejt dhe lirshëm! Vështro me një shikim të këndshëm dhe buzëqesh! Shiko me sy miqësorë dhe prano me fjalë ose ndonjë tundje të kokës atë që thotë personi tjetër.

Kur ke përpara ndonjë situatë të vështirë, si ndonjë fjalim përpara të tjerëve ose një intervistë në punë, përgatitu sa më mirë që të jetë e mundur! Praktikoje që më parë atë që do të thuash! Gjithashtu, problemet në të folur mund të kalohen ose të zvogëlohen me praktikë. Kjo gjë kërkon kohë, ashtu siç kërkon zhvillimi i çdo aftësie tjetër të re. Tek shikon rezultate pozitive, do të inkurajohesh më shumë për të pasur suksese.

Nuk duhet nënvlerësuar ndihma që Perëndia mund të të japë. Sauli, mbreti i parë i kombit të lashtë të Izraelit, në fillim ishte tepër i ndrojtur. (1. Samuelit, kapitujt 9 dhe 10) Megjithatë, kur erdhi koha për të vepruar, «fryma e Perëndisë veproi mbi Saulin» dhe ai e udhëhoqi popullin drejt fitores.​—1. Samuelit, kapitulli 11.

Sot, të rinjtë e krishterë kanë përgjegjësinë për të ndihmuar të tjerët të mësojnë mbi Perëndinë dhe botën e re të drejtësisë që ai ka premtuar. (Mateu 24:14) Paraqitja e këtij lajmi të mirë dhe e Autoritetit më të lartë në univers, sigurisht që të ngjall besim dhe të ndihmon të mos përqendrohesh vetëm tek vetja. Në këtë mënyrë, mund të jesh i sigurt se nëse i shërben Perëndisë me besnikëri, ai do të të bekojë dhe do të të ndihmojë të mposhtësh ndrojtjen.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Çfarë është ndrojtja dhe çfarë qëndrimi mund të ketë një person i ndrojtur në prani të të tjerëve? A ndodh edhe me ty në njëfarë mase?

□ Përse një personi të ndrojtur i humb besimi tek vetja, kur rrethohet nga të tjerët?

□ Në ç’mënyrë ndrojtja mund t’i shkaktojë një personi vuajtjen e humbjes?

□ Në cilat mënyra mund të mposhtet ndrojtja? A të ka ndihmuar ndonjë nga këto sugjerime?

[Diçitura në faqen 121]

Kush është i ndrojtur nuk arrin të lidhë miqësi dhe i lë rastet të shpëtojnë

[Kutia në faqen 124]

Ti mund ta mposhtësh ndrojtjen

Duke dëshiruar të ndryshosh dhe duke besuar se ndryshimi mund të ndodhë

Duke zëvendësuar ndjenjat negative me veprime pozitive

Duke i vënë vetes synime domethënëse dhe realiste

Duke ditur si të qetësohesh dhe të mposhtësh ankthin

Duke u përgatitur që më parë për një situatë të caktuar

Duke fituar besim falë rezultateve të mira që pak nga pak ke arritur

Duke kujtuar se mospërputhja e mendimeve ekziston dhe se edhe të tjerët gabojnë

Duke u ushtruar për të përmirësuar aftësitë e tua dhe për të mësuar akoma të reja

Duke u përpjekur të tregosh dashuri dhe të ndihmosh të tjerët

Duke u veshur me shije dhe duke vepruar me siguri

Duke u mbështetur në ndihmën që jep Perëndia

Duke marrë pjesë në mbledhjet e krishtere dhe duke u folur të tjerëve për besimin tënd

[Figurat në faqen 123]

Një person i ndrojtur mendon se të tjerët nuk e vlerësojnë

[Figura në faqen 125]

Mëso të jesh i afrueshëm, të buzëqeshësh, të përshëndesësh dhe të vazhdosh një bisedë