Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa e rëndësishme është pamja e jashtme?

Sa e rëndësishme është pamja e jashtme?

Kapitulli 10

Sa e rëndësishme është pamja e jashtme?

THUA se nuk ke ndonjë bukuri kushedi se çfarë? Në fakt, pak prej nesh, për të mos thënë asnjë, janë të kënaqur me pamjen e tyre të jashtme. Ndryshe nga Narcisi që u dashurua pas vetes, duke soditur pamjen e tij në një pellg me ujë, disa prej nesh sa s’bien në depresion, kur shohin veten në pasqyrë.

«S’më bëhet ta shoh veten në pasqyrë,​—psherëtin Ledia 16-vjeçare.​—Më duket vetja e shëmtuar.» Berti trembëdhjetëvjeçar shpreh një hidhërim të ngjashëm: «Nuk më pëlqejnë flokët kur më rrinë të ngritur këtu mbrapa.» Sikur të mos mjaftonte kjo, pamja e jashtme e një adoleshenti ndryshon kaq shpejt, saqë sipas një psikologu, të rinjtë shpesh «ndihen si të huaj në trupin e tyre». Në këtë mënyrë, shumë të rinj shqetësohen tepër për fytyrën, flokët, linjën dhe fizikun.

Sigurisht që vetë Perëndia e çmon bukurinë. Eklisiastiu 3:11 thotë: «Ai [Perëndia] e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet.» Pamja e jashtme mund të ndikojë me të vërtetë shumë mbi mënyrën se si të konsiderojnë dhe të trajtojnë të tjerët. Dr. Xhejms P. Komer shton: «Imazhi i trupit bën pjesë në imazhin që kemi për veten. Mund të ndikojë në sigurinë e një personi për veten dhe për atë që bën dhe nuk bën në jetë.» Prandaj, është e arsyeshme që duhet t’i kushtosh njëfarë rëndësie pamjes sate të jashtme. Megjithatë, nëse përqendrohesh tepër në këto gjëra, saqë të veçohesh nga të tjerët dhe të ndiesh urrejtje për veten, atëherë kjo gjë nuk është më e arsyeshme.

Kush thotë se nuk je tërheqës?

Është interesante të vërejmë se mërzia mbi pamjen e jashtme personale, nuk vjen gjithmonë për shkak të të metave të vërteta fizike. Për shembull, në një klasë një vajzë e dobët do të dëshironte me gjithë shpirt të kishte ndonjë kilogramë më shumë, ndërsa në rreshtin tjetër, një vajzë buçko ankohet se sa «e shëndoshë» është. Nga vjen gjithë kjo pakënaqësi? Ç’gjë i bën këta të rinj të këndshëm të mendojnë se nuk janë tërheqës?

Profesori në fushën e psikiatrisë, Riçard M. Sarles, thotë: «Adoleshenca është një periudhë tranzicioni, në të cilën ndodh pjesa më e madhe e riorganizimit të trupit. . . . Për të përballuar ngathtësinë e një trupi të ri dhe vazhdimisht të ndryshueshëm, shumica e adoleshentëve kërkojnë mbështetjen e të rinjve të moshës së tyre.» Por shqyrtimi i kujdesshëm dhe i imtë i bashkëmoshatarëve, sa i gjatë apo sa i shkurtër, sa i shëndoshë apo sa i dobët, për të mos folur për formën e hundës apo të veshëve, mund të bëhet një burim i madh ankthi. Kur të tjerëve u kushtohet më shumë vëmendje sesa ty, ose kur të qortojnë për pamjen tënde të jashtme, pa e zgjatur shumë mund të fillosh të mërzitesh me veten.

Më pas, është edhe ndikimi bindës i televizionit, librave dhe kinemasë. Nëpër ekranet e televizionit dhe nëpër faqet e revistave s’gjen gjë tjetër veçse burra e gra të pashme, që reklamojnë gjithçka për shitje, që nga parfumet e deri tek motosharrat. Në këtë mënyrë, mjetet e komunikimit do të të bënin të besoje se po s’pate ndonjë bukuri të përsosur ose një trup muskuloz e të fuqishëm si «lis», shko e fshihu diku e mos u shih dy herë me sy ose harro mendimin se je njeri i zakonshëm dhe i lumtur.

Mos ‘u shtrydh në kallëpin e tyre’!

Para se të arrish në përfundimin se je një bibë e shëmtuar, pyet veten deri në ç’masë janë të vërteta ose të përfytyruara të metat e tua fizike. Kjo karakteristikë e fytyrës sate që të mërzit apo që të tjerët e tallin, a është vërtet kaq e shëmtuar? Apo janë të tjerët që të shtyjnë ta mendosh? Bibla këshillon: «Mos e lejoni botën përreth jush t’ju shtrydhë në kallëpin e saj.»​—Romakëve 12:2, Phillips.

Mendo pak: Kush janë ata që mbështetin idenë se duhet të kesh njëfarë pamjeje, nëse dëshiron që të tjerët të të çmojnë, të kesh sukses dhe lumturi? Vallë nuk janë prodhuesit dhe reklamuesit ata që përfitojnë, nëse ti ndjek dieta maniake apo blen prodhime të kushtueshme bukurie? Përse t’i lejosh të modelojnë mendimin tënd? Nëse bashkëmoshatarët e kritikojnë pamjen tënde të jashtme, a po e bëjnë një gjë të tillë për të të ndihmuar, apo thjesht për të të poshtëruar? Nëse është e vërtetë kjo e fundit, për çfarë hyjnë në punë «shokë» të tillë?

Përveç kësaj, Bibla këshillon ta ‘prirësh zemrën drejt arsyes’. (Proverbat 2:2) Arsyeja do të të ndihmojë ta shohësh me objektivitet pamjen tënde fizike dhe të mos i besosh aq shumë mjeteve propagandistike. Shumë pak njerëz kanë fizikun e një fotomodeleje dhe në fakt, «bukuria është një flluskë». (Proverbat 31:30, Byington) Njerëzit që paguhen për pamjen e tyre, qëndrojnë në majë vetëm për një kohë të shkurtër e pastaj flaken tej nga një fytyrë e re. Gjithashtu, makiazhi, ndriçimi dhe arti i fotografisë bëjnë mrekulli në paraqitjen e pamjes së tyre të jashtme. (Disa mbeten me gojë hapur, kur shohin se si duken disa njerëz me famë pa ato sajime që i bëjnë të bukur.)

Prandaj, nuk ka asnjë arsye për t’u dëshpëruar për faktin se nuk dukesh si një model i televizionit apo i revistave. Gjithashtu, as bashkëmoshatarët e tu nuk kanë të drejtë të vendosin se sa i gjatë apo i shkurtër duhet të jesh dhe sa duhet të peshosh, për të qenë tërheqës. Nëse ndihesh rehat me pamjen tënde të jashtme, mos ua vër shumë veshin shokëve. E bukura është se ajo që ti nuk pëlqen në pamjen tënde të jashtme, ndoshta të tjerët e kanë zili.

Mbaje veten sa më mirë!

Disa herë, problemet që të rinjtë kanë lidhur me pamjen e jashtme janë me bazë: një fytyrë e shëmtuar, shëndet i tepërt, hundë e shtrembër, veshë të dalë jashtë ose trup tepër i shkurtër. Sigurisht që duke qenë akoma në fazën e rritjes, pamja jote e jashtme vazhdon të ndryshojë. Puçrrat, luhatjet në peshë dhe rritja nganjëherë tepër e shpejtë dhe nganjëherë tepër e ngadaltë, saqë bëhet e mundimshme, janë helmi i viteve të adoleshencës. Me kohë zgjidhen shumë nga këto probleme.

Ndërsa disa jo. Shumë të rinj duhet të pranojnë faktin se pamja e tyre e jashtme tashmë është kjo. Shkrimtari Xhon Killinger tha: «Për shumicën e njerëzve, fakti që nuk janë të bukur është një nga faktet më të dhimbshme të jetës, një fakt që e mësojnë shpejt dhe që rrallëherë i bëjnë bisht deri në fund të jetës së tyre.» Megjithatë, mund të përpiqesh ta mbash veten në atë mënyrë që tërheq vëmendjen drejt të mirave që ke.

Kirurgjia është një rrugë e kushtueshme dhe ndoshta e rrezikshme për të rregulluar papërsosmëritë fizike. * Megjithatë, thjesht higjiena mund të të bëjë më shumë tërheqës. Ndoshta flokët e tu mund të mos kenë shkëlqimin e flokëve të një aktori apo aktoreje filmi, por mund të jenë të pastër; në të njëjtën mënyrë edhe fytyra, duart dhe thonjtë. Dhëmbët e bardhë e të pastër dhe mishi i dhëmbëve rozë, do ta bëjnë më të ngrohtë buzëqeshjen tënde. A e ke problem shëndetin e tepërt? Një regjim diete dhe ushtrimet fizike (ndoshta nën kujdesin e mjekut) mund të të ndihmojnë të biesh nga pesha.

Gjithashtu, me miratimin e prindërve, mund të përpiqesh të provosh një lloj veshjeje dhe krehjeje, që i nxjerr në pah dhuntitë e tua fizike dhe minimizon defektet. Për shembull, sipas shkrimtares Sharon Falten, një vajzë e re që ka një hundë të madhe, mund ta bëjë më pak të dukshëm defektin e saj, duke i mbajtur «flokët me një model të fryrë ose duke i krehur lart». Tiparet e theksuara dhe cepa-cepa, ngjashëm mund të zbuten duke i mbajtur «flokët me një model me onde ose kaçurrela» dhe përdorimi me vend i tualetit mund t’i minimizojë defektet në fytyrën e një vajze. Si për mashkullin ashtu edhe për femrën, veshja ndikon shumë. Zgjidh ngjyra që e theksojnë ngjyrën e fytyrës dhe modele që të zbukurojnë. Kujdes vizat në rrobat që vesh: vertikalet të zgjasin, kurse horizontalet bëjnë të kundërtën.

Po, me përpjekje dhe imagjinatë, mund të paraqitesh me një pamje të këndshme, edhe pse natyra nuk të ka pajisur me një pamje tërheqëse.

Duhet ekuilibër

Megjithëse është e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje pamjes së jashtme, kujdesu të mos e bësh pamjen e jashtme gjënë më të rëndësishme në jetë. A e ke vënë re ndonjëherë se sa pak flet Bibla për pamjen e njerëzve? Përse nuk na tregon se si dukeshin Abrahami, Marija dhe Jezui? Siç duket, Perëndia nuk e konsideronte të rëndësishme këtë gjë.

Është interesante se njëherë Perëndia e hodhi poshtë pozitën e një burri të ri me emrin Eliab si mbret, shtati i të cilit ishte më i mahnitshmi. Perëndia Jehova i tha profetit Samuel: «Mos ia shiko pamjen as shtatgjatësinë, . . . sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.» (1. Samuelit 16:6, 7) Sa ngushëllohemi kur mësojmë se për Perëndinë, për Atë që vlen me të vërtetë, nuk është pamja gjëja më e rëndësishme! ‘Ai shikon zemrën.’

Një tjetër pikë që duhet të kesh parasysh është: A nuk janë pjesa më e madhe e shokëve të tu me një pamje pak a shumë të zakonshme? A është ndonjëri prej prindërve të tu objekt i kopertinave të revistave të modës? Ndoshta jo. Në fakt, duke njohur cilësitë e tyre të shkëlqyeshme, rrallëherë të shkon mendja tek pamja e tyre e jashtme. Edhe ti si person ke cilësi që kanë më shumë peshë se çdo defekt fizik i vërtetë apo i imagjinuar.

Megjithatë, për bashkëmoshatarët e tu, pamja e jashtme zë një vend të rëndësishëm dhe ndoshta mund të gjendesh nën presione për t’iu përshtatur mënyrës së tyre të të veshurit dhe të të krehurit. Si duhet të reagosh ndaj këtyre presioneve?

[Shënimi]

^ par. 18 Disa procedura mjekësore, si p.sh. lidhja për të rregulluar dhëmbët e shtrembër, mund të sjellin dobi shëndetësore dhe estetike.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse të rinjtë përqendrohen kaq shumë në pamjen e tyre të jashtme? Çfarë mendon për pamjen tënde të jashtme?

□ Cila pikëpamje mbi rëndësinë e pamjes së jashtme përkrahet nga mjetet e informacionit dhe bashkëmoshatarët e tu? Si duhet të reagosh ndaj këtij ndikimi?

□ Në cilat mënyra mund të kurohen puçrrat?

□ Si mund të paraqitesh sa më mirë që të jetë e mundur për nga pamja e jashtme? Përse duhet ekuilibër lidhur me këtë?

[Diçitura në faqen 82]

«S’më bëhet ta shoh veten në pasqyrë . . . Më duket vetja e shëmtuar»

[Diçitura në faqen 88]

Ti ke cilësi që kanë më shumë peshë se çdo defekt fizik

[Kutia dhe figura në faqet 84, 85]

«Çfarë mund të bëj kundër puçrrave?»

Puçrrat janë një sëmundje lëkure që e bëjnë atë njolla-njolla dhe madje e shëmtojnë me mbledhje qelbi, pika të zeza, xhunga të kuqe dhe ciste. Për shumë të rinj, nuk mbetet vetëm një shqetësim kalimtar që zgjat vetëm pak muaj, por bëhet një çrregullim serioz i lëkurës. Njerëz të të gjitha moshave mund të preken prej tyre, por më shumë e vuajnë adoleshentët. Sipas disa specialistëve, rreth 80 për qind e tyre preken nga puçrrat e shkallëve të ndryshme.

Nuk na habit fakti se kur 2.000 adoleshentëve iu kërkua të thoshin se çfarë kishin më tepër inat tek vetja, problemet e lëkurës e tejkaluan në masë të madhe çdo pakënaqësi tjetër. Një vajzë me emrin Lea, që ishte infektuar keq nga puçrrat, gjatë kohës kur kryente studimet në shkollën e mesme, sjell ndër mend: «Më ishte mbushur fytyra gjithë puçrra dhe gjithmonë e fshihja nga të tjerët. Kisha turp, sepse zihesha ngushtë kur mendoja se si dukesha. . . . S’kishte gjë më të shëmtuar.»​—Revista Co-Ed.

Përse ky ndëshkim shfaqet gjatë viteve të adoleshencës, pikërisht në kohën kur dëshiron të dukesh më i bukur se kurrë? Sepse po rritesh. Kur fillon puberteti, gjëndrat e lëkurës e rrisin aktivitetin e tyre.

Çfarë ndodh? Një libër enciklopedik (The World Book Encyclopedia) shpjegon me fjalë të thjeshta: Çdo gjëndër zbrazet brenda një zgavërze qimeje, që është një trastë e vogël përreth çdo qimeje. Normalisht, yndyra duhet të dalë jashtë përmes poreve të lëkurës, por nganjëherë ndonjë pore bllokohet dhe yndyra nuk mund të dalë jashtë me shpejtësinë e duhur. Porja e bllokuar tani formon një njollë në formën e pikës së zezë, sepse yndyra e grumbulluar oksidohet, thahet dhe kthehet e zezë. Puçrra zhvillohet kur formohet qelbi. Cistet formohen kur zhvillohen mikrobe në yndyrën e akumuluar. Cistet lënë vraga të përhershme. Kurse puçrrat nuk lënë vraga, vetëm në qoftë se infektohen, gjë që ndodh shpesh nëse shtrydhen ose shtypen. Prandaj, mos i shtrydh e mos i shtyp!

Është interesante se shpërthimet emocionale dhe nervore mund të nxisin aktivitetin e gjëndrave të lëkurës. Ndodh që në fytyrë del një puçërr goxha e madhe, pikërisht para ndonjë ngjarjeje të rëndësishme ose para dhe pas provimeve. Prandaj, fjalët e Jezuit janë praktike: «Mos kini ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta.»​—Mateu 6:34, BR.

Mjerisht, nuk ekziston asnjë kurë që bën mrekulli. Megjithatë, janë në dispozicion disa mjekime pa rekomandim, si xhel, kremëra, kolonja, solucione, sapunë të ndryshëm dhe maska fytyre. Ato përmbajnë peroksid benzeni (një element antibakterik) që mund të ndihmojë në mbajtjen e puçrrave nën kontroll. (Mund të konsultohet doktori i familjes nëse nevojitet marrja e masave më të forta.) Shumë veta kanë pasur përmirësim, duke e pastruar lëkurën fort me sapun ose me ndonjë substancë që përmban peroksid benzeni. Megjithatë, përdor sa më pak sapunët e yndyrshëm dhe kozmetikën me përmbajtje yndyre.

Disa të rinj, kanë vërejtur se duke u kujdesur për gjithë shëndetin, për shembull, duke bërë shumë ushtrime fizike, duke qëndruar sa më shumë që të jetë e mundur në ajër të pastër dhe duke bërë një gjumë të mjaftueshëm, gjendja e puçrrave të tyre përmirësohet. Megjithëse dobitë e mbajtjes së një diete pa shumë yndyrë kundërshtohen nga disa, shmangia e ushqimit pa vlera ushqimore, si dhe mbajtja e një diete të ekuilibruar, është e qartë se të bëjnë mirë.

Sidoqoftë, duhet durim. Mos harro: problemi nuk doli ditën, që të mund të zhduket natën. Lea që përmendëm më parë, thotë: «Më duket se m’u desh rreth një vit që lëkura të më bëhej krejt e pastër, megjithatë i pashë ndryshimet e lëkurës që pas gjashtë javëve.» Po të vazhdosh kurën për një periudhë kohe, mund të kesh rezultate të mira.

Ndërkohë, mos e humb respektin për veten dhe mos u izolo nga të tjerët vetëm për shkak të disa njollave. Edhe pse ti e mban mendjen tek lëkura jote, të tjerët ndoshta e vënë re shumë më pak nga ç’mendon. Prandaj, përpiqu të mbash një frymë pozitive dhe të gëzuar! Gjithashtu, që tani, bëj sa të mundesh për të kuruar puçrrat!

[Figura në faqen 83]

Ajo që ti nuk pëlqen tek vetja, ndoshta të tjerët e kanë zili

[Figurat në faqen 86]

Të rinjtë nuk mendojnë gjithmonë se fotomodelet, kanë në dispozicion një ekip të tërë që kujdeset për bukurinë e tyre