Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si ta mposht dëshirën për t’u masturbuar?

Si ta mposht dëshirën për t’u masturbuar?

Kapitulli 26

Si ta mposht dëshirën për t’u masturbuar?

«ËSHTË një prirje shumë e fortë,​—tha një djalë i ri që kishte 15 vjet që luftonte kundër masturbimit.​—Mund të bëhet një zakon tamam si vesi i drogës apo i alkoolit.»

Por apostulli Pavël nuk lejoi që dëshirat të zotëronin mbi të. Përkundrazi, ai shkroi: «E rrah me grushta trupin tim [dëshirat trupore] dhe e drejtoj atë si një skllav.» (1. Korintasve 9:27, BR) Ai ishte i rreptë me veten. Një përpjekje e tillë do t’i japë mundësi cilitdo të lirohet nga masturbimi.

«Përgatite mendjen për të vepruar!»

Shumë veta masturbohen për të lehtësuar tensionin dhe shqetësimet. Megjithatë, masturbimi është një mënyrë e papjekur reagimi ndaj problemeve. (Krahaso 1. Korintasve 13:11.) Është më mirë të tregohet «aftësi menduese» dhe të përballohet problemi. (Proverbat 1:4, BR) Kur problemet dhe zhgënjimet duken të pakapërcyeshme, «hidhe gjithë ankthin tënd mbi [Perëndinë]».​—1. Pjetrit 5:6, 7, BR.

Po sikur të shikosh apo të dëgjosh pa dashje diçka që të nxit dëshirën seksuale? Bibla këshillon: «Përgatite mendjen për të vepruar; kontrollo veten!» (1. Pjetrit 1:13, New International Version) Vër mendjen në veprim dhe largo mendimet imorale. Dëshira do të fashitet shpejt.

Megjithatë, largimi i mendimeve të këqija është veçanërisht i vështirë gjatë natës, kur je vetëm. Një vajzë këshillon: «Gjëja më e mirë është të çohesh menjëherë nga krevati dhe të merresh me ndonjë punë, ose ndoshta të kërkosh të hash ndonjë gjë, në mënyrë që mendja të kthehet në gjëra të tjera.» Po, detyroje veten të mendosh ‘të gjitha gjërat që janë të ndershme, të drejta, të pastra, të dashura, me famë të mirë’.​—Filipianëve 4:8.

Kur me zor të zë gjumi, përpiqu të imitosh mbretin besnik David, i cili shkroi: «[Perëndi] të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.» (Psalmi 63:6) Detyrimi i mendjes për të medituar mbi Perëndinë dhe cilësitë e tij, shpesh e ndërpret rrjedhën e mendimeve të këqija. Gjithashtu, është një ndihmë e madhe të vazhdosh të mendosh se si e shikon Perëndia këtë ves të papastër.​—Psalmi 97:10.

Merr masa parandaluese!

«Njeriu i matur [mendjemprehtë, BR] e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen»,​—shkroi njeriu i mençur nën frymëzimin hyjnor. (Proverbat 22:3) Mund të tregohesh mendjemprehtë, duke menduar që më përpara. Për shembull, nëse kupton se marrja me disa aktivitete, veshja e rrobave të ngushta dhe ngrënia e disa ushqimeve të ka nxitur dëshira seksuale, evitoji me çdo kusht! Pijet alkoolike, për shembull, mund ta bëjnë më të vështirë vetëkontrollin dhe përmbajtjen e vetes. Gjithashtu, shmang me çdo kusht çdo material, program televiziv apo film me tema që reklamojnë epshet. «Largoji sytë e mi nga gjërat e kota»,​—u lut psalmisti.​—Psalmi 119:37.

Gjithashtu, mund të merren masa parandaluese, për ato periudha kur je veçanërisht i prekshëm. Një vajzë e re, mund të kuptojë se dëshirat e saj seksuale bëhen më të forta në disa periudha të muajit. Ose dikush mund të jetë i lënduar apo i dëshpëruar emocionalisht. Proverbat 24:10 paralajmëron: «Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.» Prandaj, mos rri vetëm për periudha të gjata kohe! Bëj një program me aktivitete ndërtuese, që ta mbajnë mendjen të zënë me gjëra me përgjegjësi, duke i dhënë më pak mundësi të priret drejt mendimeve imorale.

Një sulm frymor

Një burrë 27-vjeçar që luftonte me këtë ves që kur ishte 11 vjeç, arriti më në fund ta hiqte. «Bëhej fjalë vetëm për ndërmarrjen e sulmit,​—shpjegon ai.​—Lexoj Biblën, të pakën dy kapituj çdo ditë pa përjashtim.» E ka bërë këtë rregullisht për më shumë se tre vjet. Një i krishterë tjetër, këshillon akoma: «Para se të shkosh në shtrat, lexo diçka në lidhje me gjërat frymore. Është shumë e rëndësishme që mendimi i fundit i ditës të jetë frymor. Gjithashtu, edhe lutja në këtë moment, është jashtëzakonisht e dobishme.»

Përveç kësaj, ndihmon shumë edhe fakti që ‘kemi shumë për të bërë në veprën e Zotërisë’, si në veprën për t’u mësuar të tjerëve Biblën. (1. Korintasve 15:58, BR) Një grua që mposhti masturbimin thotë: «Një gjë që me të vërtetë më ndihmon të shmang këtë ves, është se si ungjilltare në kohë të plotë, mendja dhe forcat e mia janë kthyer të gjitha në ndihmën e të tjerëve për të pasur një marrëdhënie të miratuar me Perëndinë.»

Me lutje të përzemërta, mund t’i kërkosh Perëndisë «fuqi përtej normales». (2. Korintasve 4:7, BR) «Hap zemrën tënde para tij [Perëndisë].» (Psalmi 62:8) Një vajzë thotë: «Lutja është një mjet i çastit që të jep forcë. Lutja në momentin kur lind dëshira, ndihmon shumë.» Gjithashtu, kur ngrihesh nga gjumi dhe gjatë gjithë ditës, shprehja vendosmërinë tënde Perëndisë dhe kërkoji frymën e tij të shenjtë që jep forcë!​—Luka 11:13.

Ndihma që japin të tjerët

Nëse përpjekjet personale nuk kanë sukses, fol me dikë që mund të të ndihmojë, si me një prind apo me një plak të krishterë. Për vajzat mund të jetë e dobishme të hapen me një grua të pjekur të krishterë. (Titit 2:3-5) Një djalë, që kishte arritur gati në dëshpërim, tha: «Një mbrëmje iu hapa babait për këtë gjë.» Ai u shpreh: «M’u desh të mblidhja të gjitha forcat për t’ia thënë. Qaja kur i tregoja. Më vinte shumë turp. Megjithatë, kurrë s’kam për ta harruar atë që më tha. Me një buzëqeshje të qetë në fytyrë, ai tha: ‘Ndihem krenar për ty.’ E dinte se çfarë kisha hequr për të arritur deri në këtë pikë. Asnjë fjalë tjetër nuk do të më kishte ngritur kaq shumë moralisht dhe të më bënte më të vendosur.

Më pas, babai më tregoi disa shkrime, për të më ndihmuar të kuptoja se ‘nuk kisha vajtur edhe aq larg’,​—vazhdon djali,​—e pastaj edhe disa shkrime të tjera për t’u siguruar se e kisha kuptuar seriozitetin e drejtimit tim të gabuar. Më tha ta përmbaja veten për një periudhë kohe e pastaj do të flisnim përsëri. Më tha të mos shkurajohesha nëse e bëja sërish, vetëm se herën tjetër duhej të rezistoja edhe pak më shumë se herën e kaluar.» Pasi e kaloi plotësisht problemin, djali shtoi: «Ajo që më solli më shumë dobi ishte fakti që dikush ishte në dijeni të problemit tim dhe më ndihmonte.»

Në rast se vesi përsëritet

Pasi u përpoq shumë ta hiqte vesin, një djalë i ri u bë përsëri pre e tij. Ai thotë: «Ishte si një peshë që më dërrmonte. Më dukej vetja kot fare. Pastaj, gjeta këtë pretekst: ‘Kam shkuar thellë. S’e kam më miratimin e Jehovait, e kështu pse të jem i rreptë me veten?’» Megjithatë, përsëritja e vesit nuk do të thotë se është humbur beteja. Një vajzë 19-vjeçare kujton: «Në fillim më ndodhte gati çdo natë, por më pas fillova të mbështetesha më shumë në Jehovain dhe me ndihmën e frymës së tij tani mund të më përsëritet ndoshta vetëm gjashtë herë në vit. Më pas, ndihem shumë keq, por çdo herë që më ndodh, në tundimin tjetër jam më e fortë.» Kështu, pak nga pak ajo po e fiton betejën.

Kur ndodh që të përsëritet vesi, shqyrto se çfarë të çon në atë gjë! Një vajzë tha: «Kujtoj se çfarë kam lexuar dhe menduar. Gati gjithmonë mund ta përcaktoj arsyen se përse kam dështuar në përpjekjet e mia. Në këtë mënyrë, nuk e bëj më dhe e ndreq.»

Shpërblimet e një beteje të guximshme

Një djalë që e mposhti vesin e masturbimit tha: «Që kur e kalova problemin, mund të kem një ndërgjegje të pastër para Jehovait dhe kjo është diçka që nuk e ndërroj me asgjë!»

Po, ndërgjegjja e mirë, respekti më i madh për veten, forca më e madhe morale dhe lidhja më e ngushtë me Perëndinë, janë të gjitha shpërblimet e një beteje të guximshme kundër vesit të masturbimit. Një grua, e cila më në fund e mposhti masturbimin, thotë: «Më besoni, ia vlen të bësh çdo përpjekje për të fituar mbi këtë ves.»

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse është e rrezikshme të përqendrohesh mbi mendime erotike? Çfarë mund të bëjë një djalë apo një vajzë për ta kthyer mendjen gjetkë?

□ Cilat masa parandaluese mund të merren për të zvogëluar tundimin për t’u masturbuar?

□ Përse është i dobishëm sulmi frymor?

□ Çfarë roli luan lutja në mposhtjen e këtij vesi?

□ Përse është e dobishme t’i hapesh dikujt, nëse ke ndonjë problem në lidhje me këtë ves?

[Kutia dhe figura në faqet 208, 209]

Pornografia: Ves dhe e rrezikshme!

«Pornografi ka ku të hedhësh sytë. Ecën në rrugë dhe të del haptazi para sysh në qoshe ku shiten gazeta,​—thotë Inaldi 19-vjeçar.​—Disa mësues e sjellin në shkollë dhe e lexojnë në tavolinë, duke pritur orën tjetër.» Po, shumë njerëz të moshave, mjediseve dhe niveleve të ndryshme edukative janë lexues të etur të pornografisë. Një djalë me emrin Mirel, tha: «Kur lexoja revista . . . dhe shikoja fotografitë eksitohesha. . . . Prisja numrat e rinj të këtyre revistave, sepse t’u kthehesha atyre që kisha lexuar një herë nuk më jepte më të njëjtin emocion. Kjo gjë të bëhet ves.» Por, a është një ves i mirë?

Pornografia jep këtë mesazh poshtërues: «Seksi është vetëm për të kënaqur veten.» Pjesa më e madhe e saj është e mbushur me përdhunime dhe dhunë sadiste. Shumë shikues e kuptojnë shpejt se format e lehta të pornografisë nuk janë më kaq nxitëse e kështu kërkojnë fotografi apo filma që paraqesin gjëra më të turpshme. Ernest van den Hag, një profesor asistent në universitetin e Nju Jorkut, tha: «Pornografia na fton t’i shohim të tjerët thjesht si një copë mishi, si mjete për t’u shfrytëzuar për hir të ndjenjave të kënaqësisë personale.»

Pornografia, përveç kësaj paraqet një pikëpamje të shtrembëruar idhujtare mbi marrëdhëniet seksuale, që shpesh shpie në probleme martesore. Një bashkëshorte e re thotë: «Gjërat pornografike që lexoja më bënë të dëshiroja të bëja me tim shoq gjërat jonormale që përshkruheshin nëpër libra. Nga kjo pasoi një zhgënjim i vazhdueshëm dhe një dështim në fushën seksuale.» Në 1981-shin, u bë një anketë me disa qindra gra, në lidhje me pasojat e pornografisë në marrëdhënien e tyre me burrat që lexonin material të tillë. Gati gjysma raportonin se u kishte shkaktuar probleme serioze. Në fakt, ishin shkatërruar disa martesa dhe fejesa. Një grua tha, duke psherëtirë: «Nga nevoja dhe dëshira [e tim shoqi] për të nxjerrë kënaqësi seksuale nga pornografia, mund të dal në përfundimin se unë nuk arrij ta kënaq . . . Zoti e di se sa do të doja që si grua t’i jepja kënaqësi, por atij i pëlqejnë më shumë plastika dhe letrat dhe kjo nevojë e tij ka shkatërruar një pjesë nga unë. . . . Pornografia është . . . kundër dashurisë . . . Është e shëmtuar, mizore dhe shkatërrimtare.»

Megjithatë, një rëndësi të madhe për të rinjtë e krishterë ka fakti se pornografia vepron drejtpërdrejt kundër përpjekjeve të personit për të qenë i pastër në sy të Perëndisë. (2. Korintasve 6:17–7:1) Bibla tregon se ‘për shkak të ngurtësimit të zemrës së tyre’ disa persona në kohët e hershme ‘e kishin dhënë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur’. (Efesianëve 4:18, 19) A do të doje të përjetoje një korruptim të tillë? Mos harro se edhe rënia e rastësishme në pornografi, mund ta zhveshë nga ndjenjat ndërgjegjen e një personi. Kjo gjë i ka çuar disa të rinj të krishterë drejt masturbimit dhe më keq akoma në imoralitet seksual. Prandaj, gjëja më e mençur është të përpiqesh shumë për t’i qëndruar larg pornografisë.

«Shumë herë e kam pornografinë para syve,​—thotë një djalë me emrin Armand,​—kështu që jam i detyruar t’i hedh një vështrim të shpejtë. Por kjo s’do të thotë se duhet të shikoj për herë të dytë.» Po, mos prano të shohësh aty ku shfaqet hapur dhe mos i lejo shokët e klasës të të nxisin për t’i parë! Klejda 18-vjeçare arsyetoi kështu: «Si njeri i papërsosur është mjaft e vështirë të përpiqesh ta mbash mendjen mbi gjëra të dëlira dhe të denja për t’u lavdëruar. A nuk do të ishte më e vështirë, nëse do të lexonim me qëllim material pornografik?»

[Figura në faqen 206]

«Lutja është një mjet i çastit që të jep forcë. Lutja në momentin kur lind dëshira, ndihmon shumë»