Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’u them jo marrëdhënieve seksuale paramartesore?

Si t’u them jo marrëdhënieve seksuale paramartesore?

Kapitulli 24

Si t’u them jo marrëdhënieve seksuale paramartesore?

NJË reportazh i një reviste (’Teen) në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se shumë nga lexuesit e saj të rinj, dëshironin informacion mbi pyetjen e mëposhtme: «Si t’u themi jo presioneve seksuale?»

Psalmin 119:9, psalmisti bëri një pyetje të ngjashme: «Si mundet një i ri [ose e re] të bëjë rrugën e tij të pastër?» Përgjigjja është: «Duke e ruajtur me fjalën tënde [të Perëndisë].» Por, nuk duhet që ta kesh njohurinë vetëm në kokë. «Në mendje e di se çfarë thotë Bibla për marrëdhëniet imorale seksuale,​—thotë një vajzë e re,​—por zemra të shtyn gjithmonë t’i harrosh.» Për këtë arsye, psalmisti vazhdoi: «E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.»​—Psalmi 119:11.

Ruaj zemrën!

Për të ruajtur fjalët e Perëndisë në zemër, duhet së pari të lexosh e të studiosh Shkrimet dhe literaturën e bazuar në Bibël. Kjo gjë mund të të ndihmojë të bindesh për vlerën e ligjeve të Perëndisë. Nga ana tjetër, leximi, dëgjimi dhe shikimi i materialit që nxit dëshira seksuale, ndez «urinë seksuale». (Kolosianëve 3:5, BR) Prandaj, shmang rreptësisht materiale të tilla! Më mirë medito mbi gjëra që janë të ndershme dhe të pastra.

Studimet kanë treguar, gjithashtu, se shokët e ngushtë mund të kenë një ndikim të madh mbi faktin nëse një person qëndron i dëlirë moralisht apo jo. Psalmisti ka thënë: «Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje [Perëndisë] dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.»​—Psalmi 119:63.

A janë shokët e tu persona që vërtet përpiqen ‘të respektojnë urdhërimet e Perëndisë’? Një vajzë e re me emrin Aurela thotë kështu për zgjedhjen e shokëve: «Nëse rrethohesh nga njerëz që e duan Jehovain, kupton se kur flet për moralin, fillon edhe vetë të mendosh si ata. Për shembull, nëse dëgjon të thonë se imoraliteti është i pështirë, edhe vetë fillon të mendosh po ashtu. Nga ana tjetër, nëse rri me dikë që nuk i bëhet vonë, shumë shpejt do të bëhesh si ai.»​—Proverbat 13:20.

Megjithatë, është frekuentimi dhe shoqërimi me një person të seksit tjetër, ai që shpesh paraqet sfidën më të madhe për të qëndruar i dëlirë moralisht. Vëre rezultatet e një studimi të drejtuar nga Robert Sorensen në Shtetet e Bashkuara! Ai zbuloi se 56 për qind e djemve dhe 82 për qind e vajzave të intervistuara, që kishin pasur marrëdhënie seksuale, për herë të parë i kishin pasur me dikë me të cilin shoqëroheshin rregullisht ose të paktën që e njihnin mirë dhe e pëlqenin. Çfarë mund të themi nëse je në moshë për të menduar për martesë dhe ke filluar të shoqërohesh me dikë? Si mund të njihesh më mirë me atë person pa cënuar dëlirësinë morale?

Largohu nga grackat gjatë shoqërimit!

Bibla paralajmëron: «Zemra është më dredharake se çdo gjë dhe në gjendje të dëshpëruar, kush e njeh atë?» (Jeremia 17:9, Byington) Dikush mund të ndiejë një tërheqje normale ndaj një personi të seksit të kundërt. Por, sa më shumë rrinë së bashku, aq më shumë tërhiqen ndaj njëri-tjetrit dhe kjo dëshirë normale mund ta shpjerë zemrën në rrugë të shtrembër. «Nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, . . . kurvëria»,​—tha Jezu Krishti.​—Mateu 15:19.

Rrallëherë ndodh që një çift i ri të paramendojë të ketë marrëdhënie seksuale. * Në shumicën e rasteve, kjo ka ndodhur, sepse çifti është dhënë pas disa përkëdheljeve që lidhen me prekje provokuese në pjesë intime të trupit. Një nënë e pamartuar thoshte: «Për mua e për shumë vajza që njoh, mjaftonte që çdo herë të shkonim pak më tej. E kështu një ditë të bukur nuk je më e virgjër. Fillon me ndonjë prekje intime dhe kur e kupton se çfarë po ndodh, s’mund të bësh asgjë për ta ndalur.»

Për të shmangur kurthet e imoralitetit seksual, duhet ta drejtosh ti zemrën dhe jo të të drejtojë ajo ty. (Proverbat 23:19) Si mund ta bësh këtë gjë?

Vër kufij! Djali mund të mendojë se e dashura pret që ai të fillojë ta puthë apo ta përkëdhelë, kur në të vërtetë mund të mos jetë ashtu. «Me hamendje shkaktohet vetëm një betejë, por me ata që këshillohen së bashku është mençuria.» (Proverbat 13:10, BR) Prandaj, nëse je në periudhën e shoqërimit, jepi mundësi personit tjetër të dijë se çfarë mendon lidhur me diçka, ‘duke u këshilluar së bashku’. Vër kufij me zgjuarsi në shprehjet e dashurisë! Në të njëjtën kohë, mos mbaj një qëndrim të dykuptimtë! Veshjet tepër të ngushta, transparente dhe provokuese mund të lënë një përshtypje të gabuar tek personi me të cilin shoqërohesh.

Shmang situatat e rrezikshme! Bibla flet për një vashë të re të virgjër, të cilën i dashuri e kishte ftuar të shkonte me të në një vend të vetmuar në mal. Për ç’arsye? Për të shijuar bukuritë e pranverës që sapo kishte ardhur. Por, kur vëllezërit e vajzës morën vesh për shëtitjen e planifikuar e ndaluan të motrën të zemëruar. Mos vallë e bënë, sepse mendonin se ajo kishte prirje imorale? Jo, aspak! Vetëm se ata e njihnin mirë fuqinë e tundimit në rrethana të tilla. (Kënga e këngëve [Kantiku i kantikëve] 1:6; 2:8-15) Ngjashëm, edhe ti duhet të shmangësh rrethana që mund të të shpien në tundim, si qëndrimi vetëm në një shtëpi, apartament apo makinë të parkuar me personin me të cilin shoqërohesh.

Prano kufizimet e tua! Ka momente kur mund të jesh më i dobët ndaj joshjeve seksuale, sesa herë të tjera. Për shembull, mund të jesh i shkurajuar për diçka që s’të ka shkuar mirë apo nga ndonjë mosmarrëveshje me prindërit. Çfarëdo rasti qoftë, në momente të tilla duhet të jesh veçanërisht i kujdesshëm. (Proverbat 24:10) Gjithashtu, trego kujdes në përdorimin e pijeve alkoolike! Nën ndikimin e tyre, mund të humbësh kontrollin e vetes. «Vera dhe mushti të lënë pa mend.»​—Hozea 4:11.

Thuaj jo dhe mos e kthe mbrapsht! Çfarë mund të bëjë një çift, kur ndjenjat ndizen dhe e sheh se po bëhet intim në një mënyrë të rrezikshme? Njëri prej të dyve duhet të thotë apo të bëjë diçka për të shuar zjarrin. Enriketa u gjend vetëm me të dashurin, i cili e ndaloi makinën në një vend të vetmuar «për të folur». Kur ndjenjat filluan të ndizeshin, ajo i tha të dashurit: «A s’të duket se po e teprojmë? A s’mendon se është më mirë t’u japim fund puthjeve për sot?» Kaq mjaftoi për të shuar zjarrin. Ai e shoqëroi menjëherë në shtëpi. Të thuash jo në rrethana të tilla, mund të jetë gjëja më e vështirë që të është dashur të bësh ndonjëherë. Megjithatë, është ashtu siç tha një vajzë 20-vjeçare, e cila iu dorëzua marrëdhënieve seksuale: «Nëse nuk largohesh, do të të vijë keq!»

Jini të shoqëruar! Megjithëse disa e shikojnë si të dalë jashtë mode, të kesh një person të tretë gjatë shoqërimit, mbetet akoma një ide e mirë. «Duket sikur s’kanë besim tek ne»,​—u ankuan disa çifte. Ndoshta. Por, a është e mençur të besosh tek vetja? Proverbat 28:26 e thotë troç: «Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi [mençuri, BR] do të shpëtojë.» Ec me mençuri, duke u shoqëruar nga një person i tretë, kur del me një person të seksit të kundërt. «Me të vërtetë e respektoj të dashurin, i cili merr me vete edhe një person të tretë. E di se ai është po aq i interesuar sa unë, për të qenë i ndershëm.» Këtë mendim ka Enriketa. «Nuk na krijon ndonjë problem, sepse kur duam të themi diçka privatisht, largohemi disa hapa sa të tjerët të mos na dëgjojnë. Mbrojtja që siguron vlen më shumë se çdo mungesë rehatie.»

Miqësia me Perëndinë

Para së gjithash, zhvillimi i miqësisë së ngushtë me Perëndinë, duke e njohur si një person të vërtetë me ndjenja, do të të ndihmojë të shmangësh sjelljen që e ofendon atë. Nëse i hap zemrën duke i folur për problemet e veçanta, afrohesh më shumë me të. Shumë çifte, duke dëshiruar të jenë të ndershme, i janë lutur së bashku Perëndisë gjatë situatave të ngarkuara emocionalisht, duke i kërkuar atij forcën e nevojshme.

Jehovai përgjigjet me bujari, duke u dhënë atyre «forcë përtej normales». (2. Korintasve 4:7, BR) Pa dyshim që edhe ti duhet të bësh pjesën tënde. Megjithatë, ji i sigurt se me ndihmën dhe bekimin e Perëndisë, është e mundur t’i thuash jo imoralitetit seksual.

[Shënimi]

^ par. 12 Sipas një studimi, 60 për qind e grave thoshin se veprimi ishte spontan dhe i paplanifikuar.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Ç’gjë mund të të ndihmojë për të ruajtur ligjet e Perëndisë në lidhje me marrëdhëniet seksuale?

□ Si mund të ndikojnë shokët në pikëpamjen tënde mbi marrëdhëniet seksuale paramartesore?

□ Përse mendon se duhet kujdes gjatë shoqërimit?

□ Çfarë mund të bëjë një çift që shoqërohet, për të mbrojtur veten nga rënia në grackën e imoralitetit seksual?

[Diçitura në faqen 193]

«Fillon me ndonjë përkëdhelje, dhe . . . »

[Diçitura në faqen 194]

Gjatë shoqërimit largohu nga imoraliteti, duke mos u veçuar

[Kutia dhe figurat në faqen 195]

Qëndroni të ndershëm gjatë shoqërimit!

Shmangni situata që të shpien në puthje të gjata dhe prekje intime!

Dilni në grup ose shoqërohuni me dikë!

Mbajeni bisedën në një nivel ndërtues!

Që në fillim, vëre personin tjetër në dijeni, për qëndrimin tënd lidhur me kufijtë në shprehjet e dashurisë!

Vishu me modesti dhe shmang veprime provokuese!

Kërko të shkosh në shtëpi, nëse mendon se është në rrezik dëlirësia jote morale!

Mos u zgjat shumë në momentin e ndarjes!

Kthehu gjithmonë herët në shtëpi!

[Figurat]

Çiftet që shoqërohen me mendimin për një martesë, mund të kryejnë aktivitete që nuk i veçojnë nga të tjerët

[Figura në faqen 196]

Nëse situata bëhet tepër «e zjarrtë», ji i arsyeshëm për të thënë jo dhe mos e kthe mbrapsht!