Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet ta lë shkollën?

A duhet ta lë shkollën?

Kapitulli 17

A duhet ta lë shkollën?

PËR më shumë se 25 vjet, Xheku ka qenë sekretar dhe është marrë me kontrollin e mungesave në një shkollë. Prandaj, një djalë apo vajzë që përvidhet nuk e ka të lehtë të gjejë një justifikim që Xheku tashmë të mos e ketë dëgjuar. «Fëmijët më kanë thënë justifikime nga më të ndryshmet,​—thotë ai,​—si p.sh.: ‘Mendova se sot do të sëmuresha.’ . . . ‘Më vdiq gjyshi në Alaskë.’» Cili ka qenë justifikimi «më i pëlqyer» i Xhekut? Ai i tre djemve që thanë se «nuk mundën ta gjenin shkollën, sepse kishte shumë mjegull».

Këto justifikime të dobëta, tregojnë antipatinë që shumë të rinj kanë për shkollën, gjë që shpesh shkon nga indiferenca («Çdo gjë në rregull, ma ha mendja») deri në armiqësi të hapur («M’u neverit shkolla! E urrej!»). Altini, për shembull, zgjohej për të shkuar në shkollë dhe menjëherë sëmurej nga stomaku. Ai thotë: «Kur arrija afër shkollës, bëhesha qull në djersë dhe shumë nervoz . . . Isha i detyruar të kthehesha patjetër në shtëpi.» Në mënyrë të ngjashme, shumë të rinj vujanë nga një frikë e ankthshme nga shkolla, diçka që doktorët e quajnë fobia e shkollës. Ajo shpesh shkaktohet nga dhuna në shkollë, egërsia e bashkëmoshatarëve dhe presioni për të marrë nota të mira. Këta të rinj mund të shkojnë në shkollë (po të shtyhen pak nga prindërit), megjithatë vuajnë turbullira të vazhdueshme dhe madje edhe ankth fizik.

Nuk është për t’u habitur që një numër alarmues të rinjsh, vendosin të mos shkojnë fare në shkollë! Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mungojnë çdo ditë rreth dy milionë e gjysmë nxënës të shkollave fillore dhe të mesme. Një artikull i një gazete, shtonte se në shkollat e mesme të qytetit të Nju Jorkut, «mungojnë vazhdimisht» aq shumë (gati një e treta), «saqë është gati e pamundur t’u jepet arsimim».​—The New York Times.

Të rinj të tjerë po marrin hapa akoma më drastikë. «Shkolla ma sillte në majë të hundës. Ishte tepër e rreptë.» Kështu thotë një djalë me emrin Andi, i cili la shkollën e mesme. Po kështu bëri edhe një vajzë me emrin Albana. Ajo kishte vështirësi në kryerjen e detyrave shkollore. «Si t’i bëja detyrat, kur nuk e kuptoja atë që lexoja?​—thoshte ajo.​—Unë rrija ulur dhe s’bëja gjë tjetër vetëm budallallepsesha, kështu që e lashë fare.»

Duhet pranuar se sistemi shkollor në të gjithë botën është prekur nga probleme serioze. Por, a është kjo arsyeja për të humbur interesin për shkollën dhe për ta lënë? Si mund të ndikojë më vonë në jetën tënde lënia e shkollës? A ka ndonjë arsye të vlefshme që të qëndrosh në shkollë derisa të marrësh diplomën?

Vlera e arsimimit

Elvisi u kthye në shkollë për të marrë diplomën e shkollës së mesme. Kur e pyetën përse, ai tha: «E kuptova se arsimimi më duhej.» Çfarë është «arsimimi»? Aftësia për të numëruar një për një ndonjë seri të mahnitshme faktesh? Kjo gjë nuk nënkupton arsimimin, ashtu si një grumbull tullash nuk nënkupton një shtëpi.

Arsimimi duhet të të përgatisë për të bërë një jetë të suksesshme prej të rrituri. Alen Austill, që për 18 vjet ka qenë dekan shkolle, ka folur për «arsimimin që të mëson të mendosh, të zgjidhësh problemet, të dallosh të arsyeshmen nga e paarsyeshmja, të fitosh aftësinë bazë për të menduar me kthjelltësi, të përcaktosh të dhëna dhe të bësh lidhjen ndërmjet pjesëve dhe së tërës; që të mëson për të bërë këto arsyetime dhe dallime, për të ditur si të mësosh».

Ç’lidhje ka shkolla me gjithë këtë? Shekuj më parë, mbreti Solomon shkroi Proverbat, «për t’u dhënë shkathtësi atyre që s’kanë përvojë, njohuri dhe aftësi për të menduar të riut». (Proverbat 1:1-4, BR) Po, mungesa e përvojës është tipike tek të rinjtë. Megjithatë, shkolla mund të të ndihmojë të kultivosh aftësinë e të menduarit. Nuk bëhet fjalë thjesht për aftësinë për të numëruar fakte, por gjithashtu për t’i analizuar dhe për të nxjerrë ide të frytshme prej tyre. Megjithëse shumë e kanë kritikuar mënyrën e të mësuarit në disa shkolla, ajo të detyron të përdorësh mendjen. Është e vërtetë se të zgjidhësh probleme gjeometrike apo të ngulitësh në mendje një listë me data historike, për momentin mund të të duket se as që ka të bëjë me jetën. Por Barbara Majer ka shkruar: «Jo të gjithë i kujtojnë të gjitha faktet dhe nocionet e njohurisë që mësuesit duan t’u fusin në kokë, por artin si të mësojnë të studiojnë, si të organizohen, nuk e harrojnë kurrë.»​—The High School Survival Guide.

Tre profesorë universiteti, që studiuan ndikimet afatgjata të arsimimit, ngjashëm përfunduan: «Ai që ka marrë një arsimim më të mirë, ka njohuri më të gjerë dhe më të thellë, jo thjesht për faktet që gjenden nëpër libra, por edhe për botën bashkëkohore dhe se ka shumë mundësi që ata të kërkojnë përsëri njohuri dhe të jenë në një hap me burimet e informacionit. . . . Është zbuluar se këto ndryshime qëndrojnë, pavarësisht nga mosha dhe vitet e shumta pas shkëputjes nga shkolla.»​—The Enduring Effects of Education.

Ajo që vlen më shumë, është se arsimimi mund të të kualifikojë për të kryer përgjegjësitë e tua të krishtere. Nëse ke fituar zakone të mira studimi dhe zotëron artin e të lexuarit, mund ta studiosh më me lehtësi Fjalën e Perëndisë. (Psalmi 1:2) Duke qenë se në shkollë ke mësuar të shprehesh, mund t’ua mësosh më me lehtësi të tjerëve të vërtetat biblike. Ngjashëm, njohuria mbi historinë, shkencën, gjeografinë dhe matematikën është e dobishme dhe mund të të ndihmojë të kesh lidhje me njerëz të mjediseve, interesave dhe bindjeve të ndryshme.

Shkolla dhe puna

Gjithashtu, shkolla ka një ndikim të madh edhe mbi perspektivat për punën tënde të ardhshme. Në ç’mënyrë?

Mbreti i mençur, Solomoni, tha kështu për punëtorin e aftë: «Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.» (Proverbat 22:29) Kështu është edhe sot. «Po s’pate aftësi, shumë gjëra në jetë mund të të lënë pas»,​—ka thënë Ernest Grin, i departamentit të punës në SHBA.

Është e kuptueshme, pra, se për ata që lënë shkollën ka pak perspektiva për punë. Andi (të cilin e përmendëm më lart), e mësoi këtë gjë duke e pësuar. «Për shumë kohë kërkova punë dhe nuk munda të gjeja, sepse nuk kisha diplomën.» Gjithashtu, ai pranoi: «Nganjëherë, njerëzit përdorin fjalë që unë nuk i kuptoj dhe më duket vetja budalla.»

Papunësia nga mosha 16-24 vjeç tek ata që s’kanë mbaruar shkollën e mesme «është gati sa dyfishi i bashkëmoshatarëve që e kanë përfunduar dhe trefishi i mesatares së përgjithshme të papunësisë». (The New York Times) «Atij që nuk e vazhdon arsimimin, i mbyllen dyert e mundësisë»,​—shton autori F. Filip Rais në një libër të tij. (The Adolescent) Ai që ka lënë shkollën, ka shumë mundësi të mos i ketë mësuar aftësitë bazë që nevojiten për të bërë edhe punët më të thjeshta.

Pol Koperman shkruan në një libër të tij (The Literacy Hoax): «Një studim i fundit tregon se nevojitet të kesh përafërsisht nivelin e klasës së shtatë në artin e leximit për të gjetur një punë si kuzhinier, të klasës së tetë për mekanik dhe të vitit të parë ose të dytë të shkollës së mesme për të gjetur një punë si nëpunës.» Ai vazhdon: «Mendoj se është i arsyeshëm përfundimi se puna si mësues, infermier, llogaritar ose inxhinier do të kërkonte një nivel minimal leximi më të lartë.»

Është e dukshme, pra, se studentët që vërtet ushtrohen për të fituar një arsimim bazë, kanë mundësi më të mira pune. Por, cila dobi tjetër për gjithë jetën mund të nxirret nga shkolla?

Një person më i mirë

Kjo dobi e qëndrueshme është të dish pikat e tua të forta dhe ato të dobëta. Briseida, e cila kohët e fundit ka gjetur punë në fushën e informatikës, vërejti: «Në shkollë mësova si të punoja nën presion, si të kaloja një provim dhe si të shprehesha.»

«Shkolla më mësoi si t’i shikoja dështimet»,​—thotë një vajzë tjetër. Ajo kishte prirjen të shihte të tjerët dhe jo veten si shkakun e mossukseseve të saj. Disa të tjerë kanë përfituar nga rutina e rreptë e shkollës. Shumë i kritikojnë shkollat për këtë gjë, duke pohuar se ajo shtyp mendjet e të rinjve. Megjithatë, Solomoni i inkurajoi të rinjtë «për të njohur mençurinë dhe disiplinën». (Proverbat 1:2, BR) Shkollat në të cilat mbizotëron disiplina, me të vërtetë kanë nxjerrë shumë mendje të disiplinuara e megjithatë krijuese.

Prandaj, është e arsyeshme të përfitosh sa më shumë nga vitet e shkollës. Si mund ta bësh këtë? Le të fillojmë me detyrat e tua shkollore.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse kaq shumë të rinj kanë një mendim negativ për shkollën? Po ti ç’mendon për këtë gjë?

□ Në ç’mënyrë shkolla e ndihmon një person për të zhvilluar aftësinë e të menduarit?

□ Si mund të ndikojë lënia e shkollës në mundësinë e ardhshme për të gjetur punë dhe përse?

□ Çfarë dobish të tjera personale mund të nxjerrësh nga përfundimi i shkollës?

[Diçitura në faqen 135]

«Unë rrija ulur dhe s’bëja gjë tjetër vetëm budallallepsesha, kështu që e lashë fare»

[Diçitura në faqen 138]

«Një studim i fundit tregon se nevojitet të kesh përafërsisht nivelin e klasës së shtatë në artin e leximit për të gjetur një punë si kuzhinier, të klasës së tetë për mekanik dhe të vitit të parë ose të dytë të shkollës së mesme për të gjetur një punë si nëpunës»

[Figurat në faqen 136]

Nga disiplina që mëson në shkollë, mund të nxjerrësh dobi për gjithë jetën

[Figura në faqen 137]

Perspektivat për punë janë më të pakta për ata që nuk zotërojnë aftësitë bazë që mësohen në shkollë