Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cilën karrierë duhet të zgjedh?

Cilën karrierë duhet të zgjedh?

Kapitulli 22

Cilën karrierë duhet të zgjedh?

«ÇFARË do të bëj në jetë?» Herët a vonë, e gjen veten para kësaj pyetjeje jo të thjeshtë. Të paraqitet një listë e ngatërruar zgjedhjesh: mjekësi, biznes, art, arsim, informatikë, inxhinieri dhe artizanat. Ndoshta mendon si një i ri që tha: «Sipas meje, suksesi . . . është mbajtja e nivelit të mirëqenies në të cilin je rritur.» Ose ashtu si të tjerë, ndoshta ëndërron përmirësimin e gjendjes sate financiare.

Mos vallë suksesi qëndron vetëm në fitimin material? A mund të të sjellë kënaqësi të vërtetë çfarëdolloj karriere në botë?

«Gjithçka është e kotë»

Magjepsëse, emocionuese, fitimprurëse! Në këtë mënyrë e portretizojnë shpesh karrierën në botë filmat, televizioni dhe librat. Ama për ta arritur të ashtuquajturin sukses, ata që duan të bëjnë karrierë, në të shumtën e rasteve duhet të rivalizojnë me njëri-tjetrin në një betejë pranimi për jetë a vdekje. Dr. Dagllas LaBier tregon se si shumë të rinj, shumë prej të cilëve «kanë bërë karrierë të shpejtë në teknologjinë e lartë, shprehin ndjenja pakënaqësie, ankthi, depresioni, zbrazëtie, mërzie, si dhe një varg të tërë ankesash fizike».

Kohë më parë, mbreti Solomon zbuloi kotësinë e suksesit botëror. Duke pasur në dispozicion burime praktikisht të pakufizuara, Solomoni mbushi një listë mahnitëse të arritjeve të tij në karrierë. (Lexo Eklisiastiun 2:4-10.) Megjithatë, Solomoni doli në përfundimin: «Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t’i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi [«erdha në përfundimin se gjithçka është e kotë», ECM] dhe një kërkim për të kapur erën.»​—Eklisiastiu 2:11.

Puna fare lehtë mund të sjellë pasuri dhe famë, por nuk mund të kënaqë ‘nevojat frymore’ të personit. (Mateu 5:3, BR) Kështu, kënaqësia u ikën nga duart atyre që e ndërtojnë jetën vetëm rreth arritjeve në botë.

Një karrierë e kënaqshme

Mbreti Solomon, këshillon: «Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia [detyrimi i plotë, BR] e njeriut.’» (Eklisiastiu 12:13) Detyrimi i parë për të krishterët sot, është predikimi i lajmit të Mbretërisë. (Mateu 24:14) Të rinjtë që e kanë marrë seriozisht detyrimin e tyre para Perëndisë, ndihen të shtyrë të kenë një pjesëmarrje sa më të plotë në këtë vepër, edhe nëse nga natyra nuk janë të prirë drejt predikimit. (Krahaso 2. Korintasve 5:14.) Në vend që të bëjnë një punë në kohë të plotë në botë, mijëra prej tyre kanë vendosur të shërbejnë si pionierë ungjillëzues të plotë kohorë. Të tjerë shërbejnë si misionarë në vende të huaja ose në zyrat e degës së Shoqatës Watch Tower.

Emilia, e cila la karrierën si sekretare ekzekutive për t’u bërë pioniere, thotë: «Kam zhvilluar dashuri të vërtetë për këtë vepër.» Po, shërbimi i plotë kohor është karriera më e kënaqshme dhe emocionuese që mund të imagjinohet. Ç’privilegj më të madh mund të ketë një person, sesa të jetë një nga ‘bashkëpunëtorët e Perëndisë’?​—1. Korintasve 3:9.

Arsimimi universitar: me përfitim?

Shumë nga ata që shërbejnë si pionierë, mbahen ekonomikisht, duke bërë një punë gjysmëditore. Po sikur më vonë të dalë nevoja për të mbajtur familjen? Sigurisht, askujt nuk do t’i vinte kurrë keq se ia ka përkushtuar vitet e rinisë shërbimit të Perëndisë! Por, a nuk do të ishte e arsyeshme për një të ri që më parë të merrte diplomën e universitetit dhe ndoshta më vonë të vazhdonte shërbimin?

Sigurisht që Bibla nuk përcakton saktësisht se sa vite shkollë duhet të ketë një i krishterë. Në të njëjtën kohë as arsimimin nuk e dënon. Jehovai, «Mësuesi i Madh», e inkurajon popullin e tij të lexojë mirë dhe të shprehet qartë. (Isaia 30:20, BR; Psalmi 1:2; Hebrenjve 5:12) Për më tepër, arsimimi mund të zgjerojë kuptueshmërinë tonë mbi njerëzit dhe botën në të cilën jetojmë.

Megjithatë, a vlen gjithmonë një diplomë universiteti për sasinë shumë të madhe të kohës dhe të parave që kërkon? * Ndërsa statistikat tregojnë se të diplomuarit universitarë marrin paga më të larta dhe vuajnë më pak nga papunësia sesa ata që kanë vetëm diplomën e shkollës së mesme, një libër (Planning Your College Education) na kujton se këto statistika tregojnë mesataren. Në fakt, vetëm një pakicë e të diplomuarve universitarë kanë paga shumë të larta. Të tjerët paguhen me një pagë shumë më modeste. Përveç kësaj, të ardhurat e larta të atyre që diplomohen në universitet, mund të rezultojnë nga faktorë të tillë, si «aftësitë e pazakonta, vullneti, ofertat për punë në zonë, . . . talente të veçanta» dhe jo thjesht nga sasia e arsimimit që kanë marrë.

«Një diplomë [universiteti] nuk të siguron më sukses në tregun e punës si më përpara,​—thoshte Departamenti i Punës në Shtetet e Bashkuara.​—Përpjestimi [i të diplomuarve universitarë] të punësuar në detyra profesionale, teknike dhe administrative . . . ka rënë ngaqë këto vende pune nuk janë rritur me aq shpejtësi sa të gëlltisin numrin gjithnjë e në rritje të të diplomuarve. Si rezultat, afërsisht 1 ndër 5 të diplomuar [universitarë], që kanë hyrë në tregun e punës nga 1970-a deri në 1984-ën, kanë gjetur një punë që normalisht nuk kërkon diplomë. Kjo tepricë e të diplomuarve, ka shumë mundësi të vazhdojë deri nga mesi i viteve ’90.»

Fakte të tjera për t’u vlerësuar

Diploma mund ose mund të mos e përmirësojë perspektivën tënde për të gjetur punë. Megjithatë, një fakt është i padiskutueshëm: «Koha tanimë është shkurtuar.» (1. Korintasve 7:29) Me gjithë dobitë e saj të supozuara, të kalosh katër vjet a më shumë në universitet, a do të ishte mënyra më e mirë për të përdorur kohën e mbetur?​—Efesianëve 5:16.

Arsimimi universitar, do të të çonte drejt apo larg synimeve të tua frymore? Mos harro se nuk është paga e lartë gjëja e parë për të krishterët. (1. Timoteut 6:7, 8) Megjithëkëtë, një anketë pranë administratorëve universitarë të Shteteve të Bashkuara i përshkruan studentët e sotëm si ‘të dashuruar pas karrierës, të përqendruar tek suksesi material dhe tek vetja’. Një grup studentësh tha: «Para. Duket sikur s’flasim për gjë tjetër veçse për para.» Si mund të të ndikojë zhytja në një atmosferë konkurrence të ashpër dhe materializmi egoist?

Ndoshta, universitetet nuk janë më një teatër i harbuar siç ishin në vitet ’60. Por, rënia e trazirave në universitet, nuk do të thotë se është një ambient universitar i shëndetshëm. Një studim mbi jetën universitare përfundonte: «Studentët akoma kanë liri gati të pakufizuar në çështjet personale dhe shoqërore.» Droga e alkooli përdoren lirshëm dhe përzierja seksuale nuk përbën më një përjashtim, por një rregull. Nëse është kështu edhe në universitetet e vendit tënd, a do të mund t’i pengonte jeta atje përpjekjet e tua për të qëndruar i pastër moralisht?​—1. Korintasve 6:18.

Një tjetër objekt shqetësimi është raporti i dokumentuar mirë i ekspozimit ndaj arsimimit të lartë me rënien «e ndjekjes së parimeve themelore fetare». (The Sacred in a Secular Age) Presioni për të pasur nota të mira, ka bërë që disa të rinj të krishterë të lënë pas dore aktivitetet e tyre frymore dhe kështu të bëhen të dobët ndaj sulmeve të mendimit botëror të nxitur nga universitetet. Disa kanë vuajtur fundosjen e besimit të tyre.​—Kolosianëve 2:8.

Alternativa të arsimimit universitar

Duke parë këto fakte, shumë të rinj të krishterë kanë vendosur të mos ndërmarrin arsimimin universitar. Shumë kanë kuptuar se stërvitja që ofrohet në kongregacionin e Dëshmitarëve të Jehovait, si p.sh., në Shkollën javore të Shërbimit Teokratik në veçanti, u ka dhënë atyre një përparësi të vërtetë për të gjetur punë. Edhe pse nuk kanë në dorë një diplomë universiteti, këta të rinj mësojnë të jenë të drejtpeshuar, të aftë për t’u shprehur dhe të zotët për të marrë përgjegjësi. Përveç kësaj, gjatë shkollës të mesme, disa bëjnë kurse daktilografie, programimi kompjuterësh, mekanike, politeknike, etj. Zanate të tilla mund të ushtrohen në punë gjysmëditore dhe shpesh janë shumë të kërkuara. Megjithëse shumë të rinj nuk denjojnë ‘të punojnë me duart e tyre’, Bibla thotë se ‘të lodhesh’ është një nder. (Efesianëve 4:28; krahaso Proverbat 22:29.) Ja, përse Jezu Krishti vetë mësoi aq mirë një zanat, sa u quajt «zdrukthëtar»!​—Marku 6:3.

Vërtet, në disa vende të diplomuarit universitarë e kanë pushtuar tregun e punës në atë masë, saqë është e vështirë të gjesh edhe punët më të zakonshme pa pasur një specializim të mëtejshëm. Por, shpesh ka stazhe, shkolla profesionale e teknike dhe kurse të shkurtra universitare, ku me një investim minimal kohe dhe parash, mësohen zanate shumë të kërkuara. Gjithashtu, kurrë mos harro se ka një faktor që statistikat e punësimit nuk e marrin parasysh: premtimin e Perëndisë për të plotësuar nevojat e atyre që vënë në vend të parë interesat frymore.​—Mateu 6:33.

Perspektivat për punë dhe sistemi arsimor ndryshojnë nga vendi në vend. Të rinjtë kanë aftësi dhe prirje të ndryshme. Gjithashtu, ndërkohë që karriera në shërbimin e krishterë lavdërohet si e dobishme, mbetet përsëri një zgjedhje personale. Ti dhe prindërit e tu duhet të peshoni me kujdes të gjithë faktorët që përfshihen për të vendosur se sa arsimim është i përshtatshëm për ty. «Secili do të mbajë barrën e vet» edhe në marrjen e këtyre vendimeve.​—Galatasve 6:5.

Për shembull, nëse prindërit ngulin këmbë që të mbarosh universitetin, s’ke zgjedhje tjetër veçse t’u bindesh për aq kohë sa jeton nën mbikëqyrjen e tyre. * (Efesianëve 6:1-3) Ndoshta mund të vazhdosh të jetosh në shtëpi dhe të mos përfshihesh në ambientin universitar. Ji përzgjedhës në zgjedhjen e të drejtave të studimit, duke u përqendruar, për shembull, në përvetësimin e ndonjë zanati dhe jo në filozofitë botërore! Ruhu nga shoqëritë! (1. Korintasve 15:33) Qëndro i fortë frymësisht, duke marrë pjesë në mbledhje, në shërbimin në fushë dhe në studimin personal! Disa të rinj që i kanë detyruar të ndjekin universitetin, kanë arritur madje të shërbejnë si pionierë, duke zgjedhur një program studimi që ua jepte këtë mundësi.

Zgjidhe karrierën me kujdes dhe me lutje, në mënyrë që mos të të sjellë vetëm lumturi personale, por edhe të të aftësojë ‘të mbledhësh thesare në qiell’.​—Mateu 6:20.

[Shënimet]

^ par. 15 Në Shtetet e Bashkuara, universiteti kushton mesatarisht mbi 10.000$ në vit. Shpesh, studentëve u duhen vite për të paguar borxhin.

^ par. 26 Mund të mos jetë e nevojshme të marrësh një diplomë katërvjeçare për t’ua bërë qejfin prindërve. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara një diplomë shoqëruese pranohet nga punëdhënësit e shumë fushave profesionale dhe mund të fitohet brenda dy vjetësh.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse shpesh karriera në botë nuk sjell lumturi personale?

□ Përse të gjithë të rinjtë me frikë Perëndie duhet të mendojnë për një karrierë në shërbimin e plotë kohor?

□ Cilat janë disa dobi të supozuara të arsimimit të lartë dhe a janë ato gjithmonë të vërteta?

□ Çfarë rreziqesh mund të paraqesë arsimimi universitar?

□ Cilat alternativa për arsimimin universitar mund të ketë parasysh një i ri?

[Diçitura në faqen 175]

Puna fare lehtë mund të sjellë pasuri dhe famë, por nuk mund të kënaqë ‘nevojat frymore’ të personit

[Diçitura në faqen 177]

«Një diplomë [universiteti] nuk të siguron më sukses në tregun e punës si më përpara»