Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse shokët s’më lënë të qetë?

Përse shokët s’më lënë të qetë?

Kapitulli 19

Përse shokët s’më lënë të qetë?

Ecja e tradhton djalin. I tensionuar dhe i pasigurt në vetvete, duket sheshit se ambienti i ri e huton. Nxënësit më të vjetër e dallojnë menjëherë se është i ri në shkollë. Brenda sekondave, disa të rinj e rrethojnë dhe fillojnë ta mbysin me fjalë të ndyra. I skuqur deri në majë të veshit, ai vrapon drejt faltores më të afërt, banjës. Përtej mureve dëgjohen të qeshura.

SHUMË të rinj dëfrehen në mënyrë të pashpirtshme, duke ngacmuar, duke tallur dhe duke fyer të tjerët. Edhe në kohët biblike, disa të rinj kishin një sjellje të shëmtuar. Për shembull, njëherë një grup djemsh të rinj ngacmuan profetin Elise. Duke treguar përbuzje për detyrën e tij, të rinjtë pa respekt bërtisnin: «Ngjitu, o kokë tullaci! Ngjitu, o kokë tullaci.» (2. Mbretërve 2:23-25) Ngjashëm, sot shumë të rinj priren të fyejnë e të lëndojnë të tjerët me vërejtje.

«Në vitin e parë të shkollës së mesme isha më i shkurtri dhe më imcaku i klasës»,​—kujton një nga autorët e një libri (Growing Pains in the Classroom).​—Të ishe më inteligjenti dhe më i shkurtri i klasës ishte një kombinim katastrofal për nxënësit e shkollës së mesme. Ata që nuk më godisnin sepse isha i shkurtër, më godisnin sepse isha i mprehtë. Përveç nofkës ‘katër sytë’ që më kishin ngjitur, më quanin edhe ‘fjalori lëvizës’. Për më tepër, më kishin vënë edhe 1.000 nofka të tjera [fjalë fyese].» Autori i një libri tjetër (The Loneliness of Children) shton: «Fëmijët e pazhvilluar mirë fizikisht, me probleme në të folur apo me karakteristika të dukshme fizike ose qëndrimi, bëhen lehtë tabela e talljeve nga fëmijët e tjerë.»

Nganjëherë, të rinjtë mbrohen duke bërë atë që arrin deri në grindje të pamëshirshme, në një lumë sharjesh lënduese (shpesh në lidhje me prindërit e tjetrit). Ndërsa shumë të rinj, janë të pambrojtur përballë ngacmimeve të bashkëmoshatarëve. Një djalë kujton se disa ditë ishte aq i trembur dhe i mërzitur nga talljet dhe ngacmimet e shokëve të klasës, sa ‘mendonte se do të villte’. Nuk mund të përqendrohej tek mësimet, sepse shqetësohej se çfarë kishin ndër mend t’i bënin të tjerët.

S’ka asgjë për të qeshur

A ke qenë shënjestra e torturave të bashkëmoshatarëve? Ndoshta atëherë do të lehtësohesh të mësosh se Perëndia e shikon më me seriozitet. Merr, për shembull, tregimin e Biblës për një gosti që u përgatit për të festuar zvjerdhjen e Isakut, birit të Abrahamit. Ismaeli, djali më i madh i Abrahamit, me sa duket u bë xheloz për trashëgiminë që Isaku do të merrte dhe filloi «ta vinte në lojë» atë. Nuk bëhej fjalë për një shaka të lehtë, por tallja arriti deri në ‘persekutim’. (Galatasve 4:29) Sara, e ëma e Isakut, e dalloi armiqësinë në tallje. Ajo e konsideroi atë si një fyerje të qëllimit të Jehovait për të sjellë një «farë» ose Mesinë përmes të birit, Isakut. Me kërkesë të Sarës, Ismaeli dhe e ëma u dëbuan nga familja e Abrahamit.​—Zanafilla 21:8-14.

Ngjashëm, nuk ka asgjë për të qeshur, nëse të rinjtë e tjerë të ngacmojnë me qëllim të keq, veçanërisht nëse e bëjnë këtë kur përpiqesh të jetosh sipas normave të Biblës. Për shembull, të rinjtë e krishterë janë të njohur për faktin se u flasin të tjerëve për besimin e tyre. Një grup të rinjsh Dëshmitarë të Jehovait tha: «Djemtë në shkollë tallen me ne, sepse e dinë që ne predikojmë nga dera në derë dhe na poshtërojnë për këtë.» Po, ashtu si shërbëtorët besnikë të Jehovait në kohët e hershme, shumë të rinj të krishterë ‘heqin përqeshje’. (Hebrenjve 11:36) Ata janë për t’u lavdëruar për guximin që kanë për t’u bërë ballë këtyre sharjeve.

Përse e bëjnë këtë?

Megjithatë, mund të pyesësh veten si të veprosh, në mënyrë që ata që të bezdisin të të lënë të qetë. Së pari, mundohu të kuptosh përse të tallin! «Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar»,​—thotë Bibla në Proverbat 14:13. Të qeshurit shpërthen kur një grup të rinjsh ngacmojnë ndonjë. Megjithatë, ata nuk bërtasin «për gëzimin e zemrës së tyre». (Isaia 65:14) Shpesh, të qeshurit është një maskim i trazimit të brendshëm. Prapa kapadaillëkut, ndoshta ata që të bezdisin mund të thonë: «Nuk jemi të kënaqur me veten, por kur ngacmojmë ndonjë, ndihemi më mirë.»

Xhelozia, gjithashtu, të bën agresiv. Kujto tregimin biblik që flet për adoleshentin Jozef, të cilin vëllezërit e vet e sulmonin, sepse ishte më i preferuari i babait. Xhelozia e madhe jo vetëm që të çon në të folur fyes, por edhe në synimin për të vrarë! (Zanafilla 37:4, 11, 20) Ngjashëm, sot një nxënës i shkëlqyer ose beniamini i mësuesve, mund të ngjallë xhelozinë e bashkëmoshatarëve. Fyerjet kanë për qëllim ‘ta ulin’.

Pasiguria, xhelozia dhe respekti i paktë për veten janë në këtë mënyrë shpesh arsyet për të tallur të tjerët. Përse, atëherë duhet të humbësh respektin për veten, vetëm sepse disa të rinj të pasigurt e kanë humbur të vetin?

«Ndal» talljeve!

«Lum njeriu që . . . nuk ulet bashkë me tallësit»,​—thotë psalmisti. (Psalmi 1:1) Të tallesh edhe ti për të hequr vëmendjen nga vetja, nuk bën asgjë vetëm se përballon më shumë fyerje. Këshilla hyjnore është: «Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, . . . munde të keqen me të mirën.»​—Romakëve 12:17-21.

Eklisiastiu 7:9 thotë akoma: «Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.» Po, përse duhet ta marrësh talljen kaq seriozisht? Sigurisht që lëndohesh kur dikush vë në lojë fizikun tënd apo zbavitet me defektet e tua të fytyrës. Megjithatë, vërejtjet, madje edhe ato që s’kanë asnjë pikë shijeje, nuk janë medoemos me të keq. Prandaj, nëse dikush pa djallëzi ose ndoshta jo edhe aq pa djallëzi, prek disa pika të dobëta të tuat, përse të shkurajohesh? Në qoftë se ajo që është thënë nuk është e pahijshme ose pa respekt, përpiqu të dallosh humorin në të! Ka «një kohë për të qeshur» dhe të ofendohesh nga shakatë mund të jetë e tepruar.​—Eklisiastiu 3:4.

Po kur shakaja është e ashpër dhe e pashpirt, ç’mund të themi? Mos harro se tallësi dëshiron të zbavitet me reagimin tënd, të dëfrehet me shqetësimin tënd! T’ia kthesh pesë për pesë, të kthehesh në mbrojtje ose të shpërthesh në lot, është sikur ta nxisësh të vazhdojë të të ngacmojë. Përse t’i japësh kënaqësinë të të shohë të turbulluar? Shpesh, mënyra më e mirë për të zmbrapsur fyerjet është të mos i përfillësh me moskokëçarje.

Mbreti Solomon ka thënë më tej: «Mos ua vër veshin tërë fjalëve që thuhen [«Mos i kushto vëmendje gjithçkaje që thonë njerëzit.» (ECM)], që të mos mallkohesh nga shërbëtori yt, sepse zemra jote gjithashtu e di që ti vet i ke mallkuar shumë herë të tjerët.» (Eklisiastiu 7:21, 22) ‘T’ua vësh veshin’ vërejtjeve thumbuese të tallësve, do të thotë të jesh tepër i përqendruar mbi faktin se çfarë mendojnë ata për ty. A ka vlerë mendimi i tyre? Apostulli Pavël sulmohej padrejtësisht nga njerëz xhelozë, megjithatë ai u përgjigj: «Sa për mua, më intereson fort pak që të gjykohem prej jush ose prej një gjykate njerëzore. . . . Ai që më gjykon është Zoti.» (1. Korintasve 4:3, 4) Lidhja e Pavlit me Perëndinë ishte kaq e fortë, sa ai kishte bindjen dhe forcën e brendshme se do t’u bënte ballë sulmeve të padrejta.

Le të shndritë drita jote!

Ndonjëherë, ndoshta të tallin për mënyrën tënde të jetesës si i krishterë. Vetë Jezu Krishtit iu desh të përballonte ‘kundërshtime’ të tilla. (Hebrenjve 12:3) Edhe Jeremia u bë «objekt talljesh çdo ditë», për shkak se e thoshte me guxim mesazhin e Jehovait. Kaq ngulmuese ishin ngacmimet, sa Jeremia humbi përkohësisht nxitjen e tij. «Nuk do ta përmend më [Jehovain] dhe nuk do të flas më në emër të tij»,​—vendosi ai. Megjithatë, dashuria që kishte për Perëndinë dhe të vërtetën e nxitën më në fund të mposhtte frikën.​—Jeremia 20:7-9.

Ngjashëm, disa të rinj të krishterë sot janë ndier të shkurajuar. Të shqetësuar për të ndaluar talljet, disa janë përpjekur të fshehin faktin se janë të krishterë. Megjithatë, dashuria për Perëndinë, i nxit ata që përfundimisht të mposhtin frikën dhe ‘të lënë të shndritë drita e tyre’. (Mateu 5:16) Për shembull, një djalë tha: «Qëndrimi im ndryshoi. Nuk e konsideroja më si një barrë faktin që isha i krishterë, por si diçka për të cilën duhej të isha krenar.» Edhe ti mund ‘të mburresh’ për privilegjin se njeh Perëndinë dhe përdoresh prej tij për të ndihmuar të tjerët.​—1. Korintasve 1:31.

Megjithatë, mos ngjall armiqësi, duke kritikuar vazhdimisht të tjerët ose duke u dhënë të tjerëve përshtypjen se je superior! Nëse të jepet rasti për të folur për besimin tënd, fol, por me «butësi dhe respekt të thellë». (1. Pjetrit 3:15, BR) Reputacioni që mund të krijosh me sjelljen tënde të mirë, mund të jetë për ty mbrojtja më e madhe gjatë kohës që je në shkollë. Megjithëse të tjerët mund të mos e pëlqejnë qëndrimin tënd të guximshëm, ata shpesh do të të respektojnë me zili për këtë.

Një vajzë, Vanesën, e ngacmonte një grup vajzash, të cilat e goditnin, e shtynin, i hidhnin librat nga duart, të gjitha në përpjekje për të provokuar grindje. I hodhën madje një frape me kakao në kokë dhe mbi fustanin e bardhë. Megjithatë, ajo asnjëherë nuk reagoi ndaj provokimeve. Disa kohë më vonë, Vanesa takoi më të hedhurën e grupit në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait! «Të urreja, . . .​—i tha vajza që më parë kërkonte vetëm sherr me të.​—Doja të të shihja të humbje qetësinë vetëm një herë.» Megjithatë, kureshtja e saj për të ditur se si Vanesa e mbante gjakftohtësinë, e bëri që të pranonte një studim biblik me Dëshmitarët e Jehovait. «U dashurova pas asaj që mësova,​—vazhdonte ajo,​—dhe nesër do të pagëzohem.»

Prandaj, mos lejo që ‘kundërshtimet’ nga bashkëmoshatarët të të shkurajojnë! Kur është me vend, trego një ndjenjë humori! Ktheja të keqes me të mirë! Mos prano të ushqesh flakët e zënkave dhe me kohë ata që të bezdisin nuk do të gjejnë shumë kënaqësi të të bëjnë shënjestrën e talljeve, sepse «kur mungojnë drutë, zjarri shuhet».​—Proverbat 26:20.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Si i konsideron Perëndia ata që tallin pa mëshirë të tjerët?

□ Çfarë qëndron shpesh prapa ngacmimeve rinore?

□ Si mund t’i minimizosh dhe madje t’i ndalosh talljet?

□ Përse është e rëndësishme që në shkollë ‘të lësh dritën tënde të shndritë’ edhe kur të tjerët të tallin?

□ Çfarë hapash mund të bësh për t’u mbrojtur nga dhuna në shkollë?

[Diçitura në faqen 155]

Prapa kapadaillëkut, ndoshta ata që të bezdisin mund të thonë: «Nuk jemi të kënaqur me veten, por kur ngacmojmë ndonjë, ndihemi më mirë»

[Kutia në faqen 152]

Si mund t’i shmang rrahjet?

«Po shkove në shkollë, vër jetën në dorë!» Kështu thonë shumë nxënës. Megjithatë, të mbash armë është budallallëk dhe krijon shqetësim. (Proverbat 11:27) Në ç’mënyrë atëherë mund të mbrohesh?

Përcakto dhe shmang vendet e rrezikshme! Korridoret, kryeshkallët dhe dhomat e kyçura, janë vende vërtet të rrezikshme në disa shkolla. Ndërsa banjat janë kaq të njohura si vende ku mblidhen për t’u kacafytur dhe droguar, sa shumë të rinj më mirë do të duronin, sesa të shkonin.

Kujdes nga shoqëritë! Shpesh një i ri gjendet në mes të një sherri, vetëm sepse shoqërohet me njerëz që s’duhet. (Shiko Proverbat 22:24, 25.) Pa dyshim që duke u qëndruar ftohtë shokëve të shkollës, mund t’i largosh ose t’i bësh të mbajnë një qëndrim armiqësor ndaj teje. Po të jesh miqësor dhe i sjellshëm, ata mund të jenë më të prirë të të lënë të qetë.

Qëndro larg sherrit! Mos «sfido të tjerët për të provuar forcën»! (Galatasve 5:26, shënimi, BR) Edhe nëse del fitimtar në një zënkë, kundërshtari mund të presë vetëm momentin e përshtatshëm për shpagim. Prandaj, në fillim përpiqu të arsyetosh me tjetrin për të shmangur grindjen. (Proverbat 15:1) Po qe se arsyetimi nuk bën punë, ec ose edhe largohu me vrap nga një përleshje e dhunshme! Mos harro, «një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur». (Eklisiastiu 9:4) Si zgjidhje të fundit, zër çfarëdo mjeti të arsyeshëm që mund të të nevojitet për t’u mbrojtur!​—Romakëve 12:18.

Thuaju prindërve! Të rinjtë «rrallëherë ua tregojnë prindërve tmerret që përjetojnë në shkollë, nga frika se mos prindërit mendojnë se janë frikacakë ose i qortojnë përse s’u bien kokës këtyre sherrxhinjve». (The Loneliness of Children) Megjithatë, shpesh, ndërhyrja e prindërve mund të jetë mënyra e vetme për t’i dhënë fund problemit.

Lutju Perëndisë! Perëndia nuk siguron se do të të kursehen dhimbjet fizike. Megjithatë, ai mund të të japë guxim për të përballuar egërsinë dhe mençurinë e nevojshme për të qetësuar situatën.​—Jakovit 1:5.

[Figura në faqen 151]

Shumë të rinj janë pre e ngacmimeve të bashkëmoshatarëve

[Figura në faqen 154]

Tallësi dëfrehet me shqetësimin tënd. T’ia kthesh pesë për pesë ose të shpërthesh në lot, mund ta nxisësh të të ngacmojë më shumë

[Figura në faqen 156]

Kur të tallin, përpiqu të shfaqësh një ndjenjë humori