Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund të gjej (dhe të ruaj) një vend pune?

Si mund të gjej (dhe të ruaj) një vend pune?

Kapitulli 21

Si mund të gjej (dhe të ruaj) një vend pune?

NJË anketë e botuar në një revistë (Senior Scholastic), u kërkoi disa nxënësve të kursit të fundit të shkollës së mesme të radhisnin cilat synime në jetë i konsideronin «shumë të rëndësishme». Tetëdhjetë e katër për qind e tyre u përgjigj: «Gjetja e një pune të qëndrueshme.»

Ndoshta, edhe ti kërkon të punosh pas orarit të shkollës, për të kontribuar në mirëmbajtjen e familjes apo për të mbuluar shpenzimet e tua personale. Ndoshta kërkon një punë gjysmëditore, për t’i krijuar vetes mundësinë të shërbesh si ungjilltar në kohë të plotë. (Shiko kapitullin 22.) Sidoqoftë, nëse je akoma i ri, inflacioni mbarëbotëror dhe kërkesat e kufizuara për punëtorë të paspecializuar, e kanë bërë të vështirë për ty gjetjen e vendeve të punës. Në ç’mënyrë, atëherë, mund të hysh me lehtësi në tregun e punës?

Shkolla të përgatit për punë

Kleveland Xhons, që punon në një zyrë punësimi, i cili ka shumë vite përvojë mbi shpatulla, jep këtë këshillë: «Merr një arsimim të mirë në shkollë! Nuk gjej fjalë për të theksuar aq sa duhet rëndësinë e mësimit të leximit, shkrimit dhe të të shprehurit të saktë. Mëso të sillesh në mënyrë sa më të kulturuar, për të ditur si të sillesh me njerëzit në sferën e punës.»

Një shofer autobusi duhet të jetë i aftë të lexojë tabelën e nisjes dhe të mbërritjes së autobusit. Punëtorët e fabrikës duhet të dinë si të plotësojnë borderotë apo raporte të ngjashme. Nga shitësit pritet të dinë të bëjnë llogaritë. Gati në çdo lloj pune, nevojiten aftësitë e komunikimit dhe këto aftësi fitohen në shkollë.

Këmbëngulja sjell fryt

«Nëse ke mbaruar shkollën dhe kërkon një punë, asnjëherë mos u dorëzo,​—thotë Xhonsi.​—Mos bëj dy apo tri kërkesa e më pas të kthehesh në shtëpi, të ulesh e të presësh duarkryq. Në këtë mënyrë s’ka për të ndodhur kurrë që të të thërrasin për punë.» Një djalë me emrin Edi kërkoi shtatë muaj me radhë para se të gjente një punë. «I thosha vetes: ‘Puna ime, është të gjej punë.’​—shpjegon Edi.​—Për shtatë muaj të tërë, kaloja tetë orë çdo ditë të javës duke kërkuar punë. Më duhej të çohesha herët çdo mëngjes dhe ‘të punoja’ deri në katër pasdite. Gjatë mbrëmjeve, shumë herë i kisha këmbët plagë. Mëngjesin tjetër, ‘duhej ta merrja veten me shqelma’, për të filluar përsëri kërkimin.»

Ç’gjë nuk e la Edin të dorëzohej? «Çdo herë që isha në një zyrë personeli,​—përgjigjet ai,​—kujtoja atë që ka thënë Jezui: ‘Përpiquni fuqimisht!’ Mendoja se një ditë do të punoja dhe se kjo kohë e vështirë do të kalonte.»​—Luka 13:24, BR.

Ku të gjejmë punë?

Nëse jeton në një zonë fshatare, mund të fillosh kërkimin e punës në fermat dhe pemëtaritë lokale ose mund të kërkosh ndonjë lloj pune si kopshtar. Nëse jeton në një qendër të madhe ose qytet, përpiqu të kërkosh oferta për punë në faqet e gazetave. Aty të jepet një ide e kërkesave të nevojshme për një lloj pune dhe mund të të ndihmojë t’i shpjegosh punëdhënësit përse mund t’i plotësosh këto kërkesa. Prindërit, mësuesit, agjensitë e punësimit, personeli i zyrave, miqtë dhe fqinjët janë një burim tjetër të cilëve mund t’u drejtohesh.

Mbajtja e punës

Mjerisht, kur presionet ekonomike krijojnë papunësi, të parët që dalin në rrugë zakonisht janë të rinjtë e punësuar. Megjithatë, s’ka pse të të ndodhë edhe ty. «Njerëzit që e ruajnë vendin e punës, janë ata që janë të zellshëm në punë dhe që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka që u kërkon shefi»,​—thotë Xhons.

Qëndrimi yt është pasqyra e gjendjes sate mendore: si ndihesh për punën, për punëdhënësin dhe kolegët në punë. Qëndrimi yt do të pasqyrohet në cilësinë e punës që bën. Punëdhënësi nuk do të të vlerësojë vetëm në bazë të punës së kryer, por edhe në bazë të qëndrimit tënd.

«Jepi mundësi shefit për të kuptuar se jo vetëm mund të ndjekësh udhëzimet, por mund të bësh më shumë nga sa të kërkohet pa mbikëqyrje të vazhdueshme,​—vazhdon Xhonsi,​—sepse në tregun e ngjeshur të punës, punëtorët që qëndrojnë nuk janë medoemos ata që kanë pasur kohën më të gjatë në punë, por ata që kanë rendiment.»

Këtë kuptoi edhe Edi. Ai thotë: «Gjithmonë përpiqesha ta kënaqja shefin. Isha gati të modifikoja programin tim kur ishte e nevojshme, të ndiqja udhëzimet dhe të tregohesha i respektueshëm kundrejt kontrollorëve.» Kjo të sjell ndër mend këshillën e Biblës «për t’iu bindur pronarëve njerëzorë, jo me mendimin për t’u rënë në sy apo për të marrë favor, por si një shprehje e sinqertë e devotshmërisë ndaj Zotërisë».​—Kolosianëve 3:22, Phillips.

Mposht frikën!

Nëse je i ri në punë, frika është një ndjenjë e zakonshme gjatë ditëve të para. Ndoshta pyet veten: «A do të më pëlqejnë? A mund ta bëj punën? A do të ma pëlqejnë punën? Shpresoj të mos u dukem si budalla!» Këtu duhet të kesh kujdes ose përndryshe frika do ta cimbisë pikëpamjen tënde pozitive.

Mund të rregullohesh më shpejt dhe të qetësosh nervat, duke mësuar më shumë për firmën. Shiko, dëgjo dhe lexo! Në kohën e përshtatshme, bëji shefit pyetje të arsyeshme për punën dhe mënyrën se si duhet ta kryesh. Kjo gjë nuk të tregon si budalla. Pyet veten: «Si lidhet puna ime me repartin dhe me objektivin e firmës në përgjithësi?» Përgjigjet mund të të ndihmojnë të zhvillosh zakone të mira pune dhe të gjesh kënaqësi në punë.

Mbaj lidhje të mira me kolegët!

Në çdo punë, herët a vonë do të krijosh lidhje me të tjerët. Të dish si të mbash marrëdhënie të mira me të tjerët, është një gjë thelbësore për të ruajtur një vend pune. «Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.» (Romakëve 12:18) Kjo gjë do të të ndihmojë të shmangësh grindjet e kota dhe mosmarrëveshjet e zjarrta në punë.

Nganjëherë, njerëzit me të cilët jeton, kanë mjedise dhe personalitete krejt të ndryshme nga ti. Por mos mendo se dikush është inferior, ngaqë është i ndryshëm. Respektoje të drejtën e tij për të qenë i ndryshëm. Asnjeri nuk dëshiron të trajtohet pa respekt; kjo gjë e bën atë të ndihet sikur s’është askush. Çdokush dëshiron të ndiejë se të tjerët e duan dhe është i nevojshëm, se është dikushi. Fito respektin e kolegëve dhe të punëdhënësit, duke i trajtuar me respekt.

Largohu nga thashethemet!

«Është një grackë e keqe,​—thotë Edi,​—sepse thashethemet të krijojnë një përshtypje të keqe për pronarin dhe të tjerët.» Fjalët që kalojnë nga një gojë në tjetrën, nuk janë burimi më i mirë i informacionit dhe në fund fare mund të ta lënë gojën të thartë. Thashethemet zakonisht janë ekzagjerime trashanike që mund të dëmtojnë reputacionin e të tjerëve, si edhe tëndin. Prandaj, frenoje shtytjen për t’u marrë me thashetheme!

Mos harro, gjithashtu, se askush nuk e pëlqen atë që ankohet. Nëse ka diçka që të shqetëson në punë, mos nxirr fjalë andej-këndej! Shko e fol me shefin e repartit! Gjithashtu, mos u fut me forcë e me zemërim të zjarrtë në zyrën e tij dhe më vonë të të vijë keq për fjalët e paarsyeshme! Përveç kësaj, kujdes grackën e sulmeve personale! Përmbaju fakteve! Kur përshkruan problemin, ji sa më i qartë dhe i ndershëm! Ndoshta mund të fillosh duke thënë: «Më nevojitet ndihma juaj . . . » Ose: «Ndoshta e kam gabim, por mendoj kështu për . . . »

Rëndësia e përpikmërisë

Dy arsye të mëdha për të cilat njerëzit nuk arrijnë të mbajnë vendin e punës, janë vonesat dhe mungesat në punë. Një ekspert në fushën e punësimit dhe të formimit profesional në një qytet të madh industrial thotë kështu për punëtorët e rinj: «Duhet të mësojnë të ngrihen herët në mëngjes dhe të ndjekin rregullat. Po nuk i mësuan asnjëherë këto gjëra, sindroma e papunësisë bëhet e përhershme.»

Edi e mësoi përpikmërinë duke e pësuar. «Pas tre muajsh, e humba vendin e parë të punës, vetëm për shkak të vonesës,​—psherëtin ai,​—dhe kjo gjë ma vështirësoi gjetjen e një pune tjetër.»

Vlera e ndershmërisë

Xhons, i cili merret me sigurimin e punësimit, thotë: «Ndershmëria e ndihmon një person të ruajë vendin e punës.» Të jesh i ndershëm nuk do të thotë vetëm të mos vjedhësh gjërat materiale, por edhe të mos vjedhësh kohën, duke bërë ndërprerje të tepërta. Punëtori i ndershëm çmohet dhe besohet. Le të marrim rastin e një të riu Dëshmitar të Jehovait, i cili punonte në një dyqan luksoz veshjesh dhe kishte krijuar një reputacion si i ndershëm.

«Një ditë,​—kujton ai,​—drejtori gjeti një artikull të fshehur në magazinë mes rrobave të tjera. Një prej punëtorëve vidhte nga dyqani. Në kohën e mbylljes, u ngjita sipër në zyrën e drejtorit dhe për habinë time atje ishin të gjithë punëtorët. Ishin thirrur të gjithë për t’u kontrolluar. Unë isha i vetmi punëtor që bëja përjashtim.»

Shumë të rinj të krishterë kanë pasur përvoja të ngjashme dhe janë bërë punëtorë të çmuar. Prandaj, përpiqu me të gjitha forcat për të gjetur një punë! Ji këmbëngulës! Mos u dorëzo! Pasi ta kesh gjetur vendin e punës që e ke kërkuar kaq shumë, puno me të gjitha forcat për ta mbajtur!

Pyetje për t’u trajtuar

□ Si mund të ndikojë ajo që ke mësuar në shkollë mbi mundësinë për të gjetur punë?

□ Përse duhet të jesh këmbëngulës kur kërkon një vend pune?

□ Ku mund të kërkosh dhe me cilët mund të këshillohesh kur kërkon një punë?

□ Cilat janë disa këshilla për të kërkuar një punë?

□ Ç’mund të bësh për të mos humbur vendin e punës?

[Diçitura në faqen 166]

«Nuk gjej fjalë për të theksuar aq sa duhet rëndësinë e mësimit të leximit, shkrimit dhe të të shprehurit të saktë»

[Diçitura në faqen 170]

«I thosha vetes: ‘Puna ime është të gjej punë’»

[Kutia dhe figura në faqet 168, 169]

Si të kërkosh një punë?

«Para se të paraqitesh para një punëdhënësi, mos harro se përshtypja e parë është ajo që vlen»,​—vëren Kleveland Xhons, këshilltar për çështjen e punësimit. Kur bën një kërkesë për punë, ai këshillon të mos vishen xhinse e atlete dhe thekson nevojën për të qenë i pastër dhe i rregullt. Punëdhënësit shpesh mendojnë se mënyra në të cilën një person vishet, tregon se si do të punojë.

Kur bën kërkesë për punë zyre, vishu si njeri biznesi! Kur kërkon punë në fabrikë, vish pantallona jo shumë të ngushta, këmishë të larë e të hekurosur dhe këpucë të pastra! Nëse je femër, vishu me modesti dhe përdor pak tualet! Nëse kërkon punë në zyrë, vish çorape dhe këpucë të përshtatshme për të plotësuar një veshje klasike!

Gjithmonë shko vetëm për të bërë një kërkesë për vend pune, sipas këshillës së Xhonsit. Nëse merr me vete nënën apo shokët, punëdhënësi mund të mendojë se je i papjekur.

«Ta zëmë se punëdhënësi më pyet nëse kam përvojë të mëparshme pune, si t’i përgjigjem?»​—mund të pyesësh. Mos bëj hile! Shpesh, punëdhënësit e kuptojnë kur teprohet. Ji i ndershëm!

Ndoshta s’e kupton, por mund të kesh pasur përvojë të mëparshme pune, edhe pse po paraqet për herë të parë kërkesën për punë «të vërtetë». A ke punuar ndonjëherë gjatë verës? A ke punuar ndonjëherë si dado? A ke një detyrë të rregullt në punët e familjes? A ke pasur përgjegjësinë për t’u kujdesur për disa detyra në vendin tënd të adhurimit? A je stërvitur ndonjëherë si orator publik? Nëse po, këto gjëra mund të përmenden në kërkesë ose të radhiten në përmbledhje, për të treguar se mund ta marrësh përsipër përgjegjësinë.

Një gjë tjetër e rëndësishme që punëdhënësit e kanë shumë për zemër është fakti se sa i interesuar je për firmën dhe për punën që të ofrohet. Ti duhet t’i bindësh se dëshiron ta bësh punën dhe mund ta bësh. Qëndrimi «çfarë oferte më bëni» e kthen menjëherë vëmendjen e punëdhënësit kundër teje.

Të bësh kërkesën për një punë të plotë apo gjysmëditore, është një sfidë që mund ta përballosh me sukses. Gjithashtu, kur puna përdoret si mjet për të ndihmuar jo vetëm veten, por edhe të tjerët, do të gjesh më shumë kënaqësi.

[Kutia në faqen 171]

Si të sillesh kur kërkon një vend pune?

Tregohu i pjekur, serioz! Përshëndete punëdhënësin me respek! Thirre «zoti . . .» dhe jo në emër!

Ulu drejt në karrige dhe me këmbë të mbështetura në tokë. Tregoje veten të zgjuar! Përgatitja që më përpara do të të ndihmojë të jesh i qetë, i vetëpërmbajtur dhe të ndihesh rehat.

Mendohu përpara se t’i përgjigjesh një pyetjeje! Ji i sjellshëm, i saktë, i ndershëm dhe i sinqertë! Jep informacione të plota! Mos u mburr!

Mbaj një listë me vete, ku të radhitësh të gjitha datat e punës, pagat, llojet e punës që ke bërë dhe arsyet përse i ke lënë.

Ji i gatshëm të tregosh se si stërvitja dhe përvoja në punë do të të ndihmojnë të çosh përpara punën për të cilën të kanë thirrur.

Për referime, jep emrat (dhe adresat e plota) të tre njerëzve të besueshëm, që të njohin ty dhe punën tënde.

Tregohu i besueshëm, entuziast, por mos bëj hile! Përdor një gjuhë të bukur dhe fol qartë! Mos fol shumë!

Dëgjo me kujdes, tregohu i sjellshëm dhe me takt! Para së gjithash, mos hyr në diskutim me punëdhënësin tënd të ardhshëm!

Punëdhënësit i intereson të shohë vetëm se sa i përshtatshëm je për punën. Mos përmend probleme personale, familjare apo paraje!

Nëse duket se nuk do ta fitosh vendin e punës, kërko këshillën e punëdhënësit për një punë tjetër që mund të jetë në dispozicion në firmë.

Dërgoji punëdhënësit një letër të shkurtër falënderimi, menjëherë pas kërkesës. *

[Shënimi]

^ par. 65 Burimi: Broshura How to “Sell Yourself” to an Employer e zyrës së punësimit të shtetit të Nju Jorkut.

[Figurat në faqen 167]

Ajo që mëson në shkollë, një ditë mund të jetë e dobishme në punë