Si mund të shkoj mirë me mësuesin?
Kapitulli 20
Si mund të shkoj mirë me mësuesin?
«S’E DUROJ dot mësuesin e padrejtë»,—thotë një vajzë me emrin Migena. Pa dyshim që edhe ti mendon po kështu. Megjithatë, gjatë një ankete me 160.000 të rinj amerikanë në 1981-shin, 76 për qind e tyre i akuzonte mësuesit për ndonjë lloj hatërllëku.
Të rinjtë çakërdisen fare kur marrin nota të dobëta, për atë që ata mendojnë se është një detyrë e bërë mirë. Ata zemërohen, kur disiplina u duket e tepërt, e pamerituar ose e nxitur nga paragjykime raciale. I zë inati kur nxënësve të përkëdhelur të mësuesit u kushtohet vëmendje e veçantë ose mbahen me hatër.
Sigurisht që mësuesit nuk janë të pagabueshëm. Edhe ata kanë manitë, problemet, po, madje edhe paragjykimet e tyre. Megjithatë, Bibla këshillon: «Mos u nxito në frymën tënde të zemërohesh.» (Eklisiastiu 7:9) Edhe mësuesit ‘gabojnë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur dhe është gjithashtu i aftë t’i vërë fre gjithë trupit’. (Jakovit 3:2) A s’është më mirë të mos dyshosh tek mësuesi pa pasur prova?
Një djalë me emrin Fredi, vërejti se mësuesi «kapej me të gjithë». Fredi iu afrua mësuesit me takt dhe kuptoi shkakun e qëndrimit të tij të zymtë. «Më doli një problem me makinën sot në mëngjes,—shpjegoi mësuesi.—M’u nxeh shumë motori rrugës për në shkollë dhe erdha me vonesë në punë.»
Mësuesit dhe të përkëdhelurit e tyre
Po për favoret e veçanta që u bëhen të përkëdhelurve të mësuesve, ç’mund të themi? Mundohu të sjellësh ndër mend se mësuesi përballon kërkesa dhe presione të jashtëzakonshme! Një libër i përshkruan mësuesit si ata që përballojnë një «situatë vërtet të vështirë», ku ata duhet të përpiqen të tërheqin vëmendjen e një grupi nxënësish «mendja e të cilëve zakonisht është gjetkë . . . Ata kanë para syve një grup adoleshentësh të prapë e të shpërqendruar, që zakonisht nuk janë mësuar të përqendrohen mbi një gjë për më shumë se 15 minuta».—Being Adolescent.
A ka ndonjë gjë për t’u habitur atëherë, nëse mësuesi kujdeset në mënyrë më të veçantë për një nxënës që mëson, që e ka mendjen në mësim apo që e trajton atë me respekt? Kur sheh se «servilëve» u kushtohet më shumë vëmendje sesa ty, të vjen të plasësh vërtet. Por, pse atëherë të inatosesh apo të jesh xheloz nëse një nxënës i zellshëm është i përkëdheluri i mësuesit, deri në atë pikë sa nuk lihen pas dore nevojat e tua arsimore? Përveç kësaj, do të ishte një ide e mirë që ti vetë të ishe pak më i zellshëm.
Luftë në klasë
Duke folur për mësuesin e tij, një nxënës tha: «Ishte i bindur se të gjithë i kishim shpallur luftë dhe ishte i vendosur të na sulmonte ai i pari. Ishte vërtet njeri i mërzitshëm.» Shumë mësues mendojnë se kanë të drejtë të jenë pak ‘të mërzitshëm’. Ashtu siç ka parathënë Bibla, këto janë «kohë kritike për t’u trajtuar» dhe nxënësit në të shumtën e rasteve janë «pa vetëkontroll, të ashpër, pa dashuri për të mirën». (2. Timoteut 3:1-3, BR) Kështu, një revistë ka thënë: «Mësuesit në shumë shkolla të lagjeve të qytetit, jetojnë me frikën e dhunës.»—U.S.News & World Report.
Ish-mësuesi, Roland Bets, shprehet kështu për mësuesit: «Fëmijët e konsiderojnë si detyrën e tyre . . . [në mënyrë figurative] t’i acarojnë, t’i ngacmojnë dhe t’u provojnë durimin, para se t’u japin fund . . . Kur fëmijët kuptojnë se e kanë ngacmuar mësuesin deri aty ku s’mban më, vazhdojnë edhe pak akoma.» Ti vetë apo shokët e tu të klasës, a keni ngacmuar ndonjë mësues? Atëherë, s’ke pse habitesh nga reagimi i mësuesit.
Bibla thotë: «Shtypja e bën të pamend njeriun e urtë.» (Eklisiastiu 7:7) Në atmosferën e frikës dhe të mungesës së respektit që mbizotëron në disa shkolla, është e kuptueshme se disa mësues e teprojnë, duke ushtruar një disiplinë të rreptë. Një libër vëren: «Nxënësit që . . . me qëndrimin e tyre tregojnë se i nënvlerësojnë bindjet e mësuesve, zakonisht më pas nënvlerësohen edhe ata.» (The Family Handbook of Adolescence) Po, shpesh vetë nxënësit i bëjnë mësuesit të jenë armiqësorë ndaj tyre.
Ki parasysh, gjithashtu, edhe ndikimin e shakave të pamëshirshme që bëhen në klasë. Një vajzë e re me emrin Valentina, nuk e tepron kur flet për «vuajtjet, torturat», që të rinjtë u bëjnë mësuesve zëvendësues. Roland Bets shton: «Mësuesit zëvendësues persekutohen pa mëshirë nga klasat e tyre, shpesh deri në atë pikë sa u krijojnë stërlodhje mendore dhe këputje.» Të sigurt se mund të dalin pa u lagur, nxënësit kënaqen kur bëjnë sulme të befasishme hutuese, duke hedhur librat dhe lapsat në tokë të gjithë përnjëherësh. Ose përpiqen ta bëjnë mësuesin të humbë durimin «duke luajtur rolin e budallait» dhe duke bërë sikur nuk kuptojnë një fjalë që ai thotë. «Ne sabotojmë për t’u zbavitur»,—thotë një djalë me emrin Dori.
Sidoqoftë, nëse mbjell egërsi në klasë, mos të të vijë çudi nëse korr qëndrimin e rreptë e armiqësor të mësuesit. (Krahaso Galatasve 6:7.) Mbaj në mend rregullën e artë: «Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12) Mos prano të bashkohesh me ata që bëjnë shaka në klasë! Kushtoji vëmendje asaj që thotë mësuesi! Bashkëpuno! Ndoshta, me kalimin e kohës ai do të jetë më pak armiqësor, të paktën ndaj teje.
«Mësuesi nuk më ka me sy të mirë»
Nganjëherë, një përplasje personalitetesh apo ndonjë lloj keqkuptimi e kthen mësuesin kundër teje. Kureshtja ngatërrohet me rebelimin dhe një fije kapriço me budallallëkun. Kur një mësues nuk të ka me sy të mirë, ai është i prirë të të vërë në pozitë të vështirë apo të të poshtërojë. Mund të rritet urrejtja reciproke.
Bibla thotë: «Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe. . . . Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.» (Romakëve 12:17, 18) Përpiqu të mos armiqësohesh me mësuesin! Shmang përplasjet e kota! Mos i jep mësuesit arsye të drejta për t’u ankuar, por përpiqu të jesh miqësor! «Miqësor me atë?»—mund të thuash. Po, tregohu se je me edukatë, duke e përshëndetur mësuesin me respekt kur hyn në klasë! Mirësjellja jote e vazhdueshme, madje një buzëqeshje herë pas here, mund të ndryshojë mendimin që ka për ty.—Krahaso Romakëve 12:20, 21.
Është e vërtetë se nuk mund të dalësh nga një situatë gjithmonë me një buzëqeshje. Eklisiastiu 10:4 këshillon: «Në qoftë se zemërimi i një mbreti [apo një personi me autoritet] ndizet kundër teje [duke të ndëshkuar rëndë], mos e lër vendin tënd, sepse gjakftohtësia i fashit fyerjet edhe kur janë të rënda.» Mos harro, gjithashtu, se «përgjigjja e ëmbël e fashit zemërimin»!—Proverbat 15:1.
«Meritoja një notë më të mirë»
Ky është një ankim i zakonshëm. Përpiqu të diskutosh për këtë gjë me mësuesin! Bibla tregon se si Natani përballoi detyrën e vështirë për të zbuluar një shkelje të rëndë të mbretit David. Natani nuk u lëshua si rrufe në pallat, duke bërë akuza, por iu afrua Davidit me takt.—2. Samuelit 12:1-7.
Ngjashëm, edhe ti mund t’i afrohesh mësuesit me përulësi dhe qetësi. Brus Ueber, i cili më parë ka punuar si mësues, na kujton: «Kundërshtimi i një nxënësi e bën mësuesin kokëfortë. Nëse bërtet, shfren, thotë se i është bërë padrejtësi dhe betohet se do të hakmerret, s’do të fitojë asgjë.» Përpiqu të afrohesh si një i rritur! Ndoshta mund të fillosh duke i kërkuar mësuesit të të ndihmojë të kuptosh kriterin që ai ndjek kur vë notat. Më pas, sipas Ueberit, mund «të përpiqesh ta tregosh veten si viktimë e një pakujdesie apo llogaritjeje të gabuar dhe jo viktimë e një gjykimi të gabuar. Përdor kriterin e mësuesit! Tregoji se ku qëndron gabimi në notën që të ka vënë»! Edhe nëse nuk ndryshon nota, pjekuria jote ndoshta do të lërë një përshtypje pozitive tek mësuesi.
Vër në dijeni prindërit!
Por, nganjëherë është e kotë të flasësh. Le të marrim rastin e Suzanës. Gjithmonë kishte qenë nxënëse e mirë, prandaj edhe mbeti e shtangur, kur një mësuese filloi t’i vinte nota të ulëta. Cili ishte problemi? Suzana ishte Dëshmitare e Jehovait dhe mësuesja faktikisht pranoi se ky ishte shkaku që e kishte marrë inat. «Qe vërtet shkurajuese dhe s’dija ç’të bëja»,—thotë Suzana.
Suzana sjell ndër mend: «Mora kurajë dhe i fola nënës [një prind i vetëm] për këtë mësuese. Ajo tha: ‘Mirë, ndoshta do të flas me mësuesen tënde.’ Ditën e takimit me prindër, ajo shkoi dhe e pyeti mësuesen ku qëndronte problemi. Mendoja se nëna do të nevrikosej, por në të vërtetë jo. Ajo vetëm foli me të me qetësi.» Mësuesja mori masat që Suzana të kishte një mësuese tjetër.
Duhet pranuar se jo të gjitha çështjet e ngatërruara përfundojnë këndshëm dhe ndonjëherë të mbetet vetëm të durosh. Nëse mund të bashkëjetosh në paqe me mësuesin gjatë vitit shkollor, do të ketë gjithmonë një vit të ardhshëm për të rifilluar gjithçka nga e para, ndoshta me shokë të tjerë klase dhe madje edhe me një mësues të ri me të cilin mund të mësosh të shkosh mirë.
Pyetje për t’u trajtuar
□ Si mund ta konsiderosh një mësues që të trajton padrejtësisht?
□ Përse mësuesit shpesh e hedhin gjithë vëmendjen tek të ashtuquajturit të përkëdhelur?
□ Në ç’mënyrë mund të mësosh nga një mësues që të duket i mërzitshëm?
□ Përse disa mësues duket se janë armiqësorë kundrejt nxënësve të tyre?
□ Si mund ta zbatosh rregullën e artë në klasë?
□ Çfarë mund të bësh nëse ke rënë viktimë e një trajtimi apo note të padrejtë?
[Diçitura në faqen 158]
Kujdesi që u kushtohet të përkëdhelurve të mësuesve, shpesh ngjall zemërim
[Diçitura në faqen 163]
«Mësuesit në shumë shkolla të lagjeve të qytetit, jetojnë me frikën e dhunës.»—U.S.News & World Report
[Kutia dhe figura në faqet 160, 161]
«Mësuesi im është i mërzitshëm!»
Një libër thotë: «Disa anketa nxjerrin në pah se shumica e nxënësve adoleshentë tregojnë një frymë kritike ndaj mësuesve, duke u ankuar se janë të mërzitshëm ose u mungon humori.» (The Family Handbook of Adolescence) Herët a vonë, edhe ti mund të kesh një mësues që të mërzit «sa s’ka më». Çfarë mund të bësh?
Një eksperiment i kohëve të fundit, zbulonte se niveli i përqendrimit të një adoleshenti mund të jetë gati i lartë gjatë orëve të arsimimit teknik, edukimit fizik dhe muzikës, ndërsa gjatë orëve të gjuhës dhe historisë bie në mënyrë të konsiderueshme.
Mos vallë mësuesit e edukimit fizik apo të muzikës janë më të talentuar se mësuesit e lëndëve akademike? Sigurisht që jo! Siç duket, shumë nxënës kanë një qëndrim negativ vetëm kundrejt lëndëve akademike. Kur nxënësit vendosin që më përpara se një lëndë është e mërzitshme, edhe një mësues i talentuar si Sokrati do ta kishte të vështirë ta mbante vëmendjen e tyre të përqendruar. Prandaj, a duhet ndryshuar qëndrimi yt lidhur me disa lëndë? Duke treguar më shumë interes për atë që mëson, shkolla nuk do të jetë më edhe aq e mërzitshme.
Nganjëherë, edhe nxënësit që kanë dëshirë për të mësuar, ankohen se kanë mësues «të këqij». Por, çfarë është saktësisht një mësues «i mirë»? Një vajzë e re thoshte: «Më pëlqen mësuesja e matematikës, sepse është shumë shakaxhie.» Një djalë e lëvdonte mësuesin e tij të anglishtes, sepse «tregonte shumë barceleta».
Megjithatë, ndërkohë që një mësues mund të ketë dhunti si simpatik dhe zbavitës, ato nuk zëvendësojnë aftësinë për të qenë ‘i aftë të mësojë edhe të tjerë’. (2. Timoteut 2:2) Megjithëse Bibla këtu i referohet kualifikimit frymor, ajo thekson faktin se një mësues i mirë duhet ta njohë mirë lëndën e tij.
Mjerisht, njohuria dhe personaliteti i këndshëm, nuk shkojnë gjithmonë bashkë. Apostulli Pavël, për shembull, ishte i kualifikuar sa më s’bëhet si mësues i Fjalës së Perëndisë. Megjithatë, disa të krishterë në ditët e Pavlit u ankuan se «prania e tij si person [ishte] e dobët dhe të folurit e tij i përbuzshëm». Pavli u përgjigj: «Edhe nëse jam i paaftë në të folur, sigurisht që nuk jam në njohuri.» (2. Korintasve 10:10; 11:6, BR) Nëse disa nuk i kushtonin vëmendje asaj që Pavli duhej të thoshte dhe shihnin vetëm mangësitë e tij të supozuara si orator, ata humbnin marrjen e njohurisë së çmuar. Mos bëj të njëjtin gabim, kur vjen puna për shkollën! Përpara se ta gjykosh një mësues si «të keq», pyet veten: «A e di atë që thotë? A mund të mësoj diçka prej tij?»
Ndoshta, mësuesit që është orator i dobët, duhet t’i kushtosh më shumë se vëmendjen e zakonshme. Përpiqu të marrësh shënime, në mënyrë që ta mbash vëmendjen të përqendruar në atë që ai thotë! Plotësoje trajtimin e mërzitshëm në klasë me studim të mëtejshëm në shtëpi!
Një mësuese, Barbara Majer, shton: «Mësuesit që ndoshta i kanë përsëritur të njëjtat mësime shumë herë, priren të bien në rutinë.» Çfarë mund të bësh për ta bërë më të gjallë? «Për të ndryshuar atmosferën, ngri dorën dhe kërko më shumë informacion . . . Bëje atë që të të tregojë gjithçka di.» A do të fyhet mësuesi nga kjo? Jo, nëse i drejtohesh me respekt. (Kolosianëve 4:6) Majer thotë: «Do të kuptosh se mësuesi do të vijë në klasë pak më i përgatitur dhe jo vetëm me një informacion të sipërfaqshëm.»
Entuziazmi është ngjitës dhe dëshira jote për të mësuar mund t’i japë pak jetë mësuesit. Pa dyshim, mos prit ndonjë ndryshim drastik! Gjithashtu, mund të ketë disa orë ku s’mbetet gjë tjetër për t’u bërë, veçse të durosh vuajtjen. Por, nëse dëgjon me vëmendje dhe interesohesh sinqerisht për atë që zhvillohet në klasë, mund të përfitosh njëlloj edhe nga një mësues i mërzitshëm.
[Figura në faqen 162]
Vala në rritje e dhunës në shkollë e ka bërë të vështirë punën e mësuesit
[Figura në faqen 164]
Nëse mendon se të është bërë ndonjë padrejtësi, afroju mësuesit me respekt