Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund t’i përmirësoj notat?

Si mund t’i përmirësoj notat?

Kapitulli 18

Si mund t’i përmirësoj notat?

DISA nxënësve të shkollës fillore iu bë pyetja: «Ç’gjë ju shqetëson më shumë?» 51 për qind e tyre u përgjigj: «Notat.»

S’është për t’u habitur që notat në shkollë janë një burim i madh ankthi mes të rinjve. Notat mund të nënkuptojnë ndryshimin ndërmjet kalimit të klasës dhe mbetjes në klasë, ndërmjet gjetjes së një pune me pagë të mirë dhe asaj me një pagë minimale, ndërmjet lavdërimit nga prindërit dhe shkaktimit të zemërimit të tyre. Duhet pranuar se notat dhe provimet kanë vendin e tyre. Edhe Jezu Krishti shpesh provoi kuptueshmërinë e dishepujve të tij në disa çështje. (Luka 9:18) Një libër thotë kështu: «Rezultatet e provimeve mund të zbulojnë pikat e forta dhe të dobëta tek secili nxënës dhe veprojnë si nxitje për studim në të ardhmen.» (Measurement and Evaluation in the Schools) Gjithashtu, notat që merr shërbejnë për t’u dhënë një ide prindërve se si po shkon në shkollë, mirë apo keq.

Gjej ekuilibrin!

Megjithatë, shqetësimi i tepërt për notat mund të krijojë një stres paralizues dhe të ndezë konkurrencën e ashpër. Një libër shkollor mbi adoleshencën, vëren se në mënyrë të veçantë nxënësit që kanë si synim universitetin «përfshihen në një vorbull konkurruese që thekson notat dhe radhën në klasë më shumë sesa mësimin». Si rezultat, duke cituar fjalët e dr. Uilliam Glaser, nxënësit «mësojnë shpejt në shkollë të pyesin se çfarë do t’u bjerë në provim dhe . . . studiojnë vetëm atë material».

Mbreti Solomon ka thënë: «Pashë gjithashtu që çdo mund dhe çdo sukses në punë ngjallin smirën e njërit kundër tjetrit. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.» (Eklisiastiu 4:4) Konkurrenca e ashpër, qoftë për pasuri materiale apo për tituj akademikë, është e kotë. Të rinjtë me frikë Perëndie e shohin të nevojshme t’i bien prapa shkollës. Megjithatë, ata nuk e bëjnë arsimimin gjënë më të rëndësishme në jetë, por ndjekin interesa frymore, duke besuar se Perëndia kujdeset për nevojat e tyre materiale.​—Mateu 6:33; shiko kapitullin 22 mbi zgjedhjen e karrierës.

Për më tepër, të jesh i arsimuar nuk do të thotë vetëm të marrësh nota të mira në provime, por të zhvillosh atë që Solomoni e quajti «aftësia e të menduarit», aftësinë e marrjes së informacionit të papërpunuar dhe nxjerrjen e përfundimeve praktike e të arsyeshme prej tij. (Proverbat 1:4, BR) Një nxënës që arrin të marrë nota kaluese, nëpërmjet hamendjeve, duke u përgatitur në minutën e fundit apo edhe duke kopjuar, nuk mëson kurrë si të mendojë. E ç’të duhet një notë e mirë në matematikë, kur më vonë nuk je i aftë të bësh një llogari bankare?

Prandaj, është e rëndësishme që t’i konsiderosh notat jo si një synim në vetvete, por si një mjet që ndihmon të vlerësosh përparimin tënd në shkollë. Por, në ç’mënyrë mund të marrësh nota që janë pasqyrë e aftësive të tua?

Merr përgjegjësinë për të mësuar!

Sipas mësueses Linda Nilsen, nxënësit e dobët priren «të fajësojnë për rezultatet e tyre jo të mira [në shkollë] disa shkaqe jashtë kontrollit të tyre: pyetjeve të padrejta në provim, mësuesit me paragjykime, fatit të keq, rriskut apo kohës». Por Bibla thotë: «Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë.» (Proverbat 13:4) Po, shpesh përtacia është arsyeja e vërtetë e notave të ulëta.

Ndërsa, nxënësit e mirë marrin përgjegjësinë për të mësuar. Një revistë (’Teen) intervistoi disa nxënës të shkollës së mesme me rezultate të mira. Kush ishte sekreti i tyre? «Nxitja personale të ndihmon të ecësh përpara»,​—tha njëri. «Ndjekja e një programi dhe organizimi i kohës»,​—tha një tjetër. «T’i vësh vetes synime»,​—thotë një tjetër akoma. Po, se sa të mira janë notat e tua, varet më shumë nga TI, nga zelli për të studiuar dhe për t’iu kushtuar shkollës dhe jo nga faktorë që për ty janë jashtë kontrollit.

«Por unë bëj studim»

Ndoshta kështu thonë disa të rinj. Ata sinqerisht mendojnë se po punojnë sa s’ka ku të vejë dhe nuk arrijnë rezultate të mira. Megjithatë, pak vite më parë, studiuesit e Universitetit Standford (SHBA) intervistuan rreth 770 studentë dhe i pyetën se sa përpjekje mendonin se po i kushtonin studimit. Është për t’u çuditur se studentët me nota të ulëta mendonin se punonin po me aq zell sa të tjerët. Por, kur u shqyrtuan zakonet e tyre të studimit, u zbulua se ata në të vërtetë bënin shumë më pak studim se shokët e tyre me rezultate të larta.

Çfarë mësimi nxjerrim? Ndoshta edhe ti nuk studion aq sa mendon, prandaj do të ishin me vend disa ndryshime. Një artikull i një gazete tregonte se thjesht «rritja e kohës që i kushtohet studimit ka një ndikim pozitiv mbi notat e nxënësve të shkollave të mesme». (Journal of Educational Psychology) Në fakt, «me 1 deri në 3 orë studim në javë, një nxënës i dobët mund të marrë nota të njëjta me një nxënës mesatar që nuk studion».

Në mënyrë figurative, apostulli Pavël duhej ‘ta rrihte me grushta trupin e tij’ për të arritur synimet që i kishte vënë vetes. (1. Korintasve 9:27, BR) Ngjashëm, edhe ti ndoshta duhet t’i vësh vetes rregulla të rrepta, veçanërisht nëse televizori apo shpërqendrime të tjera, ta heqin me lehtësi vëmendjen nga studimi. Mund edhe të provosh të bësh këtë shënim e ta vësh tek televizori: «S’ka televizor pa mbaruar mësimet!»

Ambienti ku studion

Për shumë prej nesh do të ishte shumë e dobishme të kishim një vend të qetë vetëm për studim. Nëse nuk je vetëm në dhomë ose nëse nuk ka shumë vend në shtëpinë tënde, sajo ndonjë vend! Ndoshta kuzhina apo dhoma e ndokujt tjetër mund të bëhet çdo mbrëmje vendi yt i studimit për një orë a më shumë. Tek e fundit, mund të provosh edhe në ndonjë bibliotekë publike apo në shtëpinë e ndonjë shoku.

Nëse është e mundur, përdor një tryezë ose tavolinë të madhe, ku të kesh vend për të hapur librat. Mbaji lapsat dhe letrat sa më afër, që të mos ngrihesh vazhdimisht! Gjithashtu, na vjen keq ta themi, por televizori apo radioja zakonisht pengojnë përqendrimin po aq sa thirrjet telefonike dhe vizitat.

Gjithashtu, siguro ndriçim të përshtatshëm dhe jo verbues! Ndriçimi i mirë pakëson lodhjen nga studimi si dhe mbron sytë. Nëse është e mundur, kontrollo ajrosjen dhe temperaturën e dhomës! Ambienti për studim është më nxitës kur dhoma është e freskët, sesa kur është e ngrohtë.

Po kur s’ta ka qejfi të studiosh, ç’mund të themi? Jeta rrallëherë na jep mundësi të kënaqim tekat. Në një punë në botë duhet të punosh çdo ditë, je apo s’je në qejf. Prandaj, konsideroje studimin një ushtrim në vetëdisiplinim, një përgatitje për përvojën e ardhshme në punë! Ji metodik në lidhje me këtë gjë! Një edukator sugjeron: «Po qe e mundur, studimi duhet bërë çdo ditë në të njëjtin vend dhe orë. Në këtë mënyrë, studimi i rregullt do të bëhet një zakon dhe . . . neveria për studimin do të zvogëlohet.»

Zakonet e tua të studimit

Filipianëve 3:16, Pavli i inkurajoi të krishterët ‘të ecnin sipas të njëjtit rregull’. (BR) Pavli po fliste për zakonet e jetës së krishterë. Megjithatë, një zakon ose një program për të bërë gjërat, është diçka që të ndihmon shumë kur bëhet fjalë për metodën tënde të studimit. Përpiqu, për shembull, të organizosh atë që do të studiosh! Mos studio lëndë të ngjashme njëra pas tjetrës (për shembull dy gjuhë të huaja)! Planifiko pushime të shkurtra ndërmjet lëndëve, veçanërisht nëse ke shumë për të studiuar!

Nëse ke shumë për të lexuar, mund të provosh metodën e mëposhtme. Së pari, HIDHI NJË SY materialit! Hidhi një shikim të shpejtë materialit që të është caktuar, duke parë nëntitujt, kapitujt e kështu me radhë, me qëllim që të kesh një ide se çfarë trajtohet! Më pas, formulo PYETJE të bazuara mbi titujt e kapitujve ose frazat kyçe! (Kjo gjë ta mban mendjen të përqendruar në atë që lexon.) Pastaj, LEXO duke kërkuar përgjigjet e këtyre pyetjeve! Pasi të kesh mbaruar çdo paragraf ose pjesë, PËRSËRIT përmendësh ose thuaj me fjalët e tua atë që ke lexuar, pa parë në libër! Kur të kesh mbaruar gjithë materialin, RISHIKO përsëri nëntitujt, duke provuar sa kujton nga çdo pjesë! Disa pohojnë se kjo metodë i ka ndihmuar nxënësit të ruajnë në mendje 80 për qind të asaj që lexojnë.

Një edukator thotë më tej: «Është e rëndësishme ta bësh të kuptojë nxënësin se një fakt nuk ekziston i veçuar, por gjithmonë i lidhur me informacione të tjera.» Prandaj, mundohu ta lidhësh atë që lexon me atë që ke ditur dhe përjetuar! Gjej vlerën praktike të asaj që mëson!

Është interesante se të rinjtë që i frikësohen Perëndisë kanë një dobi të vërtetë në këtë pikë. Bibla thotë: «Frika e Jehovait është fillimi i njohurisë.» (Proverbat 1:7, BR) Të rrish të mësosh ligjet e fizikës, për shembull, mund të të duket e mërzitshme. Por të dish se përmes krijimit «cilësitë e padukshme [të Perëndisë] shihen qartë», i jep më tej domethënie asaj që mëson. (Romakëve 1:20, BR) Ngjashëm, edhe historia prek plotësimin e qëllimeve të Jehovait. Shtatë fuqitë botërore (duke përfshirë lidhjen e tanishme anglo-amerikane) janë trajtuar pikërisht në Bibël.​—Zbulesa 17:10; Danieli, kapitulli 7.

Duke e lidhur atë që mëson me atë që di ose me besimin tënd të krishterë, faktet fillojnë të kenë një domethënie për ty dhe njohuria rritet në kuptueshmëri. Siç vërejti Solomoni, «dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend».​—Proverbat 14:6.

«Javën tjetër do të bëjmë provim»

Këto fjalë nuk duhet të të shkaktojnë panik. Para së gjithash, mundohu të kuptosh nga komentet e mësuesit çfarë lloj provimi do të jetë: me pyetje të caktuara apo me teza ku mund të zgjedhësh. Gjithashtu, në ditët para provimit, dëgjo çfarë do të bjerë në provim! («Pika e mëposhtme është shumë e rëndësishme.» «Kujdes, mos harroni këtë!» Sipas një reviste shkollore [Senior Scholastic], këto janë disa theksime tipike.) Kështu më pas, rishiko shënimet, tekstet e librave dhe detyrat e shtëpisë që të janë dhënë!

«Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» (Proverbat 27:17) Ndoshta, një shok ose njëri nga prindërit do të kishte kënaqësi të të stërviste me pyetje ose duke të dëgjuar kur përsërit mësimin e marrë në shkollë. Pastaj, natën para provimit qetësohu dhe mundohu të flesh mirë! Jezui pyeti: «Cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t’i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm?»​—Mateu 6:27.

Pakalueshmëria

Të mbetesh në një provim, veçanërisht kur ke bërë shumë përpjekje për ta kaluar, mund të shkaktojë shkatërrimin e respektit për veten. Por edukatori Maks Raferti na kujton: «Për sa kohë që jetojmë, vlerësohemi në bazë të asaj që dimë, të rezultateve që arrijmë . . . Shkolla që i mashtron fëmijët, duke i shtyrë të mendojnë se jeta do të jetë fushë me lule, nuk është shkollë. Është një fabrikë ëndrrash.» Poshtërimi i mbetjes në një provim, mund të jetë me vend, nëse të nxit të mësosh nga gabimet dhe të përmirësohesh.

Por, si t’ia bësh kur duhet t’u tregosh prindërve të zhgënjyer notat e këqija? Nganjëherë, frika për ta bërë, ka shkaktuar që t’i bëjnë bisht kësaj gjëje. «E lija fletën e notave mbi tavolinën e kuzhinës, shkoja në dhomën time dhe përpiqesha të flija deri të nesërmen»,​—sjell ndër mend një djalë. «Kurse unë,​—thotë një tjetër,​—prisja deri në sekondën e fundit që t’ia tregoja mamit. Ia jepja në mëngjes, kur ajo nxitonte për në punë dhe i thosha: ‘Duhet të më vësh një firmë këtu.’ Ajo s’kishte kohë të merrej me mua»,​—të paktën për momentin. Disa të rinj kanë arritur deri aty sa të falsifikojnë notat.

Sidoqoftë, prindërit kanë të drejtë të dinë se si shkon në shkollë. Është e vërtetë se ata pretendojnë që notat të pasqyrojnë aftësitë e tua dhe nëse ato janë nën mesataren, ta dish se do të marrësh disiplinën e merituar. Prandaj, ji i ndershëm me prindërit! Gjithashtu, «dëgjo . . . disiplinën e atit tënd dhe mos e harro ligjin e nënës sate». (Proverbat 1:8, BR) Nëse mendon se të kërkohet shumë, diskuto me ta!​—Shiko shtojcën me titull «Si mund t’ua them prindërve?» në kapitullin 2.

Megjithëse notat janë të rëndësishme, ato nuk përbëjnë gjykimin përfundimtar të vlerës sate si person. Megjithatë, përfito nga koha që je në shkollë dhe mëso sa të mundësh! Zakonisht, kjo përpjekje do të pasqyrohet tek notat, të cilat do të të bëjnë ty dhe prindërit e tu të lumtur e të kënaqur.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Për ç’qëllim shërbejnë notat dhe përse është e rëndësishme të kesh një pikëpamje të ekuilibruar në lidhje me to?

□ Përse është e rëndësishme që të marrësh përgjegjësi personale për të mësuar?

□ Ç’gjëra duhet të kesh parasysh, para se të marrësh pjesë në aktivitete jashtëshkollore?

□ Cilat janë disa mënyra për të përmirësuar notat?

□ Si mund të përgatitesh për një provim?

□ Si duhet t’i konsiderosh mossukseset dhe a do të ishte e drejtë t’ua fshihje prindërve?

[Diçitura në faqen 141]

Një nxënës që arrin të marrë nota kaluese nëpërmjet hamendjeve, duke u përgatitur në minutën e fundit apo edhe duke kopjuar, nuk mëson kurrë si të mendojë

[Kutia dhe figura në faqet 144, 145]

Ç’mund të themi për aktivitetet jashtëshkollore?

Shumë të rinj mendojnë se aktivitetet jashtëshkollore u japin atyre ndjenjën e arritjeve. «Isha regjistruar gati në të gjitha rrethet jashtëshkollore,​—kujton një djalë nga Baltimora, Meriland (SHBA).​—Kënaqesha kur merresha me gjëra që më pëlqenin. Isha futur në rrethin e mekanikës, sepse më pëlqente të punoja me makinat. Më pëlqejnë kompjuterët dhe u futa edhe në këtë rreth. Më pëlqen teknika e tingullit, kështu që u futa edhe atje.» Nxënësit që kanë si synim universitetin, janë veçanërisht të nxitur të marrin pjesë në aktivitetet jashtëshkollore.

Megjithatë, një zyrtar i qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara, i cili më parë kishte qenë vetë mësues, tha në Zgjohuni!: «Ndoshta nxënësit harxhojnë më shumë kohë në aktivitetet jashtëshkollore, sesa në studim, gjë që e bën të vështirë të mos bien në nota.» Po, nuk është e lehtë të mbash ekuilibrin, kur bëhet fjalë për aktivitetet jashtëshkollore. Një vajzë me emrin Tana, që merrte pjesë në ekipin e volejbollit të shkollës, thotë: «Pas stërvitjes, s’kisha fuqi të bëja asgjë tjetër. E gjithë kjo binte në kurriz të studimit. Prandaj, këtë vit nuk u regjistrova më.»

Ka, gjithashtu, edhe rreziqe frymore. Duke sjellë ndër mend vitet e adoleshencës, një djalë i krishterë thotë: «Mendoja se mund t’i harmonizoja të trija aktivitetet së bashku: studimin, stërvitjen me ekipin e atletikës dhe aktivitetet frymore. Por, kur të trija ishin në konflikt, sakrifikohej aspekti frymor i jetës sime.»

Një djalë, Tini, që ishte regjistruar në dy ekipe sportive në shkollë, thotë: «Nuk mund të shkoja në mbledhje në Sallë [të Mbretërisë ku merret arsimim frymor] , sepse të martën nuk ishim në qytet, të enjten nuk ishim në qytet, të shtunën nuk ishim në qytet dhe nuk ktheheshim para orës dy të mëngjesit.» Është jetësore të kujtojmë se edhe pse «ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë», «devotshmëria e shenjtë është e dobishme për çdo gjë».​—1. Timoteut 4:8, BR.

Mendo, gjithashtu, edhe për rreziqet morale. A do të frekuentosh shoqëri të shëndetshme që do të kenë një ndikim të mirë moral? Cila do të jetë tema e bisedave? A mund të jetë i keq ndikimi i shokëve të ekipit apo anëtarëve të rrethit? «Shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira»,​—thotë 1. Korintasve 15:33.

Është interesante se shumë të rinj mes Dëshmitarëve të Jehovait, kanë menduar ta përdorin kohën e lirë për diçka më të dobishme sesa sporti: të ndihmojnë të tjerët për të njohur Krijuesin. Kolosianëve 4:5 këshillon: «Vazhdoni të ecni me mençuri kundrejt atyre nga jashtë, duke blerë kohën e përshtatshme për veten!»​—BR.

[Figurat në faqen 143]

Nxënësit shpesh i paguajnë zakonet e këqija të studimit . . . me nota të dobëta

[Figurat në faqen 146]

Nuk është e lehtë të ekuilibrosh aktivitetet jashtëshkollore me studimin

[Figura në faqen 148]

Sigurisht që prindërit do të tronditen kur të shohin notat e këqija. Por nëse mendon se kërkojnë shumë nga ti, fol me ta