Si mund të bëj shokë të vërtetë?
Kapitulli 8
Si mund të bëj shokë të vërtetë?
«KA TETË vjet që shkoj në shkollën e kësaj lagjeje dhe gjatë gjithë kësaj kohe asnjëherë nuk arrita të bëj një shok të vetëm. As edhe një.» Kështu u ankua një djalë me emrin Roland. Ndoshta edhe ty ndonjëherë të është dukur vetja dështak në shoqëri. Megjithatë, cilët janë saktësisht shokët e vërtetë? Ku qëndron sekreti për t’i pasur?
Një proverb thotë: «Kush është mik ai do në çdo kohë dhe në ditë të ngushtë ai bëhet vëlla.» (Proverbat 17:17, DSF) Një shok është më shumë se dikush i cili të mbështet. Një vajzë me emrin Mirjana, thotë: «Nganjëherë, një i ashtuquajtur shok të sheh se po futesh në telashe e më vonë të thotë: ‘E dija se ku do të të shpinte kjo gjë, por kisha frikë të ta thosha.’ Ndërsa kur një shok i vërtetë të sheh që po merr rrugë të keqe, mundohet të të paralajmërojë para se të jetë tepër vonë, edhe pse e di se mund të mos e pëlqesh atë që do të të thotë.»
A do ta hidhje poshtë dikë që është interesuar aq shumë për ty, sa të ka treguar të vërtetën, vetëm sepse je lënduar? Proverbat 27:6 thotë: «Besnike janë plagët e një shoku dhe të rreme të puthurat e një armiku.» Ai që duhet të zgjedhim si shok, duhet të jetë një person me arsye të shëndoshë dhe që flet me sinqeritet.
Shokët e rremë dhe shokët e vërtetë
«Jeta ime është dëshmi se jo të gjithë ‘shokët’ ndikojnë në përmirësimin tënd»,—thotë Elsa 23-vjeçare. Në moshën e adoleshencës, Elsa u detyrua të ikte nga shtëpia. Megjithatë, u miqësua me dy Dëshmitarë të Jehovait,
Benin dhe të shoqen, Lilin. Ata filluan të studionin Biblën me Elsën. «Gjithë muajt që u shoqërova me ta, ndjeva një gëzim, kënaqësi dhe paqe të vërtetë»,—thotë Elsa. Mirëpo, më pas vendosi që të shkonte me disa shokë që kishte njohur e kështu u la lamtumirën Benit dhe Lilit.Elsa vazhdon: «Mësova shumë gjëra nga ‘shokët’ e mi të rinj. Mësova të vidhja stereo, të ktheja çeqe të falsifikuara, të pija marihuana dhe më në fund mora edhe vesin e drogës që më kushtonte rreth 18.000 lekë në ditë.» Kur ishte 18 vjeç, ajo u njoh me një djalë që quhej Rajmond. Ai i ofroi falas të gjitha llojet e drogës që mund të përdorte. «Pandeha se u dhashë fund të gjitha telasheve. Nuk kisha më pse të vidhja apo të mashtroja.» Kështu mendonte Elsa. Sidoqoftë, Rajmondi e nxiti atë për t’u marrë me prostitucion. Përfundimisht, Elsa la qytetin dhe «shokët» e saj të shfrenuar.
Një ditë, Elsën e vizituan në vendndodhjen e saj të re dy Dëshmitare të Jehovait. «Sytë m’u mbushën me lot gëzimi, ndërsa përqafoja dy gratë që mbetën të shtangura,—tregon Elsa.—Kisha arritur të përçmoja hipokrizinë e ‘shokëve’ të mëparshëm. Vetëm Dëshmitarët ishin treguar miq të vërtetë ndaj meje.» Elsa filloi përsëri të studionte Biblën.
Megjithatë, nuk qe e lehtë për të që të përputhte jetën me rrugët e Perëndisë. E pati veçanërisht të vështirë të linte duhanin. Megjithatë, një shok Dëshmitar e këshilloi: «Në vend që të lutesh e të kërkosh falje pasi ke gabuar,
përse të mos lutesh përpara dhe të kërkosh forcë kur e ndien se të pihet?» Elsa thotë: «Kjo këshillë e sjellshme dhe praktike dha rezultat. . . . Për herë të parë pas disa vitesh u ndjeva e pastër përbrenda dhe mësova se çfarë do të thotë të kesh respekt për veten.»Përvoja e Elsës thekson vërtetësinë e fjalëve të Biblës në Proverbat 13:20: «Ai që ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, kurse ai që ka marrëdhënie me budallenjtë, do të bëhet edhe më keq.» (BR) Elsa thotë: «Vetëm po ta kisha mbajtur shoqërinë me ata njerëz që e donin Perëndinë, do të kisha shmangur gjithë këto gjëra që për mua tani janë një kujtim i neveritshëm.»
Ku t’i gjejmë shokët?
Ku mund të gjesh shokë që e duan Perëndinë? Brenda kongregacionit të krishterë. Kërko të rinj që jo vetëm pohojnë se besojnë, por edhe që veprojnë në mbështetje të besimit dhe devotshmërisë së tyre. (Krahaso Jakovit 2:26.) Nëse është e vështirë të gjesh të rinj të tillë, njihu me disa të krishterë në moshë më të madhe se vetja. Mosha nuk ka pse të jetë një pengesë për shoqërinë. Bibla tregon për shoqërinë shembullore ndërmjet Davidit dhe Xhonatanit, ku Xhonatani ishte aq i moshuar, sa mund të quhej babai i Davidit.—1. Samuelit 18:1.
Megjithatë, në ç’mënyrë mund të zësh shoqëri?
Interesohu aktivisht për të tjerët
Jezu Krishti ndërtoi lidhje aq të forta shoqërore, sa shokët e tij ishin të gatshëm të jepnin jetën për të. Përse? Së pari, sepse Jezui kujdesej për të tjerët. Ai bëhej copë për t’i ndihmuar. Ai ‘donte’ të bënte diçka për të tjerët. (Mateu 8:3) Vërtet, interesi për të tjerët është hapi i parë për të zënë shokë.
Për shembull, një djalë me emrin Daniel, thotë se «duke pasur një dashuri të vërtetë dhe duke u interesuar aktivisht për të tjerët», ka arritur të zërë shokë. Ai shton: «Një prej gjërave më të rëndësishme është t’i dish emrin personit. Shpesh, të tjerët mrekullohen kur shohin se mundohesh t’u kujtosh emrin. Për këtë arsye, ata mund të tregojnë ndonjë përvojë apo ndonjë problem që kanë e kështu fillon të lindë shoqëria.»
Kjo nuk do të thotë se duhet t’u hidhesh në prehër të gjithëve e të hapesh si vaji në lakra. Jezui ishte «i përulur nga zemra» dhe nuk donte të binte në sy. (Mateu 11:28, 29) Të tjerët tërhiqen drejt nesh nga interesi i sinqertë që u tregohet. Shpesh, edhe gjërat më të thjeshta, si ngrënia së bashku apo dhënia e ndihmës për të bërë diçka, mund të shërbejnë për të thelluar shoqërinë.
‘Kujdes se si dëgjon!’
«Tregoni kujdes se si dëgjoni»,—këshilloi Jezui. (Luka 8:18) Edhe pse kishte në mendje rëndësinë e dëgjimit të fjalëve të Perëndisë, ky parim zbatohet fare mirë edhe në zhvillimin e marrëdhënieve. Për të zënë shoqëri, është e domosdoshme të jesh një dëgjues i mirë.
Zakonisht, të tjerët tërhiqen drejt nesh, nëse interesohemi sinqerisht për atë që thonë. Por kjo kërkon ‘që të mos mendosh për interesin tënd [ndoshta për atë që dëshiron të thuash], por edhe atë të të tjerëve’.—Filipianëve 2:4.
Qëndro besnik!
Jezui u lidh ngushtë me shokët e tij. Ai «i deshi deri në fund» ata. (Gjoni 13:1) Një djalë me emrin Olsi e shikon kështu shoqërinë: «Besnikëria është cilësia kryesore tek një shok. A do të të qëndrojë vërtet pranë në kohë të vështira? Shoku im dhe unë e mbrojmë njëri-tjetrin kur të tjerët na bëjnë ndonjë vërejtje përçmuese. Vërtet i dalim zot njëri-tjetrit, por vetëm atëherë kur kemi të drejtë.»
Përkundrazi, shokët e rremë s’e kanë për gjë ta godasin njëri-tjetrin pas shpine me hipokrizi. Proverbat 18:24 thotë: «Ka nga ata shokë që priren ta thyejnë njëri-tjetrin copa-copa.» (BR) A do ‘ta thyesh’ reputacionin e një shoku, duke e marrë nëpër gojë me ligësi, apo do t’i dalësh krah duke qëndruar besnik ndaj tij?
Shprehi ndjenjat!
Përveç kësaj, Jezui u hyri në zemër të tjerëve, sepse shprehu edhe ndjenjat e tij më të thella. Nganjëherë, ai linte të kuptohej se ndiente «dhembshuri», «dashuri» apo ishte «thellësisht i trishtuar». Të paktën në një rast ai madje «qau». Jezui nuk kishte turp të tregohej ashtu siç ishte në zemër, përballë atyre tek të cilët kishte besim.—Mateu 9:36; 26:38; Marku 10:21; Gjoni 11:35.
Pa dyshim që kjo nuk do të thotë se duhet t’ia zbrazësh ndjenjat të parit që takon, por se mund të jesh i 1. Pjetrit 3:8.
ndershëm me të gjithë. Pak nga pak që njeh dikë dhe krijon besim tek ai, mund t’i bësh të njohur më shumë ndjenjat e tua më të thella. Ndërkohë, për të krijuar shoqëri domethënëse, është e domosdoshme të mësosh ta vësh veten në vendin e tyre dhe ‘të jesh i një mendjeje’ me të tjerët.—Mos kërko përsosmëri!
Edhe kur shoqëria ka një fillim të mbarë, mos pretendo të jetë e përsosur. «Ne të gjithë gabojmë në të gjitha mënyrat, por njeriu që mund të pohojë se nuk thotë kurrë një gjë të gabuar, mund ta quajë veten të përsosur.» (Jakovit 3:2, Phillips) Përveç kësaj, shoqëria ka një çmim: kërkon kohë dhe përkushtim në fushën emocionale. «Duhet të tregohesh i gatshëm të japësh,—thotë një djalë me emrin Klodian.—Kjo gjë zë një vend të rëndësishëm në shoqëri. Secili ka ndjenjat e veta lidhur me disa gjëra, megjithatë është i gatshëm të japë, duke u bërë vend ndjenjave dhe mendimeve të shokut.»
Sidoqoftë, çmimi i shoqërisë nuk është asgjë po të krahasohet me çmimin e mungesës së dashurisë ndaj teje, d.m.th., me çmimin e një jete boshe e të vetmuar. Prandaj, mos ngurro të zësh shokë! (Krahaso Lukën 16:9.) Dhuro nga vetja! Dëgjoji dhe trego interes të sinqertë ndaj të tjerëve! Ashtu si Jezui, edhe ti më vonë mund të kesh shumë nga ata të cilëve mund t’u thuash: «Ju jeni miqtë e mi.»—Gjoni 15:14.
Pyetje për t’u trajtuar
□ Si mund të njihet një shok i vërtetë? Cilët shokë janë të rremë?
□ Ku mund t’i kërkosh shokët? A duhet që gjithmonë të jenë të moshës sate?
□ Çfarë duhet të bësh nëse një shoku yt ka hyrë në telashe serioze?
□ Cilat janë katër mënyrat për të zënë shokë?
[Diçitura në faqen 66]
«Mësova shumë gjëra nga ‘shokët’ e mi të rinj. Mësova të vidhja stereo, të ktheja çeqe të falsifikuara, të pija marihuana dhe më në fund mora edhe vesin e drogës që më kushtonte rreth 18.000 lekë në ditë»
[Kutia në faqet 68, 69]
A duhet ta kallëzoj shokun?
A do t’i thoshe dikujt që ka përgjegjësi, nëse merr vesh që një shoku yt është ngatërruar me drogë, po eksperimenton me seksin, mashtron apo vjedh? Shumë nuk do ta bënin, duke iu përmbajtur një kodi të veçantë heshtjeje, i cili mbizotëron shpesh midis të rinjve.
Disa kanë frikë se mos u ngjitet damka «spiun». Disa të tjerë kanë një ndjenjë të keqorientuar besnikërie. Duke e konsideruar disiplinën si diçka të dëmshme, ata mendojnë se po i bëjnë shokut ndonjë nder, duke fshehur problemet e tij. Më keq akoma, thyerja e këtij kodi të heshtjes mund ta bëjë dikë objekt të talljeve nga ana e bashkëmoshatarëve e ka mundësi të humbë edhe shoqërinë e tyre.
Megjithatë, kur një djalë i quajtur Fredi, mori vesh që shoku i tij më i ngushtë, Edvini, pinte duhan, vendosi të vepronte. Fredi thotë: «Më brente ndërgjegjja, sepse e dija që duhej t’i thosha dikujt!» Në kohët biblike, një i ri u ballafaqua me një situatë të ngjashme. «Jozefi, në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare, kulloste kopenë bashkë me vëllezërit e tij; . . . Por Jozefi i tregoi të atit për namin e keq që përhapej mbi sjelljen e tyre.» (Zanafilla 37:2) Jozefi e dinte se po të heshtte, shëndeti frymor i vëllezërve të tij do të vihej në rrezik.
Mëkati është një forcë korruptuese që të kalb. Nëse një shok që po na rrëshqet nuk ndihmohet, ndoshta në formën e një disipline të fortë nga Shkrimet, ai apo ajo mund të zhytet edhe më thellë në ligësi. (Eklisiastiu 8:11) Si rrjedhim, duke fshehur veprimet e gabuara të ndonjë shoku, jo vetëm që s’i bën hiç mirë, por mund edhe t’i shkaktosh një dëm të pakorrigjueshëm.
Bibla, prandaj, na nxit: «Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymorë, lartësojeni me frymë butësie.» (Galatasve 6:1) Ndoshta mund të mendosh se nuk je aq i kualifikuar frymësisht, sa të korrigjosh një shok që po rrëshqet. Por, a s’do të ishte e mençur të bëje të mundur që çështja t’i referohej dikujt që është në gjendje ta ndihmojë?
Prandaj, është e rëndësishme që të shkosh te shoku yt e t’ia thuash hapur fajin e tij. (Krahaso Mateun 18:15.) Nga ana jote kjo kërkon kurajë dhe guxim. Tregohu i vendosur, duke dhënë dëshmi bindëse në lidhje me mëkatin e tij, duke treguar pikërisht ato që di dhe mënyrën se si arrite t’i dish. (Krahaso Gjonin 16:8.) Mos premto se nuk do t’ia thuash askujt, pasi një premtim i tillë do të ishte pa vlerë në sytë e Perëndisë, i cili e dënon fshehjen e gabimeve.—Proverbat 28:13.
Ndoshta ka ndodhur ndonjë keqkuptim. (Proverbat 18:13) Nëse jo, pra, nëse gabimi ka ndodhur vërtet, mbase shoku yt mund të ndihet i lehtësuar po ta nxjerrë problemin. Bëhu një dëgjues i mirë. (Jakovit 1:19) Mos e mbyt shprehjen e lirë të ndjenjave të tij, me fjalë të tilla gjykuese, si: «Nuk duhej ta bëje!» As mos përdor shprehje habie, si: «Si munde ta bësh këtë!» Trego empati dhe bashkohu me ndjenjat e shokut tënd.—1. Pjetrit 3:8.
Shpesh, situata mund të ketë nevojë për më shumë ndihmë, se sa mund të japësh ti. Prandaj, këmbëngul që shoku t’ua tregojë gabimin prindërve ose ndonjë të rrituri tjetër me përgjegjësi. Ç’të bësh nëse ai nuk pranon? Bëji të ditur që nëse ai nuk e sqaron çështjen brenda një periudhe kohore të arsyeshme, ti, si shok i vërtetë, do të jesh i detyruar të shkosh te dikush në vend të tij.—Proverbat 17:17.
Fillimisht, shoku yt ndoshta nuk mund ta kuptojë përse ke vepruar në këtë mënyrë. Ndoshta mund të mërzitet e me ashpërsi t’i japë fund miqësisë me ty. Megjithatë, Fredi thotë: «E dija se po veproja drejt, duke folur me dikë. Ndihesha shumë më mirë me ndërgjegjen time, pasi Edvini po merrte ndihmën e nevojshme. Më vonë, ai erdhi e më tha se nuk ishte mërzitur me mua nga ajo që kisha bërë dhe kjo më lehtësoi.»
Nëse shoku yt vazhdon të jetë i fyer nga veprimi yt i guximshëm, është e qartë se ai apo ajo nuk ka qenë kurrë shoku yt i vërtetë. Megjithatë, ti do të ndjesh gëzim, duke ditur se ke provuar besnikërinë tënde ndaj Perëndisë dhe e ke treguar veten një shok të vërtetë.
[Figura në faqen 67]
A e ke të vështirë të zësh shoqëri?
[Figura në faqen 70]
Sekreti për të zënë shoqëri qëndron në interesin ndaj të tjerëve