Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund t’u rezistoj presioneve të bashkëmoshatarëve?

Si mund t’u rezistoj presioneve të bashkëmoshatarëve?

Kapitulli 9

Si mund t’u rezistoj presioneve të bashkëmoshatarëve?

QË NË moshën 14-vjeçare, Kliti përdorte droga të forta dhe kishte marrëdhënie të vazhdueshme seksuale. Që në moshën 17-vjeçare, Eltoni ishte një pijanec me nam dhe bënte një jetë imorale. Të dy pranojnë se në të vërtetë nuk e pëlqejnë jetën dhe gjërat që bëjnë. Përse atëherë veprojnë në këtë mënyrë? Presioni i bashkëmoshatarëve!

«Të gjithë ata me të cilët rrija bënin kështu, gjë që pati një ndikim të madh tek unë»,​—shpjegon Kliti. Ndërsa Eltoni pranon, duke thënë: «Nuk doja t’i humbja shokët, duke qenë i ndryshëm.»

Përse të rinjtë bëjnë si bashkëmoshatarët?

Ndërsa disa të rinj rriten, ndikimi i prindërve zvogëlohet dhe dëshira që shokët t’i duan e t’i pranojnë rritet. Disa të tjerë, thjesht ndiejnë nevojën për të folur me dikë që i «kupton» apo që i bën ata të ndihen të dashur dhe të nevojshëm. Kur në shtëpi mungon një komunikim i tillë, siç ndodh shpesh, ata e kërkojnë atë në gjirin e bashkëmoshatarëve. Gjithashtu, shpesh mund të ndodhë që mungesa e besimit tek vetja dhe ndjenjat e pasigurisë ta bëjnë dikë t’i zbulohet ndikimit të bashkëmoshatarëve.

Ndikimi i shokëve nuk është detyrimisht i keq. Një proverb thotë: «Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.» (Proverbat 27:17) Ashtu si një thikë hekuri mpreh anën e mprehur të një thike tjetër, edhe shoqërimi me të rinj të tjerë mund të ‘mprehë’ personalitetin tënd e të të bëjë një person më të mirë, nëse këta shokë kanë qëndrime të pjekura dhe të shëndosha.

Megjithatë, shumë shpesh, të rinjtë gabojnë rëndë si në pjekurinë mendore ashtu edhe atë frymore. Shumë të rinj kanë pikëpamje dhe mendime të gabuara, të paqëndrueshme dhe madje tregohen kokëshkretë. Prandaj, kur një i ri pa e bërë të gjatë i nënshtrohet kontrollit të bashkëmoshatarëve, nuk ndryshon aspak nga një i verbër që drejton një të verbër tjetër. (Krahaso Mateun 15:14.) Pasojat mund të jenë shkatërrimtare.

Edhe kur bashkëmoshatarët nuk të nxisin drejt një sjelljeje të pahijshme, ndikimi i tyre prapë mund të të duket shtypës. «Shqetësohesh shumë që të pranohesh prej të rinjve të tjerë,​—thotë Denisa.​—Kur isha tetëmbëdhjetë vjeçe, tmerrohesha nga mendimi se mos isha disi e pazakontë, pasi askush nuk do të më ftonte të dilja për të kaluar disa çaste të bukura. Kisha frikë se mos mbetesha e vetmuar.» Kështu, Denisa u përpoq shumë që të arrinte të pranohej nga bashkëmoshatarët.

A lejoj që të ndikohem?

A ke filluar edhe ti të vishesh, të flasësh dhe të veprosh në disa mënyra për t’iu përshtatur atyre? Suzana shtatëmbëdhjetëvjeçare thotë: «Djemtë nuk mund të të detyrojnë të bësh atë që nuk dëshiron të bësh.» Vërtet ashtu është, por presioni i bashkëmoshatarëve mund të jetë kaq dinak, sa mund të mos arrish të kuptosh se sa po të ndikon. Le të shohim, për shembull, apostullin Pjetër. Si njeri i guximshëm me bindje të forta, Pjetri ishte shtylla e krishterimit. Perëndia i zbuloi Pjetrit se favorin e Tij do ta fitonin njerëz nga të gjitha kombet dhe racat. Në këtë mënyrë, Pjetri i ndihmoi besimtarët e parë paganë të bëheshin të krishterë.​—Veprat 10:28.

Megjithatë, kaloi kohë dhe Pjetri ndodhej në Antioki, një qytet ku shumë johebrenj ishin bërë të krishterë. Pjetri shoqërohej lirisht me këta besimtarë paganë. Një ditë, disa të krishterë hebrenj nga Jerusalemi që akoma ushqenin paragjykime kundër johebrenjve, vizituan Antiokinë. Si do të sillej tani Pjetri në prani të shokëve të tij hebrenj?

Atëherë, Pjetri u veçua nga të krishterët paganë, duke mos pranuar të hante me ta! Përse? Siç duket kishte frikë se mos ofendonte bashkatdhetarët e tij. Ndoshta ka arsyetuar: «Po i lë pak tani, sa të jenë ata këtu e po vazhdoj të ha me paganët pasi ata të kenë ikur. Përse t’i prish telat me ta vetëm për kaq gjë?» Pjetri në këtë mënyrë po shtirej, duke shkelur parimet e tij, për të bërë diçka që në të vërtetë as nuk e besonte. (Galatasve 2:11-14) Prandaj, siç shihet, askush nuk është i imunizuar ndaj presioneve të shokëve.

Si do të reagoja?

Prandaj, edhe pse është e lehtë të themi, «s’kam frikë se çfarë mendojnë të tjerët», t’i përmbahesh këtij vendimi përballë presionit të bashkëmoshatarëve, është një gjë krejt tjetër. Për shembull, si do të reagoje në rrethanat e mëposhtme?

Një shok shkolle të zgjat një cigare në prani të një grupi djemsh. Ti e di se është gabim të pish duhan. Kurse të tjerët po presin të gjithë se si do të veprosh . . .

Vajzat në shkollë po flasin për marrëdhëniet seksuale me shokët e tyre. Njëra nga vajzat të drejtohet e të thotë: «Mos më thuaj që je akoma e virgjër, hë?!»

Do të doje të vishje një fustan si ato që veshin të gjitha vajzat e tjera, por mami thotë se është shumë i shkurtër. Gjërat që ajo këmbëngul të veshësh, të bëjnë të dukesh si një vajzë gjashtëvjeçare. Shokët e klasës të tallin. Një vajzë të thotë: «Përse nuk i mbledh paratë e drekës e të blesh diçka më të hajrit? Mos i thuaj gjë mamit, vetëm mbaji rrobat e shkollës në dollapin tënd personal që ke këtu në shkollë.»

Situata të lehta për t’u përballuar? Jo, por nëse ke frikë t’u kthesh shpinën bashkëmoshatarëve, dije se i ke kthyer shpinën vetes, normave dhe prindërve të tu. Si mund të fitosh forcë për t’u rezistuar presioneve të bashkëmoshatarëve?

«Aftësia e të arsyetuarit»

Rudina pesëmbëdhjetëvjeçare filloi të pinte duhan, jo sepse i pëlqente, por sepse të gjithë të tjerët e bënin. Ajo kujton: «Më vonë i rashë mendjes e thashë: ‘Mua nuk më pëlqen. Përse e bëj atëherë?’ Kështu që nuk e bëj më.» Duke menduar për veten ajo arriti t’u rezistonte bashkëmoshatarëve.

Prandaj, Bibla i nxit në mënyrë të përshtatshme të rinjtë të zhvillojnë «njohurinë dhe aftësinë e të arsyetuarit». (Proverbat 1:1-5, BR) Një që ka aftësinë e të arsyetuarit nuk ka pse të varet nga bashkëmoshatarët që s’kanë përvojë. Në të njëjtën kohë, ai nuk tregon besim të tepërt tek vetja dhe nuk i shpërfill mendimet e të tjerëve. (Proverbat 14:16) Ai apo ajo është e gatshme «të dëgjojë këshillat dhe të pranojë disiplinën», në mënyrë që «të bëhet i mençur».​—Proverbat 19:20, BR.

Megjithatë, nuk është aspak për t’u habitur, nëse të shohin me sy të keq dhe madje të tallin, për shkak se i përdor aftësitë e tua të të arsyetuarit. «Ai [apo ajo] që i ka aftësitë e të arsyetuarit urrehet»,​—thotë Proverbat 14:17, BR. Por, kush në të vërtetë ka më shumë forcë, ai që jepet pas pasioneve dhe emocioneve të tij apo ai që u thotë jo dëshirave të tij të pahijshme? (Krahaso Proverbat 16:32.) Ku do të përfundojnë ata që të tallin? A dëshiron që edhe jeta jote të përfundojë ashtu? Mos vallë ata janë xhelozë për ty dhe e mbulojnë pasigurinë e tyre duke të tallur?

Shpëtoji lakut!

«Frika e njeriut përbën një lak»,​—thotë Proverbat 29:25. Në kohët biblike, laku përdorej për të zënë shpejt dhe në mënyrë të papritur çdo kafshë që rrëmbente karremin që ishte në të. Sot, dëshira për t’u pranuar nga bashkëmoshatarët, mund të shërbejë në mënyrë të gjashme si një karrem. Ai mund të të tërheqë në lakun e thyerjes së normave hyjnore. Si mund, pra, t’i shpëtosh apo ta shmangësh lakun e frikës së njeriut?

Së pari, zgjidhi shokët me kujdes! (Proverbat 13:20) Shoqërohu me ata që kanë vlera dhe norma të krishtere. Është e vërtetë që kjo e kufizon shoqërinë tënde. Një adoleshente thotë: «Meqenëse nuk pajtohesha me të tjerët në shkollë lidhur me mendimet e tyre mbi drogën dhe seksin, ata shpejt më braktisën. Megjithëse kjo gjë m’i zvogëloi shumë presionet për t’u konformuar, më bëri të ndihesha pak e vetmuar.» Megjithatë, është më mirë të durosh pak vetminë, sesa ta lejosh ndikimin e shokëve të të çojë poshtë e më poshtë frymësisht dhe moralisht. Shoqëria brenda familjes dhe brenda kongregacionit, mund të të ndihmojë në mbushjen e boshllëkut të vetmisë.

Vërua veshin prindërve! Kjo të ndihmon t’u rezistosh presioneve të shokëve. (Proverbat 23:22) Sigurisht që ata përpiqen shumë të të mësojnë vlerat e përshtatshme. Një vajzë thotë: «Prindërit e mi kanë qenë shumë të vendosur me mua. Nganjëherë nuk më pëlqente, megjithatë jam e lumtur që ngulën këmbë dhe më kufizuan shoqërinë.» Falë asaj ndihme prindërore, ajo nuk u dorëzua përballë presioneve për të përdorur drogën dhe për të pasur marrëdhënie seksuale.

Beth Uinship, këshillues për adoleshentët, përveç kësaj vëren: «Adoleshentët që janë të aftë në ndonjë fushë të caktuar, ndihen të rëndësishëm me të drejtën e vet. Nuk kanë pse të varen nga shokët për të pasur një mendim të mirë për veten.» Përse, atëherë, të mos përpiqesh të jesh i aftë dhe i zoti në atë që bën në shkollë dhe në shtëpi? Çdo i ri Dëshmitar i Jehovait përpiqet në mënyrë të veçantë që të jetë «si punëtor që s’ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës» në shërbimin e vet të krishterë.​—2. Timoteut 2:15.

Pasi na paralajmëron për ‘lakun’ e frikës nga njeriu, Proverbat 29:25 vazhdon: «Ai që ka besim tek Zoti është i siguruar.» Ndoshta, një marrëdhënie me Perëndinë mund të të forcojë më shumë se çdo gjë tjetër për t’u rezistuar bashkëmoshatarëve. Për shembull, Denisa që përmendëm më lart, për disa kohë kishte ndjekur turmën, duke pirë e duke përdorur droga të forta. Por më pas, filloi ta studionte seriozisht Biblën dhe të besonte në Jehovain. Me çfarë rezultati? «Vendosa të mos bëja më si ai grup i vogël të rinjsh»,​—thotë Denisa. Ajo u tha miqve të saj të mëparshëm: «Ju vazhdoni punën tuaj, unë vazhdoj timen. Nëse doni shoqërinë time, duhet të respektoni të njëjtat norma që respektoj edhe unë. Më vjen keq, por s’më bëhet vonë se ç’mund të mendoni. Kështu kam vendosur të bëj.» Jo të gjithë shokët e Denisës e respektuan besimin e saj të sapogjetur. Megjithatë, Denisa thotë: «Jam e sigurt se që kur mora këtë vendim, kam më shumë respekt për veten.»

Edhe ti ‘do të kesh më shumë respekt për veten’ dhe do t’i kursesh vetes shumë dhimbje, nëse i shpëton lakut të presioneve të bashkëmoshatarëve.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse të rinjtë janë të prirë të ndikohen nga bashkëmoshatarët e tyre? A është kjo detyrimisht e keqe?

□ Çfarë na mëson përvoja e apostullit Pjetër, në lidhje me presionet nga shokët?

□ Cilat janë disa situata (duke përfshirë edhe disa nga përvoja jote personale), të cilat mund të vënë në provë aftësinë tënde për të thënë jo?

□ Për çfarë duhet të mendosh, kur të sfidojnë për të bërë ndonjë trimëri?

□ Cilat janë disa gjëra që mund të të ndihmojnë t’i shpëtosh lakut të frikës nga njeriu?

[Diçitura në faqen 74]

«Shqetësohesh shumë që të pranohesh prej të rinjve të tjerë,​— thotë Denisa.​— . . . Tmerrohesha nga mendimi se mos isha disi e pazakontë . . . Kisha frikë se mos mbetesha e vetmuar»

[Kutia në faqen 75]

«Të sfidoj!»

«Jepi,​—e nxisnin Lizën shoqet e klasës.​—Thuaji mësueses që i vjen erë goja.» Jo, nuk ishte puna te higjiena e gojës. Liza gjendej përballë një sfide, për të bërë një trimëri, madje me shumë rrezik! Po, duket se disa të rinj provojnë një kënaqësi të mbrapshtë, duke sfiduar të tjerët që të kryejnë veprime të cilat shkojnë nga çapkënllëqe pa zarar, deri në rreziqe për jetën.

Por, atëherë kur të sfidojnë për të bërë diçka të çmendur, të pasjellshme, apo edhe të rrezikshme, është tamam koha për t’u menduar dy herë. Një burrë i zgjuar tha: «Mizat e ngordhura e qelbin vajin e parfumierit; kështu pak marrëzi prish vlerën e diturisë dhe të lavdisë.» (Eklisiastiu 10:1) Në kohët e lashta, një balsam i vlefshëm apo parfum, mund të prishej nga diçka aq e vogël siç është një mizë e ngordhur. Në mënyrë të ngjashme, reputacioni që dikush mund të ketë arritur me vështirësi, mund të prishet edhe me vetëm «pak marrëzi».

Shejtanllëqet fëminore mund të përfundojnë me marrjen e notave më të ulëta, me përjashtim nga shkolla, madje edhe me arrestime. Por, ç’të themi nëse mendon se mund t’ia hedhësh? Pyet veten: «A është e arsyeshme kjo që po më kërkojnë? A është e dashur? A dhunon normat e Biblës apo ato që më kanë mësuar prindërit? Nëse po, a dëshiroj me të vërtetë që jeta ime të komandohet nga të rinj që duan vetëm qyfyre? A janë, megjithatë, këta të rinj që duan të më rrezikojnë reputacionin dhe jetën, shokë të vërtetë?»​—Proverbat 18:24.

Përpiqu, pra, të arsyetosh me të rinjtë që të sfidojnë. Tonit 18-vjeçar i pëlqen «t’ua shuaj gëzimin», duke pyetur: «Përse duhet ta bëj? Ç’do të provoj, po ta bëj?» Gjithashtu, bëj të ditur se ke norma të përcaktuara, të cilave ke ndër mend t’u përmbahesh në jetë. Një vajzë e re u përpoq ta nxiste një djalë në imoralitet, duke i thënë: «Nuk e di ç’po humbet.» Djali ia ktheu: «Po, e di. Herpes, gonorrea, sifilizë . . . »

Po, duke pasur guximin t’u thuash jo bashkëmoshatarëve të tu, mund të shmangësh gjëra për të cilat një ditë do të pendoheshe!

[Figura në faqen 76]

Të rinjtë shpesh kërkojnë mbështetjen e njëri-tjetrit

[Figura në faqen 77]

A të kanë bërë ndonjëherë presion shokët për të vepruar kundër asaj që e di se është e drejtë?

[Figura në faqen 78]

Gjej forcë për t’i rezistuar ndikimit të shokëve!