Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të iki nga shtëpia?

A duhet të iki nga shtëpia?

Kapitulli 7

A duhet të iki nga shtëpia?

«Të dashur mami dhe babi!

Më në fund, vendosa të iki. Siç ju kam thënë edhe më parë, nuk e bëj këtë për inatin tuaj apo për t’u hakmarrë. Nuk kam si të jem e lumtur e mbyllur brenda katër mureve, ashtu si doni ju. Ndoshta edhe kështu s’do të jem e lumtur, por prapëseprapë dua ta provoj një herë.»

DUKE e filluar kështu letrën, një vajzë 17-vjeçare u la lamtumirën prindërve. Në ish-Republikën Federale të Gjermanisë, mes adoleshentëve nga mosha 15 deri 24 vjeç, një ndër tri vajza dhe një ndër katër djem, jetojnë të ndarë nga prindërit. Ndoshta edhe ti ke menduar të ikësh nga shtëpia.

Perëndia e parashikoi se dëshira për t’u martuar do ta bënte një person të ‘braktiste babanë dhe nënën e tij’. (Zanafilla 2:23, 24) Por ka edhe arsye të tjera të vlefshme për të ikur nga shtëpia, si për shembull, zgjerimi i shërbimit ndaj Perëndisë. (Marku 10:29, 30) Megjithatë, për shumë të rinj, ikja nga shtëpia është thjesht një mënyrë për t’i shpëtuar asaj që ata e mendojnë si një situatë të padurueshme. Një djalë i ri thotë: «Vjen thjesht sepse dëshiron të jesh më i pavarur. Të jetosh në shtëpi me prindërit nuk përbën më një kënaqësi. Gjithmonë debatet s’kanë të sosur dhe ata nuk i kuptojnë nevojat që ke. Përveç kësaj, ndihesh tepër i kufizuar dhe gjithmonë duhet t’u përgjigjesh prindërve për çdo lëvizje që bën.»

A je gati për të qenë i pavarur?

Por fakti që dëshiron pavarësi, a tregon se je gati për të qenë i tillë? Para së gjithash, t’ia dalësh mbanë vetëm, ndoshta nuk është edhe aq e lehtë sa ç’e mendon. Vendet e punës janë të pakta. Qiratë janë ngritur në qiell. Atëherë, çfarë janë të detyruar të bëjnë shumë herë të rinjtë që gjenden në të tilla vështirësi? Autorët e një libri (Pulling Up Roots) thonë: «Ata kthehen në shtëpi dhe presin që prindërit të marrin përsëri përsipër barrën për t’u siguruar mbështetje.»

Gjithashtu, ç’mund të themi për pjekurinë tënde mendore, emocionale dhe frymore? Ti mund ta kujtosh veten si të rritur, por prindërit ndoshta akoma shohin tek ti disa ‘gjëra fëminore’. (1. Korintasve 13:11) Në fakt, a nuk kanë mundësi prindërit për pozitën që kanë, të gjykojnë se sa liri je gati për të marrë? Të kundërshtosh gjykimin e tyre dhe të jetosh vetëm, mund të thotë t’i kërkosh vetë telashet.​—Proverbat 1:8.

«Nuk merrem vesh me prindërit!»

A është kështu edhe në rastin tënd? Edhe nëse po, nuk është kjo arsyeja që të fillosh të bësh gati valixhet. Meqenëse je i ri, akoma ke nevojë për prindërit dhe ndoshta do të përfitosh nga mendjehollësia dhe mençuria e tyre edhe për shumë vjet akoma. (Proverbat 23:22) A duhet t’i përzësh nga jeta jote, vetëm sepse ke pasur disa fërkime në marrëdhëniet me ta?

Karsten, një djalë nga Gjermania që iku nga shtëpia për të ndjekur karrierën si shërbëtor i plotë kohor, shprehet kështu: «Kurrë mos ik nga shtëpia, vetëm sepse nuk mund të merresh vesh me prindërit. Kur nuk shkon mirë me ta, si do të mund të shkosh mirë me të tjerët? Ikja nuk e zgjidh problemin. Përkundrazi, vetëm do të tregojë që je shumë i papjekur për t’i dalë zot vetes dhe do të bëjë që të ftohesh më shumë me prindërit.»

Morali dhe motivet

Të rinjtë, gjithashtu, priren t’i nënvlerësojnë rreziqet morale që vijnë kur ikën para kohe nga shtëpia. Në Lukën 15:11-32, Jezui tregon për një djalë të ri, i cili donte të ishte i pavarur dhe iku të jetonte për hesap të vet. Duke mos qenë nën ndikimin e mirë të prindërve, ai filloi ‘të bënte një jetë të shthurur’, duke u dhënë pas imoralitetit seksual. S’kishte kaluar shumë kohë dhe ai i kishte bërë rrush e kumbulla të gjitha paratë. Aq e vështirë ishte të gjente punë, sa pranoi të kulloste derrat, gjë që ishte e përçmuar për hebrenjtë. Megjithatë, të ashtuquajturit djalë plëngprishës ose shkapërdar i erdhi mendja në vend. Duke gëlltitur krenarinë e tij, ai u kthye në shtëpi dhe iu përgjërua të atit që ta falte.

Megjithëse kjo shëmbëlltyrë u tha për të vënë në pah mëshirën e Perëndisë, ajo përmban, gjithashtu, edhe këtë mësim praktik: të ikësh nga shtëpia për një motiv që nuk është aspak i mençur, mund të të dëmtojë moralisht dhe frymësisht. Me trishtim themi se disa të rinj të krishterë, duke ndërmarrë një jetë të pavarur, kanë vuajtur një rrënim frymor. Duke mos arritur të qëndrojnë ekonomikisht, disa kanë menduar t’i ndajnë shpenzimet me të rinj të tjerë, mënyra e jetesës së të cilëve është në kundërshtim me parimet biblike.​—1. Korintasve 15:33.

Një djalë nga Gjermania i quajtur Horst, kujton një moshatarin e vet që iku nga shtëpia: «Megjithëse ishte akoma i pamartuar, ai filloi të jetonte me vajzën me të cilën shoqërohej. Bënin festa ku derdhej pija lumë dhe shumë herë gjendej i dehur. Po të jetonte në shtëpi, prindërit nuk do t’i lejonin asnjërën prej këtyre gjërave.» Horsti përfundon: «Është e vërtetë se kur ikën nga shtëpia, gëzon më shumë liri. Por, pse mos ta themi me ndershmëri, a nuk përdoret ajo shpesh si një mundësi për të bërë gjëra të mbrapshta?»

Pra, nëse dëshiron më shumë liri, pyet veten: Përse dua më shumë liri? Sepse mund të zotëroj të mira materiale apo sepse kam rrugë të lirë për të vepruar në mënyrë të tillë që prindërit do të ma ndalonin po të jetoja në shtëpi? Sill ndër mend se çfarë thotë Bibla në Jereminë 17:9: «Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?»

Si mund të bëhem i madh nëse nuk iki nga shtëpia?

Një libër vëren: «Vetë ikja nga shtëpia nuk të garanton një kalim të suksesshëm [në fazën e rritjes]. As qëndrimi në shtëpi nuk nënkupton pamundësinë për t’u bërë më i pjekur.» (Adolescence) Vërtet, të rritesh nuk do të thotë vetëm të kesh në xhep paratë e tua, të kesh punë dhe shtëpi. Para së gjithash, mund ta zotërosh jetën nëse mëson të përballosh me guxim problemet. Asgjë s’fitohet duke u larguar nga situatat që s’na pëlqejnë. Vajtimet 3:27 thotë: «Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.»

Le të marrim, për shembull, prindërit që janë shumë të rreptë apo ata me të cilët është e vështirë të merresh vesh. Genci, që tani është 47 vjeç, kishte një baba që e mbyste me punë kur kthehej nga shkolla. Gjatë pushimeve të verës, kur djemtë e tjerë loznin, Genci duhej të punonte. «Më ishte krijuar mendimi se ai ishte njeriu më i rreptë në botë, sepse nuk më linte të luaja dhe të zbavitesha,​—thotë Genci.​—Shpesh më shkrepte në mendje: Ah, sikur të ikja prej këtu e të jetoja për hesapin tim!» Megjithatë, Genci tani mendon ndryshe lidhur me këtë gjë. «Nuk mund ta çmoj atë që babai bëri për mua. Më mësoi të isha i palodhur dhe të përballoja vështirësitë. Që atëherë, kam pasur probleme shumë më serioze për të përballuar, por di si t’u dal në krye.»

Një parajsë e gënjeshtërt

Megjithatë, edhe po të jetosh në shtëpi, nuk je i garantuar se do të fitosh pjekuri. Një vajzë thotë: «Të jetoje në shtëpi me prindërit, ishte sikur të jetoje në një parajsë të gënjeshtërt. Çdo gjë e gjeje gati.» Pjesë e rritjes është edhe të mësosh si t’i bësh gjërat vetë. Është e vërtetë se të derdhësh plehrat apo të lash ndërresat nuk është po aq e këndshme, sa të dëgjosh disqet e preferuara. Por, çfarë mund të ndodhë nëse nuk mëson kurrë t’i bësh këto gjëra? Mund të bëhesh një i paaftë, që nuk bën dot pa prindërit ose pa të tjerët.

Vajzë apo djalë qofsh, a po përgatitesh për kohën kur më në fund do të jesh i pavarur, duke mësuar të gatuash, të pastrosh, të hekurosësh dhe të bësh riparime shtëpiake dhe mekanike?

Pavarësi ekonomike

Të rinjtë në vendet e zhvilluara, shpesh e shikojnë paranë si diçka që mund të fitohet lehtë dhe që mund të harxhohet akoma më lehtë. Kur kanë një punë gjysmëkohore, ata shpesh priren t’i harxhojnë paratë e tyre duke blerë stereo dhe rroba me stampë. Por, sa i rëndë ka për të qenë realiteti për këta të rinj, kur të ikin e të jetojnë me të ardhurat e xhepit të vet! Horsti (i përmendur më parë) kujton: «Në fund të muajit, e kisha bosh si portofolin, ashtu edhe dollapin.»

Përse të mos mësosh t’i përdorësh paratë gjatë kohës që akoma je në shtëpi? Prindërit kanë vite përvoje në këtë fushë dhe mund të të ndihmojnë të mos biesh në shumë gracka. Një libër (Pulling Up Roots) sugjeron që t’u bësh pyetje të këtilla: «Sa harxhojmë në muaj për dritat? Ngrohjen? Ujin? Telefonin? Çfarë taksash paguajmë? Sa e paguajmë qiranë?» Mbetesh me gojë hapur, kur mëson se disa të rinj që janë në punë, shumë herë kanë më shumë para në xhep sesa prindërit! Prandaj, nëse je në punë, ofro një kontribut të arsyeshëm për mirëmbajtjen e shtëpisë.

Mëso para se të ikësh nga shtëpia

Jo, që të rritesh nuk ke pse të ikësh nga shtëpia. Por gjatë kohës që je atje duhet të punosh pa u lodhur, për të zhvilluar gjykim të mirë dhe ekuilibër. Mëso, gjithashtu, të shkosh mirë me të tjerët! Trego se je i gatshëm të pranosh kritikat, dështimet dhe zhgënjimet! Kultivo ‘dashamirësinë, mirësinë, butësinë dhe vetëkontrollin’. (Galatasve 5:22, 23, BR) Këto veçori janë shenjat e vërteta të një të krishteri të rritur, burrë apo grua.

Herët a vonë, rrethana të tilla si martesa do të të detyrojnë ta lësh folenë prindërore. Por, deri atëherë, përse të ngutesh të ikësh? Fol me prindërit! Ata mund të jenë të lumtur po të qëndrosh, veçanërisht nëse jep një kontribut për mirëqenien e familjes. Me ndihmën e tyre, mund të vazhdosh të rritesh, të mësosh dhe të fitosh pjekuri në shtëpi.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse shumë të rinj presin me padurim të ikin nga shtëpia?

□ Përse pjesa më e madhe e të rinjve nuk janë gati për të bërë një hap të tillë?

□ Ndaj cilave rreziqe mund të ekspozohesh nëse ikën nga shtëpia para kohe?

□ Cilat probleme ndeshin të rinjtë që ikin nga shtëpia?

□ Si mund të fitosh pjekuri gjatë kohës që jeton akoma në shtëpi?

[Diçitura në faqen 57]

«Kurrë mos ik nga shtëpia, vetëm sepse nuk mund të merresh vesh me prindërit . . . si do të mund të shkosh mirë me të tjerët?»

[Kutia në faqet 60, 61]

T’ia mbathësh nga shtëpia: Kjo është zgjidhja?

Çdo vit, mbi një milion adoleshentë largohen nga shtëpia. Disa largohen për shkak të situatave të padurueshme, si abuzimi fizik dhe seksual. Por në të shumtën e rasteve, ata largohen pas ndonjë grindjeje me prindërit për gjëra të tilla, si ora e kthimit në shtëpi, notat në shkollë, punët e shtëpisë dhe zgjedhja e shokëve.

Ndoshta pikëpamja dhe mendimi që kanë prindërit për këto gjëra, thjesht nuk puqet me tëndin. Por, a e ke marrë parasysh faktin se prindërit janë të detyruar para Perëndisë të të edukojnë në «disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait»? (Efesianëve 6:4, BR) Për këtë arsye, ata mund të këmbëngulin që t’i shoqërosh në mbledhjet dhe aktivitetet fetare dhe madje mund të ta kufizojnë shoqërimin me të rinjtë e tjerë. (1. Korintasve 15:33) A është kjo arsyeja për t’i kundërshtuar dhe për t’u larguar? Edhe ti ke një detyrim përpara Perëndisë: «Ndero babanë tënd dhe nënën tënde.»​—Efesianëve 6:1-3.

Përveç kësaj, ikja nga shtëpia nuk zgjidh asgjë. «Ikja veçse të krijon më shumë probleme»,​—thotë Ani, që u largua nga shtëpia në moshën 14-vjeçare. Margaret O. Hyde në një libër të saj (My Friend Wants to Run Away), thotë: «Në të vërtetë, pak nga të rinjtë që janë larguar nga shtëpia arrijnë të gjejnë punë dhe t’ia dalin mbanë vetë. Por shumica e tyre janë më keq nga ç’ishin përpara se të iknin nga shtëpia.» Revista ’Teen vëren: «Adoleshentët nuk gjejnë liri nëpër rrugë. Përkundrazi, bashkohen me të rinj të tjerë, që prindërit i kanë dëbuar nga shtëpia apo me ata që ia kanë mbathur nga shtëpia si ata dhe jetojnë nëpër ndërtesa të braktisura, ku nuk kanë mbrojtje nga dhunuesit dhe grabitësit. Bashkohen, gjithashtu, me shumë nga ata njerëz që kanë zanatin e poshtër për të shfrytëzuar të rinjtë dhe në fakt, adoleshentët që largohen nga shtëpia janë një pre që kapet lehtë.»

Pasi ia mbathi nga shtëpia, Ani gjeti një «shok», një djalë 22-vjeçar, i cili si pagë për strehimin kërkoi që ajo «të bënte seks me të dhe nëntë shokët e tij». Gjithashtu, ajo «dehej dhe e përdorte shumë drogën». Një vajzë tjetër me emrin Suela, vuante ngacmime prej gjyshit birësues dhe kështu u largua nga shtëpia. U bë prostitutë, duke bërë jetë rrugësh dhe duke fjetur nëpër stolat e parkut apo ku të mundej. Këta janë dy shembuj tipikë të shumë të rinjve që janë larguar nga shtëpia.

Pjesa më e madhe e atyre që largohen nga shtëpia, s’kanë asnjë kualifikim për t’u futur në punë e për të fituar para. Madje, zakonisht nuk kanë asnjë nga dokumentet e nevojshme për t’u pajtuar në punë, si certifikatën e lindjes, pasaportën, adresën e përhershme. «Më duhej të vidhja dhe të kërkoja lëmoshë,​—thotë Luli,​—por kryesisht vidhja sepse askush nuk të jepte gjë.» Rreth 60 për qind e të rinjve që largohen nga shtëpia janë vajza, të cilat mbahen duke u marrë me prostitucion. Profesionistët e pornografisë, shitësit e drogës dhe rrufjanët, vijnë vërdallë nëpër stacionet e autobusëve, duke kërkuar ata që largohen nga shtëpia për t’i shfrytëzuar. Ndoshta u premtojnë këtyre të rinjve të frikësuar vend për të fjetur dhe ushqim për të ngrënë. Ndoshta u japin edhe atë që në shtëpi u mungonte: ndjenjën se i duan.

Megjithatë, me kalimin e kohës këta «bamirës» kërkojnë shpërblimin, i cili mund të nënkuptojë të punosh për ta si prostitutë, të përfshihesh në zvetënime seksuale ose të pozosh për fotografi pornografike. S’është për t’u habitur se shumë nga të rinjtë që largohen nga shtëpia përfundojnë të dëmtuar rëndë ose të vdekur.

Do të ishte më mirë nga ana jote, të bëje shumë përpjekje dhe kjo do të thotë më shumë se një herë, për të folur me prindërit. Jepu mundësi të dinë se si ndihesh dhe si qëndrojnë punët. (Shiko kapitujt 2 dhe 3.) Në rast abuzimi fizik apo seksual, duhet kërkuar ndihmë nga jashtë.

Sidoqoftë, mos u largo, por fol! Edhe nëse jeta në shtëpi nuk është ideale, mos harro se gjërat mund të shkojnë edhe më keq kur të jesh larguar.

[Figurat në faqen 59]

Në shtëpi mund të mësohen gjëra që duhen ditur për kohën kur të jetosh vetëm