Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse duhet ‘ta nderoj nënën dhe babanë tim’?

Përse duhet ‘ta nderoj nënën dhe babanë tim’?

Kapitulli 1

Përse duhet ‘ta nderoj nënën dhe babanë tim’?

«NDERO nënën dhe babanë tënd!» Për shumë të rinj këto fjalë tingëllojnë si një mentalitet i epokave të errëta.

Vera e tregoi sheshit mosbindjen ndaj të atit, duke u shoqëruar me një djalë që pinte dhe drogohej. Vetëm për kapadaillëk shkonte të kërcente me të deri në orët e vona pas mesnatës. «Mendoja se ai ishte shumë i rreptë,​—thotë Vera.​—Isha 18-vjeçare dhe pandehja se dija gjithçka. Sipas meje, babai ishte i rreptë dhe nuk donte që unë të dëfrehesha, prandaj dilja dhe bëja ç’më donte qejfi.»

Shumica e të rinjve ndoshta nuk e miratojnë veprimin e Verës. Megjithatë, kur prindërit i urdhërojnë të pastrojnë dhomën, të bëjnë detyrat apo të jenë në shtëpi në një orë të caktuar, shumë prej tyre ndoshta vlojnë nga zemërimi ose më keq akoma, i kundërshtojnë hapur! Në fund të fundit, mënyra se si një i ri i shikon prindërit e tij, jo vetëm që ndryshon atmosferën familjare, të acaruar apo paqësore, por edhe vetë jetën. Urdhri për ‘të nderuar prindërit’ vjen nga Perëndia, urdhër të cilit ai i ka bashkëngjitur nxitjen vijuese për ta ndjekur atë: «Që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe.» (Efesianëve 6:2, 3) Shuma e vënë në lojë është goxha e madhe. Prandaj, le të konsiderojmë në një pikëpamje të re se çfarë do të thotë në të vërtetë nderimi i nënës dhe babait.

Çfarë do të thotë ‘t’i nderosh’

«Të nderosh» do të thotë të pranosh ashtu siç duhet autoritetin e vendosur. Të krishterët, për shembull, janë urdhëruar ‘të nderojnë mbretin’. (1. Pjetrit 2:17) Edhe nëse nuk mund të jesh gjithnjë i një mendimi me një drejtues qeveritar, pozita apo detyra e tij duhet respektuar. Në të njëjtën mënyrë, Perëndia i ka veshur prindërit me njëfarë autoriteti në familje. Kjo do të thotë se duhet të njohësh të drejtën që u është dhënë atyre nga Perëndia për të vënë rregulla për ty. Vërtet, disa prindër të tjerë mund të jenë më të butë sesa prindërit e tu, megjithatë ata kanë përgjegjësinë për të vendosur se çfarë është më mirë për ty; në fakt, familje të ndryshme kanë norma të ndryshme.

Është e vërtetë gjithashtu se edhe prindërit më të mirë në botë mund të ndodhë që të jenë ndonjëherë tekanjozë dhe madje të padrejtë. Por në Proverbat 7:1, 2 një prind i mençur thotë: «Biri im [bija ime], . . . ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar.» Në të njëjtën mënyrë, rregullat apo «urdhërimet» e prindërve, zakonisht pretendohet të jenë për të mirën tënde dhe një shprehje e dashurisë dhe kujdesit të tyre të sinqertë.

Ilirit, për shembull, nëna i thoshte që të kalonte gjithmonë nga ura e ngushtë për kalimtarët, që kalonte mbi autostradën që gjendej pranë shtëpisë së tij. Një ditë, dy vajza të shkollës së tij e vunë në sedër që të kalonte për shkurt nga një rrugë e vogël përmes autostradës. Ai nuk ua vuri veshin atyre që me tallje e shanin «pulë e lagur», por kaloi nga ura e ngushtë. Në gjysmë të rrugës Iliri dëgjoi zhurmën e çjerrë të gomave që frenuan. I drejtoi sytë në atë drejtim dhe pa i tmerruar se dy vajzat ishin përplasur me një makinë që i kishte flakur matanë! Sigurisht, bindja ndaj prindërve rrallëherë, si në këtë rast, do të thotë jetë ose vdekje. Megjithatë, zakonisht bindja është në të mirën tënde.

‘Të nderosh prindërit’ do të thotë, gjithashtu, të pranosh korrigjimin dhe jo të varësh buzët dhe të përplasësh këmbët me zemërim kur është rasti për ta marrë. Vetëm një i marrë «e përçmon korrigjimin e atit të tij»,​—thotë Proverbat 15:5.

Përfundimisht, të tregosh nderim nuk do të thotë vetëm të tregosh respekt formal apo bindje kundër dëshirës. Folja origjinale greke e përkthyer këtu «nderoj», në Bibël do të thotë t’i atribuosh një vlerë të madhe dikujt. Prandaj, prindërit duhet t’i konsiderosh si diçka të çmuar, me një vlerë të madhe dhe të shtrenjtë për ty. Kjo do të thotë të kesh ndjenja të ngrohta dhe të çmueshme për ta. Megjithatë, disa të rinj ndiejnë gjithçka kundrejt prindërve të tyre, me përjashtim të ndjenjave të ngrohta për ta.

Prindër problematikë: A janë të denjë për nderim?

Një adoleshente e quajtur Rina shkroi: «Im atë pinte shumë. Nuk mund të flija, sepse prindërit haheshin e griheshin dhe bërtisnin me të madhe. Shtrihesha në krevat dhe vetëm qaja. Nuk mund t’u tregoja se çfarë ndieja, sepse ndoshta nëna më merrte me shpulla. Bibla thotë ‘nderoje atin tënd’, por nuk mundem.»

A janë vërtet të denjë për nderim prindërit gjaknxehtë, imoralë, pijanecë apo që vetëm grinden me njëri-tjetrin? Po, sepse Bibla e dënon atë që «tallet» me prindërit. (Proverbat 30:17) Proverbat 23:22 kujton më tej se prindërit «të kanë lindur». (BR) Vetëm kjo është një arsye për t’i nderuar ata. Genti, që njëherë e një kohë nuk kishte aspak respekt, tani thotë: «Falënderoj Perëndinë Jehova që [nëna ime] nuk më abortoi apo nuk më hodhi në ndonjë kosh plehrash. Ishim gjashtë fëmijë dhe na rriti vetëm. Unë e di se sa e vështirë ka qenë për të.»

Megjithëse nuk janë aspak të përsosur, prindërit kanë sakrifikuar shumë për ty. «Një ditë, gjithçka që na kishte mbetur për të ngrënë ishte vetëm një kuti me kallinj misri dhe pak bollgur misri,​—vazhdon të tregojë Genti.​—Nëna përgatiti për ne fëmijët, ndërsa vetë nuk futi gjë në gojë. Shkova në krevat me barkun plot dhe duke pyetur veten përse nëna s’hëngri. Tani që jam vetë baba e kuptoj se ajo sakrifikonte për ne.» (Një studim ka zbuluar se për rritjen e një fëmije që nga lindja deri në moshën 18 vjeç prindërit harxhojnë rreth 6-6,5 milionë lekë.)

Përveç kësaj, duhet të kuptosh se edhe nëse shembulli që prindërit japin nuk është më i miri, kjo nuk do të thotë se gjithçka që ata thonë është e gabuar. Udhëheqësit fetarë në ditët e Jezuit ishin të korruptuar. Megjithatë, Jezui u tha njerëzve: «Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t’ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata.» (Mateu 23:1-3, 25, 26) A nuk mund të zbatohet ky parim edhe tek disa prindër?

Si të mos mbajmë mëri?

Po sikur të jesh i mendimit se një prind e keqpërdor në mënyrë serioze autoritetin e tij apo e saj? * Ruaj qetësinë! Duke kundërshtuar nuk ia del dot dhe as duke mbajtur mëri dhe duke qenë inatçi. (Eklisiastiu 8:3, 4; krahaso Eklisiastiun 10:4.) Një vajzë 17-vjeçare ishte zemëruar me prindërit, pasi ata shqetësoheshin vetëm për zënkat e tyre dhe tregoheshin indiferentë ndaj saj. Atëherë zemërimi i saj u kthye kundër parimeve biblike që prindërit ishin përpjekur të ngulitnin tek ajo. Për inat të tyre, ajo u zhyt në imoralitet seksual dhe drogohej. «Mendoja se e kishin hak»,​—shpjegoi ajo më pas me hidhërim. Duke qenë inatçie ajo i bëri keq vetëm vetes.

Bibla paralajmëron: «Kujdesu që zemërimi mos të të tërheqë [për të bërë diçka] nga inati . . . Ji i kujdesshëm që të mos kthehesh nga ajo që është e dëmshme!» (Jobi 36:18-21, BR) Duhet të kuptosh se prindërit janë përgjegjës para Jehovait për sjelljen e tyre dhe do të përgjigjen para tij për çdo padrejtësi serioze.​—Kolosianëve 3:25.

Proverbat 19:11 thotë: «Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.» Shpeshherë është më mirë të përpiqemi të falim dhe të harrojmë një veprim lëndues të një prindi. Në vend se të bluash në mendje të metat e tij, përqendrohu në cilësitë e tij të mira. Denada, për shembull, kishte një nënë të pandjeshme dhe një njerk që pinte shumë alkool. Shiko se si duke i parë me mençuri mangësitë e tyre, ajo mposhti zemërimin. Ajo thotë: «Ndoshta nëna nuk na ka treguar kurrë dashuri, sepse duke qenë e keqtrajtuar që fëmijë, kurrë nuk ka mësuar të dojë. Njerkut i binte ndër mend për ne vetëm kur ishte esëll dhe kjo rrallëherë ndodhte. Megjithatë, unë dhe ime motër kemi pasur gjithmonë një strehë për të futur kokën dhe ushqim në frigorifer.»

Lumturisht, prindërit tekanjozë apo moskokëçarës janë të paktë. Ka më shumë mundësi që prindërit e tu kujdesen dhe përpiqen për të lënë një shembull të mirë për ty. Megjithatë, edhe kështu mund të kesh ndonjëherë mëri ndaj tyre. «Nganjëherë, kur flisja me nënën për ndonjë problem dhe ajo nuk më kuptonte, bëhesha si i tërbuar dhe nga inati i plagosja zemrën me ndonjë fjalë. Ishte mënyra ime për t’ia kthyer pesë për pesë. Por, kur largohesha vuaja shumë dhe e dija se edhe ajo vuante»,​—thotë Eltoni.

Fjalët e pamenduara mund të jenë si ‘thikë në zemër’, ‘shkaktojnë dhimbje’ dhe problemin nuk ta zgjidhin. «Gjuha e të urtëve sjell shërim.» (Proverbat 12:18; 15:1) «Megjithëse nuk ishte e lehtë për mua, kthehesha përsëri dhe i kërkoja të falur,​—shpjegon Eltoni.​—Kështu, mund të flisja më me qetësi për problemin dhe gjenim një zgjidhje.»

‘Babai kishte të drejtë’

Është interesante se disa të rinj lodhin veten dhe prindërit, duke i kundërshtuar ata vetëm për të kuptuar më vonë se që në fillim prindërit kishin të drejtë. Mendo, për shembull, për Verën që përmendëm pak më lart. Një ditë ajo doli me makinë bashkë me shokun e saj. Ai ishte dendur me marihuanë dhe me birrë. Duke ecur me 100 km/orë makina i doli jashtë kontrollit dhe u përplasën pas një shtylle dritash. Vera ia hodhi edhe kësaj here, por kur doli nga makina kishte një të çarë të thellë në ballë. Shoku i saj ia mbathi dhe nuk u duk më asnjëherë në spital, të paktën për ta parë.

«Kur prindërit erdhën në spital,​—tregon Vera,​—u thashë se babai kishte pasur të drejtë në çdo gjë dhe se duhej ta kisha dëgjuar që në fillim. . . . Kisha bërë një gabim të madh që gati më kushtoi jetën.» Pas kësaj, Vera bëri ndryshime të mëdha në qëndrimin e saj ndaj prindërve.

Ndoshta disa ndryshime do të ishin me vend edhe në rastin tënd. ‘Të nderosh prindërit’ në të vërtetë mund të duket si diçka e dalë jashtë mode. Megjithatë, nuk është vetëm një gjë e mençur, por është edhe një gjë e drejtë në sytë e Perëndisë. Atëherë, ç’mund të themi kur dëshiron të tregosh respekt ndaj prindërve, por mendon se të keqkuptojnë apo të pengojnë kufizimet? Le të shohim se si mund ta përmirësosh situatën në të tilla raste.

[Shënimi]

^ par. 18 Këtu nuk bëhet fjalë për rastet e abuzimit fizik apo seksual, në të cilat një i ri mund të ketë nevojë për të kërkuar ndihmë nga ekspertë jashtë familjes.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Çfarë do të thotë të nderosh prindërit?

□ Përse prindërit të vënë kaq shumë rregulla? A mund të të sjellin dobi?

□ A duhet t’i nderosh prindërit nëse sjellja e tyre është e qortueshme? Përse?

□ Cilat janë disa mënyra të efektshme për të mos mbajtur mëri në ndonjë rast ndaj prindërve? Cilat janë disa reagime prej budallai?

[Diçitura në faqen 16]

«Sipas meje, babai ishte i rreptë dhe nuk donte që unë të dëfrehesha, prandaj dilja dhe bëja ç’më donte qejfi»

[Figura në faqen 12]

Si duhet t’i konsiderosh rregullat e vendosura nga prindërit?

[Figura në faqen 14]

A duhet t’i nderosh prindërit nëse sjellja e tyre është e qortueshme?