Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse mami dhe babi u ndanë?

Përse mami dhe babi u ndanë?

Kapitulli 4

Përse mami dhe babi u ndanë?

«Më kujtohet kur babi na la. Në fakt, nuk e kuptonim se ç’po ndodhte. Mami ishte e detyruar të punonte dhe na linte gjithmonë vetëm. Nganjëherë, ne uleshim përballë dritares të tmerruar nga mendimi se edhe ajo do të na linte. . . . »​—Një vajzë me prindër të divorcuar.

DIVORCI i prindërve mund të duket si fundi i botës, një katastrofë që shkakton mjaft vuajtje të pashlyeshme. Shpesh, ngjall një varg ndjenjash turpi, zemërimi, ankthi, frike se mos të braktisin, faji, dëshpërimi dhe një ndjenjë të thellë boshllëku dhe madje një dëshirë për t’u hakmarrë.

Nëse prindërit e tu janë divorcuar nga pak kohë, ndoshta edhe ti përjeton ndjenja të tilla. Në fund të fundit, Krijuesi ynë kishte si qëllim që të rriteshe nga të dy prindërit, nga babi dhe mami. (Efesianëve 6:1-3) Megjithatë, tani të mungon prania e përditshme e njërit nga prindërit që do. «E respektoja me të vërtetë babin dhe doja të isha me të,​—ankohet Gerti, prindërit e të cilit u divorcuan kur ai ishte shtatë vjeç.​—Por ne na mori në kujdes mami.»

Përse u ndanë?

Shpeshherë, prindërit i fshehin mirë problemet e tyre. «Nuk më kujtohet t’i kem parë të grinden,​—thotë Lira, prindërit e së cilës u divorcuan kur ajo ishte akoma fëmijë.​—Mendoja se shkonin mirë.» Edhe kur prindërit hahen e grihen, faktikisht prapë tronditesh kur ndahen.

Në të shumtën e rasteve, ndarja ndodh, sepse njëri nga prindërit është fajtor për imoralitet seksual. Perëndia i lejon bashkëshortit të pafajshëm të divorcohet. (Mateu 19:9) Në raste të tjera, ‘zemërimi, e bërtitura dhe e folura sharëse’ kanë shpërthyer në dhunë, duke i ngjallur frikë njërit prind për mirëqenien e tij apo të saj fizike dhe atë të fëmijëve.​—Efesianëve 4:31, BR.

Duhet pranuar se disa divorce bëhen për arsye të kota. Në vend se t’i zgjidhin problemet e tyre, disa me egoizëm divorcohen, duke pohuar se «nuk janë të lumtur» ose «nuk janë më të dashuruar». Kjo gjë nuk i pëlqen Perëndisë, i cili «e urren divorcin». (Malakia 2:16) Jezui, gjithashtu, tregoi se disa do t’i thyenin lidhjet e tyre martesore, për faktin se bashkëshortët e tyre do të bëheshin të krishterë.​—Mateu 10:34-36.

Sidoqoftë, fakti që prindërit mund të kenë vendosur të heshtin ose t’u japin përgjigje të turbullta pyetjeve të tua në lidhje me divorcin, nuk do të thotë se nuk të duan. * Të zhytur në dhimbjen e tyre, prindërit thjesht mund ta kenë të vështirë të flasin për divorcin. (Proverbat 24:10) Mund ta kenë të vështirë dhe madje vihen në siklet të pranojnë gabimet e njëri-tjetrit.

Çfarë mund të bësh?

Mundohu të kuptosh se kur është momenti i përshtatshëm për të folur me qetësi me prindërit për gjërat që të shqetësojnë. (Proverbat 25:11) Lëru të kuptojnë se sa të ka hidhëruar dhe hutuar divorci i tyre. Ndoshta do të të japin një shpjegim të kënaqshëm. Nëse jo, mos u dëshpëro! A nuk u fshehu Jezui disa gjëra dishepujve të tij, sepse mendonte se nuk ishin gati për t’i kuptuar? (Gjoni 16:12) Gjithashtu, a nuk kanë të drejtë prindërit të kenë jetën e tyre private?

Në fund të fundit, mundohu të kuptosh se divorci, cilado qoftë arsyeja, është një grindje mes tyre me njëri-tjetrin dhe jo me ty. Në studimin e tyre të 60 familjeve të divorcuara, Uallerstain dhe Kelli zbuluan se çiftet ia hidhnin fajin për divorcin njëri-tjetrit, punëdhënësve, anëtarëve të familjes dhe miqve. Megjithatë, studiueset thanë: «Është mjaft interesant fakti se asnjëri nuk fajësonte fëmijët.» Ndjenjat e prindërve ndaj teje nuk kanë ndryshuar.

Koha shëron plagët

Ka «një kohë për të shëruar». (Eklisiastiu 3:3) Ashtu si një plagë fizike, një kockë e thyer, për shembull, do javë dhe muaj për t’u shëruar plotësisht, edhe plagët emocionale duan kohë për t’u shëruar.

Studiueset e divorceve Uallerstain dhe Kelli zbuluan se brenda pak vitesh pas divorcit, «frika e çdo lloji, hidhërimi, ndjenja e mosbesimit . . . venitet ose shuhet fare». Disa ekspertë janë të mendimit se periudha më e vështirë e një divorci, përballohet brenda tre vjetësh. Mund të duket një kohë e gjatë, por duhet të ndodhin shumë gjëra para se jeta jote të stabilizohet.

Para së gjithash, duhet riorganizuar rutina familjare e çrregulluar nga divorci. Gjithashtu, do të duhet kohë para se prindërit të marrin veten përsëri emocionalisht. Vetëm atëherë ata më në fund do të mund të të japin mbështetjen që të nevojitet. Pak nga pak që jeta fiton njëfarë rregullsie, do të fillosh të ndihesh përsëri normal.

Megjithatë, Solomoni bëri këtë paralajmërim: «Mos thuaj: ‘Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?’, sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.» (Eklisiastiu 7:10) Përqendrimi i vëmendjes në të kaluarën mund ta errësojë të tashmen. Si dukej situata jote familjare para divorcit? «Kishte gjithmonë grindje pa fund, të bërtitura dhe sharje»,​—pranon Arjana. Mos ndoshta tani ti gëzon paqe familjare?

«Mund t’i bashkoj përsëri»

Disa të rinj ëndërrojnë t’i bashkojnë prapë prindërit e tyre, ndoshta duke u kapur pas iluzioneve të tilla edhe pasi prindërit janë martuar secili për hesap të vet.

Por, të mohosh divorcin është e kotë. Të gjithë lotët, përgjërimet dhe planet e botës, ka mundësi të mos i kthejnë përsëri bashkë prindërit e tu. Prandaj, përse të torturohesh duke parë ëndrra me sy hapur për diçka të pamundur? (Proverbat 13:12) Solomoni ka thënë se ka «një kohë për ta quajtur si të humbur». (Eklisiastiu 3:6, BR) Prandaj, prano realitetin dhe natyrën përfundimtare të divorcit. Ky është një hap i madh drejt shërimit.

Pajtohu me prindërit e tu!

Pasi të kanë çrregulluar jetën, me të drejtë mund të jesh i zemëruar me prindërit e tu. Një djalë tha i hidhëruar: «Prindërit e mi ishin egoistë. Nuk menduan aspak për ne dhe se si do të ndikonte mbi ne ajo që bënë. Bënë siç u pëlqeu, pa e vrarë shumë mendjen.» Ndoshta është kështu. Por, a mund të vazhdosh përpara me një barrë zemërimi dhe hidhërimi, pa dëmtuar veten?

Bibla këshillon: «Çdo hidhërim i lig dhe inat dhe zemërim . . . le të hiqet prej jush . . . Por bëhuni të sjellshëm me njëri-tjetrin, butësisht të dhembshur dhe falni njëri-tjetrin lirisht.» (Efesianëve 4:31, 32, BR) Si mund ta falësh dikë që të ka plagosur thellë? Përpiqu t’i shohësh prindërit me objektivitet, si njerëz të papërsosur dhe të gabueshëm. Po, edhe prindërit ‘mëkatojnë dhe privohen nga lavdia e Perëndisë’. (Romakëve 3:23) Po të kuptosh këtë, do ta kesh më të lehtë të pajtohesh me prindërit e tu.

Shpreh atë që ndien

«Në fakt, kurrë nuk e kam zënë me gojë se si ndihesha në lidhje me divorcin e prindërve»,​—tha një burrë i ri gjatë intervistës. Megjithëse në fillim dukej i pandjeshëm, emocionet u rritën dhe madje shpërtheu në lotë, kur fliste për divorcin e prindërve. Ndjenjat e fshehura nga shumë kohë, ishin zbuluar. I habitur nga kjo, ai pranoi: «Më bëri mirë që fola.»

Ngjashëm, edhe ti mund të jesh i mendimit se është më mirë t’i besosh dikujt, sesa të izolohesh. Tregoju prindërve për çfarë ke frikë dhe çfarë të shqetëson. (Krahaso Proverbat 23:26.) Gjithashtu, mund të të ndihmojnë edhe të krishterët e pjekur. Koli, për shembull, mori pak ose më mirë aspak mbështetje nga familja e vet e copëtuar nga divorci. Megjithatë, ai gjeti mbështetje diku tjetër. «Kongregacioni i krishterë u bë familja ime»,​—thotë Koli.

Para së gjithash, mund të gjesh një vesh që të dëgjon pranë Atit tënd qiellor, «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2, BR) Një i ri me emrin Gerti kujton se çfarë e ndihmoi të përballonte divorcin e prindërve. «Lutesha gjithë kohën dhe e mendoja gjithmonë Jehovain si person të vërtetë.»

Vazhdo përpara!

Pas një divorci, gjërat ndoshta kurrë nuk do të kthehen si më parë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk mund të kesh një jetë të frytshme dhe të lumtur. Bibla këshillon: «Mos jini të përtuar në punët tuaja.» (Romakëve 12:11, BR) Mos e lësho veten në hidhërim, grindje dhe zemërim, e kështu të qëndrosh në vend, por vazhdo përpara! Kushtoju detyrave shkollore! Gjej diçka për t’u zbavitur! Gjej «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë»!​—1. Korintasve 15:58, BR.

Kjo gjë kërkon punë, vendosmëri dhe kohë. Por në fund, thyerja e martesës së prindërve të tu, nuk do të jetë më gjëja mbizotëruese në jetën tënde.

[Shënimi]

^ par. 10 Studiueset Xhudith Uallerstain dhe Xhoan Kelli kanë zbuluar se «katër të pestat e fëmijëve më të vegjël [me prindër të divorcuar] që u studiuan, nuk kishin marrë asnjë shpjegim të përshtatshëm dhe as sigurinë se dikush do të vazhdonte të kujdesej për ta. Në fakt, në një mëngjes të bukur kur janë zgjuar, njëri nga prindërit kishte ikur».

Pyetje për t’u trajtuar

□ Cilat janë disa nga arsyet për të cilat prindërit ndahen?

□ Përse mund të jetë e vështirë për prindërit të flasin mbi këtë? Çfarë mund të bësh nëse shfaqin mungesë dëshire për të folur?

□ Përse është e kotë ta përqendrosh vëmendjen tek e kaluara dhe të fantazosh për t’i bashkuar përsëri prindërit?

□ Ç’gjëra pozitive mund të bësh që të mund të përballosh divorcin e prindërve?

□ Çfarë mund të bësh nëse je i zemëruar me prindërit?

[Kutia në faqet 36, 37]

«A do ta shkatërrojë divorci i tyre jetën time?»

Në vragën e divorcit të prindërve të tyre, disa të rinj shkatërrojnë praktikisht jetën e tyre. Disa vendosin pa u menduar gjatë, për shembull, të lënë shkollën. Të tjerët e shfrejnë dufin e zhgënjimit dhe zemërimit duke u sjellë keq, sikur t’i ndëshkonin kështu prindërit e tyre për divorcin. Denisi kujton: «Pas divorcit të prindërve isha i dëshpëruar dhe aspak i lumtur. Fillova të kisha probleme në shkollë dhe një vit mbeta në klasë. Pas kësaj . . . u bëra palaçoja i klasës dhe gjithmonë kacafytesha me të tjerët.»

Sjellja e turpshme mund ta tërheqë shumë lehtë vëmendjen e prindërve. Por, çfarë fiton, përveçse i shton stres një situate tashmë të tensionuar? Në fakt, i vetmi që ndëshkohet për gabimin, është ai që gabon. (Galatasve 6:7) Mundohu të kuptosh se edhe prindërit po vuajnë dhe megjithëse duket se të lënë pas dore, nuk do të thotë që e bëjnë kastile. Nëna e Denisit pranoi: «Me siguri i kam lënë pas dore fëmijët. Me të vërtetë nuk mund t’i ndihmoja, pasi pas divorcit isha lëmsh për vete.»

Hebrenjve 12:13, Bibla këshillon: «Bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që ajo e cila çalon të mos ndrydhet.» Edhe kur mungon disiplina prindërore, sjellja e keqe nuk justifikohet. (Jakovit 4:17) Merr përgjegjësinë për veprimet e tua dhe ushtro vetëdisiplinë.​—1. Korintasve 9:27.

Shmang, gjithashtu, marrjen e vendimeve të pamenduara, për shembull për të ikur nga shtëpia. «Njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.» (Proverbat 14:15) Nëse prindërit për momentin duken tepër të shpërqendruar për të ta vënë veshin, përse të mos flasësh me një shok më të madh se veten për vendimet që ke marrë?

Ndërkohë, ndoshta je i shqetësuar për të ardhmen tënde. Duke qenë se prindërit kanë dështuar në martesë, është e kuptueshme se mund të shqetësohesh për perspektivën tënde për një martesë të lumtur e të suksesshme. Shyqyr që palumturia martesore nuk është diçka që trashëgohet nga prindërit, si për shembull qukat. Ti je një person më vete dhe mënyra se si do të ecë martesa jote e ardhshme nuk varet nga gabimet e prindërve, por nga masa në të cilën ti dhe bashkëshorti yt do ta zbatoni Fjalën e Perëndisë.

Ndoshta shqetësohesh edhe për gjëra që më parë për ty ishin normale, si ushqimi, veshja, strehimi dhe paratë. Megjithatë, pas divorcit prindërit zakonisht gjejnë disa mënyra për t’i mbajtur fëmijët e tyre, edhe nëse kjo do ta detyrojë nënën të punojë. Sidoqoftë, libri Të mbijetosh ndarjen (Surviving the Breakup)  jep këtë paralajmërim realist: «Ajo që më parë mbante një familje të bashkuar, duhet të shërbejë tani për të mbajtur dy familje, gjë që detyrimisht sjell një rënie në standartin e jetesës për çdo anëtar të familjes.»

Prandaj, mund të ndodhë që të të duhet të bësh edhe pa disa gjëra që më parë i kishe, si për shembull rrobat e reja. Megjithatë, Bibla na kujton: «Ne nuk kemi sjellë asgjë me vete në këtë botë dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim asgjë me vete; por kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.» (1. Timoteut 6:7, 8) Ndoshta mund të ndihmosh edhe në formimin e një buxheti të ri familjar. Mos harro, gjithashtu, se Jehovai është «një atë për fëmijët pa baba». (Psalmi 68:5, BR) Mund të jesh i sigurt se ai kujdeset shumë për nevojat e tua.

Jeremia vërejti: «Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.» (Vajtimet 3:27) Vërtet, nuk është ndonjë «gjë e mirë» t’i shohësh prindërit të ndarë. Megjithatë, mund të nxjerrësh dobi edhe nga kjo përvojë negative.

Studiuesja Xhudith Uallerstain vërejti: «Është e habitshme dhe shpeshherë prekëse rritja emocionale dhe intelektuale [tek fëmijët me prindër të divorcuar], gjë që është përshpejtuar nga kriza familjare. Të rinjtë . . . i shqyrtojnë me seriozitet përvojat e prindërve të tyre dhe nxjerrin përfundime të menduara mirë për vetë të ardhmen e tyre. Shqetësohen të gjejnë mënyra për të shmangur gabimet e bëra nga prindërit.»

Pa dyshim që divorci i prindërve të tu do të lërë gjurmën e vet në jetën tënde. Por, nëse ajo gjurmë do të mbetet një njollë që hiqet apo një plagë e hapur, varet në një masë të madhe nga ti.

[Figura në faqen 35]

Të përjetosh thyerjen e martesës së prindërve të tu, mund të jetë një nga gjërat më të dhimbshme që mund të imagjinohen

[Figura në faqen 38]

Të mendosh vazhdimisht të kaluarën, s’bën gjë tjetër veç dëshpërohesh