Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse prindërit nuk më kuptojnë?

Përse prindërit nuk më kuptojnë?

Kapitulli 2

Përse prindërit nuk më kuptojnë?

ËSHTË normale dëshira që të tjerët të të kuptojnë. Prandaj, nëse prindërit kritikojnë gjërat që të pëlqejnë ose nuk u interesojnë ato që për ty janë të rëndësishme, mund të ndihesh shumë i shkurajuar.

Alberti 16-vjeçar është i mendimit se i ati nuk i kupton shijet e tij në fushën e muzikës. Alberti thotë: «S’bën gjë tjetër veç ulërin: ‘Fike të shkretën!’ Kështu, s’dëgjoj më as muzikën e as atë.» Ngjashëm, shumë të rinj mbyllen emocionalisht në guaskën e tyre, kur duket se prindërit nuk i kuptojnë. Në një studim të gjerë mbi të rinjtë, 26 për qind e adoleshentëve të intervistuar pohuan: «Pjesën më të madhe të kohës përpiqem ta kaloj jashtë shtëpisë.»

Ja, përse në shumë familje ekziston një e çarë e madhe apo një hendek ndërmjet të rinjve dhe prindërve. Cili është shkaku?

«Fuqia» përballë «flokëve të thinjur»

Proverbat 20:29 thotë: «Bukuria e të rinjve [ose të rejave] është fuqia e tyre.» (BR) Por kjo forcë apo ‘fuqi’ mund të sjellë çdo lloj konflikti mes teje dhe prindërve të tu. Proverbi vazhdon: «Madhështia e pleqve janë flokët e tyre të thinjur.» (BR) Ndoshta prindërit e tu nuk janë të thinjur, por prapëseprapë janë më të mëdhenj dhe e shohin jetën me një sy tjetër. Ata e dinë se jo gjithçka në jetë përfundon mirë. Përvoja e hidhur personale mund ta ketë zbutur idealizmin e rinisë së tyre. Falë kësaj mençurie të fituar nga përvoja, «flokët e thinjur» me një fjalë, nuk marrin pjesë në entuziazmin tënd mbi disa gjëra.

Eltoni thotë: «Prindërit e mi (të rritur në epokën e depresionit të madh) mendojnë se paraja duhet kursyer për të blerë gjëra të rëndësishme. Por unë jetoj tani. . . . Dua të bëj shumë udhëtime.» Po, ndërmjet ‘fuqisë’ së të rinjve dhe ‘flokëve të thinjur’ të prindërve, mund të shtrihet një hendek i thellë. Në këtë mënyrë, shumë familje përçahen hidhur, kur flitet për çështje si veshja, krehja, qëndrimi me seksin e kundërt, përdorimi i drogës dhe i alkoolit, orari i kthimit në shtëpi, zgjedhja e miqve dhe punët e shtëpisë. Hendeku ndërmjet brezave mund të kapërcehet. Por, para se të kërkosh nga prindërit që të të kuptojnë, duhet të përpiqesh që edhe ti t’i kuptosh ata.

Edhe prindërit janë njerëz

«Kur isha i vogël,​—thotë Iliri,​—natyrisht që mendoja se mami ishte ‘e përsosur’ dhe nuk kishte asnjë nga ndjenjat dhe dobësitë që kisha unë.» Më pas, prindërit e tij u divorcuan. E ëma duhej të kujdesej e vetme për të shtatë fëmijët. Motra e Ilirit, Alketa, sjell ndër mend: «Më kujtohet që e shihja të qante, sepse nuk ia dilte dot t’i bënte të gjitha. Atëherë kuptova se nuk ishte e drejtë ajo që mendonim. Ajo nuk arrinte të bënte çdo gjë gjithmonë në kohën dhe në mënyrën e duhur. Kuptuam se edhe ajo ishte njeri dhe kishte ndjenja.»

Të pranosh se prindërit e tu janë njerëz të zakonshëm me ndjenja si të tuat, është një hap i madh përpara për t’i kuptuar. Për shembull, ata mund të ndihen të pasigurt mbi aftësinë e tyre për të të rritur në mënyrë të përshtatshme. Ose ndjenja e pushtimit nga rreziqet morale dhe tundimet që ti përballon, mund t’i bëjë ata të reagojnë ndonjëherë në mënyrë të tepruar. Ndoshta luftojnë me vështirësi fizike, financiare apo emocionale. Një baba, për shembull, mund ta urrejë punën e tij, por kurrë nuk ankohet. Prandaj, kur fëmija i thotë: «S’dua ta shoh më me sy shkollën», nuk është për t’u habitur se në vend që t’i mbajë anën, t’ia kthejë: «Për çfarë ankohesh? Nuk të ka rënë jeta në kurriz, pa ta shohësh!»

Trego «interes personal»

Si mund ta kuptosh, atëherë, se si ndihen prindërit e tu? Duke ‘mos menduar secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve’. (Filipianëve 2:4) Përpiqu ta pyesësh mamin se si ishte ajo kur qe adoleshente? Cilat ishin ndjenjat, qëllimet e saj? «Ka shumë mundësi,​—thotë revista ’Teen,​—se nëse ajo ndien se interesohesh për disa nga ndjenjat e saj dhe i kupton arsyet, ajo do të mundohet të kuptojë më mirë të tuat.» Pa dyshim, e njëjta gjë vlen edhe për babin.

Nëse lind ndonjë konflikt, mos shpejto t’i akuzosh si të pandjeshëm. Pyet veten: «Ndoshta nuk ndiheshin mirë ose kanë qenë ndopak të shqetësuar? Ndoshta ndonjë veprim apo fjalë e imja i ka vrarë? Ndoshta vetëm e kanë keqkuptuar atë që thashë?» (Proverbat 12:18) Shfaqja e kësaj empatie është një fillim i mirë për të mbyllur hendekun midis brezave. Tani mund të bësh diçka që prindërit të kuptojnë. Por shumë të rinj e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë këtë gjë. Në ç’mënyrë?

Duke bërë një jetë të dyfishtë

Pikërisht kështu vepronte Migena shtatëmbëdhjetë-vjeçare, duke u shoqëruar fshehurazi me një djalë, kundër dëshirës së prindërve. Ajo ishte e sigurt se prindërit nuk do t’i kuptonin ndjenjat e saj për shokun. Natyrisht, hendeku ndërmjet saj dhe prindërve u thellua më shumë. «Po e bënim njëri-tjetrin të vuanim,​—thotë Migena.​—Më kishte ardhur shtëpia në majë të hundës.» Ishte e vendosur të martohej, vetëm e vetëm që t’ia mbathte nga shtëpia!

Ngjashëm, shumë të rinj bëjnë një jetë të dyfishtë, duke bërë gjëra pa dijeninë e prindërve dhe që ata ua ndalojnë, e pastaj qahen se prindërit ‘nuk i kuptojnë’! Lumturisht, Migena ia hodhi, sepse një e krishterë e moshuar e ndihmoi, duke i thënë: «Migena, mendo pak për prindërit . . . Ata të kanë rritur. Kur ti nuk merresh vesh me prindërit e tu, si mund të merresh vesh me një bashkëmoshatarin tënd që nuk të ka kushtuar 17 vjet dashuri?»

Migena e shqyrtoi veten me ndershmëri. Shpejt kuptoi se prindërit kishin të drejtë dhe zemra e saj kishte gabuar. I dha fund shoqërimit me shokun dhe filloi të mbyllte atë të çarë që ishte krijuar mes saj dhe prindërve. Ngjashëm, edhe ti po t’u kesh fshehur prindërve një pjesë të jetës sate, a nuk ka ardhur koha të tregohesh i ndershëm me ta?​—Shiko shtojcën «Si mund t’ua them prindërve?»

Gjej kohë për të folur

«Ishin çastet më të bukura që kam kaluar me babin!​—thotë Arjani, duke folur për një udhëtim që kishin bërë së bashku.​—Kurrë në jetën time nuk kisha qenë për gjashtë orë rresht vetëm për vetëm me të. Gjashtë orë vajtje e gjashtë orë kthim. Pa radio. Vërtet biseduam. Ishte sikur të zbulonim njëri-tjetrin. Të bën për vete po ta njohësh më thellë. U bëmë miq.» Përse të mos përpiqesh të bisedosh edhe ti rregullisht me mamin ose babin?

Kjo gjë ndihmon edhe në forcimin e miqësisë me persona të tjerë të rritur. Migena kujton: «Në mënyrë absolute nuk kisha asnjë marrëdhënie me më të mëdhenjtë. Kështu, vendosa t’u ngjitem pas prindërve kur ishin në shoqëri me të tjerët. Me kalimin e kohës lidha miqësi me persona të moshës së prindërve të mi dhe kjo më dha mundësi të zgjeroja këndvështrimin tim. Pas kësaj, e kisha më të lehtë të bisedoja me prindërit. Atmosfera në shtëpi u përmirësua dukshëm.»

Shoqërimi me ata, të cilëve vitet u kanë dhënë mençuri, të mbron gjithashtu edhe nga adoptimi i një pikëpamjeje të ngushtë e të kufizuar mbi jetën, gjë që mund të ndodhë nëse shoqërohesh vetëm me të rinj si ti.​—Proverbat 13:20.

Shprehi ndjenjat

«Fjalët e mia janë drejtësia e zemrës sime dhe njohuria është ajo që buzët e mia shqiptojnë me sinqeritet»,​—tha Elihu i ri. (Jobi 33:3) A flet edhe ti kështu me prindërit, kur ke fërkime për sa i përket veshjes, krehjes dhe muzikës?

Ergysi mendonte se e ëma nuk ishte aspak e arsyeshme. Për të shmangur konfliktet e zjarrta ndërmjet tyre, ai rrinte jashtë shtëpisë sa të ishte e mundur. Por, pastaj ai veproi sipas këshillës së disa pleqve të krishterë. Ai thotë: «Fillova t’i tregoja mamit se çfarë ndieja. I thosha se përse më pëlqente të bëja disa gjëra dhe nuk supozoja se ajo e dinte tashmë. Shpesh, i hapja zemrën dhe i shpjegoja se nuk doja të bëja asgjë të keqe dhe se vuaja shumë kur më trajtonte si kalama. Pastaj, filloi të më kuptonte dhe pak nga pak gjërat u përmirësuan.»

Ngjashëm, edhe ti mund të kuptosh se duke shfaqur ‘drejtësinë e zemrës’, mund të sqarosh shumë keqkuptime.

Në rast mosmarrëveshjesh

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se prindërit do t’i shohin menjëherë gjërat me syrin që i sheh ti. Pikërisht atëherë duhet të frenosh ndjenjat. «Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul.» (Proverbat 29:11) Diskuto me qetësi meritat e pikëpamjes sate! Qëndro në faktet dhe mos thuaj «të gjithë e bëjnë»!

Do të ndodhë që prindërit të të thonë jo. Kjo nuk do të thotë se nuk të kuptojnë. Thjesht, duan t’i dalin përpara ndonjë telashi. «Mami është shumë e rreptë me mua,​—thotë Ledia 16-vjeçare.​—Më mërzit kur më thotë të mos bëj ndonjë gjë ose që [duhet] të kthehem në shtëpi në një orar të caktuar. Por thellë në brendësi ajo shqetësohet me të vërtetë për mua. . . . kujdeset për mua.»

S’gjenden fjalë për të përshkruar sigurinë dhe ngrohtësinë që sjell mirëkuptimi reciprok në familje. E bën shtëpinë një strehim në kohë ankthi. Por nevojitet mund i vërtetë nga ana e secilit.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse të rinjtë dhe prindërit gjenden shpesh në konflikte?

□ Si mund të ndikojë një mirëkuptim më i mirë me prindërit në pikëpamjen tënde mbi ta?

□ Si mund të arrish t’i kuptosh më mirë prindërit?

□ Përse një jetë e dyfishtë e thellon hendekun ndërmjet teje dhe prindërve të tu?

□ Përse është më mirë t’u hapesh prindërve, kur ke ndonjë problem serioz? Si mund t’ua thuash?

□ Si mund t’i ndihmosh prindërit që të të kuptojnë më mirë?

[Diçitura në faqen 22]

«Nëse [nëna] ndien se interesohesh për disa nga ndjenjat e saj dhe i kupton arsyet, ajo do të mundohet të kuptojë më mirë të tuat.»​—Revista ’Teen

[Kutia dhe figura në faqet 20, 21]

Si mund t’ua them prindërve?

Ndjenja e detyrës për t’u treguar një gabim prindërve të tu nuk është dhe aq e këndshme. Një i ri i quajtur Viktor, thotë: «Gjithmonë e ndieja se prindërit kishin shumë besim tek unë, gjë që ma bënte të vështirë t’u afrohesha, sepse nuk doja t’u shkaktoja dhembje.»

Të rinjtë që përpiqen t’i fshehin gabimet, shpesh i bren një ndërgjegje e trazuar. (Romakëve 2:15) Gabimet e tyre mund të bëhen «një barrë e madhe», shumë e rëndë për t’u mbajtur. (Psalmi 38:4) Gati në mënyrë të pashmangshme, ata janë të detyruar t’i mashtrojnë prindërit, duke gënjyer dhe duke bërë kështu gabime të tjera. Marrëdhënia e tyre me Perëndinë në këtë mënyrë dëmtohet.

Bibla thotë: «Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.» (Proverbat 28:13) 19-vjeçarja e quajtur Blerina u shpreh kështu: «Sido që të jetë, Jehovait nuk i shpëton dot asgjë.»

Po të bëhet fjalë për një gabim serioz, kërko faljen e Jehovait, duke ia treguar gabimin në lutje. (Psalmi 62:8) Pastaj, tregojua prindërve. (Proverbat 23:26) Ata kanë përvojë në jetë dhe shpesh mund të të ndihmojnë të braktisësh gabimet dhe të mos i përsëritësh më ato. «Të flasësh me ta për gabimin mund të të ndihmojë shumë,​—thotë Edvini 18-vjeçar.​—Në fund të fundit, është një lehtësim për ta hequr nga mendja dhe për të liruar shpirtin.» Por, ja, gjithë vështirësia është: Si t’ua thuash prindërve?

Bibla flet për vlerën e ‘një fjale të thënë në kohën e duhur’. (Proverbat 25:11; krahaso Eklisiastiun 3:1, 7.) Kur mund të jetë momenti i duhur? Edvini thotë: «Pres derisa të vijë darka dhe i them babait se kam nevojë t’i them diçka.» Një djalë që jetonte vetëm me nënën gjente një moment tjetër: «Zakonisht flisja me mamin para se të shkoja në shtrat, pasi atëherë ishte më e çlodhur. Kur kthehej nga puna ishte gjithë nerva.»

Ndoshta mund të thuash diçka të ngjashme, si: «Mami! Babi! Diçka më shqetëson.» Po sikur ata të duken tepër të zënë për të të kushtuar vëmendje? Atëherë mund të thuash: «E di që jeni të zënë, por ka diçka që me të vërtetë më shqetëson. A mund të flasim pak?» Pastaj mund t’i pyesësh: «A keni bërë ndonjëherë diçka, për të cilën do të kishit turp të flisnit?»

Tani vjen pjesa më e vështirë: T’u tregosh prindërve gabimin që ke bërë. Ji i përulur dhe ‘thuaj të vërtetën’, jo duke e minimizuar seriozitetin e gabimit apo duke u përpjekur të mbash fshehur ndonjë hollësi jo shumë të këndshme për t’u thënë! (Efesianëve 4:25; krahaso Lukën 15:21.) Përdor fjalë që prindërit e tu mund t’i kuptojnë dhe jo zhargone me kuptim të veçantë e të kuptueshme vetëm për të rinjtë.

Natyrisht që prindërit në fillim mund të ndihen të vrarë dhe të zhgënjyer. Prandaj, mos të të vijë çudi apo të ofendohesh nëse e sheh veten të mbytur nga një breshëri fjalësh të ashpra! Po t’i kishe dëgjuar paralajmërimet e tyre, ndoshta nuk do të gjendeshe në këtë situatë. Ruaj qetësinë! (Proverbat 17:27) Dëgjoji ata dhe përgjigjju pyetjeve të tyre, pavarësisht se me çfarë toni i bëjnë!

Pa dyshim që gatishmëria për të rregulluar çështjen do t’u bëjë përshtypje atyre. (Krahaso 2. Korintasve 7:11.) Megjithatë, ji i përgatitur për të pranuar ndonjë lloj disipline që ndoshta e ke merituar. «Dhe njëmend, çdo qortim një herë për një herë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqe dhe drejtësie.» (Hebrenjve 12:11, DSF) Gjithashtu, mos harro se kjo nuk do të jetë hera e fundit që do të kesh nevojë për ndihmën dhe këshillat e pjekura të prindërve! Mësohu të kesh besim tek ata për problemet e vogla, në mënyrë që kur të kesh probleme më të mëdha, të mos kesh frikë t’u thuash se çfarë të shqetëson!

[Figura]

Gjej një moment kur prindërit mund të jenë në humor për të të dëgjuar