Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse e kam të vështirë të shkoj mirë me vëllanë dhe motrën?

Pse e kam të vështirë të shkoj mirë me vëllanë dhe motrën?

Kapitulli 6

Pse e kam të vështirë të shkoj mirë me vëllanë dhe motrën?

RIVALITETI ndërmjet vëllezërve dhe motrave në gjak, është po aq i lashtë sa edhe Kaini me Abelin. Nuk mund të themi se vjen nga urrejtja për vëllanë apo motrën, siç pranon një djalë: «Thellë përbrenda, në një mënyrë të mjegullt, e kuptoj se e dua tim vëlla. Në njëfarë mënyre e kam xhan.»

Përse armiqësia fshihet kaq shpesh nën sipërfaqen e marrëdhënieve motër e vëlla? Shkrimtarja Heriet Uebster citoi fjalët e thëna nga Klaudia Shueitcer, eksperte në fushën e marrëdhënieve familjare, e cila ka thënë: «Çdo familje ka një sasi burimesh, disa emocionale dhe disa materiale.» Uebster shton: «Kur vëlla e motër zihen, zakonisht ata bëjnë garë për këto burime, të cilat përfshijnë gjithçka, që nga dashuria prindërore deri te paratë dhe veshja.» Klara, për shembull, ka pesë motra e vëllezër. Që të gjashtë kanë së bashku tri dhoma gjumi. «Nganjëherë dua të rri vetëm,​—thotë Klara,​—dua t’u mbyll derën e t’i lë jashtë, por ata s’më shqiten.»

Fusha beteje mund të krijohen edhe në ndarjen e privilegjeve dhe përgjegjësive në familje. Fëmijët e mëdhenj, ndoshta e kanë inat faktin se prej tyre pritet të bëjnë pjesën më të madhe të punëve. Më të vegjlit nuk duan të urdhërohen me thupër nga vëllai apo motra më e madhe ose bëhen xhelozë kur vëllai apo motra më e madhe marrin privilegje që ata vetë i lakmojnë. «Motra ndjek një kurs për të mësuar makinën, kurse unë jo,​—psherëtin një vajzë adoleshente nga Anglia.​—E kam marrë inat dhe bëj sa të mundem t’ia vështirësoj gjërat.»

Nganjëherë grindja mes motrave apo vëllezërve mund të vijë thjesht si rezultat i përplasjeve të personalitetit. Diana shtatëmbëdhjetëvjeçare thotë për motrat dhe vëllezërit e saj: «Të ndeshësh një person ditë për ditë, çdo ditë të jetës sate . . . Dhe të shikosh çdo ditë po atë person të bëjë të njëjtën gjë që të ngacmon nervat, bezdisesh.» Andrea shton: «Kur je në shtëpi . . . sillesh ashtu siç je.» Mjerisht, të «sillesh ashtu siç je», shpesh do të thotë të harrosh mirësjelljen, dashamirësinë dhe taktin.

Parapëlqimet e prindërve (‘Mami të do më shumë ty!’) janë akoma një mollë sherri për motrat e vëllezërit në gjak. Profesoresha e psikologjisë, Li Salk, pranon: «Nuk ka mundësi që një prind t’i dojë të gjithë fëmijët njëlloj, pasi ata janë qenie të ndryshme njerëzore dhe në mënyrë të pashmangshme ngjallin reagime të ndryshme te ne [prindërit].» Kështu ishte edhe në kohët biblike. Patriarku Jakob, (Izraeli), «donte Jozefin më tepër se tërë bijtë e tij». (Zanafilla 37:3) Vëllezërit e Jozefit u bënë shumë xhelozë për të.

Shuaj zjarrin

«Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet.» Kështu thotë Proverbat 26:20. Shpesh, përhapja e zjarrit në pyje parandalohet nga zjarrndaluesit, që janë breza toke pa pemë. Kur fillon zjarri, ai zakonisht përparon vetëm deri në atë pikë dhe pastaj shuhet. Ngjashëm, ka mënyra për të parandaluar ose të paktën për të kufizuar mosmarrëveshjet. Një mënyrë është komunikimi dhe arritja në kompromise para se të ndizet diskutimi.

Mos vallë problemi lidhet, për shembull, me pamundësinë për të qëndruar vetëm? Nëse po, në një moment kur ujërat të jenë qetësuar, ulu bashkë me të dhe përpiqu të bësh një program aktual. (‘Unë do ta përdor dhomën filan ditë ose orë, ti do ta përdorësh filan ditë ose orë.’) Pastaj, «fjala jote të jetë: po, po; jo, jo», duke e respektuar marrëveshjen. (Mateu 5:37) Nëse ndodh diçka që kërkon një rregullim, bëja të ditur që më parë tjetrit dhe jo ta bësh fakt të kryer dhe madje pa e lajmëruar atë.

Mos vallë po ziheni sepse të prek gjërat? Një adoleshente ankohej: «Motra e gjetur gjithmonë i përdor gjërat e mia pa më pyetur. Madje përdori edhe kutinë time të tualetit dhe pastaj pati fytyrë e më tha se nuk kisha blerë llojin e duhur!» Mund të thërrasësh prindërit për t’i vënë gjërat në vend, por do të ishte më mirë akoma të uleshe me motrën apo vëllanë në një moment të qetë dhe të mos kapeshe pas çikërrimash mbi «të drejtat» personale, por të tregoheshe «i gatshëm për të ndarë». (1. Timoteut 6:18, BR) Përpiqu të pajtohesh me disa rregulla lidhur me gjërat që merren hua, një prej të cilave mund të jetë fakti që para se të merret diçka, gjithmonë më parë të pyetet. Nëse e sheh të nevojshme, bëj kompromise! Në këtë mënyrë, mund ta shohësh zjarrin ‘të shuhet’ para se të ndizet.

Por, ç’mund të themi nëse personaliteti i motrës apo i vëllait në njëfarë mënyre të ngre nervat? Në të vërtetë, nuk ke shumë në dorë për ta ndryshuar. Prandaj, mëso ‘të durosh tjetrin në dashuri’. (Efesianëve 4:2) Mos i zmadho gabimet dhe të metat e motrës apo vëllait, por zbato dashurinë e krishterë, e cila ‘mbulon një shumicë mëkatesh’. (1. Pjetrit 4:8) Mos ji i pagdhendur dhe i pasjellshëm, por largo ‘zemërimin, zemëratën, ligësinë, sharjen’ dhe ‘të folurit tënd të jetë gjithnjë me hir’.​—Kolosianëve 3:8; 4:6.

«Nuk është e drejtë!»

«Motra merr gjithçka që do,​—ankohet një djalë.​—Kurse kur bëhet fjalë për mua, më harrojnë fare.» A të duken të njohura këto fjalë? Vëre pak dy termat «gjithçka» dhe «fare». A është situata kaq e llahtarshme? Ndoshta jo. Edhe nëse ndodh kështu, a është realiste të pritet trajtim krejt i barabartë për dy individë të ndryshëm? Pa dyshim që jo! Ndoshta, prindërit thjesht po u përgjigjen nevojave të tua individuale dhe temperamentit tënd.

Por, a nuk është e padrejtë që prindërit të mbajnë me hatër njërin nga fëmijët? Jo, medoemos. Kujto se si Jakobi favorizonte birin e tij, Jozefin. Për ç’arsye? Jozefi ishte djali i gruas më të dashur për Jakobin, Rahilës, e cila kishte vdekur. A nuk është plotësisht e kuptueshme se përse Jakobi ndihej veçanërisht i afërt me këtë bir? Megjithatë, dashuria e Jakobit për Jozefin, nuk i përjashtonte bijtë e tjerë të tij, sepse ai tregonte kujdes të vërtetë për mirëqenien e tyre. (Zanafilla 37:13, 14) Prandaj, xhelozia e tyre për Jozefin nuk kishte bazë.

Ngjashëm, edhe prindërit e tu mund të ndihen të tërhequr nga vëllai apo motra jote, ndoshta sepse kanë interesa të njëjta, personalitet të ngjashëm apo faktorë të tjerë. Kjo nuk do të thotë se nuk të duan. Nëse ndien zemërim apo xhelozi, përpiq të kuptosh se zemra jote e papërsosur, të ka vënë përposh. Mundohu t’i mposhtësh këto ndjenja. Përderisa nevojat e tua plotësohen, përse të shqetësohesh nëse vëllait apo motrës i kushtohet kujdes i veçantë?

Është bukur të kesh motra e vëllezër

Nganjëherë, kjo mund të duket e vështirë për t’u besuar, veçanërisht kur ta sjellin në majë të hundës. Megjithatë, Diana na kujton: «Është bukur të kesh motra e vëllezër.» Ajo ka shtatë. «Ke me kë të flasësh dhe me kë të bësh gjëra interesante.»

Ana dhe vëllai i saj Andrea shtojnë: «Edhe pse mund të dalësh me shokët, gjithmonë ke motrat dhe vëllezërit. Janë gjithmonë të gatshëm kur do të luash një lojë, të bësh shaka apo të shëtisësh në park.» Dorina sheh një tjetër dobi praktike. «Ke dikë me të cilin të ndash punët.» Të tjerë akoma i kanë përshkruar vëllezërit dhe motrat e tyre si «këshillues dhe dëgjues të veçantë» dhe persona që «i kuptojnë».

Më vonë në jetë, do të përjetosh me të tjerët të njëjtat probleme që ke tani me motrën apo vëllanë. Xhelozia, të drejtat mbi gjërat që të përkasin, dallimet, pamundësia për të qëndruar vetëm, egoizmi, ndryshimi i personalitetit, këto janë probleme që bëhen pjesë e jetës. Duke mësuar të shkosh mirë me vëllanë dhe motrën, stërvitesh mirë në fushën e marrëdhënieve njerëzore.

Andrea shtatëmbëdhjetëvjeçar thekson fjalët e Biblës të shprehura në 1. Gjonit 4:20, ku thuhet: «Ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?» Herë pas here, do të ndodhin mosmarrëveshje me vëllanë apo motrën. Megjithatë, mund të mësosh të ndash, të komunikosh dhe të bësh kompromise. Çfarë do të fitosh me këto përpjekje? Ka shumë mundësi që të dalësh në përfundimin se në fund të fundit, nuk është dhe aq keq të kesh një motër apo një vëlla.

Pyetje për t’u trajtuar

□ Përse vëllezërit e motrat grinden shpesh midis tyre?

□ Si mund të parandalosh grindjet në lidhje me pamundësinë për të qëndruar vetëm ose për gjërat që të përkasin?

□ Përse nganjëherë prindërit favorizojnë njërin prej fëmijëve? A të duket se është medoemos e padrejtë?

□ A është fëmija i vetëm në një gjendje të pavolitshme?

□ Cilat janë disa përparësi kur ke motra e vëllezër?

[Diçitura në faqen 52]

«Nuk ka mundësi që një prind t’i dojë të gjithë fëmijët njëlloj, pasi ata janë qenie të ndryshme njerëzore.»​—Li Salk, profesoreshë e psikologjisë

[Kutia në faqen 54]

«Jam fëmijë i vetëm»

Nëse edhe ti je i tillë, nuk do të thotë medoemos se nuk ke asnjë përparësi. Së pari, ndërkohë që të rinjtë e tjerë mund ta kenë të vështirë të shkojnë mirë me motrën apo vëllanë e tyre, ti ke mundësi t’i zgjedhësh shokët e ngushtë (me miratimin e prindërve, sigurisht). Gjithashtu, mund të kesh më shumë kohë për të studiuar, për të medituar dhe për të mësuar disa zanate ose talente.​—Shiko kapitullin 14 mbi vetminë.

Një djalë, Toni, vë në dukje një tjetër përparësi kur thotë: «Duke qenë fëmijë i vetëm, tek unë përqendrohej gjithë vëmendja e prindërve.» Vërtet, vëmendja e tepërt e kushtuar nga prindërit, mund ta bëjë një të ri egocentrik. Por, nëse prindërit tregohen të ekuilibruar në këtë gjë, vëmendja prindërore mund të të ndihmojë të piqesh më shpejt dhe të ndihesh i lirshëm në shoqërinë e të rriturve.

Megjithatë, përderisa nuk ke motra e vëllezër për t’i ndarë gjërat me ta, ekziston rreziku që të bëhesh egoist. Jezui këshilloi: «Praktikoni dhënien!» (Luka 6:38, BR) Mundohu t’i ndash gjërat me miqtë dhe të afërmit! Ji i vëmendshëm ndaj nevojave të të tjerëve, duke ofruar ndihmën tënde atje ku është e mundur! Njerëzit nuk do të jenë të pandjeshëm ndaj kësaj bujarie. Ndoshta kupton se megjithëse je fëmijë i vetëm, nuk je aspak i vetmuar.

[Figura në faqen 53]

Megjithëse kam disa përparësi, shpesh e ndiej mungesën e një motre