Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë ndodh kur vdes?

Çfarë ndodh kur vdes?

Kapitulli 8

Çfarë ndodh kur vdes?

1. Çfarë pyetjesh bëjnë shpesh njerëzit rreth të vdekurve?

NDOSHTA e njeh ndjenjën e zbrazëtisë që vjen me vdekjen e një njeriu të dashur. Sa shumë i trishtuar dhe i pandihmë mund të ndihesh. Është e natyrshme të pyesim: Çfarë ndodh me një njeri kur vdes? A jeton ai akoma diku? A mund të ndodhë ndonjëherë që të gjallët t’i gëzohen përsëri shoqërisë së atyre që tashmë kanë vdekur?

2. Ç’ndodhi me njeriun e parë Adamin, kur vdiq?

2 Për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla, do të na ndihmojë njohuria mbi atë se çfarë ndodhi me Adamin kur vdiq. Kur ai mëkatoi, Perëndia i tha: «Ti do të kthehesh në tokën nga e cila je marrë. Sepse pluhur je dhe në pluhur do të kthehesh.» (Zanafilla 3:19) Mendo se çfarë do të thotë kjo. Përpara se Perëndia ta krijonte nga pluhuri, Adami nuk ekzistonte. Kështu, pasi vdiq, Adami u kthye në po atë gjendje të joekzistueshmërisë.

3. (a) Ç’është vdekja? (b) Çfarë thotë Eklisiastiu 9:5, 10 mbi gjendjen e të vdekurve?

3 Me pak fjalë, vdekja është e kundërta e jetës. Bibla e tregon këtë tek Eklisiastiu 9:5, 10: «Sepse të-gjallëtë dinë se do të vdesënë; po të-vdekuritë nukë dinë asgjë, as nukë kanë më çpagim; sepse kujtimi i atyre u harrua. Çdo që gjen dora jote për të bërë, bëj-e me fuqinë t’ënde; sepse nukë ka punë, as mendim, as dituri, as urtësi, ndë varrt ndë të-cilët vete.»​—Përkthimi BK.

4. (a) Ç’ndodh me aftësitë mendore të një njeriu kur vdes? (b) Përse të gjitha shqisat e një njeriu pushojnë së funksionuari pas vdekjes?

4 Kjo do të thotë se të vdekurit nuk mund të bëjnë dhe as mund të ndiejnë ndonjë gjë. Ata nuk kanë më mendime, siç thotë Bibla: «Mos e vendosni besimin tuaj në fisnikë e as në birin e njeriut tokësor, të cilëve nuk iu përket asnjë shpëtim. Fryma e tij del, dhe ai kthehet në tokën e tij. Në atë ditë mendimet e tij mbarojnë.» (Psalmi 146:3, 4) Kur njeriu vdes, fryma, fuqia e tij jetësore, e mbështetur tek frymëmarrja, «del jashtë». Nuk ekziston më. Kështu shqisat e njeriut, dëgjimi, shikimi, prekja, nuhatja dhe të shijuarit, që varen nga aftësitë e tij mendore, të gjitha pushojnë së funksionuari. Sipas Biblës, të vdekurit janë në gjendje të plotë pavetëdije.

5. (a) Si tregon Bibla se njerëzit dhe kafshët e vdekura janë në gjendje të njëjtë? (b) Ç’është «fryma» që i bën njerëzit dhe kafshët të jetojnë?

5 Pas vdekjes, si njerëzit dhe kafshët, janë në të njëjtën gjendje të pavetëdijes së plotë. Vërej se çfarë thotë Bibla mbi këtë pikë: «Siç vdes njëri, ashtu vdes edhe tjetri; dhe të gjithë ata kanë vetëm një frymë. Prandaj, s’ka asnjë lloj superioriteti të njeriut mbi kafshën, pasi çdo gjë është kotësi. Të gjithë shkojnë në të njëjtin vend. Të gjithë janë bërë nga pluhuri, dhe në pluhur do të kthehen të gjithë.» (Eklisiastiu 3:19, 20) «Fryma» që i bën kafshët të jetojnë është e njëjta që i mban edhe njerëzit në jetë. Kur kjo «frymë» ose fuqi e padukshme jetësore del, si njerëzit ashtu edhe kafshët kthehen në pluhurin prej të cilit janë bërë.

SHPIRTI VDES

6. Si tregon Bibla se kafshët janë shpirtra?

6 Disa njerëz kanë thënë se ajo që i bën njerëzit të ndryshëm nga kafshët, është se njeriu ka një shpirt dhe kafshët jo. Sidoqoftë, Zanafilla 1:20 dhe 30 thotë se Perëndia krijoi «shpirtra të gjallë» për të jetuar në ujë, dhe se kafshët kanë «jetë si një shpirt». Në këto vargje, disa Bibla përdorin fjalët «krijesë» dhe «jetë» në vend të «shpirtit». Por anëshkrimet e tyre në tekste pranojnë se fjala «shpirt» është ajo që shfaqet në gjuhën origjinale. Një nga referimet, ku Bibla u drejtohet kafshëve si shpirtra është Numrat 31:28. Atje flitet për «një ndër pesëqind shpirtrat e njerëzve, bagëtive, gomerëve dhe deleve.»

7. Çfarë thotë Bibla për të vërtetuar se shpirtrat e kafshëve dhe të njerëzve vdesin?

7 Përderisa kafshët janë shpirtra, kur ato vdesin, vdes edhe shpirti i tyre. Bibla thotë: «Çdo shpirt i gjallë vdiq, po, gjërat në detin.» (Zbulesa 16:3) Çfarë ndodh me shpirtrat njerëzorë? Si mësuam edhe në kapitullin e mëparshëm, Perëndia nuk e krijoi njeriun me një shpirt. Njeriu është një shpirt. Pra, siç mund ta marrim me mend, kur njeriu vdes, edhe shpirti i tij vdes. Shumë e shumë herë Bibla thotë se kjo është e vërtetë. Në asnjë vend në Bibël nuk thuhet se shpirti është i pavdekshëm apo që nuk mund të vdesë. «Të gjithë sa zbresin poshtë në pluhur, do të përkulen dhe askush asnjëherë nuk do ta ruaj gjallë shpirtin e tij»,​—thotë Psalmi 22:29. «Shpirti që mëkaton, vetë do të vdesë»,​—shpjegon Ezekieli 18:4 dhe 20. Në qoftë se kthehesh te Josiu 10:28-39, do të gjesh shtatë vende ku flitet për shpirtin e vrarë ose të shkatërruar.

8. Si e dimë se shpirti njerëzor, Jezu Krishti vdiq?

8 Në një profeci mbi Jezu Krishtin, Bibla thotë: «Ai ia zbrazi shpirtin e tij vetë vdekjes . . . dhe vetë ai mbarti mëkatet e shumicës së njerëzve. (Isaia 53:12) Mësimi i shpërblerjes provon se ishte një shpirt (Adami) që mëkatoi dhe se për të shpërblyer njerëzit duhej që të flijohej një shpirt (një njeri) përkatës. Krishti «duke e zbrazur shpirtin e tij në vdekje», siguroi çmimin e shpërblerjes. Jezui, shpirti njerëzor, vdiq.

9. Ç’do të thonë fjalët: «Vetë fryma kthehet tek Perëndia që e ka dhënë»?

9 Si kemi parë, «fryma» është diçka e ndryshme nga shpirti ynë. Fryma është fuqia jonë jetësore. Kjo fuqi jetësore gjendet në çdo qelizë të trupit njerëzor dhe të kafshëve. Ajo përkrahet ose mbahet gjallë nga frymëmarrja. Çfarë nënkupton, pra, Bibla kur thotë se pas vdekjes «pluhuri kthehet në tokë . . . dhe vetë fryma kthehet te Perëndia i vërtetë që e ka dhënë»? (Eklisiastiu 12:7) Kur vdes, fuqia jetësore, me kohë i lë të gjitha qelizat e trupit dhe ky fillon të kalbet. Por kjo nuk do të thotë se fuqia jonë jetësore e lë me të vërtetë tokën dhe udhëton në hapësirë për te Perëndia. Më saktë, fryma kthehet te Perëndia në kuptimin se tani shpresa jonë për jetën e ardhme varet tërësisht nga Perëndia. Vetëm me fuqinë e tij fryma ose fuqia jetësore mund të na kthehet prapë e të jetojmë kështu përsëri.​—Psalmi 104:29, 30.

LAZARI​—NJË NJERI I VDEKUR QYSH PREJ KATËR DITËSH

10. Megjithëse Lazari kishte vdekur, çfarë tha Jezui mbi gjendjen e tij?

10 Ajo që i ndodhi Lazarit, të vdekur prej katër ditësh, na ndihmon për të kuptuar gjendjen e të vdekurve. Jezui u kishte thënë dishepujve të tij: «Miku ynë, Lazari, ka shkuar të pushojë, por unë po shkoj atje që ta zgjoj atë nga gjumi.» Megjithatë, dishepujt u përgjigjën: «Zotëri, në qoftë se ai ka shkuar të pushojë, do të shërohet.» Atëherë Jezui u tha qartë: «Lazari ka vdekur.» Përse tha Jezui se Lazari po flinte, kur me të vërtetë ai kishte vdekur? Le ta shohim.

11. Çfarë bëri Jezui për Lazarin e vdekur?

11 Kur Jezui arriti pranë fshatit ku jetonte Lazari, ai u takua me Martën, motrën e Lazarit. Shpejt, së bashku me shumë të tjerë, shkuan te varri ku ishte vendosur Lazari. Ishte një shpellë dhe mbi të ishte vendosur një gur. Jezui tha: «Hiqeni gurin!» Pasi Lazari kishte vdekur prej katër ditësh, Marta kundërshtoi: «Zotëri, tashmë ai duhet të kundërmojë.» Por guri ishte lëvizur dhe Jezui thirri: «Lazar, dil jashtë!» Dhe ai doli! Doli i gjallë, akoma i mbështjellë me qefin. «Zgjidheni atë dhe lëreni të shkojë»,​—tha Jezui.​—Gjoni 11:11-44.

12, 13. (a) Përse mund të jemi të sigurt, se kur Lazari vdiq ishte pa vetëdije? (b) Përse Jezui tha se Lazari po flinte, kur në të vërtetë ai kishte vdekur?

12 Tani le të mendojmë rreth kësaj: Në çfarë gjendje ishte Lazari gjatë këtyre katër ditëve që ishte i vdekur? A ishte në qiell? Ai ishte njeri i mirë. Megjithatë, Lazari nuk tha asgjë rreth shkuarjes në qiell, gjë që sigurisht do ta bënte në qoftë se do të kishte qenë atje. Jo, Lazari kishte vdekur me të vërtetë, ashtu si kishte thënë Jezui. Përse, pra, Jezui në fillim u tha dishepujve të tij që Lazari po flinte?

13 Jezui e dinte se Lazari i vdekur ishte i pavetëdijshëm, ashtu si thotë Bibla: «Të vdekurit . . . nuk janë të vetëdijshëm për asgjë.» (Eklisiastiu 9:5) Por një njeri i gjallë, mund të zgjohet nga një gjumë i thellë. Kështu, Jezui donte të tregonte se me anë të fuqisë që Perëndia i kishte dhënë, miku i tij Lazari mund të zgjohej nga vdekja.

14. Në çfarë duhet të na shtyjë njohja e fuqisë së Krishtit për të ngritur të vdekurit?

14 Kur një njeri ndodhet në një gjumë shumë të thellë, ai nuk mban mend asgjë. Njësoj është edhe me të vdekurit. Ata nuk kanë ndjenja. Nuk ekzistojnë më. Por në kohën e duhur, të vdekurit e shpërblyer nga Perëndia do të ngrihen në jetë. (Gjoni 5:28) Sigurisht, kjo njohuri duhet të na nxisë dëshirën për të fituar dashamirësinë e Perëndisë. Në qoftë se veprojmë kështu edhe në qoftë se do të vdesim, Perëndia do të kujtohet për ne dhe do të na kthejë në jetë.​—1. Selanikasve 4:13, 14.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 76]

ADAMI​—i bërë nga pluhuri . . . kthehet në pluhur

[Figura në faqen 78]

Në çfarë gjendje ndodhej Lazari para se Jezui ta ngrinte?