Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dita e Gjyqit dhe pas saj

Dita e Gjyqit dhe pas saj

Kapitulli 21

Dita e Gjyqit dhe pas saj

1. Cili është një opinion i përgjithshëm mbi Ditën e Gjyqit?

ÇFARË IMAZHI të sjellë në mend Dita e Gjyqit? Disa imagjinojnë një fron të madh dhe përpara tij një radhë të gjatë njerëzish që janë ringjallur. Duke kaluar përpara fronit, secili gjykohet në bazë të veprave të kaluara, të gjitha të shkruara në librin e Gjykatësit. Në bazë të asaj që ka bërë njeriu dërgohet në qiell ose në një ferr të zjarrtë.

2. (a) Kush e ka caktuar Ditën e Gjyqit? (b) Kë ka vendosur ai si gjyqtar?

2 Mirëpo, Bibla jep një dukje krejtësisht tjetër të Ditës së Gjyqit. Nuk është një ditë për t’u pasur frikë. Vërej se çfarë thotë Bibla mbi Perëndinë: «Sepse e ka caktuar ditën, kur do të gjykojë në mënyrë të drejtë gjithë botën, përmes njeriut që e ka caktuar për këtë.» (Veprat 17:31, St) Ky gjyqtar i caktuar nga Jehovai është, natyrisht, Jezu Krishti.

3. (a) Përse mund të jemi të sigurt se Krishti do të jetë i drejtë në gjykimin e tij? (b) Mbi ç’baza do të gjykohen njerëzit?

3 Mund të jemi të sigurt se Krishti do të jetë i drejtë dhe i paanshëm në gjykimin e tij. Sigurinë për këtë e gjejmë te një profeci e Isaisë 11:3, 4 që flet për të. Pra, në kundërshtim me opinionin e përgjithshëm, ai nuk do t’i gjykojë njerëzit në bazë të mëkateve të tyre të kaluara, shumica e të cilave shpesh janë kryer nga padituria. Bibla shpjegon se pas vdekjes çdo individ lirohet apo zgjidhet nga çdo mëkat i kryer: «Sepse kush ka vdekur, është i lirë nga mëkati.» (Romakëve 6:7, St) Kjo do të thotë, se të ringjallurit do të gjykohen në bazë të asaj që ata bëjnë gjatë Ditës së Gjyqit, e jo për atë që kanë bërë para vdekjes së tyre.

4. (a) Sa do të zgjasë Dita e Gjyqit dhe si e dimë këtë? (b) Kush do të gjykojë bashkë me Krishtin?

4 Dita e Gjyqit, pra, nuk është ditë e vërtetë 24 orëshe. Bibla këtë e tregon qartë, kur flet për ata që do të marrin pjesë me Jezu Krishtin në gjykim. (1. Korintasve 6:1-3) «I pashë fronet,​—thotë shkrimtari i Biblës,​—dhe atyre që rrinin në to u ishte dhënë pushteti për të gjykuar.» Këta gjyqtarë, janë ithtarët e mirosur besnikë të Krishtit, të cilët, siç lexojmë më tutje në Bibël, «u ringjallën dhe mbretëruan me Krishtin për 1.000 vjet.» Prandaj, Dita e Gjyqit do të zgjasë një mijë vjet. Kjo është po ajo periudhë një mijë vjeçare, gjatë së cilës Krishti dhe 144.000 ithtarët e tij të mirosur besnikë do të qeverisin si «qiell i ri» mbi «tokën e re».​—Zbulesa 20:4, 6, St; 2. Pjetrit 3:13.

5, 6. (a) Si e përshkroi një psalmist biblik Ditën e Gjyqit? (b) Si do të jetë jeta në Tokë gjatë Ditës së Gjyqit?

5 Shiko këto faqe. Japin vetëm një ide të asaj, se sa e mrekullueshme do të jetë Dita e Gjyqit për njerëzimin. Psalmisti biblik shkroi për atë kohë të shkëlqyeshme: «Le të gëzohet fusha dhe çdo gjë që është në të. Në të njëjtën kohë, drurët e pyllit le të brohorasin me gëzim para Jehovait. Sepse ai erdhi; erdhi për të gjykuar tokën. Do ta gjykojë vendin prodhimtar dhe njerëzit me besnikërinë e tij.»​—Psalmi 96:12, 13.

6 Gjatë Ditës së Gjyqit, ata që do të mbijetojnë Harmagedonin, do të punojnë për transformimin e tokës në një parajsë. Në këtë parajsë do të mirëpriten të ringjallurit. (Luka 23:43) Çfarë lumturie, kur familje të ndara për shumë kohë, të bashkohen sërish! Po, sa e gëzuar do të jetë jeta në paqe, në shëndet të mirë e duke marrë udhëzime mbi qëllimet e Perëndisë! Bibla thotë: «Kur prej teje të ketë gjykime për tokën, me siguri drejtësia do të jetë ajo që do të mësojnë banorët e tokës prodhimtare.» (Isaia 26:9) Gjatë Ditës së Gjyqit të gjithë njerëzit do të mësojnë mbi Jehovain dhe do të kenë kështu rastin për t’iu bindur e për t’i shërbyer atij.

7. Çfarë do të ndodhë gjatë Ditës së Gjyqit me ata që do të zgjedhin shërbimin ndaj Perëndisë dhe me ata që do të refuzojnë të veprojnë kështu?

7 Pra, në kushte të tilla parajsore Jezu Krishti dhe 144.000 bashkëmbretërit e tij do të gjykojnë njerëzimin. Njerëzit që do të zgjedhin shërbimin ndaj Jehovait do të jenë në gjendje të marrin jetën e përhershme. Por edhe nën kushte më të mira, disa do të refuzojnë që t’i shërbejnë Perëndisë. Shkrimet thonë: «Edhe pse të ligut i tregohet nder, ai thjesht, nuk do të mësojë drejtësi. Në vendin e drejtësisë do të veprojë paligjshmërisht.» (Isaia 26:10) Pra, pasi t’u jepet çdo mundësi për të ndryshuar rrugë e për të mësuar drejtësinë, këta të ligj do të shkatërrohen. Disa do të vdesin edhe para përfundimit të Ditës së Gjyqit. (Isaia 65:20) Atyre nuk do t’u lejohet që të mbeten për të korruptuar dhe rrënuar tokën parajsore.

8. Cila ishte gjendja morale e njerëzve të Sodomës?

8 Do të jetë me të vërtetë një përparësi e madhe që të ringjallesh mbi Tokë gjatë Ditës së madhe të Gjyqit të Jehovait. Mirëpo, Bibla tregon se do të jetë një përparësi së cilës jo të gjithë do t’i gëzohen. Të marrim, për shembull, njerëzit e Sodomës së lashtë. Bibla thotë se meshkujt e Sodomës tentuan të kenë marrëdhënie seksuale me «njerëzit» që vizituan Lotin. Sjellja e tyre imorale ishte kaq e paskajshme, saqë «u lodhën së kërkuari hyrjen» e shtëpisë që të futeshin brenda e të kishin marrëdhënie me mysafirët e Lotit edhe atëherë, kur në mënyrë të mrekullueshme u goditën nga verbëria.​—Zanafilla 19:4-11.

9, 10. Çfarë tregon Bibla mbi perspektivën e një ringjalljeje për njerëzit e ligj të Sodomës?

9 A do të ringjallen individë të tillë, tmerrësisht të ligj gjatë Ditës së Gjyqit? Shkrimet tregojnë dukshëm se jo. Për shembull, njëri nga dishepujt e frymëzuar të Jezuit, Juda, shkroi së pari mbi engjëjt që lanë vendin e tyre në qiell për të pasur marrëdhënie me bijat njerëzore. Mandej, shton: «Kështu edhe Sodoma e Gomora dhe qytetet përreth, pasi ngjashëm të lartpërmendurve kryen me bollëk kurvëri dhe anuan nga përdorimi jonatyror i trupit, na shërbejnë si shembull paralajmërues, duke rënë nën dënimin gjyqësor të zjarrit të përhershëm.» (Juda 6, 7; Zanafilla 6:1, 2) Po, njerëzit në Sodomë dhe qytetet përreth, për shkak të jomoralit të tyre të madh, pësuan një shkatërrim prej të cilit duket se nuk do ringjallen më.​—2. Pjetrit 2:4-6, 9, 10a.

10 Edhe Jezui tregoi se sodomasit mund të mos ringjallen. Kur foli për Kafarnaumin, njërin nga qytetet ku bëri mrekullira, ai tha: «Sikur në Sodomë të kishin ndodhur veprat e fuqishme që ndodhën në ty (Kafarnaum), do të mbetej deri në ditët e sotme. Prandaj, po ju them se tokës sodomike do t’i jetë më lehtë në ditën e gjyqit, sesa ty.» (Mateu 11:22-24) Jezui këtu theksoi gjyqin që e meritojnë njerëzit në Kafarnaum, sepse tha se do t’u jetë më lehtë sodomasve të vjetër, të cilët në mendjen e dëgjuesve izraelitë qenë tërësisht të padenjë për një ringjallje në Ditën e Gjyqit.

11. Përse në Ditën e Gjyqit do të jetë më lehtë për «të drejtët», sesa për «të padrejtët»?

11 Gjithsesi, pra, duhet që patjetër të bëjmë të pamundurën për ta jetuar jetën tonë në mënyrë që ta meritojmë ringjalljen. E megjithatë dikush mund të pyeste: Mësimi i drejtësisë dhe vënia e saj në praktikë do të jetë ndoshta më e vështirë për disa të ringjallur, sesa për disa të tjerë? Le të mendojmë pak: Para se të vdisnin, «të drejtë» si Abrahami, Isaku, Jobi, Debora, Rutha dhe Danieli e pritën të gjithë me padurim ardhjen e Mesisë. Sa të lumtur do të jenë Ditën e Gjyqit, kur të marrin njohuri mbi të e të dinë se mbretëron në qiell! Prandaj në atë kohë praktikimi i drejtësisë do të jetë shumë më i lehtë për ata «të drejtë», sesa për çdonjërin nga «të padrejtët» e ringjallur.​—Veprat 24:15.

RINGJALLJE «JETE» DHE «GJYQI»

12. Në bazë të Gjonit 5:28-30, kush do të marrë një «ringjallje jete» dhe kush një «ringjallje gjyqi»?

12 Duke përshkruar atë që do të ndodhë Ditën e Gjyqit, Jezui tha: «Ata që janë ndër varre përkujtimore do ta dëgjojnë zërin e tij e do të dalin jashtë prej tyre, ata që kanë bërë gjëra të mira në një ringjallje jete, ata që kanë praktikuar gjëra të liga në një ringjallje gjyqi. . . . Si dëgjoj, ashtu gjykoj; dhe gjykimi që bëj është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar. (Gjoni 5:28-30) Por, ç’është kjo «ringjallje jete» dhe ç’është «ringjallja e gjyqit»? Kush do t’i marrë ato?

13. Çfarë nënkupton për një njeri marrja e një «ringjalljeje jete»?

13 Kemi parë në mënyrë të qartë se të vdekurit, kur dalin nga varri, nuk gjykohen në bazë të veprave të tyre të kaluara. Gjykohen sipas asaj që bëjnë gjatë Ditës së Gjyqit. Prandaj, kur Jezui përmendi «ata që kanë bërë vepra të mira» dhe «ata që kanë praktikuar gjëra të liga», u referohej gjërave të mira dhe të këqija që do të bënin gjatë Ditës së Gjyqit. Për shkak të veprave të mira që do të bëjnë, shumë të ringjallur do të përparojnë deri në arritjen e përsosjes njerëzore nga fundi i Ditës mijëvjeçare të Gjyqit. Kthimi i tyre nga të vdekurit do të tregohet, pra, si një «ringjallje jete», sepse do të arrijnë jetën e përsosur pa mëkat.

14. Çfarë nënkupton për një njeri marrja e një «ringjalljeje gjyqi»?

14 Ç’mund të themi, përkundrazi, për ata që «do të kenë praktikuar gjëra të liga» apo të këqija gjatë Ditës së Gjyqit? Kthimi i tyre do të paraqitet si një «ringjallje gjyqi». Në ç’kuptim? Në kuptimin e një gjykimi apo dënimi me vdekje. Njerëz të tillë do të shkatërrohen, pra, gjatë apo nga fundi i Ditës së Gjyqit. Arsyeja do të jetë se ata do të kenë bërë gjëra të këqija; me kokëfortësi do të refuzojnë për të mësuar dhe zbatuar drejtësinë.

KUR FILLON DITA E GJYQIT?

15. Çfarë ndodh pak para fillimit të Ditës së Gjyqit?

15 Apostulli Gjon pa në vizion atë që ndodh menjëherë para Ditës së Gjyqit dhe shkroi: «Pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të. Nga prania e tij u zhdukën toka dhe qielli, . . . Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, në këmbë para fronit . . . Dhe të vdekurit u gjykuan.» (Zbulesa 20:11, 12) Prandaj, përpara se të fillojë Dita e Gjyqit, duhet të zhduket sistemi i tanishëm i gjërave, i treguar nga shprehja «toka dhe qielli». Vetëm ata që i shërbejnë Perëndisë do të mbijetojnë, ndërsa gjithë të ligjtë do të shkatërrohen në Harmagedon.​—1. Gjonit 2:17.

16. (a) Përveç të vdekurve, kush do të gjykohet gjatë Ditës së Gjyqit? (b) Mbi ç’bazë do të gjykohen?

16 Ditën e Gjyqit, pra, nuk do të gjykohen vetëm «të vdekurit» e ringjallur. Do të gjykohen edhe të «gjallët» e mbijetuar në Harmagedon, bashkë me fëmijët që mund të kenë. (2. Timoteut 4:1) Në vizionin e tij, Gjoni pa se si do të gjykohen. «Dhe u hapën rrotulla,​—shkroi ai,​—dhe të vdekurit u gjykuan nga gjërat e shkruara në rrotullat, sipas veprave të tyre. Dhe deti i dha të vdekurit që ishin në të dhe vdekja dhe Hadesi i dhanë të vdekurit që ishin në ta dhe u gjykuan secili sipas veprave të tyre.»​—Zbulesa 20:12, 13.

17. Çfarë janë «rrotullat», sipas së cilave do të gjykohen «të gjallët» dhe «të vdekurit»?

17 Çfarë janë «rrotullat» që hapen dhe në bazë të të cilave gjykohen si të «vdekurit» dhe të «gjallët»? Siç është e dukshme do të jetë diçka në shtesë të Biblës së Shenjtë aktuale. Do të jenë shkrime apo libra të frymëzuar, që përmbajnë ligje ose udhëzime të Jehovait. Duke i lexuar ato, të gjithë banorët e tokës mund të njohin vullnetin e Perëndisë. Pastaj mbi tokë secili do të gjykohet në bazë të ligjeve dhe udhëzimeve të përmbajtura në këto «rrotulla». Kush do t’u bindet gjërave të shkruara në to, do të marrë dobitë e sakrificës shpërblerëse të Krishtit dhe gradualisht do të përparojë deri tek përsosja njerëzore.

18. (a) Cila do të jetë gjendja në fund të Ditës së Gjyqit? (b) Në çfarë kuptimi vijnë «të vdekurit» në jetë në fund të 1.000 vjetëve?

18 Në fund të Ditës mijëvjeçare të Gjyqit, askush mbi tokë nuk do të jetë në një gjendje vdekjeprurëse për shkak të mëkatit të Adamit. Në kuptim më të përgjithshëm, të gjithë do të arrijnë në jetë. Kjo është ajo, së cilës Bibla i referohet kur thotë: «Pjesa tjetër e të vdekurve [d.m.th. pjesa tjetër veç të 144.000-ve që shkojnë në qiell] nuk erdhi në jetë, pa marrë fund më parë të një mijë vitet.» (Zbulesa 20:5) Ky referim për «pjesën tjetër të të vdekurve» nuk do të thotë që në fund të Ditës mijëvjeçare të Gjyqit do të ringjallen të tjerë. Më saktë, do të thotë se do të vijnë në jetë pasi do të kenë arritur përsosjen njerëzore. Do të jenë në të njëjtat kushte të përsosura që ndodheshin Adami dhe Eva në kopshtin e Edenit. Çfarë do të ndodhë atëherë?

PAS DITËS SË GJYQIT

19. Çfarë do të bëjë Krishti në fund të Ditës së Gjyqit?

19 Pasi të ketë kryer gjithçka që Perëndia i kishte dhënë për të bërë, Jezu Krishti «do t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij». Kjo do të ndodhë në fund të Ditës mijëvjeçare të Gjyqit. Për atë kohë të gjithë armiqtë do të jenë eliminuar. I fundit do të jetë vdekja e trashëguar nga Adami. Do të shkatërrohet! Në atë kohë Mbretëria do të kalojë në duart e Perëndisë Jehova, që do ta vendosë drejtpërsëdrejti si Mbret.​—1. Korintasve 15:24-28.

20. (a) Çfarë do të bëjë Jehovai për të vërtetuar se emrat e kujt duhen shënuar në «librin e jetës»? (b) Përse është me vend një sprovë përfundimtare për njerëzimin?

20 Si do të vendosë Jehovai se cilët emra të shkruajë në «rrotullën e jetës» apo «librin e jetës»? (Zbulesa 20:12, 15) Do ta bëjë këtë, duke e vënë njerëzimin nën një sprovë. Do të kujtoni se Adami dhe Eva dështuan në një sprovë të tillë, ndërsa Jobi, kur u sprovua, e mbajti integritetin. Por besimi i shumë njerëzve që do jenë në jetë në fund të një mijë viteve, s’ka qenë kurrë nën sprovë. Para se të ringjalleshin, nuk i njihnin qëllimet e Jehovait. Ishin pjesë e sistemit të lig të gjërave të Satanait; ishin «të padrejtë». Pastaj, pas ringjalljes, duke jetuar në Parajsë pa asnjë kundërshtim nga ana e Djallit, për ta do të ketë qenë e lehtë t’i shërbenin Jehovait. Por ata miliarda njerëz, në atë kohë të përsosur, a do t’i shërbenin Jehovait, nëse Satanai do të kishte mundësi për t’i penguar? A do të mund t’u bënte Satanai atyre, atë që i bëri Adamit dhe Evës së përsosur?

21. (a) Si do ta sprovojë Jehovai njerëzimin? (b) Çfarë do të ndodhë në fund të sprovës me ata që përfshihen në të?

21 Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve Jehovai do ta lirojë Satanain dhe demonët e tij nga humnera, ku do të gjenden gjatë një mijë viteve. Cili do të jetë rezultati? Bibla tregon se Satanai do të arrijë të shkëpusë disa nga shërbimi ndaj Jehovait. Këta do të jenë «si rëra e detit», në kuptimin se numri i tyre do të jetë i papërcaktuar. Pasi të ketë mbaruar sprova, Satanai dhe demonët e tij, bashkë me të gjithë ata që nuk do ta kalojnë sprovën, do të hidhen në «liqenin e zjarrtë» simbolik, që është vdekja e dytë (vdekja e përjetshme). (Zbulesa 20:7-10, 15) Por ata, emrat e të cilëve do të gjenden të shkruar në «librin e jetës», do të mbesin në parajsën e shkëlqyer tokësore. Fakti se emrat e tyre janë shkruar në «librin e jetës», do të thotë se Jehovai do t’i ketë gjykuar përsosmërisht të drejtë në zemër, mendje dhe trup dhe në këtë mënyrë të denjë për të jetuar përgjithmonë si banorë të ndershëm të parajsës tokësore.

DITA E TANISHME E GJYQIT

22. Prej çfarë gjëje duhet të mbijetojmë tani që të mund të jetojmë për të parë Ditën e Gjyqit dhe sprovën përfundimtare të njerëzimit?

22 Pastaj Bibla na jep informata mbi çka do të ndodhë këtu e një mijë vjet më vonë. Dhe tregon se nuk asnjë arsye për t’iu trembur së ardhmes. Por pyetja është: A do t’i gëzosh gjërat e mira që Perëndia Jehova ka ruajtur për ty? Kjo do të varet nëse mbijeton në një tjetër ditë gjyqi, «ditën» e sotme «të gjyqit dhe shkatërrimit të njerëzve të pabesë.»​—2. Pjetrit 3:7.

23. (a) Cilat janë dy grupet në të cilat ndahen njerëzit sot? (b) Çfarë do t’i ndodhë secilit grup dhe përse?

23 Po, qysh kur Krishti është kthyer dhe ulur në fronin e tij qiellor, i gjithë njerëzimi është nën gjykim. «Dita» e sotme «e gjyqit» i paraprin Ditës mijëvjeçare të Gjyqit. Gjatë gjykimit të sotëm njerëzit ndahen në «cjep» në të majtë të Krishtit dhe në «dele» në të djathtë të tij. «Cjeptë» do të shkatërrohen, pasi nuk i kanë ndihmuar «vëllezërit» e mirosur të Krishtit në shërbimin e tyre ndaj Perëndisë. Me kohë, këta «cjep» e tregojnë veten si mëkatarë të papendueshëm, të ligj, të patundur në rrugët e tyre të padrejta. «Delet», përkundrazi, do të bekohen me jetën nën sundimin e Mbretërisë, pasi kanë mbështetur në çdo kuptim «vëllezërit» e Krishtit.​—Mateu 25:31-46.

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 178]

Përse Jezui tha se në Ditën e Gjyqit do të jetë më e lehtë për ata nga Sodoma?