Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Fundi i botës» është afër!

«Fundi i botës» është afër!

Kapitulli 18

«Fundi i botës» është afër!

1. Si do ta dinin ithtarët tokësorë të Krishtit se ai kishte filluar së mbretëruari në qiell?

KUR JEZU Krishti e hodhi Satanain dhe engjëjt e tij nga qielli dhe kur Mbretëria e tij filloi të qeveriste, u kuptua se fundi i Satanait dhe i sistemit të tij të lig ishte afër. (Zbulesa 12:7-12) Por, si mund ta dinin ithtarët e Krishtit në Tokë, se kjo ngjarje, e padukshme për sytë e tyre, kishte ndodhur në qiell? Si mund ta dinin se Krishti ishte i pranishëm në mënyrë të padukshme në fuqinë e Mbretërisë dhe se «fundi i botës» ishte afër? Mund ta kuptonin, duke vërtetuar nëse «shenja» e dhënë prej Jezuit po përmbushej.

2. Ç’pyetje i bënë dishepujt Krishtit?

2 Pak para vdekjes së Jezuit, ndërsa ishte ulur mbi Malin e Ullinjve, katër prej apostujve të tij erdhën për t’i kërkuar një «shenjë». Me miliona njerëz e kanë lexuar pyetjen e tyre, që në versionin e DSF, është përkthyer kështu: «Na trego kur do të ndodhin këto dhe cila është shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?» (Mateu 24:3, DSF) Por, ç’do të thonë në të vërtetë shprehjet «e ardhjes sate» dhe «e mbarimit të botës»?

3. (a) Ç’do të thonë në të vërtetë shprehjet «e ardhjes sate» dhe «e mbarimit të botës»? (b) Cili është, pra, përkthimi i drejtë i pyetjes që dishepujt i bënë Jezuit?

3 Fjala greke e përkthyer këtu me «ardhje» është parousia dhe do të thotë «prani». Prandaj, kur të shihej «shenja», kjo do të ishte për ne prova që Krishti, edhe pse i padukshëm, është i pranishëm dhe se ka ardhur tashmë në fuqinë e Mbretërisë. Edhe shprehja «mbarimi i botës» është gjithashtu shumë çorientuese. Ajo nuk nënkupton fundin e Tokës, por më saktë fundin e sistemit të lig të gjërave të Satanait. (2. Korintasve 4:4) Prandaj, pyetja e saktë e apostujve ishte: «Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë tënde dhe e përfundimit të sistemit të gjërave?»​Mateu 24:3, NW.

4. (a) Nga çfarë përbëhet «shenja» që dha Jezui? (b) Në ç’mënyrë mund ta krahasojmë këtë me shenjën e gishtërinjve?

4 Jezui nuk dha një ngjarje të vetme si «shenjë». Ai foli për shumë ngjarje dhe situata. Krahas Mateut, edhe shkrimtarë të tjerë të Biblës përmendin ngjarje të mëtutjeshme, që do të shënonin «ditët e fundit». Të gjitha këto ngjarje të parathëna do të vërtetoheshin gjatë kohës që shkrimtarët e Biblës e quajtën «ditët e fundit». (2. Timoteut 3:1-5; 2. Pjetrit 3:3, 4) Këto ngjarje duhet të ishin si vijat e ndryshme që përbëjnë shenjën e gishtërinjve të një njeriu, një shenjë që nuk mund t’i përkasë ndonjë njeriu tjetër. «Ditët e fundit» kanë formën e tyre të shenjave ose të ngjarjeve. Ato formojnë një «shenjë gishti» të përcaktuar, që nuk mund t’i përkasë asnjë periudhe tjetër kohore.

5, 6. Çfarë kupton në lidhje me «përfundimin e sistemit të gjërave», duke shqyrtuar njëmbëdhjetë shenjat e «ditëve të fundit», të përshkruara në faqet vijuese?

5 Në kreun e 16-të të këtij libri kemi shqyrtuar faktet biblike që tregojnë se Krishti u kthye dhe filloi të qeverisë në mes të armiqve të tij në vitin 1914. Tani, hidhu një shikim të kujdesshëm veçorive të ndryshme dalluese të «shenjës» së pranisë së Krishtit, si dhe provave të mëtejshme të «ditëve të fundit» të sistemit të lig të gjërave të Satanait. Dhe ndërsa shqyrton këto gjëra të parathëna në katër faqet vijuese, vërej se si janë duke u plotësuar qysh prej 1914-ës.

«DO TË NGRIHET KOMB KUNDËR KOMBI DHE MBRETËRI KUNDËR MBRETËRIE.»​—Mateu 24:7.

Sigurisht që e ke parë të plotësohet këtë pjesë të shenjës që nga viti 1914. Në atë vit filloi Lufta e Parë Botërore. Kurrë më parë në histori nuk kishte ndodhur një luftë e tillë e tmerrshme. Ajo qe një luftë e përgjithshme. Lufta e Parë Botërore ishte shumë më e madhe se të gjitha luftërat e rëndësishme të zhvilluara gjatë 2.400 viteve që i paraprinë 1914-ës. E megjithatë, vetëm 21 vjet pas përfundimit të kësaj lufte, filloi Lufta e Dytë Botërore. Ajo ishte katër herë më shkatërruese, sesa Lufta e Parë Botërore.

Edhe sot zhvillohen luftëra të tmerrshme. Qysh nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945, në afro 150 luftëra të zhvilluara në mbarë globin, kanë humbur jetën më tepër se 25 milion njerëz. Çdo ditë zhvillohen, mesatarisht, 12 luftëra në ndonjë cep të dheut. Ndërkohë, ekziston kërcënimi i vazhdueshëm i një tjetër lufte botërore. Vetëm SHBA kanë armë të mjaftueshme bërthamore, për të shkatërruar 12 herë çdo burrë, grua apo fëmijë në Tokë!

«DO TË KETË MUNGESË USHQIMESH.»​—Mateu 24:7.

Pas Luftës së Parë Botërore pasoi zia më e madhe e bukës në gjithë historinë. Vetëm në Kinën veriore vdisnin në ditë 15.000 njerëz. Por, pas Luftës së Dytë Botërore, mungesa e ushqimeve u keqësua edhe më shumë. Një e katërta e botës vdiste urie! Prej atëherë ushqimi është i pamjaftueshëm për shumë njerëz mbi Tokë.

«Çdo 8,6 sekonda, në një nga vendet e pazhvilluara, vdes një njeri prej sëmundjeve të shkaktuara për shkak të të ushqyerit të keq.»​—shkruante New York Times, në vitin 1967. Miliona njerëz vdesin ende nga uria​—gati 50 milionë njerëz në vit! Në 1980 gati një e katërta e popullsisë botërore (1.000.000.000 njerëz), vuanin urie për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm. Edhe në vendet ku ka ushqim me bollëk, shumica është mjaft e varfër për ta blerë atë.

«NË VENDE TË NDRYSHME DO TË KETË MURTAJA»​—Luka 21:11.

Menjëherë pas Luftës së Parë Botërore, gripi spanjoll vrau më shumë njerëz, sesa çdo lloj tjetër sëmundje në historinë e njerëzimit. Vdiqën 21 milionë njerëz! Akoma edhe sot epidemitë dhe sëmundjet bëjnë kërdinë. Me miliona vdesin çdo vit nga sëmundjet e zemrës dhe kanceri. Sëmundjet veneriane përhapen me shpejtësi. Sëmundje të tjera të tmerrshme si malaria, biharcioza dhe verbëria lumore hasen nga njëri vend në tjetrin, veçanërisht në Azi, Afrikë dhe në Amerikën Latine.

«DO TË KETË TËRMETE NË VENDE TË NDRYSHME»​—Mateu 24:7.

Nga viti 1914 e deri më tani tërmetet e mëdha kanë qenë më të shumtë, se në çdo periudhë tjetër të historisë së dokumentuar. Në më tepër se 1.000 vjet, nga 856 e deri më 1914 të e. s., pati vetëm 24 tërmete të mëdha që shkaktuan rreth 1.973.000 të vdekur. Por në 63 vjet, nga 1915 e deri më 1978 humbën jetën 1.600.000 njerëz në 43 tërmete të mëdha.

«RRITJE TË PALIGJSHMËRISË.»​—Mateu 24:12.

Nga mbarë bota vijnë raporte mbi rritjen e paligjshmërisë dhe krimeve. Krimet e dhunës si vrasja, përdhunimet dhe grabitja po ecin tashmë me ritme të fuqishme. Vetëm në SHBA, mesatarisht çdo sekondë kryhet një vepër e rëndë dhune. Në shumë vende askush nuk ndihet i sigurt në rrugë, bile as ditën. Mbrëmjeve njerëzit qëndrojnë pas shtëpive të tyre të kyçura e të stërkyçura, duke pasur frikë të dalin jashtë.

«NJERËZVE DO T’U BJERË TË FIKËT NGA FRIKA.»​—Luka 21:26.

Me sa duket, frika është ndjenja e vetme më e madhe e njerëzve të sotëm. Jo shumë kohë pas shpërthimit të bombave të para bërthamore, shkencëtari atomik Harold C. Urey, tha: «Do të hamë me frikë, do të flemë me frikë, do të jetojmë me frikë dhe do të vdesim të frikësuar.» Për shumë njerëz ky është realitet. Dhe kjo, jo vetëm për shkak të kërcënimit gjithnjë të pranishëm të luftës bërthamore. Njerëzit kanë frikë edhe nga krimet, ndotja e ambientit, sëmundjet, inflacioni dhe nga shumë gjëra të tjera që kërcënojnë sigurinë dhe vetë jetën e tyre.

«TË PADËGJUESHËM PRINDËRVE.»​—2. Timoteut 3:2.

Prindërit sot, shpesh kanë një kontroll të vogël mbi fëmijët e tyre. Të rinjtë rebelohen kundër çdo autoriteti. Prandaj çdo vend në botë është i prekur nga shqetësimi i kriminalitetit të rinisë. Në shumë vende, gjysma e krimeve të rënda kryhet nga fëmijë 10-17 vjeçarë. Fëmijët janë të implikuar në vrasje, dhunime, sulme, plaçkitje, thyerje dhe vjedhje veturash. Kurrë më parë në histori padëgjueshmëria ndaj prindërve nuk ka qenë kaq e zakonshme.

«LAKMUES TË HOLLASH.»​—2. Timoteut 3:2.

Kudo që të hedhësh vështrimin sot, mund të shohësh shenja lakmie. Për shkak të të hollave shumëkush është gati të bëjë çdo gjë. Do të vidhnin, madje edhe do të vrisnin. Jo rrallë, njerëz lakmitarë prodhojnë apo shesin diçka që dihet se në një mënyrë apo tjetrën u shkakton atyre sëmundje apo vdekje. Për më tepër, haptazi apo me mënyrën e tyre të jetesës, njerëzit thonë për të hollat: «Këto janë perëndia ime.»

«DASHAMIRËS TË LAKMIVE NË VEND SE DASHAMIRËS TË PERËNDISË.»​—2. Timoteut 3:4.

Shumica e njerëzve sot mendon vetëm për të bërë atë çka i pëlqen atyre apo familjeve të tyre e jo atë që i pëlqen Perëndisë. Veçanërisht, shumica do atë që Perëndia e dënon, duke përfshirë kurvërinë, kurorëthyerjen, dehjen, keqpërdorimin e drogës dhe të ashtuquajturat kënaqësi të tjera. Bile edhe kënaqësitë, që në vetvete mund të jenë të shëndetshme, konsiderohen si më të rëndësishme, sesa çdo lloj përpjekjeje për të njohur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij.

«DO TË KENË NJË FORMË TË DEVOTSHMËRISË SË SHENJTË, POR DUKE IU TREGUAR TË RREMË FUQISË SË SAJ.»​—2. Timoteut 3:5.

Shumë udhëheqës botërorë, si edhe njerëzit e thjeshtë, shpesh lënë përshtypjen se janë të përshpirtshëm. Ndoshta marrin pjesë në shërbimin kishtar dhe kontribuojnë në çështje fetare. Anëtarët e qeverisë, me rastin e ardhjes në pozitë, mund ta vënë dorën mbi Bibël. Por shpesh, kjo është thjesht «dukje e jashtme e të besuarit». Ashtu siç ka parathënë Bibla, adhurimi i vërtetë i Perëndisë nuk është me të vërtetë një forcë në shumicën e njerëzve që jetojnë sot. Ata nuk nxiten nga një forcë e vërtetë ndaj së mirës.

«RRËNIMI I TOKËS»​—Zbulesa 11:18.

Sot ndotet ajri që thithim, uji që pimë dhe toka ku rritet ushqimi ynë. Kjo gjë është kaq serioze, saqë shkencëtari Barry Commoner paralajmëron: «Unë mendoj, se ndotja e vazhdueshme e tokës, nëse nuk kontrollohet, me siguri do ta shkatërrojë përshtatshmërinë e këtij planeti si një vend për jetën njerëzore.»

6 Pas shqyrtimit të lartpërmendur, a nuk është e qartë se «shenja» që dha Krishti dhe dëshmitë që parathanë apostujt e tij, po plotësohen? Edhe pse ekzistojnë shumë prova të tjera, këto që janë renditur këtu do të ishin të mjaftueshme për të treguar se ne po jetojmë me të vërtetë në kohën që Bibla e ka parashikuar si «ditët e fundit».

7. (a) Çfarë i shquan profecitë biblike mbi praninë e Krishtit dhe mbi «ditët e fundit»? (b) Ç’kanë thënë udhëheqësit botërorë pak para vitit 1914, në dallim nga ajo që Bibla parathoshte?

7 Megjithatë, shumë njerëz mund të thonë: «Gjëra të tilla si luftërat, uria, sëmundjet dhe tërmetet kanë ndodhur shpesh gjatë historisë. Nuk ishte e vështirë, pra, të parashikohej se këto do të ndodhnin përsëri.» Por mendo: Bibla jo vetëm që i paratha këto ngjarje, por tregoi se ato do të ndodhnin në përmasa botërore. Bibla, gjithashtu, tha se gjithë këto gjëra do të ndodhin mbi brezin që ka jetuar në 1914. Çfarë thoshin udhëheqës të shquar botërorë pak para 1914-ës? Ata thoshin se kurrë nuk ka pasur kushte më të përshtatshme për paqe botërore. Por, trazirat e tmerrshme të parathëna në Bibël, filluan saktësisht në kohën e caktuar, në vitin 1914! Është fakt, se udhëheqësit botërorë thonë sot se viti 1914 shënoi një kthesë në histori.

8. (a) Për cilin brez tregoi Jezui se do ta shihte fundin e këtij sistemi të gjërave? (b) Për çfarë duhet të jemi të sigurt, pra?

8 Pasi tërhoqi vëmendjen mbi shumë nga gjërat që karakterizuan periudhën pas vitit 1914, Jezui tha: «Ky brez assesi nuk do të kalojë . . . , para se gjithë këto gjëra [duke përfshirë edhe përfundimin e këtij sistemi të gjërave] të plotësohen.» (Mateu 24:34, 14) Cilin brez ka pasur ndër mend Jezui? Brezin e njerëzve që kanë jetuar në vitin 1914. Njerëzit e mbetur prej atij brezi tani janë mjaft të moshuar. Megjithatë, shumë prej tyre do të jenë ende në jetë për të parë fundin e këtij sistemi të lig. Pra, për këtë mund të jemi të sigurt, do të vijë një fund i papritur i gjithë ligësisë dhe i njerëzve të ligj, në Harmagedon.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 149]

Jezui u tha dishepujve të tij se cila do të ishte prova e dukshme e pranisë së tij të padukshme në fuqinë e Mbretërisë

[Figura në faqen 154]

1914​—HARMAGEDONI

Shumë vetë nga brezi që ka jetuar në 1914 do ta shohin fundin e sistemit të gjërave dhe do të mbijetojnë