Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush shkon në qiell dhe përse?

Kush shkon në qiell dhe përse?

Kapitulli 14

Kush shkon në qiell dhe përse?

1. Si do t’i përgjigjej shumica pyetjes: «Kush shkon në qiell dhe përse?»

SHUMË NJERËZ thonë: «Të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell.» Dhe kur i pyet se përse shkojnë në qiell, ata mund të thonë: «Që të jenë me Perëndinë» apo: «Si shpërblim se kanë qenë njerëz të mirë.» Çfarë mëson Bibla në lidhje me këtë?

2, 3. (a) Si mund ta dimë se disa njerëz do të shkojnë në qiell? (b) Cilës pyetje i duhet përgjigjur?

2 Bibla tregon qartë se Jezui u ringjall nga të vdekurit dhe shkoi në qiell. Gjithashtu, ajo thotë se edhe disa njerëz të tjerë do të shkojnë atje. Natën para vdekjes së tij, Jezui u tha apostujve të vet besnikë: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’ju thoja: ‘Po shkoj t’ju bëjë gati vendin’? Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.»​—Gjoni 14:1-3, DSF.

3 Është e qartë, se Jezui po u thoshte apostujve të tij se do të merreshin në qiell për të qenë me të. Apostulli Pavël shpesh u foli të krishterëve të parë mbi atë shpresë të mrekullueshme. Për shembull, ai shkruajti: «E vendbanimi ynë, [qytetërimi, NW] është në qiell, prej nga edhe Shpëtuesin e presim, Zotërinë Jezu Krishtin.» (Filipianëve 3:20, 21, St; Romakëve 6:5; 2. Korintasve 5:1, 2) Duke u bazuar mbi këto premtime, me miliona njerëz shpresojnë për një jetë qiellore. Por, a shkojnë të gjithë njerëzit e mirë në qiell?

A SHKOJNË TË GJITHË NJERËZIT E MIRË NË QIELL?

4, 5. Çfarë prove kemi se Davidi dhe Jobi nuk shkuan në qiell?

4 Pak mbas ringjalljes së Jezuit, apostulli Pjetër i tha një turme me hebrenj: «Kreu i familjes, Davidi, ashtu si vdiq edhe u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite mes nesh. Në të vërtetë, Davidi nuk u ngjit në qiell.» (Veprat 2:29, 34) Kështu, pra, njeriu i mirë, Davidi, nuk shkoi në qiell. Ç’mund të themi për Jobin e drejtë?

5 Ndërsa vuante, Jobi iu lut Perëndisë: «Makar të më fshehnje ndë varrt, E të më mbulonje, gjersa të shkonte zëmërimi yt, Të më kishe ndarë një kohë, edhe atëherë të më kujtonje!» Jobi e priste, që pas vdekjes do të gjendej në varr i pavetëdijshëm. E dinte se nuk do të shkonte në qiell. Por ai kishte shpresë, përderisa tha: «Ndë vdektë njeriu, a do të ngjalletë përsëri? Gjithë, ditt’e luftësë s’ime [koha e caktuar për në varr] do të prisnja, gjersa të vinte të​—liruarëtë tim. Do të thërritnje ti, edhe unë do të të përgjigjeshe.»​—Jobi 14:13-15, BK.

6, 7. (a) Ç’gjë tregon se asnjë njeri i vdekur para Krishtit, nuk ka shkuar në qiell? (b) Ç’do të bëhet me të gjithë besnikët e vdekur para Krishtit?

6 Gjoni, që pagëzoi Jezuin, ishte gjithashtu një njeri i mirë. Megjithatë, Jezui tha: «Më i vogli në Mbretërinë qiellore është më i madh se ai.» (Mateu 11:11, St) Dhe kjo sepse Gjon Pagëzuesi nuk do të shkonte në qiell. Kur Jezui ishte në Tokë, më tepër se 4.000 vjet pas kryengritjes së Adamit dhe Evës, tha: «Askush nuk ka shkuar në qiell, përveç Birit të Njeriut i cili ka zbritur nga qielli.»​—Gjoni 3:13, St.

7 Prandaj, sipas vetë fjalëve të Jezuit, gjatë gjithë atyre 4.000 viteve të historisë njerëzore, e deri në ditët e tij, askush nuk ka shkuar në qiell. Davidi, Jobi dhe Gjon Pagëzuesi do të presin ringjalljen për të jetuar mbi tokë. Në fakt, të gjithë burrat dhe gratë besnike që vdiqën para Jezuit kishin shpresë për të jetuar përsëri në Tokë dhe jo në qiell. Ata do të ringjallen për t’u bërë pjesë e nënshtetasve tokësorë të Mbretërisë së Perëndisë.​—Psalmi 72:7, 8; Veprat 17:31.

PËRSE DISA BESNIKË SHKOJNË NË QIELL?

8. Përgjigjja e cilës pyetje është e rëndësishme dhe përse?

8 Përse shkoi Jezui në qiell? Çfarë pune duhet të bënte atje? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë të rëndësishme, sepse ata që shkojnë në qiell do të marrin pjesë me Jezuin në punën e tij. Për këtë shkojnë në qiell.

9, 10. Sipas Danielit, kush do të mbretërojë në qeverinë e Perëndisë përveç Krishtit?

9 Në kapitujt e mëparshëm, kemi mësuar se Jezui do të qeverisë tokën e re parajsore si mbret i qeverisë qiellore të Perëndisë. Shumë kohë para ardhjes së Jezuit në tokë, libri biblik i Danielit paratha se «pushteti» do t’i jepej një «Biri të njeriut.» «Biri i njeriut» është Jezu Krishti. (Marku 14:41, 62) Danieli vazhdon: «Pushteti i tij është pushtet i përhershëm dhe kurrë nuk do të kalojë, Mbretëria e tij kurrë nuk do të shkatërrohet.»​—Danieli 7:13, 14, St.

10 Është me rëndësi të vërehet se sipas librit të Danielit «Biri i njeriut» nuk duhet të mbretërojë i vetëm. Bibla thotë: «Dhe mbretëria e pushteti . . . iu dhanë popullit që janë të shenjtët e Më të Lartit. Mbretëria e tyre është një mbretëri që do të zgjasë pafundësisht.» (Danieli 7:27) Nga shprehjet «populli» dhe «mbretëria e tyre», kuptojmë se do të ketë edhe të tjerë që do të mbretërojnë me Krishtin në qeverinë e Perëndisë.

11. Si tregohet se ithtarët e parë të Krishtit do të mbretërojnë me të?

11 Mbrëmjen e fundit që kaloi me njëmbëdhjetë apostujt besnikë, Jezui tregoi se do të qeverisnin me të në mbretërinë e Perëndisë. Ai u tha atyre: «Ju jeni ata, që në provat e mia, nuk keni hequr dorë prej meje; dhe unë po bëj një besëlidhje me ju, ashtu si Ati ka bërë një besëlidhje me mua, për një mbretëri.» (Luka 22:28, 29) Më vonë apostulli Pavël dhe Timoteu u përfshinë në këtë besëlidhje, apo marrëveshje, për një mbretëri. Për këtë arsye Pavli i shkroi Timoteut: «Nëse jemi të qëndrueshëm, me të edhe do të mbretërojmë.» (2. Timoteut 2:12, St) Edhe aspostulli Gjon shkroi në lidhje me ata që «do të mbretërojnë mbi Tokë» së bashku me Jezu Krishtin.​—Zbulesa 5:9, 10; 20:6.

12. Cilat informata në lidhje me «farën» e Abrahamit zbulojnë se do jenë disa që do të mbretërojnë me Krishtin?

12 Pra, ata që shkojnë në qiell, shkojnë atje për të mbretëruar bashkë me Krishtin në qeverinë qiellore të Perëndisë. Edhe pse Jezui është «fara» kryesore e premtimit, Perëndia zgjedh edhe të tjerë prej racës njerëzore që të qeverisin me Krishtin në Mbretëri. Ata bëhen kështu pjesë e farës, siç thotë Bibla: «Nëse i përkisni Krishtit, jeni në të vërtetë farë e Abrahamit, trashëgimtarë sipas premtimit.»​—Galatasve 3:16, 29; Jakovi 2:5.

SA SHKOJNË NË QIELL?

13. (a) Përse fëmijët nuk shkojnë në qiell? (b) Si e përshkroi Jezui numrin e atyre që marrin Mbretërinë?

13 Pasi duhet të qeverisin tokën, është e qartë se ata që shkojnë në qiell duhet të jenë plotësisht të provuar si ithtarë të Krishtit. Kjo do të thotë, se të sapo lindurit apo fëmijët, duke mos qenë plotësisht të provuar me vitet e shërbimit të krishterë, nuk merren në qiell. (Mateu 16:24) Këta vogëlushë që vdesin kanë, përkundrazi, shpresën për t’u ringjallur mbi tokë. (Gjoni 5:28, 29) Kështu, numri i përgjithshëm i atyre që do të shkojnë në qiell do të jetë i vogël në krahasim me shumicën që do të marrë jetën mbi tokë, nën pushtetin e Mbretërisë. Jezui u tha dishepujve të tij: «Mos u frikëso, kope e vogël, sepse ka vendosur Ati juaj që t’ju japë Mbretërinë!»​—Luka 12:32, St.

14. Sa janë pjesëtarët e «kopesë së vogël» që shkon në qiell?

14 Sa i vogël do të jetë numri i përbërësve të kësaj klase qeveritarësh të Mbretërisë? Do të përfshijë vetëm apostujt dhe pasues të tjerë të parë të Jezuit? Jo, Bibla tregon se «kopeja e vogël» do të përfshijë edhe të tjerë. Te Zbulesa 14:1, 3 Bibla thotë: «Pastaj pashë, dhe ja, Qengji [Jezu Krishti] qëndronte mbi malin [qiellor] Sion dhe me të 144.000 . . . që janë blerë [ose marrë] prej tokës.» Vërej, se vetëm 144.000 veta shihen me Qengjin Jezu Krisht mbi malin qiellor, Sion. (Hebrenjve 12:22) Prandaj, sipas Biblës, jo të gjithë njerëzit e mirë shkojnë në qiell, por vetëm 144.000 individë besnikë dhe të sprovuar që duhet të mbretërojnë me Krishtin.

PËRSE ZGJIDHEN NGA TOKA

15. Përse zgjedh Perëndia qeveritarë për Mbretërinë në mes të racës njerëzore?

15 Po përse Perëndia i zgjodhi këta qeveritarë mes racës njerëzore? Përse nuk lë engjëj që të mbretërojnë me Krishtin? E drejta e Jehovait për të qeverisur u sfidua këtu, mbi Tokë. Pikërisht këtu mund të vihej në provë besnikëria e njerëzve ndaj Perëndisë, nën kundërshtimin e Djallit. Këtu Jezui u tregua plotësisht besnik i Perëndisë ndaj provave dhe dha jetën e tij si shpërblim për njerëzimin. Prandaj, edhe Jehovai vendosi që nga toka të marrë një «kope të vogël» njerëzish për të mbretëruar me Birin e tij në mbretërinë qiellore. Me besnikërinë e tyre ndaj Perëndisë ata treguan se akuza e Djallit, sipas së cilës njerëzit i shërbejnë Perëndisë vetëm për arsye egoiste, është false. Prandaj, është me vend që Jehovai t’i përdorë këta njerëz për lavdinë e tij.​—Efesianëve 1:9-12.

16. Përse mund të jemi mirënjohës që qeveritarët e Mbretërisë kanë jetuar mbi tokë?

16 Mendo edhe se sa gjë e mrekullueshme është të qeverisesh prej njerëzve që janë treguar besnikë të Perëndisë mbi tokë, shumë prej të cilëve kanë sakrifikuar jetën e tyre për Mbretërinë. (Zbulesa 12:10, 11; 20:4) Engjëjt nuk e kanë provuar këtë lloj prove. As nuk kanë përvojë për problemet e zakonshme të njerëzimit. Nuk do të ishin, pra, në gjendje të kuptonin plotësisht çfarë do të thotë të jesh njeri i papërsosur dhe se çfarë problemesh shkakton kjo. Por, të 144.000 do ta kuptojnë, sepse i kanë pasur edhe ata vetë këto probleme. Disave prej tyre u është dashur të lirohen prej sjelljesh shumë mëkatare dhe e dinë se sa e vështirë është kjo. (1. Korintasve 6:9-11) Prandaj, do të jenë të arsyeshëm në trajtimin e shtetasve të tyre tokësorë.​—Hebrenjve 2:17, 18.

KONGREGACIONI I PERËNDISË

17. Kujt i referohet fjala «kongregacion»?

17 Bibla thotë se Krishti është kreu i kongregacionit të Perëndisë dhe se pjesëtarët e tij janë të nënshtruar ndaj Krishtit. (Efesianëve 5:23, 24) Shprehja «kishë» ose «kongregacion» i Perëndisë nuk i referohet ndonjë ndërtese. I referohet një grupi të krishterësh. (1. Korintasve 15:9) Sot mund të flasim për kongregacionin e të krishterëve që frekuentojmë. Në të njëjtën mënyrë në Bibël, flitet për «kongregacionin e Laodicesë» dhe në letrën e apostullit Pavël drejtuar Filemonit, për «kongregacionin që ndodhej në shtëpinë e tij.»​—Kolosianëve 4:16; Filemonit 2.

18. (a) Nga kush formohet «kongregacioni i Perëndisë së gjallë»? (b) Cilët janë disa nga emrat e tjerë me të cilët quhet në Bibël ky kongregacion?

18 Megjithatë, kur Bibla flet për «kongregacionin e Perëndisë së gjallë», i referohet një grupi të caktuar të ithtarëve të Krishtit. (1. Timoteut 3:15) Janë quajtur edhe «kongregacioni i të parëlindurve që janë shënuar në qiej.» (Hebrenjve 12:23) Prandaj, ky «kongregacion i Perëndisë» përbëhet prej të gjithë të krishterëve mbi tokë që kanë shpresën e jetës qiellore. Përfundimisht, vetëm 144.000 individë gjithsej do ta formojnë «kongregacionin e Perëndisë». Vetëm pak prej këtyre, një mbetje, janë akoma mbi tokë. Të krishterët që shpresojnë për të jetuar përgjithmonë mbi tokë e pranojnë udhëheqjen frymore të pjesëtarëve të këtij «kongregacioni të Perëndisë së gjallë». Bibla, këtë kongregacion prej 144.000 pjesëtarësh, e quan edhe me shprehje të tilla si «nusja, gruaja e Qengjit», «trupi i Krishtit», «tempulli i Perëndisë», «Izraeli i Perëndisë» dhe «Jeruzalemi i Ri.»​—Zbulesa 21:3; Efesianëve 4:12; 1. Korintasve 3:17; Galatasve 6:16; Zbulesa 21:2.

DIÇKA E RE NË QËLLIMIN E PERËNDISË

19. Çfarë gjëje të re futi Perëndia për të përmbushur qëllimin e tij për tokën?

19 Kur Adami e shtyu racën njerëzore në rrugën e mëkatit dhe vdekjes, Perëndia Jehova nuk e ndryshoi qëllimin e tij mbi tokën dhe racën njerëzore. Nëse do të kishte vepruar kështu, kjo do të thoshte se Perëndia nuk ishte në gjendje që ta përmbushte qëllimin e tij fillestar. Qysh prej fillimit qëllimi i tij ishte një parajsë botërore, plot me njerëz të lumtur e të shëndetshëm; dhe ky qëllim është akoma i vlefshëm. E vetmja gjë e re që Perëndia futi, ishte vendosja e një qeverie të re për të përmbushur qëllimin e tij. Siç kemi parë, Biri i tij, Jezu Krishti, është përfaqësuesi kryesor i kësaj qeverie dhe së bashku me të do të mbretërojnë në qiell 144.000 individë të marrë prej racës njerëzore.​—Zbulesa 7:4.

20. (a) Kush i formon «qiejt e rinj» dhe «tokën e re»? (b) Çfarë kërkohet që të mund të bësh pjesë në «tokën e re»?

20 Këta qeveritarë qiellorë do të formojnë «qiejt e rinj» të sistemit të ri të Perëndisë. Është e qartë, ama, se nëse duhet të jenë këta qeveritarë të drejtë të tokës, detyrimisht duhet të jenë edhe shtetasit. Bibla i quan «toka e re». (2. Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-4) Ata do të përfshijnë Jobin, Davidin dhe Gjon Pagëzuesin. Po, të gjithë besnikët që kanë jetuar para se Krishti të vinte mbi tokë. Por do të ketë edhe shumë të tjerë që do të bëjnë pjesë në «tokën e re», përfshi ata që do të mbijetojnë në fund të këtij sistemi të lig të gjërave. A do të jesh edhe ti ndër ata? A do të jesh shtetas i qeverisë së Perëndisë? Për të qenë i tillë, ka disa kërkesa që duhen plotësuar.

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 121]

A shkuan në qiell këta njerëz të mirë?

Mbreti David

Jobi

Gjon Pagëzuesi

[Figura në faqen 122]

Mbrëmjen e fundit që kaloi me apostujt, Jezui tha se do të qeverisnin me të në mbretërinë e Atit të tij.