Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një armik i jetës së përhershme

Një armik i jetës së përhershme

Kapitulli 2

Një armik i jetës së përhershme

1. Çfarë pyetjesh lindin, meqë lumturia dhe paqja janë shumë të rralla?

LUMTURI në tokë: pothuaj çdo njeri e dëshiron atë. Përse atëherë ka kaq shumë të palumtur? Çfarë nuk është në rregull? Përse kombet luftojnë dhe pse njerëzit e urrejnë njëri-tjetrin, kur gati çdonjëri dëshiron paqe? A ekziston ndonjë fuqi e cila i shtyn ata që të bëjnë keq? A mund të ekzistojë një fuqi e padukshme që kontrollon kombet?

2. Cilat krime në histori e shtyjnë shumicën të pyesë veten se a ka ndonjë forcë të ligë të padukshme që i kontrollon njerëzit?

2 Shumica pyet veten për këtë kur mendon mbi egërsinë e tmerrshme të njerëzimit, mbi përdorimin e gazeve të tmerrshme në luftë që i mbysin dhe i djegin njerëzit deri në vdekje, për aplikimin e bombës me napalm dhe atomike. Mendoni mbi flakëhedhëset, kampet e përqëndrimit apo për miliona njerëz të pambrojtur të shfarosur, për shembull, vitet e fundit në Kamboxhia. A mendon se të gjitha këto tmerre ndodhin thjesht rastësisht? Edhe pse vetë njeriu është i aftë të kryejë veprime të tmerrshme, kur kujton ligësinë e pafund të veprave të tij, a nuk duket se ai ka nxitjen e një fuqie të ligë, të padukshme?

3. Çfarë thotë Bibla mbi qeverisjen e botës?

3 Nuk është e nevojshme të hamendemi në lidhje me këtë. Bibla tregon qartë, se një person intelegjent, i padukshëm kontrollon njerëzit dhe kombet. Në Bibël, Jezui këtë krijesë të fuqishme e ka quajtur «qeveritar të kësaj bote.» (Gjoni 12:31; 14:30; 16:11) Kush është ai?

4. Çfarë i tregoi Djalli Jezuit dhe çfarë i ofroi atij?

4 Për ta zbuluar këtë, mendo mbi atë që ndodhi në fillim të shërbimit të Jezuit këtu mbi Tokë. Bibla na thotë se Jezui pas pagëzimit të vet, shkoi në shkretëtirë, ku u vu në ngasje nga një krijesë e padukshme e quajtur Satana Djalli. Një nga ato ngasje është përshkruar në këtë mënyrë: «Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre e i tha: ‘Të gjitha këto do t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron.’»​—Mateu 4:8, 9, DSF.

5. (a) Si tregohet se të gjitha qeveritë e botës janë në dorë të Djallit? (b) Kush është sipas Biblës «perëndi i këtij sistemi të gjërave»?

5 Mendo mbi atë që Djalli i ofroi Jezuit: «të gjitha mbretëritë e kësaj bote.» A i përkisnin Djallit të gjitha ato mbretëri botërore? Po, sepse ai nuk do të kishte mundësi përndryshe t’ia ofronte Jezuit? Jezui këtë nuk e ka mohuar, gjë që me siguri do ta bënte sikur të mos ishin të Satanait. Satanai është me të vërtetë qeveritar i padukshëm i të gjitha kombeve të botës. Bibla thotë në mënyrë të qartë: «E gjithë bota është nën pushtetin e të ligut.» (1. Gjonit 5:19, St) Fjala e Perëndisë, në fakt, e quan Satanain «perëndi të këtij sistemi të gjërave.»​—2. Korintasve 4:4.

6. (a) Si na ndihmojnë këto informata që të kuptojmë qeverinë e Satanait? (b) Çfarë dëshiron Satanai të na bëjë dhe çfarë duhet të bëjmë ne?

6 Këto informata na ndihmojnë të kuptojmë se përse Jezui tha: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote.» (Gjoni 18:36) Na ndihmojnë gjithashtu të kuptojmë se përse kombet e urrejnë dhe kërkojnë ta shkatërrojnë njëri-tjetrin, kur dëshira e të gjithë njerëzve normalë është që të jetojnë në paqe. Po, «Satanai . . . po e mashtron gjithë tokën e banuar.» (Zbulesa 12:9) Atij do t’i pëlqente të na mashtrojë edhe ne. Ai nuk dëshiron që ne të marim nga Perëndia dhuratën e jetës së përhershme. Prandaj, ne duhet të luftojmë që të mos yshtemi nga ai për të bërë çka është e keqe. (Efesianëve 6:12) Për t’i rezistuar përpjekjeve të tija për të na mashtruar, ne duhet të njohim kush është Satanai dhe mënyrat me të cilat ai punon.

KUSH ËSHTË DJALLI

7. Përse nuk mund ta shohim Djallin?

7 Satana Djalli është një person i vërtetë. Ai nuk është vetëm e liga në të gjithë njerëzit, siç mund të mendojnë disa. Sigurisht, njerëzit nuk mund ta shohin Djallin, për të njëjtën arsye që nuk mund të shohin Perëndinë. Perëndia dhe Djalli janë persona frymorë, forma jetësore të shkallës më të lartë se njerëzit dhe të padukshëm për sytë tanë.​—Gjoni 4:24.

8. Përse shumica beson se Perëndia ka krijuar Djallin?

8 «Por në qoftë se Perëndia është dashuri,​—mund të pyesë dikush,​—përse e krijoi Djallin?» (1. Gjonit 4:8) Fakti është se Perëndia nuk e ka krijuar Djallin. «Në qoftë se Perëndia ka krijuar gjithçka,​—mund të thuash,​—duhet të ketë krijuar edhe Djallin. Përndryshe, kush mund ta ketë bërë? Nga ka ardhur atëherë Djalli?»

9. (a) Çfarë personash janë engjëjt? (b) Çfarë do të thonë fjalët «Djall» dhe «Satana»?

9 Bibla shpjegon se Perëndia krijoi shumë e shumë persona frymorë të ngjashëm me veten. Këta persona frymorë në Bibël quhen engjëj dhe «bij të Perëndisë.» (Jobi 38:7; Psalmi 104:4; Hebrenjve 1:7, 13, 14) Perëndia i krijoi të gjithë ata të përsosur. Asnjë prej tyre nuk ishte një djall apo satana. Fjala «djall» do të thotë shpifës, ndërsa fjala «satana» do të thotë kundërshtar.

10. (a) Kush e ka bërë Satana Djallin? (b) Në ç’mënyrë një njeri i mirë mund ta bëjë vetveten një kriminel?

10 Por erdhi koha, kur njëri prej këtyre bijve frymorë të Perëndisë e bëri veten Djall, që do të thotë gënjeshtar i mbushur plot urrejtje, që flet keq për të tjerët. Kështu ai bëri vetveten Satana, që është një kundërshtar i Perëndisë. Pra, nuk u krijua në atë mënyrë, por u bë më vonë një person i tillë. Për shembull: një vjedhës nuk lind i tillë. Ai ndoshta mund të rrjedhë nga një familje e mirë, të ketë prindër të ndershëm dhe vëllezër e motra që i respektojnë ligjet. Por dëshira e tij për atë që mund të blihet me para, mund ta ketë shtyrë të bëhet një vjedhës. Si ndodhi, pra, që një prej bijve frymorë të Perëndisë, ta bënte vetveten Satana Djall?

11. (a) Cili qëllim i Perëndisë ishte i njohur për engjëllin kryengritës? (b) Çfarë dëshire kishte ky engjëll dhe çfarë e shtyu për të bërë këtë gjë?

11 Engjëlli që u kthye në Djall ishte i pranishëm kur Perëndia krijoi Tokën dhe më vonë njerëzit e parë, Adamin dhe Evën. (Jobi 38:4, 7) Kështu ai do të ketë dëgjuar kur Perëndia i urdhëroi ata të kenë fëmijë. (Zanafilla 1:27, 28) Ai e dinte se pas një kohe e gjithë Toka do të mbushej me njerëz të drejtë, që do të adhuronin Perëndinë. Ky ishte qëllimi i Perëndisë. Por ky engjëll, mendonte tepër për bukurinë dhe zgjuarsinë e tij dhe donte që ta merrte për vete adhurimin që do t’i bëhej Perëndisë. (Ezekieli 28:13-15; Mateu 4:10) Dhe në vend që ta flakte nga mendja një dëshirë të tillë të gabuar, ai vazhdoi të mendonte rreth kësaj. Kjo e çoi në veprimin për të marrë nderin dhe rëndësinë që dëshironte. Çfarë bëri ai?​—Jakovi 1:14, 15.

12. (a) Si foli me Evën ai engjëll dhe çfarë i tha asaj? (b) Si u bë ky engjëll Satana dhe Djall? (c) Cila ide në lidhje me paraqitjen e Djallit është e gabuar?

12 Engjëlli rebel përdori një gjarpër të ulët, për të folur me gruan e parë, Evën. Veproi si një njeri i kualifikuar, që të bën të duket sikur flet një kafshë apo kukull aty afër. Në të vërtetë, me Evën foli engjëlli kryengritës, që në Bibël quhet «gjarpri origjinal.» (Zbulesa 12:9) Ai tha se Perëndia nuk i tregonte të vërtetën dhe se e pengonte për të fituar njohurinë që ajo duhet të kishte. (Zanafilla 3:1-5) Kjo ishte një gënjeshtër e urryer, që e bëri atë një djall. Kështu ai u bë edhe një kundërshtar i Perëndisë, pra një Satana. Pra, siç shihet, është e gabuar të mendosh se Djalli është një krijesë me brirë dhe me sfurk që mbikëqyr ndonjë vend nëntokësor mundimesh. Në të vërtetë, ai është një engjëll shumë i fuqishëm, por i lig.

SHKAKU I SHQETËSIMEVE BOTËRORE

13. (a) Si reagoi Eva ndaj gënjeshtrës së Djallit? (b) Çfarë pohimesh bëri Djalli?

13 Djalli me gënjeshtrën që i tha Evës, arriti pikërisht atë që dëshironte. Ajo i besoi gënjeshtrës dhe nuk iu bind më Perëndisë. Madje, ajo arriti të shtyjë edhe bashkëshortin e saj që të shkelë ligjin e Perëndisë. (Zanafilla 3:6) Djalli pretendonte se njerëzit mund të rrinë për gjithnjë pa Perëndinë dhe se mund të qeverisin me sukses pa ndihmën e Perëndisë. Djalli, gjithashtu, deklaroi se mund të largonte nga Perëndia të gjithë pasardhësit e Adamit dhe Evës.

14. Përse Perëndia nuk e shkatërroi menjëherë Satanain?

14 Natyrisht, Perëndia mund ta shkatërronte menjëherë Satanain. Por kjo nuk mund t’i jepte përgjigje pyetjeve të vëna prej Satanait, pyetje që mund të mbeteshin në mendjen e engjëjve që kishin vështruar ngjarjen. Prandaj, Perëndia i dha kohë Satanait që të përpiqej për t’i provuar pretendimet e tij. Me çfarë rezultati?

15, 16. (a) Çfarë tregon koha në lidhje me thëniet e Djallit? (b) Cila ngjarje është afër?

15 Koha tregoi se njerëzit nuk mund të qeverisin vetveten me sukses, pa ndihmën e Perëndisë. Përpjekjet e tyre kanë dështuar plotësisht. Popujt kanë vuajtur tmerrësisht nën qeveritë njerëzore, të cilat, siç mëson Bibla, prapa skenës kontrollohen prej Djallit. Koha e lejuar prej Perëndisë ka treguar qartë se Satanai nuk ka mundur t’i kthejë të gjithë njerëzit nga adhurimi ndaj Perëndisë. Gjithmonë ka pasur njerëz që i kanë mbetur besnikë qeverisë së Perëndisë. Kështu, për shembull, ti mund të lexosh në Bibël se Satanai u përpoq, por pa sukses, që ta bënte Jobin të hiqte dorë nga shërbimi ndaj Perëndisë.​—Jobi 1:6-12.

16 Pra, thëniet e Satanait kanë dalë të gënjeshtërta. Ai me siguri e meriton shkatërrimin, pasi i ka dhënë rrugë një kryengritjeje të ligë kundër Perëndisë. Lumturisht, tani ka ardhur koha që Perëndia t’i japë fund qeverisjes satanike. Duke përshkruar hapin e parë në këtë drejtim, Bibla tregon për një luftë të rëndësishme në qiell, e cila natyrisht, as është parë e as është dëgjuar prej njerëzve në tokë. Lexo me vëmendje tregimin vijues biblik:

17. (a) Si e përshkruan Bibla luftën në qiell? (b) Cilat ishin pasojat për banorët e tokës dhe të qiellit?

17 «Atëherë filloi lufta në qiell: Mikaeli [Jezu Krishti i ringjallur] dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit. Me engjëjt e vet edhe Dragoi ra në luftë, por nuk fitoi: për ta nuk pati më vend në qiell! Dhe, Dragoi i madh, Gjarpri i vjetër​—që quhet Djall​—Satani, ngashnjyesi i mbarë botës, u hodh poshtë! U hodh në Tokë poshtë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të u plandosën! Prandaj galdo o qiell, galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë! Vaj për tokë dhe për det, sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet por pak kohë!»​—Zbulesa 12:7-9, 12, DSF.

18. (a) Kur ndodhi lufta në qiell? (b) Çfarë ka ndodhur në Tokë prej kohës që Satanai është «hedhur poshtë»?

18 Kur ndodhi kjo luftë në qiell? Faktet tregojnë se ajo ndodhi rreth kohës së shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, e cila filloi në vitin 1914. Siç duket edhe nga Zbulesa, Satanai është hequr në atë kohë prej qiejve, gjë që tregon se ne jemi duke jetuar në ato «pak kohë». Prandaj këto janë «ditët e fundit» të botës së Satanait. Prova të këtij fakti janë rritja e paligjshmërive, frika, luftërat, mungesa e ushqimeve, sëmundjet dhe shumë kushte të tjera të dhimbshme që po i përjetojmë.​—Mateu 24:3-12: Luka 21:26; 2. Timoteut 3:1-5.

19. (a) Çfarë përpiqet të bëjë Satanai tani më shumë se kurrë? (b) Çfarë do të ishte e mençur për ne të bënim?

19 Pasi e di se ato «pak kohë» janë duke përfunduar, Satanai më shumë se kurrë më parë, përpiqet që t’i pengojë njerëzit në shërbimin e Perëndisë. Ai dëshiron të marrë sa më shumë njerëz me vete në shkatërrimin e tij. Me të drejtë Bibla e përshkruan si një luan ulëritës që kërkon dikë për ta gëlltitur. (1. Pjetrit 5:8, 9) Nëse nuk duam të bëhemi pre e tij, duhet të dimë se si sulmon dhe se si i mashtron ai njerëzit.​—2. Korintasve 2:11.

SI I MASHTRON SATANAI NJERËZIT

20. (a) Sa i suksesshëm ka qenë sulmi i Satanait? (b) Përse duhet të presim që intrigat e tij mund të duken të pafajshme dhe madje të dobishme?

20 Mos mendo se metodat e Satanait për t’i yshtur njerëzit që ta ndjekin atë janë gjithmonë të lehta për t’u njohur. Ai është një mjeshtër për t’i mashtruar njerëzit. Metodat e tij, në fakt, të përdorura gjatë mijëra vjetëve, janë bërë aq të zgjuara, saqë shumica sot nuk beson as edhe në ekzistencën e tij. Për ta, ligësia dhe e keqja janë vetëm kushte normale që do të ekzistojnë përgjithmonë. Satanai vepron shumë ngjashëm me udhëheqësit e sotëm të botës së krimit, të cilët duke u fshehur pas një dukjeje të sjellshme, prapa skenës bëjnë gjëra shumë të liga. Bibla shpjegon: «Satanai transformohet në engjëll të ndritshëm.» (2. Korintasve 11:14, St) Prandaj, mund të presim që intrigat e tij për të mashtruar njerëzit, shpesh të duken të pafajshme, madje edhe të dobishme.

21. Cili është një prej projekteve të përdorura nga Satanai?

21 Kujtohu se si Djalli u hoq si mik i Evës. Pastaj e gënjeu, duke e nxitur për të bërë atë që ajo mendoi se do të ishte në të mirën e saj. (Zanafilla 3:4-6) Njësoj është edhe sot. Për shembull, përmes përfaqësuesve të tij njerëzorë, Satanai i inkurajon njerëzit dinakërisht që interesat e qeverive njerëzore t’i vendosin mbi shërbimin ndaj Perëndisë. Kjo ka lindur frymën e nacionalizmit, që ka shkaktuar luftëra të tmerrshme. Kohët e fundit Satanai i ka nxitur njerëzit të propozojnë projekte të ndryshme në kërkim të paqes dhe sigurisë. Njëri prej tyre është Organizata e Kombeve të Bashkuara. Por, a ka krijuar ajo një botë paqësore? Aspak! Përkundrazi, është provuar se ajo është një mjet për t’ua hequr njerëzve mendjen nga parapërgatitja e Perëndisë për t’i sjellë njerëzimit paqen, mbretërinë e tij që po vjen, e drejtuar prej Jezu Krishtit, «Princit të Paqes.»​—Isaia 9:6; Mateu 6:9, 10.

22. Cilën njohuri Satanai nuk dëshiron që ne ta kemi?

22 Nëse dëshirojmë të marrim jetën e përhershme, kemi nevojë për njohuri të sakta mbi Perëndinë, Birin e tij mbret dhe mbretërinë e tij. (Gjoni 17:3) Duhet të jesh i sigurt se Satana Djalli nuk dëshiron që ti ta fitosh këtë njohuri dhe do të bëjë çdo gjë që ka në dorë për të të penguar. Si do ta bëjë ai këtë? Një mënyrë është ajo që të hasësh në kundërshtime, ndoshta në formën e talljeve. Bibla na thotë: «Të gjithë që dëshirojnë të jetojnë në devotshmëri të shenjtë në lidhje me Jezu Krishtin, do të jenë edhe të persekutuar.»​—2. Timoteut 3:12, St.

23. (a) Si mund të na dekurajojë Satanai, duke përdorur edhe të afërmit dhe shokët tanë? (b) Përse nuk duhet të dorëzohemi kurrë ndaj kundërshtimeve?

23 Ndoshta edhe vetë shokët e ngushtë apo të afërmit do të thonë se atyre nuk u pëlqen që ke filluar të shqyrtosh Shkrimet e Shenjta. Jezu Krishti vetë ka paralajmëruar: «Njeriu do t’i ketë armiq shtëpiakët e vet. Kush e do të atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua.» (Mateu 10:36, 37, DSF) Të afërmit, ndoshta do të përpiqen të të dekurajojnë, duke vepruar me shumë sinqeritet, pasi nuk i njohin të vërtetat e mrekullueshme që gjenden në Bibël. Por, ç’do të mendojë Perëndia për ty, nëse për shkak të këtij kundërshtimi, ti heq dorë nga studimi i Fjalës së Tij? Si mund t’i ndihmosh ti shokët dhe të dashurit e tu për të kuptuar se njohuria e saktë e Biblës është e rëndësishme për jetë apo vdekje, nëse dorëzohesh? Qëndrimi yt në gjërat që ke mësuar prej Fjalës së Perëndisë, mund të ndikojë, ndoshta, që edhe ata me kalimin e kohës të duan të mësojnë të vërtetën.

24. (a) Çfarë mënyrash të tjera përdor Djalli për t’i penguar njerëzit që të marrin njohurinë jetëdhënëse? (b) Sa i rëndësishëm është sipas teje studimi i Fjalës së Perëndisë?

24 Në krahun tjetër, Satanai mund të të yshtë me vepra imorale, gjë që e mërzit Perëndinë. (1. Korintasve 6:9-11) Apo, mund të bëjë që të ndihesh tepër i zënë për të studiuar Biblën. Por nëse mendohesh pak a mund të këtë diçka më të rëndësishme se sa përfitimi i kësaj lloj njohurie? Mos lejo asgjë të të pengojë në arritjen e kësaj njohurie, që mund të të çojë në arritjen e jetës së përhershme në parajsë mbi Tokë.

25. Çfarë nuk do të jetë në gjendje të bëjë Djalli, nëse i kundërvihemi vazhdimisht atij?

25 Bibla nxit: «Kundërshtoni djallin.» Nëse vepron kështu, «ai do të largohet prej teje.» (Jakovi 4:7) A do të thotë kjo se, nëse i reziston sulmit të tij, Satanai nuk do të të shkaktojë më probleme? Jo, ai gjithnjë do të përpiqet të të yshtë për të bërë atë që ai dëshiron. Por, nëse ti vazhdon ta kundërshtosh, ai nuk mund të të shtyjë kurrë në një rrugë në kundërshtim me Perëndinë. Bëhu i zellshëm, pra, për të arritur njohurinë shumë të rëndësishme të Biblës, duke praktikuar çdo gjë që mëson. Kjo është e domosdoshme nëse nuk dëshiron të mashtrohesh nga një tjetër mjet që Satanai e përdor për të gënjyer njerëzit, fenë e rreme.

[Pyetjet]

[Figura në faqet 16, 17]

A do mund t’ia ofronte Satanai Krishtit të gjitha mbretëritë e botës, në qoftë se nuk do të ishin të tijat?

[Figura në faqen 19]

Ashtu si ky vjedhës nuk ka lindur i tillë, edhe Djalli nuk u krijua si një «djall»

[Figura në faqet 20, 21]

Lufta në qiell mbaroi me hedhjen e Satanait dhe demonëve mbi Tokë. Tani ti je duke ndjerë pasojat e saj

[Figura në faqen 24]

Dikush, ndoshta do t’i kundërvihet studimit tënd të vazhdueshëm të Biblës.