Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse e ka lejuar Perëndia ligësinë?

Përse e ka lejuar Perëndia ligësinë?

Kapitulli 11

Përse e ka lejuar Perëndia ligësinë?

1. (a) Si është sot gjendja mbi Tokë? (b) Për çfarë ankohen disa njerëz?

KUDO që të shohësh në botë, ka kriminalitet, urrejtje dhe shqetësime. Shpeshherë janë të pafajshmit ata që vuajnë. Shumë njerëz bëjnë me faj Perëndinë. Ata mund të thonë «Nëse ka një Perëndi, përse i lejon gjithë këto gjëra të tmerrshme të ndodhin?»

2. (a) Kush i shkakton ligësitë? (b) Si mund të evitoheshin shumë vuajtje mbi Tokë?

2 Por, kush është ai që u shkaton të tjerëve këto ligësi? Është njeriu dhe jo Perëndia. Perëndia i dënon veprat e liga. Në fakt, shumë prej vuajtjeve mbi tokë mund të evitoheshin, nëse njeriu do t’i bindej Perëndisë. Ai na urdhëron që të duhemi. Nuk e lejon vrasjen, vjedhjen, kurvërinë, lakminë, dehjen dhe çdo veprim tjetër të gabuar që i shkakton njerëzve vuajtje. (Romakëve 13:9; Efesianëve 5:3, 18) Perëndia e krijoi Adamin dhe Evën me një mendje dhe trup të mrekullueshëm dhe me aftësinë që ta gëzojnë jetën plotësisht. Ai nuk ka dashur kurrë që ata apo fëmijët e tyre të vuanin apo të kishin shqetësime.

3. (a) Kush është përgjegjës për ligësinë? (b) Ç’tregon se Adami dhe Eva mund t’u rezistonin tundimeve të Satanait?

3 Qe Satana Djalli, ai që filloi ligësinë mbi Tokë. Por edhe Adami dhe Eva qenë gjithashtu bashkëfajtorë. Ata nuk ishin aq të dobët sa të mos i bënin ballë tundimit të Djallit. Ata mund t’i kishin thënë Satanait: «Ik tutje!», siç bëri më vonë njeriu i përsosur Jezui. (Mateu 4:10) Por ata nuk vepruan kështu. Si rrjedhojë u bënë të papërsosur. Të gjithë fëmijët e tyre, përfshi edhe ne, e trashëguam atë papërsosmëri, që solli me vete sëmundje, pikëllim dhe vdekje. (Romakëve 5:12) Po përse Perëndia e la edhe më tej vuajtjen?

4. Ç’na ndihmon të kuptojmë se përse një Perëndi i dashur mund ta lejojë përkohësisht të ligën?

4 Dikush mund të mendojë fillimisht, se Perëndia, për asnjë lloj arsyeje, nuk duhet t’i lejonte gjithë vuajtjet që ka hequr njeriu gjatë shekujve. Por, a është i drejtë një përfundim i tillë? A nuk kanë lejuar prindër, që i duan me të vërtetë fëmijët e tyre, që këta t’i nënshtrohen ndonjë operacioni të dhimbshëm mjaft që të shërohen? Po, lejimi i vuajtjeve të përkohshme ka bërë shpesh të mundur që fëmijët t’i gëzohen një shëndeti më të mirë gjatë pjesës tjetër të jetës. Çfarë të mire ka sjellë lejimi i ligësisë prej Perëndisë?

NJË ÇËSHTJE E RËNDËSISHME QË DUHET ZGJIDHUR

5. (a) Si e kundërshtoi Satanai Perëndinë? (b) Çfarë i premtoi Satanai Evës?

5 Rebelimi kundër Perëndisë në kopshtin e Edenit shtroi një çështje apo një pyetje të rëndësishme. Që të kuptojmë se përse Perëndia e ka lejuar ligësinë, duhet të shqyrtojmë këtë çështje. Jehovai i tha Adamit të mos hajë nga një pemë e caktuar e kopshtit. Çfarë do të ndodhte sikur Adami të hante? Perëndia tha: «Me siguri do të vdesësh.» (Zanafilla 2:17) Mirëpo Satanai tha krejtësisht të kundërtën. Ai e nxiti gruan e Adamit, Evën, që të hante nga pema e ndaluar. «Ju me siguri nuk do të vdisni»,​—tha Satanai. Madje, duke vazhduar i tha: «Sepse atë ditë që do të hani prej saj, sytë tuaj me të vërtetë do të hapen dhe ju me të vërtetë do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën dhe të keqen.»​—Zanafilla 3:1-5.

6. (a) Përse Eva nuk iu bind Perëndisë? (b) Çfarë domethënie pati ngrënia prej pemës së ndaluar?

6 Eva nuk iu bind Perëndisë dhe hëngri. Përse? Eva i besoi Satanait. Në mënyrë egoiste, ajo mendoi se mosbindja ndaj Perëndisë do t’i sillte përfitim. Arriti në përfundimin se as ajo, as Adami nuk duhej t’i jepnin më llogari Perëndisë. Se nuk duhej t’i nënshtroheshin më ligjeve të tij. Ata do të mund të vendosnin vetë se ç’është «mirë» e ç’është «keq». Adami gjithashtu u bashkua me Evën dhe hëngri. Në lidhje me mëkatin fillestar njerëzor ndaj Perëndisë, një shënim i The Jerusalem Bible thotë: «Ai është aftësia për të vendosur vetë se çfarë është mirë dhe çfarë është keq dhe për të vepruar në përputhje me këtë, një rivendikim për pavarësi të plotë morale. . . . Mëkati i parë ishte një sulm mbi sovranitetin e Perëndisë.» Pra, ai ishte një sulm mbi të drejtën e Perëndisë për të qenë qeveritari ose eprori absolut i njerëzimit.

7. (a) Çfarë çështje lindi prej mosbindjes së njeriut? (b) Cilat pyetje kërkojnë përgjigje në lidhje me këtë çështje?

7 Pra, duke ngrënë frutin e ndaluar, Adami dhe Eva iu shmangën qeverisë së Perëndisë. Vepruan sipas mendjes së tyre, duke bërë atë që ishte «mirë» apo «keq», sipas gjykimit të tyre. Kështu që çështja apo pyetja e rëndësishme që lindi ishte: «A ka të drejtë Perëndia të jetë qeveritari absolut i njerëzimit?» Me fjalë të tjera, a është Jehovai Ai që vendos se ç’është mirë e ç’është keq për njerëzit? A është ai që vendos se cila sjellje është e drejtë dhe cila jo? Apo njeriu mund të bëjë një punë më të mirë në qeverisjen e vetvetes? Cila lloj qeverisje është më e mirë? A mund të qeverisin njerëzit vetveten me sukses, nën udhëheqjen e padukshme të Satanait, pa drejtimin e Jehovait? Apo, për të ngritur një qeveri të drejtë, të aftë për t’i dhënë Tokës paqe të përhershme, është e nevojshme udhëheqja e Perëndisë? Të gjitha këto pyetje lindën prej atij sulmi ndaj sovranitetit të Perëndisë, ndaj të drejtës së tij për të qenë qeveritari i vetëm dhe absolut i njerëzimit.

8. Përse Jehovai nuk i shkatërroi menjëherë kryengritësit?

8 Jehovai me siguri mund t’i shkatërronte të tre kryengritësit menjëherë pasi ndodhi rebelimi. Ai pa dyshim ishte më i fortë sesa Satanai apo Adami dhe Eva. Por shkatërrimi i tyre nuk do të ishte mënyra më e mirë për të zgjidhur problemin. Për shembull, nuk do t’i ishte përgjigjur pyetjes se a mund të qeverisin njerëzit me sukses apo jo pa ndihmën e Perëndisë. Kështu, Jehovai la kohë për të zgjidhur çështjen e rëndësishme që lindi.

ÇËSHTJA ZGJIDHET

9, 10. Cilat janë rezultatet e përpjekjeve të njeriut për t’u vetëqeverisur pa udhëheqjen e Perëndisë?

9 Qysh atëherë ka kaluar mjaft kohë. Cilat janë pasojat? Si thua ti? A ka treguar vallë historia e 6.000 viteve të kaluara, se njerëzit mund të qeverisin vetveten me sukses, pa udhëheqjen e Perëndisë? A kanë ngritur njerëzit ndonjë qeveri të mirë, për bekimin dhe lumturinë e të gjithëve? Apo të dhënat historike tregojnë saktësinë e fjalëve të profetit Jeremia: «Njeriut që ecën nuk i takon madje as të drejtojë hapin e vet»?​—Jeremia 10:23.

10 Në vazhdën e historisë janë provuar të gjitha llojet e qeverisjeve, por asnjëra prej tyre nuk u ka dhënë sigurinë dhe lumturinë e vërtetë atyre që kanë jetuar nën to. Disa njerëz mund të tregojnë shenjat e përparimit. Por, a mund të flasë dikush për përparim të vërtetë, nëse harku dhe shigjeta janë zëvendësuar nga bomba atomike dhe bota sot trembet prej një lufte të re botërore? Çfarë përparimi kemi, kur njerëzit mund të ecin nëpër Hënë, por nuk mund të jetojnë së bashku në paqe mbi Tokë? Çfarë dobie ka ndërtimi i shtëpive plot komoditet, kur familjet që jetojnë në to janë të ndara për shkak të halleve? A mund të krenohemi me gjëra të tilla si trazirat nëpër rrugë, shkatërrimi i pronës dhe i jetës apo paligjshmëria e përhapur? Aspak! Këto janë frytet e përpjekjeve të njeriut për t’u qeverisur në mënyrë të pavarur nga Perëndia.​—Proverbat 19:3.

11. Çfarë u nevojitet, pra, njerëzve?

11 Faktet duhet të jenë të qarta për të gjithë. Përpjekjet e njerëzve për t’u vetëqeverisur në mënyrë të pavarur nga Perëdia, kanë dështuar tmerrësisht. Ato kanë shkaktuar vuajtje të shumta. Bibla thotë: «Njeriu sundon mbi njeriun në dëm të tij.» (Eklisiastiu 8:9) Është e qartë se njerëzit kanë nevojë për udhëheqjen e Perëndisë, për të qeverisur punët e tyre. Siç u krijuan prej Perëndisë me nevojën për të ngrënë e për të pirë, njerëzit u krijuan edhe me nevojën për t’iu bindur ligjeve të Perëndisë. Nëse njeriu nuk i përfill ligjet e Perëndisë, do të bjerë në vështirësi, njëlloj sikur të mos përfillte nevojat e tij trupore për ushqim dhe ujë.​—Proverbat 3:5, 6.

PËRSE KAQ GJATË

12. Përse Perëndia ka lënë kaq shumë kohë për të zgjidhur çështjen?

12 Megjithatë, dikush mund të pyeste: «Përse Perëndia ka lënë kaq shumë kohë, gati 6.000 vjet, për të zgjidhur këtë çështje? A nuk mund të zgjidhej në një mënyrë të kënaqshme, shumë kohë më parë?» Me të vërtetë, jo. Sikur Perëndia të ndërhynte kohë më parë, mund të akuzohej se njerëzit nuk patën kohë të mjaftueshme për të eksperimentuar. Ndërsa, në këtë mënyrë, njerëzit patën mjaft kohë për të nxjerrë një qeveri, e cila do t’i kënaqte nevojat e të gjithë shtetasve të saj, si dhe për të bërë zbulime shkencore të cilat do t’i kontribuonin përparimit të të gjithëve. Gjatë shekujve njerëzit kanë provuar pothuajse çdo lloj qeverie. Edhe përparimi i tyre në fushën shkencore ka qenë i dukshëm. Kanë shfrytëzuar atomin dhe kanë udhëtuar në hënë. Por cili ka qenë rezultati? A kanë vendosur vallë një sistem të ri madhështor për të mirën e njerëzimit?

13. (a) Pa marrë parasysh përparimin shkencor, cila është situata e sotme? (b) Çfarë tregon kjo qartësisht?

13 Përkundrazi! Në Tokë, tani ka halle dhe mjerim më tepër se kurrë. Krimet, ndotja e ambientit, luftërat, ndarjet familjare dhe probleme të tjera kanë arritur atë shkallë të rrezikshme, saqë shkencëtarët besojnë se vetë ekzistenca e njeriut është në rrezik. Po, pas një përvoje vetëqeverisëse gati 6.000 vjeçare dhe pas një kulminacioni në «përparimin» shkencor, njerëzimi ballafaqohet tani me vetëshkatërrimin! Sa e qartë është se njerëzit nuk mund të qeverisin në mënyrë të pavarur nga Perëndia! Tanimë, askush nuk mund të ankohet se Perëndia nuk ka lënë mjaft kohë për të zgjidhur këtë çështje.

14. Çfarë duhet të na inkurajojë për të shqyrtuar çështjen tjetër të rëndësishme të ngritur prej Satanait?

14 Perëndia me siguri ka pasur shkaqe të mira që i ka lejuar njerëzit, nën sundimin e Satanait, të bëjnë keq për kaq shumë kohë. Satanai, me rebelimin e tij, ngriti edhe një çështje tjetër, zgjidhja e së cilës ka kërkuar gjithashtu shumë kohë. Shqyrtimi i kësaj çështjeje mund të na ndihmojë për të kuptuar më mirë se përse Perëndia e ka lejuar ligësinë. Ti duhet të jesh veçanërisht i interesuar për këtë çështje, sepse je i përfshirë personalisht.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 100]

Për arsye të mira, një prind do të lejonte që biri i tij i dashur t’i nënshtrohej një operacioni të dhimbshëm. Edhe Perëndia ka pasur shkaqe të mira që i ka lejuar njerëzit të vuajnë përkohësisht.

[Figura në faqen 101]

Duke ngrënë frutin e ndaluar, Adami dhe Eva e braktisën qeverinë e Perëndisë. Filluan të vendosnin vetë se ç’është mirë e ç’është keq

[Figurat në faqen 103]

Siç u krijua me nevojën për ushqim dhe ujë, njeriu u krijua gjithashtu edhe me nevojën për t’u udhëhequr nga Perëndia