Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse jemi këtu?

Përse jemi këtu?

Kapitulli 7

Përse jemi këtu?

1. Në çfarë përfundimi kanë arritur njerëzit me mend?

PREJ SHUMË KOHËSH njerëzit pyesin veten mbi kuptimin e jetës mbi tokë. Shikojnë qiellin e pafund të mbushur me yje. Mahniten prej ngjyrave të mrekullueshme të perëndimit të diellit dhe bukurisë së peizazheve. Njerëzit me mend arrijnë në përfundimin se e gjithë kjo duhet të shërbejë për një qëllim të madh. Por shpesh ata pyesin veten se cili është vendi i tyre në të.​—Psalmi 8:3, 4.

2. Çfarë pyetjesh i bëjnë njerëzit vetes?

2 Herët a vonë, në jetë vjen koha kur shumë njerëz i bëjnë pyetje vetes: Mos duhet vallë të jetojmë vetëm për pak kohë, të përfitojmë prej jetës ç’të mundim e mandej të vdesim? Ku shkojmë në të vërtetë? A mund të presim diçka më shumë se sa cikli i shkurtër lindje, jetë, vdekje? (Jobi 14:1, 2) Për ta kuptuar më mirë këtë çështje, le t’i përgjigjemi më parë pyetjes: Si kemi ardhur këtu?

EVOLUCION APO KRIJIM?

3. Çfarë mëson evolucioni?

3 Në shumë vende përgjithësisht mësohet, se çdo gjë që shikojmë është krijuar vetë apo rastë- sisht. Thonë, se gjatë miliona e miliona vjetësh jeta ka evoluar, apo zhvilluar prej formave më të ulëta deri sa u arrit te krijimi i njeriut. Në shumë pjesë të tokës kjo teori e evolucionit mësohet si një fakt. Por a është e vërtetë, se ne rrjedhim nga një kafshë si majmuni që ka jetuar miliona vjet më parë? Ka mundësi që ky univers madhështor të jetë formuar rastësisht?

4. Përse mund të besojmë se «Perëndia krijoi qiejt dhe tokën»?

4 Bibla thotë: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Dhe faktet shkencore tregojnë se qiejt, me miliardat e yjeve të tyre, si dhe toka jonë kanë një fillim. Ato janë krijuar. Lëvizja e yjeve dhe e planeteve është kaq e rregullt, saqë pozicioni i tyre mund të saktësohet vite më parë me përpikmëri të përsosur. Yjet dhe planetet lëvizin në gjithësi sipas ligjeve dhe parimeve matematikore. P. Dirak, profesor matematike në universitetin e Kembrixhit, ka thënë në revistën Scientific American: «Ndoshta situatën mund ta përshkruajmë duke thënë se Perëndia është matematikan i një shkalle shumë të lartë dhe se gjatë krijimit të universit ai ka përdorur një matematikë mjaft të përparuar.»

5. Në ç’mënyrë tregon trupi ynë fizik se jemi të krijuar dhe jo prodhim i evolucionit?

5 Bibla thotë: «Ta dini se Jehovai është Perëndi. Ai na krijoi dhe jo ne vetveten.» (Psalmi 100:3) Trupi ynë është projektuar aq për mrekulli, saqë një shkrimtar i Biblës është nxitur t’i thotë Perëndisë: «Do të të lavdëroj sepse jam krijuar në një mënyrë tmerrësisht të mrekullueshme . . . Eshtrat e mia nuk u fshehën nga ty, kur u krijova në fshehtësi . . . Sytë e tu panë madje edhe embrionin tim dhe në librin tënd ishin shkruar të gjitha pjesët e tij.» (Psalmi 139:14-16) Një fëmijë zhvillohet për mrekulli brenda nënës së tij. Në lidhje me këtë revista Newsweek ka shkruar: «Kjo është thjesht një mrekulli.» Mandej shton: «Asnjë teknikë nuk mund ta përcaktojë me saktësi momentin e ngjizjes së një fëmije. Asnjë shkencëtar nuk mund të thotë se cilat fuqi të mrekullueshme ndikojnë në zhvillimin e organeve dhe të miliarda lidhjeve nervore të embrionit njerëzor.»

6. Përse është më e logjikshme të besojmë te krijimi, se sa tek evolucioni?

6 Mendo mbi universin tonë madhështor dhe mbi mënyrën e mrekullueshme në të cilën është ndërtuar dhe projektuar trupi ynë. Arsyeja e shëndoshë duhet të na thotë se këto gjëra nuk kanë evoluar apo rastisur vetë. Duhet të kenë pasur një Projektues, një Krijues. Shqyrto edhe gjëra të tjera që na rrethojnë. Në qoftë se ndodhesh në shtëpi, pyet veten: tavolina e shkrimit, llampa, krevati, karrigia, tavolina, muret, shtëpia vetë, kanë evoluar? Apo duhet t’i ketë bërë dikush? Padyshim që janë bërë nga persona inteligjentë! Si mund të themi atëherë, se universi shumë më i ndërlikuar dhe vetë ne nuk paskemi nevojë për një krijues? Dhe nëse Perëndia na ka vënë këtu, ai patjetër ka pasur një qëllim për këtë.

7. (a) Si tregoi Jezui se i besonte krijimit? (b) Cilat dëshmi të tjera tregojnë se Adami ka qenë një njeri i vërtetë?

7 Vetë Jezu Krishti ka thënë mbi njerëzit e parë: «Ai që i krijoi në fillim, i bëri mashkull dhe femër dhe tha: ‘Për këtë arsye burri do të lërë babanë dhe nënën e tij e do t’i bashkohet gruas së tij dhe që të dy do të jenë një trup.’» (Mateu 19:4, 5) Këtu Jezui citoi nga Zanafilla 1:27 dhe 2:24, ku flitet mbi krijimin e Adamit dhe Evës. Ai tregoi kështu se e pranonte si të vërtetë atë tregim biblik. (Gjoni 17:17) Gjithashtu, Bibla e quan Enokun «njeriun e shtatë në rradhë nga Adami.» (Judës 14) Nëse Adami nuk do të kishte qenë një njeri i vërtetë, Bibla nuk do ta kishte identifikuar në mënyrë kaq të veçantë.​—Luka 3:37, 38.

8. Cila ide mbi origjinën e njeriut nuk shfaqet fare në Bibël?

8 Disa thonë se Perëndia e përdori procesin e evolucionit për të krijuar njeriun. Ata pretendojnë se Perëndia e la njeriun të evoluojë dhe kur arriti në një pikë të caktuar, Ai i futi atij brenda shpirtin. Por në Bibël kjo ide nuk shfaqet fare. Përkundrazi, Bibla thotë se pemët dhe kafshët u krijuan «sipas llojeve të tyre.» (Zanafilla 1:11, 21, 24) Dhe faktet tregojnë se një lloj bimor apo shtazor nuk evoluon me kohë në një lloj tjetër. Informata të tjera që provojnë se ne nuk jemi prodhim i evolucionit mund të gjesh në librin Life​—How Did It Get Here? By Evolution or by Creation? (Jeta​—Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?)

SI E KRIJOI PERËNDIA NJERIUN

9. (a) Si e përshkruan Bibla krijimin e njeriut? (b) Çfarë ndodhi kur Perëndia i fryu njeriut në vrimat e hundës «frymën e jetës»?

9 Perëndia e krijoi njeriun nga dheu që të jetojë mbi Tokë, siç thotë Bibla: «Perëndia Jehova e formoi njeriun nga pluhuri i tokës dhe përmes vrimave të hundës i fryu atij frymën e jetës dhe njeriu u bë një shpirt i gjallë.» (Zanafilla 2:7) Nga kjo mund të shohim se njeriu ishte një krijesë e drejtpërdrejtë e Perëndisë. Me një akt të veçantë krijimi, Perëndia e bëri njeriun një person të plotë. Kur Perëndia i fryu në vrimat e hundës «frymën e jetës», mushkëritë e njeriut u mbushën me ajër. Por me këtë kreu edhe diçka më tej. Në këtë mënyrë Perëndia i dha jetë trupit njerëzor. Kjo forcë jetësore mbështetet apo vazhdon nga frymëmarrja.

10. Ç’është shpirti i njeriut dhe si u krijua ai?

10 Por vërej, se Bibla nuk thotë që Perëndia i dha njeriut ndonjë shpirt. Më saktë ajo thotë, se pasi Perëndia i nxiti frymëmarrjen «njeriu u bë shpirt i gjallë.» Pra, njeriu ishte shpirt, sikurse një njeri që bëhet mjek është një mjek. (1. Korintasve 15:45) «Pluhuri i tokës», nga i cili u formua trupi fizik, nuk është shpirti. As Bibla nuk thotë që «fryma e jetës» është shpirti. Në vend të kësaj ajo thotë se, si rezultat i bashkimit të këtyre dy gjërave «njeriu u bë një shpirt i gjallë.»

11. Cilat fakte biblike mbi shpirtin tregojnë se ai nuk mund të jetë diçka si hije, që mund të ekzistojë i ndarë nga njeriu?

11 Pasi shpirti i njeriut është vetë njeriu, ai nuk mund të jetë si një hije që jeton brenda trupit, apo që mund ta lërë atë. Thjesht, Bibla mëson se shpirti yt je ti vetë. Për shembull, Bibla flet mbi dëshirën e shpirtit për të ngrënë ushqim fizik, duke thënë: «Shpirti yt dëshiron shumë të hajë mish.» (Ligji i përtërirë 12:20) Thotë gjithashtu, se shpirtrat kanë gjak që rrjedh në venat e tyre, sepse flet për «gjurmët e gjakut të shpirtrave të të vobektëve të pafajshëm.»​—Jeremia 2:34.

PËRSE PERËNDIA E KA VENDOSUR NJERIUN KËTU

12. Cili ishte qëllimi i Perëndisë për njerëzit mbi tokë?

12 Qëllimi i Perëndisë nuk ishte që Adami dhe Eva të vdisnin pas një farë kohe e të shkonin për të jetuar diku tjetër. Duhet të jetonin këtu që të kujdeseshin për tokën dhe për çdo gjë të gjallë në të. Bibla thotë: «Perëndia i bekoi dhe u tha: ‘Bëhuni të frytshëm e shumohuni, mbusheni tokën dhe e nënshtroni atë, mbani të nënshtruar peshqit e detit dhe krijesat që fluturojnë në qiell dhe çdo krijesë të gjallë që lëviz mbi tokë.’» (Zanafilla 1:28; 2:15) Adami dhe Eva, si dhe të gjithë fëmijët që ata do të kishin, do të mund të jetonin të lumtur mbi tokë përgjithmonë, duke vepruar sipas kërkesave të Perëndisë.

13. (a) Si mund të jemi të lumtur? (b) Çfarë do t’i japë kuptim të vërtetë jetës sonë?

13 Vërej se «Perëndia i bekoi.» Ai interesohej me të vërtetë për bijtë e tij tokësorë. Si një Atë i dashur u dha udhëzime për të mirën e tyre. Po t’i kishin ndjekur ato, do të kishin qenë të lumtur. Jezui e dinte këtë, ndaj më vonë tha: «Të lumtur janë ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e mbajnë atë!» (Luka 11:28) Jezui e mbajti fjalën e Perëndisë. «Gjithnjë bëj çdo gjë që i pëlqen atij»,​—tha ai. (Gjoni 8:29) Ky është çelësi i shkakut të vërtetë për të cilin ne jemi këtu. Që të kemi një jetë të plotë dhe të lumtur në përputhshmëri me vullnetin e Perëndisë. Jeta jonë do të ketë me të vërtetë kuptim tani, nëse i shërbejmë Jehovait. Duke vepruar kështu e vëmë veten në radhë për të jetuar përgjithmonë në Parajsë mbi Tokë.​—Psalmi 37:11, 29.

PËRSE PLAKEMI DHE VDESIM

14. Çfarë bënë Adami dhe Eva, duke mos iu bindur urdhrit të Perëndisë?

14 Por të gjithë tani plakemi dhe vdesim. Përse? Siç u tha edhe në kapitullin paraprak, kjo i detyrohet kryengritjes së Adamit dhe Evës. Jehovai i vuri ata nën një sprovë, që vinte në dukje nevojën e bindjes ndaj Perëndisë. Ai i tha Adamit: «Nga secila pemë e kopshtit mund të hash sa të kënaqesh. Por nga pema e njohjes të së mirës dhe së keqes, nuk duhet të hash, sepse ditën që të hash prej saj, me siguri do të vdesësh.» (Zanafilla 2:16, 17) Duke ngrënë prej asaj peme, Adami dhe Eva i kthyen shpinën Atit të tyre qiellor dhe hodhën tej udhëheqjen e tij. Nuk u bindën dhe morën diçka që nuk u përkiste. Mund të kishin jetuar përgjithmonë të lumtur në një parajsë pa varfëri dhe vuajtje, por tani morën mbi vete dënimin e mëkatit. Ky dënim është papërsosmëri dhe vdekje.​—Romakëve 6:23.

15. Si e kemi marrë mëkatin prej Adamit?

15 A e di se si e kemi marrë mëkatin tonë, prej Adamit? Pasi u bë i papërsosur, Adami e përcolli papërsosmërinë dhe vdekjen te të gjithë bijtë e tij. (Jobi 14:4; Romakëve 5:12) Për ta kuptuar më mirë situatën, le të imagjinojmë një bukëpjekës që i pjek bukët në një tavë të shtypur. Kjo shenjë do të duket në të gjitha bukët që do të piqen në atë tavë. Adamin mund ta krahasojmë me tavën dhe veten tonë me bukën. Ai u bë i papërsosur, kur theu ligjin e Perëndisë. Ishte njësoj sikur të merrte një të shtypur, apo një shenjë të keqe. Prandaj, kur ai u bë me fëmijë, të gjithë ata morën të njëjtën shenjë mëkati apo papërsosmërie.

16, 17. Si dëshmon një prej mrekullive të Jezuit, se sëmundja erdhi mbi familjen njerëzore për shkak të mëkatit?

16 Të gjithë ne plakemi dhe vdesim për shkak të mëkatit të trashëguar nga Adami. Këtë e dëshmon një prej mrekullive të kryera nga Jezui. Ndërsa po mësonte në shtëpinë ku rrinte, u mblodh një turmë e madhe, aq sa askush nuk mund të hynte më brenda. Erdhën katër burra me një të paralizuar mbi një barrelë. Pasi nuk mund të hynin brenda, u ngjitën mbi çati, bënë atje një të çarë dhe e zbritën barrelën me të paralizuarin mu përpara Jezuit.

17 Duke parë besimin e tyre të madh, Jezui i tha të paralizuarit: «Mëkatet e tua të janë falur.» Por disa nga të pranishmit mendonin se Jezui nuk mund t’i falte mëkatet. Prandaj Jezui tha: «Por që ta dini ju, burra, se Biri i njeriut ka autoritet për të falur mëkatet mbi tokë,​—iu drejtua paralitikut,​—unë po të them: ‘Çohu, merre barrelën dhe shko në shtëpinë tënde.’ Atëherë ai u çua dhe menjëherë mori barrelën e tij dhe doli përjashta para të gjithëve.»​—Marku 2:1-12.

18. Çfarë shprese për të ardhmen mund të presin shërbëtorët e Perëndisë?

18 Mendo se çfarë do të thotë për ne kjo fuqi e Jezuit! Nën sundimin e mbretërisë së Perëndisë, Krishti mund të falë mëkatet e të gjithë atyre që e duan dhe i shërbejnë Perëndisë. Kjo do të thotë se të gjitha dhimbjet, vuajtjet dhe sëmundjet do të eliminohen. Askush më nuk do të plaket dhe vdesë! Çfarë shprese e bukur për të ardhmen! Po, mund të presim shumë më tepër se sa cikli i shkurtër lindje, jetë, vdekje. Duke vazhduar së mësuari mbi Perëndinë dhe së shërbyeri atë, ne me të vërtetë mund të jetojmë përgjithmonë në parajsë mbi Tokë.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 69]

Shumëkush pyet veten, se ç’kuptim ka jeta

[Figura në faqen 70]

Këto sende kanë evoluar apo janë bërë prej ndokujt?

[Figura në faqen 75]

Tregimi biblik mbi shërimin e të paralizuarit nga Jezui tregon se njerëzit sëmuren për shkak të mëkatit të Adamit