Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund të na ndihmojë lutja

Si mund të na ndihmojë lutja

Kapitulli 27

Si mund të na ndihmojë lutja

1. Për çfarë ndihme kemi nevojë nga Perëndia dhe si mund ta marrim atë?

QË TË RUHEN nga ndikimi i botës së ligë, të krishterët kanë nevojë të veçantë për ndihmë e cila vjen nëpërmjet lutjes. Jezui tha: «Ati që është në qiell do t’i japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë.» (Luka 11:13) Kemi nevojë për frymën e shenjtë apo forcën aktive të Perëndisë, ashtu si kemi nevojë për të studiuar Fjalën e tij dhe për t’u shoqëruar me organizatën e tij të dukshme. Por për të fituar frymën e shenjtë duhet ta kërkojmë në lutje.

2. (a) Çfarë është lutja? (b) Cilat janë llojet e ndryshme të lutjeve? (c) Përse është e rëndësishme të lutesh?

2 Lutja është një mënyrë nderuese për t’i folur Perëndisë. Mund të jetë në formën e një kërkese, sikur po e pyesim për diçka Perëndinë. Por lutja mund të jetë edhe një shprehje e falënderimit apo e lavdërimit të Perëndisë. (1. Kronikat 29:10-13) Që të kemi një marrëdhënie të mirë me Atin tonë qiellor, duhet t’i flasim rregullisht në lutje. (Romakëve 12:12; Efesianëve 6:18) Forca aktive e tij, të cilën e fitojmë me anë të kërkesës, mund të na forcojë për të bërë vullnetin e tij krahas vështirësive ose tundimeve që Satanai dhe bota e tij mund të na shkaktojnë.​—1. Korintasve 10:13; Efesianëve 3:20.

3. (a) Cilën forcë mund të marrim nga Perëndia (b) Vetëm në çfarë mënyre mund të mbajmë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë?

3 Ndoshta je duke luftuar burrërisht për t’u liruar nga ndonjë shprehi që nuk i pëlqen Perëndisë. Në këtë rast kërko ndihmën e Jehovait. Drejtoju atij në lutje. Këtë e bënte apostulli Pavël, i cili shkroi: «Për çdo gjë marr forcë në virtyt të atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13; Psalmet 55:22; 121:1, 2) Një grua, që u lirua nga një mënyrë jetese imorale, tha: «Jehovai është i vetmi që ka fuqinë të na ndihmojë të dalim nga ajo situatë. Është e domosdoshme të kemi këtë marrëdhënie personale me të dhe e vetmja mënyrë për ta mbajtur është lutja.»

4. Si mori forcë një njeri për të lënë duhanin?

4 Por dikush do të thotë: «I kam kërkuar ndihmë Perëndisë shumë herë në lutje, e megjithatë gaboj përsëri.» Kështu thonë disa që pinë duhan. Pyetjes: «Kur lutesh?», njëri prej tyre iu përgjigj: «Në mbrëmje, para se të shkoj në shtrat dhe në mëngjes kur zgjohem dhe kur për dobësi pi një cigare i them Jehovait se më vjen keq për atë që bëra.» Miku i tij i thotë: «Momenti në të cilin ke nevojë për ndihmën e Perëndisë është kur të vjen dëshira për të pirë duhan, a nuk të duket i mirë ky mendim? Ky është momenti kur duhet t’i kërkosh Jehovait të të japë forcë.» Kur veproi kështu, ai njeri fitoi ndihmën e nevojshme për të lënë duhanin.

5. (a) Çfarë nevojitet për t’i shërbyer Perëndisë në mënyrë të drejtë? (b) Përse zakonisht lënia e një aktiviteti mëkatar sjell vuajtje?

5 Me këtë nuk duam të themi se duke iu lutur Perëndisë, duke studiuar Fjalën e tij dhe duke qëndruar afër organizatës së tij të dukshme, bëhet e lehtë të bësh atë që është e drejtë. Duhet të bëjmë gjithmonë një përpjekje, bile, një luftë të fortë që mund të sjellë edhe vuajtje. (1. Korintasve 9:27) Shprehitë e këqija mund të na udhëheqin deri tek një dëshirë e tmerrshme për të bërë të këqija. Pra, pasojë e lënies së ndonjë veprimi mëkatar janë vuajtjet. A je i gatshëm të vuash, për të bërë atë që është e drejtë?​—1. Pjetrit 2:20, 21.

LUTJET QË DËGJON PERËNDIA

6. (a) Përse shumica e ka të vështirë të lutet? (b) Ç’duhet të bëjmë që lutjet tona të dëgjohen?

6 Shumë e kanë të vështirë të luten. «E kam të vështirë t’i lutem ndokujt që nuk shihet»,​—ka thënë një e re. Meqenëse asnjë njeri nuk e ka parë Perëndinë, duhet besim për t’ju lutur dhe që ai të na dëgjojë. Duhet të besojmë se Jehovai ekziston me të vërtetë dhe se mund të plotësojë çdo gjë që i kërkojmë. (Hebrenjve 11:6) Nëse kemi këtë besim dhe i drejtohemi Perëndisë me zemër të sinqertë, me siguri do të na ndihmojë. (Marku 9:23) Në fakt, Perëndia e ka dëgjuar lutjen e kapitenit romak Kornelit, kur ka kërkuar sinqerisht udhëheqjen e tij, edhe pse ai nuk bënte pjesë akoma në organizatën e Perëndisë.​—Veprat 10:30-33.

7. (a) Cilat lutje i pëlqejnë Perëndisë? (b) Cilat lutje Perëndia nuk do t’i dëgjojë?

7 Disa kanë vështirësi të shprehen. Por, kjo nuk duhet të na pengojë që t’i drejtohemi Perëndisë në lutje. Ne duhet të jemi të sigurt se ai i njeh nevojat tona dhe do ta kuptojë atë që duam t’i themi. (Mateu 6:8) Mendo: Cilat fjalë do të vlerësosh më shumë nga një fëmijë: falënderimet e tij të thjeshta, por të sinqerta apo fjalët e zgjedhura, që ia ka thënë ndokush më parë? Në të njëjtën mënyrë Ati ynë qiellor vlerëson fjalët tona të thjeshta e të sinqerta. (Jakovi 4:6; Luka 18:9-14) Nuk vlejnë fjalë të mëdha apo formula fetare. Perëndia nuk i dëgjon aspak ata që luten me fjalë të vështira apo madhështore për t’i tërhequr vëmendjen të tjerëve, apo që përsëritin gjithmonë të njëjtat gjëra pa sinqeritet.​—Mateu 6:5, 7.

8. (a) Çfarë tregon se Perëndia i dëgjon edhe lutjet e thëna pa zë? (b) A tregon Bibla se duhet të lutemi në ndonjë pozicion apo vend të caktuar?

8 Perëndia mund të të dëgjojë edhe nëse lutesh me zë të ulët. Kur Nehemia u lut në këtë mënyrë, Perëndia e pranoi kërkesën e tij të sinqertë e në të njëjtën mënyrë veproi edhe me Anën. (Nehemia 2:4-8; 1. Samueli 1:11-13, 19, 20) Nuk është me rëndësi as pozicioni në të cilin lutesh. Mund të lutesh në çfarëdolloj pozicioni, në çfarëdolloj momenti dhe në çfarëdolloj vendi. Megjithatë, Bibla tregon që një pozicion që shpreh përulësi​—si ulja e kokës apo gjunjëzimi​—është i përshtatshëm. (1. Mbretërit 8:54; Nehemia 8:6; Danieli 6:10; Marku 11:25; Gjoni 11:41) Jezui tregoi se është një gjë e mirë kur lutjet personale mund t’i thuash në një vend privat, ku të tjerët nuk shohin.​—Mateu 6:6.

9. (a) Kujt duhet t’ia drejtojmë të gjitha lutjet tona dhe përse? (b) Në emër të kujt duhet të lutemi nëse dëshirojmë që Perëndia t’i pranojë lutjet tona?

9 Lutja është pjesë e adhurimit tonë. Prandaj, lutjet tona duhet t’ia drejtojmë vetëm Krijuesit, Perëndisë Jehova, dhe asnjë tjetri. (Mateu 4:10) Përveç kësaj, Bibla tregon se të krishterët duhet t’i drejtohen Perëndisë vetëm nëpërmjet Jezuit, i cili dha jetën e tij, për mëkatet tona. Kjo do të thotë që lutjet tona duhet t’i drejtojmë në emër të Jezuit.​—Gjoni 14:6, 14; 16:23; Efesianëve 5:20; 1. Gjonit 2:1, 2.

10. (a) Lutjet e kujt nuk i pëlqejnë Perëndisë? (b) Cilin parim themelor duhet të plotësojmë, që Perëndia t’i dëgjojë lutjet tona?

10 Por, a i pëlqejnë të gjitha lutjet Jehovait? Bibla thotë: «Kush e largon veshin nga dëgjimi i ligjit, edhe lutja e tij është diçka e neveritshme.» (Proverbat 28:9; 15:29; Isaia 1:15) Pra, nëse dëshirojmë që Perëndia t’i dëgjojë lutjet tona, kusht i domosdoshëm është që të kryejmë vullnetin e tij dhe t’u bindemi ligjeve të tij. Përndryshe, Perëndia nuk do të na dëgjojë, ashtu si një njeri i ndershëm nuk do të dëgjonte një emision të radios që e konsideron imoral. Bibla thotë: «Çdo gjë që kërkojmë e marrim nga ai, sepse i mbajmë urdhrat e tij dhe bëjmë ato gjëra që i pëlqejnë atij.»​—1.Gjonit 3:22.

11. Çfarë do të thotë të veprojmë në përputhje me lutjet tona?

11 Kjo do të thotë se duhet të veprojmë në përputhje me lutjet tona. Për shembull, do të ishte e gabuar që t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë për të lënë duhanin apo marihuanën dhe pastaj të shkojmë t’i blejmë. Gjithashtu nuk do të ishte e arsyeshme t’i kërkojmë ndihmë Jehovait për të mos rënë në imoralitet dhe pastaj të lexojmë literatura apo të shikojmë filma dhe programe televizive me natyrë imorale. Nëse ndokush ka dobësi për të luajtur bixhoz, nuk mund t’i kërkojë ndihmë Perëndisë për ta lënë këtë ves dhe pastaj të vizitojë pistat e vrapimit apo vende të tjera ku luhet bixhoz. Nëse duam që Perëndia t’i dëgjojë lutjet tona, duhet ta tregojmë me veprat tona se mendojmë seriozisht ashtu.

12. (a) Cilat gjëra mund të përfshihen në lutjet tona? (b) Çfarë duhet të mësojmë, që Perëndia t’i pranojë lutjet tona?

12 Cilat gjëra personale mund të përfshijmë në lutjet tona drejtuar Jehovait? Praktikisht, çdo gjë që ndikon në marrëdhënien tonë me Perëndinë mund të jetë temë e lutjeve tona, duke përfshirë shëndetin fizik si dhe edukimin e fëmijëve. (2. Mbretërve 20:1-3; Gjykatësit 13:8) Apostulli Gjon shkroi: «Çdo gjë që kërkojmë sipas vullnetit të tij ai na dëgjon.» (1. Gjonit 5:14) Prandaj është e rëndësishme që kërkesat tona të jenë në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Kjo do të thotë që më parë duhet të mësojmë se cili është vullneti i Perëndisë. (Proverbat 3:5, 6) Nëse në lutjet tona mbajmë parasysh vullnetin e Perëndisë dhe qëllimin e tij, në vend që të shqetësohemi vetëm për interesat tona personale, lutjet tona do të jenë të mirëpritura nga Jehovai. Është e përshtatshme që ta falenderojmë çdo ditë Jehovain për gjërat e mira që siguron.​—Gjoni 6:11, 13; Veprat 14:16, 17.

13. (a) Sipas asaj që tregoi Jezui, cilat gjëra duhet të jenë në vend të parë në lutjet tona? (b) Për cilat gjëra, më pak të rëndësishme, duhet të lutemi?

13 Jezui u dha ithtarëve të tij një lutje shembull si tregues i tipit të lutjes që Jehovai mirëpret. (Mateu 6:9-13) Kjo lutje tregon se në vend të parë qëndrojnë emri i Perëndisë, mbretëria e tij dhe plotësimi i vullnetit të tij në tokë. Pastaj vijnë nevojat tona personale, si kërkesa për ushqimin e përditshëm, falja e mëkateve dhe lirimi nga tundimet dhe i ligu, Satana Djalli.

LUTJE PËR TË NDIHMUAR TË TJERËT

14. Si e tregon Bibla rëndësinë e të luturit për të tjerët?

14 Jezui me shembullin e tij tregoi, se sa me rëndësi është të lutemi për të tjerët. (Luka 22:32; 23:34; Gjoni 17:20) Apostulli Pavël e njihte vlerën e lutjeve të tilla dhe shpesh u kërkonte të tjerëve të luteshin për të. (1. Selanikasve 5:25; 2. Selanikasve 3:1; Romakëve 15:30) Gjatë kohës që ishte në burg ai shkroi: «Shpresoj se përmes lutjeve tuaja do të jem i liruar për ju.» (Filemonit 22; Efesianëve 6:18-20) Fakti se Pavli pas pak kohësh u lirua nga burgu tregon dobinë e lutjeve drejtuar në favor të tij.

15. Çfarë kërkesash mund të bëjmë në favor të atyre që duam?

15 Edhe Pavli lutej përulësisht për të tjerët. Ai shkroi: «Lutemi gjithmonë për ju, me qëllim që Perëndia ynë t’ju konsiderojë të denjë për thirrjen e tij. (2. Selanikasve 1:11) Ndërsa një kongregacioni tjetër i ka shpjeguar: «I lutemi Perëndisë që të mos bëni asgjë të keqe . . . por që të bëni gjëra të shkëlqyera.» (2. Korintasve 13:7) Patjetër është mirë të ndjekim shembullin e Pavlit dhe të bëjmë kërkesa të posaçme në favor të atyre që duam. Me të vërtetë, «lutja [përgjërimi i sinqertë] e të drejtit, kur vepron, ka shumë forcë.»​—Jakovit 5:13-16.

16. (a) Kur duhet të lutemi për të marrë ndihmën e nevojshme? (b) Përse lutja është një privilegj i madh?

16 Kur një shërbëtor drejton një studim biblik, zakonisht e pyet studentin: A lutesh në momente të tjera përveç se në rastin e studimit tënd biblik javor?» Për të marrë ndihmën e nevojshme, duhet që t’i lutesh shpesh Perëndisë. (1. Selanikasve 5:17; Luka 18:1-8) Mësohu t’i flasësh me përulësi, ashtu si do të bëje me ndonjë mik të dashur e të ngushtë. Është me të vërtetë një privilegj i mrekullueshëm që kemi mundësi t’i lutemi Qeveritarit të mrekullueshëm të të gjithë universit, Dëgjuesit të lutjes, dhe të dimë që ai na dëgjon!​—Psalmi 65:2.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 227]

Çfarë duhet të bësh përballë tundimit për të pirë duhan: të kërkosh ndihmë në lutje apo të biesh?

[Figura në faqen 229]

Pasi të kesh kërkuar ndihmë në lutje, a bën gjëra që mund të të shtyjnë në gabime?

[Figura në faqen 230]

A lutesh edhe në fshehtësi apo vetëm kur je me të tjerët?