Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të sillemi me dashuri me njëri-tjetrin

Të sillemi me dashuri me njëri-tjetrin

Kapitulli 28

Të sillemi me dashuri me njëri-tjetrin

1. (a) Si mund të bëhesh pjesë e organizatës së Perëndisë? (b) Cilit urdhër duhet t’i bindesh atëherë?

DUKE përparuar drejt njohurisë dhe vlerësimit ndaj Perëndisë Jehova dhe qëllimeve të tij, do të dëshirosh të shoqërohesh rregullisht me ata që kanë të njëjtin besim dhe shpresë. Në këtë mënyrë do të bëhesh pjesë e organizatës së dukshme të Perëndisë, një vëllazëri e vërtetë e krishterë. Ja, një urdhër të cilit duhet t’i bindeni: «Kini dashuri ndaj gjithë shoqërisë së vëllezërve.»​—1. Pjetrit 2:17; 5:8, 9.

2. (a) Cilin urdhër të ri u dha Jezui ithtarëve të tij? (b) Çfarë tregojnë qartë shprehjet «njëri-tjetrin» dhe «mes jush»? (c) Sa e rëndësishme është të treguarit e dashurisë?

2 Jezu Krishti theksoi se sa e rëndësishme është që ithtarët e tij ta duan njëri-tjetrin, duke u thënë: «Ju jap një urdhër të ri, që ta doni njëri-tjetrin . . . Nga kjo të gjithë do të kuptojnë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri në mes jush.» (Gjoni 13:34, 35) Shprehjet «me njëri-tjetrin» dhe «mes jush» tregojnë qartë, se të gjithë të krishterët e vërtetë duhet të jenë të bashkuar në një grup apo organizatë të vetme. (Romakëve 12:5; Efesianëve 4:25) Dhe kjo organizatë do të njihej nga dashuria ekzistuese e pjesëtarëve të saj. Nëse nuk ka dashuri çdo gjë tjetër është e kotë.​—1. Korintasve 13:1-3.

3. Si e thekson Bibla rëndësinë e dashurisë për bashkëbesimtarët e krishterë dhe interesimin për ta?

3 Prandaj, të krishterët e parë merrnin shpesh këshilla si këto: «Duani njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore». «Mirëpritni njëri-tjetrin». «Bëhuni skllevër të njëri-tjetrit». «Jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm». «Duroni njëri-tjetrin dhe falni njëri-tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit». «Vazhdoni të ngushëlloheni me njëri-tjetrin dhe të ndërtoheni njëri me tjetrin». «Jini paqedashës njëri me tjetrin». «Kini dashuri të vazhdueshme për njëri-tjetrin».​—Romakëve 12:10; 15:7, DSF; Galatasve 5:13; Efesianëve 4:32, DSF; Kolosianëve 3:13, 14, DSF; 1. Selanikasve 5:11, 13; 1. Pjetrit 4:8, DSF; 1. Gjonit 3:23; 4:7, 11.

4. (a) Si e dimë që përveç dashurisë në mes tyre, të krishterët duhet të duan edhe të tjerët? (b) Për kë duhet të kenë dashuri të veçantë të krishterët?

4 Por, kjo nuk do të thotë se të krishterët e vërtetë duhet të duan vetëm pjesëtarët e kongregacionit të Perëndisë. Duhet t’i duan edhe të tjerët. Në fakt, Bibla i këshillon të rrisin «dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithëve». (1. Selanikasve 3:12; 5:15) Duke i drejtpeshuar gjërat apostulli Pavël shkroi: «Të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve, por kryesisht ndaj atyre që janë lidhur me ne në besim.» (Galatasve 6:10) Prandaj, megjithëse të krishterët duhet t’i duan të gjithë, përfshirë edhe armiqtë, kryesisht duhet të duan pjesëtarët e tjerë të kongregacionit të Perëndisë, vëllezërit dhe motrat e tyre frymore.​—Mateu 5:44.

5. Si e dimë se të krishterët e vërtetë, si në lashtësi ashtu edhe sot, janë shquar për dashurinë e tyre?

5 Të krishterët e parë ishin të njohur për dashurinë që kishin njëri për tjetrin. Sipas Tertulianit, një shkrimtar i shekullit të dytë, njerëzit thoshin për ta: «E shikoni si duhen në mes tyre dhe janë gati të vdesin për njëri-tjetrin!» Kjo dashuri dallohet edhe sot në mes të të krishterëve të vërtetë. Por, a do të thotë kjo që në mes të krishterëve të vërtetë nuk lindin asnjëherë probleme apo vështirësi?

PASOJA TË PAPËRSOSMËRISË

6. Përse ndonjëherë edhe të krishterët e vërtetë mëkatojnë kundër njëri-tjetrit?

6 Nga sdudimi i Biblës keni kuptuar, se të gjithë kemi trashëguar papërsomërinë nga prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva. (Romakëve 5:12) Jemi të prirë, pra, të bëjmë gabime. «Të gjithë gabojmë shumë herë»,​—thotë Bibla. (Jakovit 3:2; Romakëve 3:23) Dhe duhet të dish, se edhe pjesëtarët e organizatës së Perëndisë janë të papërsosur dhe ndonjëherë bëjnë gjëra të padrejta. Kjo mund të shkaktojë probleme dhe vështirësi edhe në mes të të krishterëve të vërtetë.

7. (a) Përse duhet t’i thoshin Evodisë dhe Sintikisë që «të kenë të njëjtin mendim»? (b) Ku duket se në thelb ato ishin dy të krishtere të mira?

7 Le të marrim rastin e Evodisë dhe Sintikisë, dy gra që bënin pjesë në kongregacionin e lashtë të Filipisë. Apostulli Pavël shkroi: «I bëj thirrje Evodisë dhe Sintikisë që të kenë të njëjtin mendim në Zotërinë.» Përse Pavli i ka inkurajuar ato dy gra «të kishin të njëjtin mendim»? Siç duket mes tyre kishte ndonjë problem. Bibla nuk na thotë se çfarë problemi ishte. Ndoshta në një farë mënyre ishin xheloze për njëra-tjetrën. Por, në thelb ishin të mira. Prej kohësh ato ishin të krishtere, duke marrë pjesë vite më parë në veprën e predikimit me Pavlin. Për këtë ai i shkroi kongregacionit: «Vazhdoni t’u rrini pranë këtyre grave që kanë luftuar pranë e pranë me mua për lajmin e mirë.»​—Filipianëve 4:1-3.

8. (a) Çfarë problemi lindi mes Pavlit dhe Barnabës? (b) Nëse do të ndodheshe në atë skenë çfarë konkluzioni do të nxirrje?

8 Një herë, lindi një debat edhe ndërmjet apostullit Pavël dhe shokut të tij të udhës, Barnabës. Ndërsa po niseshin për udhëtimin e tyre të dytë misionar, Barnaba vendosi të marrë me vete kushëririn e tij Markun. Por, Pavli nuk donte, sepse Marku gjatë udhëtimit të parë misionar, i kishte lënë dhe ishte kthyer në shtëpi. (Veprat 13:13) Bibla thotë: «Atëherë ndodhi një shpërthim i flaktë hidhërimi, kështu që u ndanë nga njëri-tjetri.» (Veprat 15:37-40) Mendo! Nëse do të ndodheshe në atë «shpërthim të flaktë hidhërimi», a do të nxirrje si konkluzion që Pavli dhe Barnaba, për mënyrën se si u sollën, nuk bënin pjesë në organizatën e Perëndisë?

9. (a) Çfarë mëkati bëri Pjetri dhe përse? (b) Duke vërejtur një sjellje të tillë çfarë bëri Pavli?

9 Në një rast tjetër gaboi apostulli Pjetër. Ai nuk po shoqërohej më me të krishterët johebrenj nga frika, se mos e kritikonin disa të krishterë hebrenj që padrejtësisht përbuznin vëllezërit e tyre johebrenj. (Galatasve 2:11-14) Kur apostulli Pavël pa sjelljen e gabuar të Pjetrit, e qortoi përpara të gjithë të pranishmëve. Si do të ndiheshe nëse do të ishe në vend të Pjetrit?​—Hebrenjve 12:11.

ZGJIDHJA E PROBLEMEVE ME DASHURI

10. (a) Si reagoi Pjetri ndaj kritikës? (b) Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Pjetrit?

10 Pjetri mund të hidhërohej me Pavlin. Mund të fyhej, sepse Pavli e kishte kritikuar para të tjerëve. Por nuk u fye. (Eklisiastiu 7:9) Pjetri ishte i butë. E pranoi kritikën dhe nuk lejoi që dashuria e tij për Pavlin të zbehej. (1. Pjetrit 3:8, 9) Vërej me çfarë fjalësh i drejtohet Pjetri në vazhdim Pavlit në një letër inkurajuese drejtuar bashkëbesimtarëve të tij të krishterë: «Edhe zëmërënë e-gjerë të Zotit t’ënë numëro-e-ni për shpëtim, sikundrë edhe vëllaj ynë i dashurë Pavel u shkroj juve pas diturisë që i udha ati.» (2. Pjetrit 3:15, BK) Po, Pjetri lejoi që dashuria ta mbulojë problemin, që në këtë rast u shkaktua nga sjellja e tij e gabuar.​—Proverbat 10:12.

11. (a) Krahas shpërthimit të flaktë të hidhërimit mes Pavlit dhe Barnabës, si treguan ata se janë të krishterë të vërtetë? (b) Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i tyre?

11 Ç’mund të themi mbi problemin që lindi mes Pavlit dhe Barnabës? Edhe ai u zgjidh me dashuri. Në fakt Pavli, kur më tutje i shkroi kongregacionit të Korintit, foli për Barnabën si për një bashkëpunëtor të ngushtë. (1. Korintasve 9:5, 6) Megjithatë, duket se Pavli kishte arsye të mira për të dyshuar në dobishmërinë e Markut si shok udhëtimi, në vazhdim ky i ri u poq gjer në atë pikë, saqë Pavli i shkroi Timoteut: «Markun merre dhe bjere me vete sepse e kam të dobishëm për shërbesë.» (2. Timoteut 4:11, DSF) Nga ky shembull mund të mësojmë, se si t’i zgjidhim problemet.

12. (a) Përse mund të mendojmë që Evodia dhe Sintikia i kanë zgjidhur problemet e tyre? (b) Sipas Galatasve 5:13-15 përse është e rëndësishme që të krishterët t’i zgjidhin problemet e tyre me dashuri?

12 Ç’mund të themi mbi Evodinë dhe Sintikinë? A i zgjidhën problemet e tyre duke lejuar që dashuria të mbulonte çdo mëkat që mund të kishin bërë kundër njëra-tjetrës? Bibla nuk thotë se si përfundoi çështja. Por duke qenë gra të mira që kishin punuar pranë e pranë me Pavlin në shërbimin e tij të krishterë, është e logjikshme të mendojmë, se e kanë pranuar këshillën përulësisht. Mund të imagjinojmë, që kur kanë marrë letrën e Pavlit kanë shkuar të takojnë njëra-tjetrën për të zgjidhur problemin me frymë dashurie.​—Galatasve 5:13-15.

13. Çfarë shembulli jep Perëndia Jehova, në lidhje me të treguarit e dashurisë?

13 Edhe ti mund ta kesh të vështirë të pajtohesh me një apo më shumë persona në kongregacion. Megjithëse atyre u duhet të bëjnë akoma hapa përpara për të zhvilluar cilësi të vërteta të krishtere, mendo këtë: Perëndia Jehova, përpara se t’i dojë njerëzit, mos pret vallë që të lirohen nga të gjitha shprehitë e tyre të këqija? Jo; Bibla thotë: «Po Perëndia dëften dashurin’e ti mbë ne, sepse tek ishimë neve edhe po fajtorë, Krishti vdiq për ne.» (Romakëve 5:8, BK) Duhet të ndjekim shembullin e Perëndisë dhe t’i tregojmë dashuri atyre që bëjnë gjëra të këqija dhe të marra.​—Efesianëve 5:1, 2; 1. Gjonit 4:9-11; Psalmi 103:10.

14. Çfarë këshille na dha Jezui për të mos kritikuar të tjerët?

14 Meqenëse jemi të gjithë shumë të papërsosur, Jezui na mësoi që të mos i kritikojmë të tjerët. Është e vërtetë, se të tjerët kanë difekte, por kemi edhe ne. «Përse shikon lëmishtenë që është ndë syt të t’yt vëllaj, edhe tranë që është ndë syt t’ënt nuk’ e ndjen?»​—pyeti Jezui. (Mateu 7:1-5, BK) Mbajtja parasysh e kësaj këshille të urtë, do të na ndihmojë që të shkojmë mirë me vëllezërit dhe motrat tona.

15. (a) Përse është e rëndësishme të falim edhe nëse kemi arsye për t’u ankuar? (b) Si e ilustroi Jezui domosdoshmërinë për të falur, në parabolën e tij shkruar tek kreu i 18-të i Mateut?

15 Është absolutisht e nevojshme të jemi të mëshirshëm dhe të falim. Ndoshta ke një arsye të vërtetë për t’u ankuar mbi një vëlla apo motër. Atëherë kujto këshillën biblike: «Dyke duruarë njëri tjatërinë, edhe dyke ndjerë njëri tjatërinë, ndë pastë ndonjë të-qarë kundrë ndonjëj.» Por përse t’i falim të tjerët nëse kemi një arsye të vlefshme për t’u ankuar për ta? Sepse «Jehovai ju fali lirisht», përgjigjet Bibla. (Kolosianëve 3:13, BK) Dhe Jezui tha se, nëse duam që Perëndia të na falë duhet t’i falim të tjerët. (Mateu 6:9-12, 14, 15) Jehovai, ashtu si mbreti i një parabole të Jezuit, na ka falur me mijëra herë; pra, a nuk mund t’i falim edhe ne gabimet e pakta të vëllezërve tanë?​—Mateu 18:21-35; Proverbat 19:11.

16. (a) Në bazë të 1. Gjonit 4:20, 21, çfarë lidhje ekziston në mes të dashurisë ndaj Perëndisë dhe dashurisë për bashkëbesimtarët tanë të krishterë? (b) Ç’duhet të bësh nëse një vëlla ka diçka kundër teje?

16 Nuk është e mundur të jetojmë sipas së vërtetës, e njëkohësisht të trajtojmë keq dhe pa mëshirë vëllezërit tanë. (1. Gjonit 4:20, 21; 3:14-16) Prandaj, nëse do të kesh ndonjë problem me një të krishterë tjetër, mos bëj gabim të mos i flasësh më. Mos ushqe inat, por zgjidhe çështjen në frymën e dashurisë. Nëse e keni fyer vëllanë, ji i gatshëm t’i kërkosh të falur.​—Mateu 5:23, 24.

17. Si duhet të veprojmë nëse ndokush na bën ndonjë padrejtësi?

17 Ç’mund të themi nëse të kanë fyer ty, apo të kanë bërë ndonjë padrejtësi? Bibla na këshillon: «Mos thuaj, Sikundrë m’a bëri mua, kështu dot’j a bënj atij.» (Proverbat 24:29, BK; Romakëve 12:17, 18) Jezu Krishti tha: «Atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën.» (Mateu 5:39, DSF) Një shuplakë nuk ka qëllim të shkaktojë një dëm fizik, por vetëm fyerje apo provokim. Me këto fjalë Jezui donte të mësonte ithtarët e tij që të mos përfshiheshin në ndonjë kacafytje apo debat. Në vend që «ta ktheni të keqen me të keqe dhe fyerjen me fyerje», duhet «ta kërkoni paqen dhe ta arrini atë».​—1. Pjetrit 3:9, 11, DSF; Romakëve 12:14.

18. Ç’mësojmë nga shembulli i Perëndisë, mbi dashurinë e njerëzve të të gjitha racave?

18 Kujtohu se duhet «të kemi dashuri ndaj gjithë shoqërisë së vëllezërve». (1. Pjetrit 2:17) Perëndia Jehova jep shembullin e tij. Nuk bën dallim. Para syve të tij të gjitha racat janë njëlloj. (Veprat 10:34, 35; 17:26) Ata që do të mbrohen nga «mjerimi i madh», vijnë «prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe». (Zbulesa 7:9, 14-17, DSF) Pra, duke imituar shembullin e Perëndisë, nuk duhet që ndonjë ta duam më pak vetëm sepse është i një tjetër race, kombi apo gjendje ekonomike, apo për ngjyrën e ndryshme të lëkurës.

19. (a) Si duhet t’i konsiderojmë dhe trajtojmë bashkëbesimtarët tanë të krishterë? (b) Ç’privilegj të madh mund të kemi?

19 Mundohu të njohësh të gjithë pjesëtarët e kongregacionit të krishterë dhe mëso që t’i duash dhe t’i vlerësosh. Trajtoji të moshuarit si baballarë dhe nëna dhe të rinjtë si vëllezër e motra. (1. Timoteut 5:1, 2) Është me të vërtetë një privilegj të jemi pjesë e organizatës së dukshme të Perëndisë, ngjashëm një familjeje në të cilën pjesëtarët duhen dhe shkojnë mirë. Sa bukur do të jetë të jetojmë përgjithmonë në tokën parajsore me këtë familje të dashur!​—1. Korintasve 13:4-8.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 233]

Ç’mund të mësojmë nga problemi ekzistues në mes të Evodisë dhe Sintikisë?

[Figura në faqen 235]

Debati në mes të Pavlit dhe Barnabës, a tregon vallë se ata nuk i takonin organizatës së Perëndisë?

[Figura në faqen 236]

Të krishterët e vërtetë me dashuri i mbulojnë arsyet për ankesë

[Figura në faqen 237]

Dashuria i nxit të krishterët në organizatën e Perëndisë që të konsiderohen të gjithë të barabartë