Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është emri yt në librin e jetës?

A është emri yt në librin e jetës?

Kapitulli 11

A është emri yt në librin e jetës?

SARDA

1. Cila ishte gjendja frymore e kongregacionit të Sardës dhe si e nisi Jezui mesazhin e tij?

RRETH 50 kilometra në jug të qytetit modern të Akhisarit (Tiatirës), gjendej kongregacioni i Sardës. Mesazhi tjetër i Jezuit i drejtohej pikërisht këtij kongregacioni. Në shekullin e 6-të para erës sonë, ky qytet ishte kryeqyteti krenar i mbretërisë së lashtë të Lidisë dhe selia e Kresit, një mbreti me pasuri përrallore. Mirëpo në kohën e Gjonit qyteti ishte në vështirësi dhe shkëlqimi që kishte pasur në kohën e Kresit, i përkiste së kaluarës. Edhe kongregacioni i të krishterëve të atjeshëm ishte ligështuar frymësisht. Kjo ishte hera e parë që Jezui nuk e nisi mesazhin me lavdërime, por tha: «Engjëllit të kongregacionit në Sardë shkruaji: “Kështu thotë ai që ka shtatë frymërat e Perëndisë dhe shtatë yjet: ‘I di veprat e tua dhe që ke emrin se je i gjallë, por je i vdekur.’”»​—Zbulesa 3:1.

2. (a) Çfarë do të thoshte për të krishterët në Sardë se Jezui kishte «shtatë frymërat»? (b) Ç’mendim ekzistonte për kongregacionin e Sardës, por si ishte ai në të vërtetë?

2 Pse u prezantua Jezui si «ai që ka shtatë frymërat»? Sepse këto frymëra përfaqësojnë frymën e shenjtë të Jehovait që derdhet në mënyrë të plotë. Më vonë, Gjoni i përshkroi edhe si ‘shtatë sytë’, për të treguar shikimin e mprehtë që i ka dhënë Jezuit fryma e shenjtë e Perëndisë. (Zbulesa 5:6) Ja pse ai është në gjendje të zbulojë e t’i japë zgjidhje çfarëdolloj situate në kongregacion. (Mateu 10:26; 1 Korintasve 4:5) Kongregacionin e Sardës e njihnin për të gjallë e aktiv, por Jezui ishte në gjendje të shihte se ishte i vdekur frymësisht. Me sa duket, shumica e anëtarëve të tij ishin bërë indiferentë, njëlloj si para se të bëheshin të krishterë.​—Krahaso Efesianëve 2:1-3; Hebrenjve 5:11-14.

3. (a) Pse i tha Jezui «engjëllit të kongregacionit në Sardë» se Ai kishte «shtatë yjet? (b) Ç’këshillë të fortë i dha Jezui kongregacionit të Sardës?

3 Veç kësaj, Jezui i kujtoi «engjëllit të kongregacionit në Sardë», se Ai kishte «shtatë yjet». Ai i mbante pleqtë e atij kongregacioni në dorën e djathtë, në kuptimin që kishte autoritetin t’i drejtonte në veprën baritore. Ata duhej t’i kushtoheshin me gjithë zemër kopesë ‘për të njohur mirë gjendjen’ e saj. (Proverbat 27:23) Ndaj do të bënin mirë t’i dëgjonin me vëmendje fjalët që Jezui tha më pas: «Bëhu syçelë dhe forco ata që mbeten, të cilët gati po vdisnin, sepse veprat e tua nuk i gjeta të kryera plotësisht para Perëndisë tim. Prandaj, mbaj parasysh se si e more e si e dëgjove fjalën, vazhdo ta zbatosh e pendohu. Sigurisht, nëse nuk zgjohesh, do të vij si hajdut dhe s’do ta marrësh vesh se në ç’orë do të vij mbi ty.»​—Zbulesa 3:2, 3.

4. Si do ta ndihmonin fjalët e Pjetrit kongregacionin në Sardë ‘të forconte ata që kishin mbetur’?

4 Pleqtë në Sardë duhej të kujtonin gëzimin që përjetuan në fillim kur mësuan të vërtetën, si dhe bekimet që morën. Por, kur u shkroi Jezui, ata ishin si të vdekur në aktivitetet frymore. Llamba e kongregacionit të tyre mezi regëtinte, ngaqë mungonin veprat e besimit. Vite më parë, Pjetri u kish shkruar kongregacioneve në Azi, (ku mund të jetë përfshirë edhe Sarda), të kultivonin çmueshmëri për lajmin e mirë të lavdishëm që kishin pranuar si të krishterë dhe që u ishte shpallur «me frymën e shenjtë të dërguar nga qielli», lajm i cili u bë i ditur nga shtatë frymërat e vegimit të Gjonit. Gjithashtu, Pjetri i kujtoi të krishterët në Azi se i përkitnin ‘“një race të zgjedhur, priftërie mbretërore, kombi të shenjtë, populli për zotërim të veçantë, që të shpallnin kudo virtytet” e atij që i thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. (1 Pjetrit 1:12, 25; 2:9) Meditimi për këto të vërteta frymore do ta ndihmonte kongregacionin në Sardë të pendohej dhe ‘të forconte ata që kishin mbetur’.​—Krahaso 2 Pjetrit 3:9.

5. (a) Çfarë kishte ndodhur me çmueshmërinë e të krishterëve në Sardë? (b) Ç’do t’u ndodhte të krishterëve në Sardë, nëse nuk zbatonin këshillën e Jezuit?

5 Për momentin, çmueshmëria dhe dashuria e tyre për të vërtetën ishin si zjarri gati i shuar. Shumë pak thëngjij vazhdonin të kuqëlonin. Prandaj Jezui i nxiti t’i frynin zjarrit, ta ndiznin, të pendoheshin për mëkatet ku i kishte çuar moskokëçarja dhe të ishin sërish një kongregacion i gjallë frymësisht. (Krahaso 2 Timoteut 1:6, 7.) Përndryshe, kongregacioni i Sardës do të gjendej i papërgatitur kur Jezui të vinte papandehur, «si hajdut», për të ekzekutuar gjykimin.​—Mateu 24:43, 44.

Ai vjen «si hajdut»

6. Si erdhi Jezui «si hajdut» në vitin 1918 dhe në ç’gjendje i gjeti ata që thoshin se ishin ithtarët e tij?

6 Paralajmërimi i Jezuit se do të vinte «si hajdut», ka të bëjë edhe me kohën tonë. Ky paralajmërim pati një kuptim të veçantë për të krishterët që ishin gjallë në ditën e Zotërisë. Pak pas vitit 1914, pati një përmbushje të kësaj profecie të Malakisë: «Befas në tempullin tim do të vijë Zotëria i vërtetë që ju po kërkoni dhe lajmëtari i besëlidhjes me të cilin kënaqeni. Ja, ai ka për të ardhur,​—ka thënë Jehovai i ushtrive.» (Malakia 3:1; Zbulesa 1:10) Duke qenë «lajmëtari i besëlidhjes», Jezui erdhi të hetonte e të gjykonte ata që thoshin se ishin ithtarët e tij. (1 Pjetrit 4:17) Pikërisht në atë kohë, në vitin 1918, «krishterimi» ishte zhytur kokë e këmbë në gjakderdhjet e Luftës së Parë Botërore, dhe ishte plotësisht i vdekur frymësisht. Edhe të krishterët e vërtetë, që para luftës kishin predikuar me shumë zell, patën një periudhë përgjumjeje frymore. Disa nga pleqtë e tyre kryesorë ishin futur në burg dhe vepra e predikimit pothuaj ishte ndalur. Një vit më vonë, fryma e Jehovait i zgjoi këta të krishterë, por jo të gjithë ishin gati. Disa, njësoj si virgjëreshat mendjelehta në shëmbëlltyrën e Jezuit, nuk i kishin pajisjet e duhura frymore për t’i shërbyer Jehovait. Megjithatë, kishte shumë nga ata që, njësoj si virgjëreshat e matura, ia kishin vënë veshin paralajmërimit të Jezuit: «Prandaj, qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini as ditën, as orën.»​—Mateu 25:1-13.

7. Pse të krishterët sot duhet të rrinë zgjuar?

7 Nevoja që të krishterët t’i mbanin sytë hapur nuk mbaroi në fillim të ditës së Zotërisë. Në profecinë e tij madhështore për ‘shenjën e kohës kur të gjitha këto gjëra do të përfundonin’, Jezui dha këtë paralajmërim të fuqishëm: «Atë ditë ose atë orë s’e di askush. . . . Mbani sytë hapur dhe rrini zgjuar, sepse nuk e dini se kur është koha e caktuar. Atë që po jua them juve, ua them të gjithëve: qëndroni vigjilentë.» (Marku 13:4, 32, 33, 37) Po, derisa të vijë ajo orë, secili prej nesh, qoftë nga të mirosurit, qoftë nga shumica e madhe, duhet t’i mbajë sytë hapur dhe të luftojë përgjumjen frymore. Kur dita e Jehovait të vijë «si një hajdut natën», na gjettë plotësisht zgjuar që të gjykohemi të denjë për shpëtim!​—1 Selanikasve 5:2, 3; Luka 21:34-36; Zbulesa 7:9.

8. Si e nxit sot klasa e Gjonit popullin e Perëndisë që të mbetet gjallë frymësisht?

8 Klasa e Gjonit sot rri zgjuar që të përmbushë nevojën për të nxitur popullin e Perëndisë të mbetet gjallë frymësisht. Për këtë qëllim, disa herë në vit organizohen mbledhje të veçanta në të gjithë botën. Në një nga vitet e fundit, u mbajtën 2.981 kongrese krahinore, ku ishin të pranishëm 10.953.744 veta dhe u pagëzuan 122.701 besimtarë të rinj. Për më shumë se 100 vjet klasa e Gjonit ka përdorur revistën Kulla e Rojës për të shpallur emrin dhe qëllimet e Jehovait. Në përgjigje të përndjekjes mizore gjatë dy luftërave botërore, Kulla e Rojës zgjoi zellin e Dëshmitarëve të Jehovait, duke botuar në anglisht artikuj, si: «Të bekuar janë ata që s’kanë frikë» (1919), «Thirrje për të vepruar» (1925) dhe «Mposhtja e përndjekjes» (1942).

9. (a) Cilat pyetje duhet t’i bëjnë vetes të gjithë të krishterët? (b) Çfarë inkurajimi ka dhënë Kulla e Rojës?

9 Njësoj si të krishterët në kongregacionin e Sardës, edhe ata të kongregacioneve të sotme duhet të shqyrtojnë veten vazhdimisht. Të gjithë duhet të pyesim veten gjithmonë: A po i ‘kryejmë plotësisht veprat tona’ para Perëndisë? Pa gjykuar të tjerët, a po kultivojmë personalisht frymën e vetëmohimit, dhe a po përpiqemi t’i shërbejmë Perëndisë me gjithë shpirt? Kulla e Rojës na ka inkurajuar me artikuj studimi, si «Vazhdoni të provoni se çfarë jeni ju vetë» dhe «Të mos jetojmë më për vete». * Me një ndihmë të tillë nga Shkrimet, le ta analizojmë thellë veten tonë dhe të përpiqemi të mbajmë integritetin para Jehovait, duke ecur me përulësi e me mbështetjen e lutjes.​—Psalmi 26:1-3; 139:23, 24.

«Disa emra»

10. Ç’gjë inkurajuese pikasi Jezui në kongregacionin e Sardës dhe si duhet të ndikojë te ne?

10 Fjalët që i tha më pas Jezui kongregacionit të Sardës janë më inkurajueset. Ai tha: «Megjithatë, ke disa emra në Sardë që nuk i kanë ndotur rrobat, dhe ata do të ecin bashkë me mua me rroba të bardha, sepse janë të denjë. Ai që del fitimtar, do të vishet me rroba të bardha. Dhe kurrsesi nuk do t’ia fshij emrin nga libri i jetës, por do ta rrëfej para Atit tim dhe para engjëjve të tij.» (Zbulesa 3:4, 5) A nuk na nxitin e na bëjnë më të vendosur këto fjalë për të vazhduar besnikë? Nga moskokëçarja e trupit të pleqve, një kongregacion i tërë mund të bjerë në gjumë të thellë frymor. Megjithatë, disa individë mund të përpiqen me guxim ta ruajnë identitetin e krishterë të pastër e të panjollë, e kështu vazhdojnë të kenë një emër të mirë para Jehovait.​—Proverbat 22:1.

11, 12. (a) Si mund të kenë treguar besnikëri disa edhe gjatë apostazisë së madhe, njësoj si «disa emra» në Sardë? (b) Çfarë çlirimi përjetuan gjatë ditës së Zotërisë të krishterët që krahasohen me grurin?

11 Po, «rrobat», përfaqësojnë atë që të identifikon si të krishterë të vërtetë. (Krahaso Zbulesën 16:15; 19:8.) Sa duhet t’i jetë ngrohur zemra Jezuit kur ka parë se, pavarësisht nga indiferenca e shumicës, «disa emra», disa të krishterë të mirosur në Sardë, ende vazhdonin të njiheshin si të tillë! Po ashtu, gjatë shumë shekujve që zgjati apostazia e madhe, kur ata që i thoshin vetes të krishterë u bënë pjesë e Babilonisë së Madhe, njësoj si në kongregacionin e Sardës, duhet të ketë pasur gjithnjë disa individë që janë përpjekur të bëjnë vullnetin e Jehovait, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha. Këta ishin të drejtët që ishin fshehur si gruri mes egjrave, pra, mes sekteve të shumta.​—Zbulesa 17:3-6; Mateu 13:24-29.

12 Jezui premtoi se do të ishte me këta të krishterë që krahasohen me grurin «gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit». Ai i njeh se kush janë dhe e di se i kanë bërë një emër të mirë vetes. (Mateu 28:20; Eklisiastiu 7:1) A mund ta marrësh me mend gëzimin e atyre pak besnikëve që ishin ende gjallë kur filloi dita e Zotërisë?! Më në fund ata ishin ndarë nga «krishterimi» i vdekur frymësisht dhe ishin mbledhur në një kongregacion të drejtë, që ngjante shumë me atë të Smirnës.​—Mateu 13:40-43.

13. Ç’bekime i presin të krishterët e mirosur që nuk ‘i ndotin rrobat’?

13 Të krishterët e Sardës që mbetën besnikë deri në fund dhe nuk e njollosën identitetin e tyre të krishterë, kanë përjetuar realizimin e një shprese të mrekullueshme. Pasi u vendos Mbretëria Mesianike e Jezuit, në vitin 1914, ata u ringjallën në jetën frymore. Meqenëse dolën fitimtarë, ata janë veshur me rroba të bardha në shenjë të drejtësisë së tyre të panjollë e të patëmetë. Përderisa ecën në rrugën e ngushtë që të çon në jetë, shpërblimi i tyre do të jetë i përjetshëm.​—Mateu 7:14; shih edhe Zbulesën 6:9-11.

Përgjithmonë në librin e jetës!

14. Ç’është «libri i jetës» dhe emrat e kujt ruhen aty?

14 Çfarë është «libri i jetës» dhe emrat e kujt ruhen aty? Në librin ose rrotullën e jetës janë shkruar emrat e shërbëtorëve të Jehovait që presin të marrin dhuratën e jetës së përhershme. (Malakia 3:16) Në librin e Zbulesës bëhet fjalë veçanërisht për emrat e të krishterëve të mirosur. Megjithatë aty janë shkruar edhe emrat e atyre që presin të marrin jetën e përhershme në tokë. Por emrat mund të ‘fshihen’ nga ai libër. (Dalja 32:32, 33) Anëtarët e klasës së Gjonit, emrat e të cilëve qëndrojnë në librin e jetës gjersa vdesin, fitojnë pavdekësinë në qiell. (Zbulesa 2:10) Këta janë emrat që Jezui i rrëfen në mënyrë të veçantë para Atit të tij dhe engjëjve. Çfarë shpërblimi i mrekullueshëm!

15. Si mund t’i skalitin përgjithmonë emrat në librin e jetës anëtarët e shumicës së madhe?

15 Edhe anëtarët e shumicës së madhe që i kanë emrat të shkruar në librin e jetës, do t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh. Në qoftë se tregojnë besim gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezuit dhe gjatë provës përfundimtare që vjen më pas, ata do të shpërblehen me jetën e përhershme në Parajsën këtu në tokë. (Danieli 12:1; Zbulesa 7:9, 14; 20:15; 21:4) Emrat e tyre do të mbeten të skalitur përgjithmonë në librin e jetës. Duke e ditur ç’përfaqëson fryma e shenjtë, a nuk i përgjigjesh me entuziazëm nxitjes së përsëritur të Jezuit: «Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë fryma kongregacioneve.»​—Zbulesa 3:6.

[Shënimi]

^ par. 9 Shih Kullën e Rojës të 15 korrikut 2005 dhe të 15 marsit 2005.

[Pyetjet]

[Figura në faqen 57]

Qëndroftë përgjithmonë emri yt në librin e jetës!