Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ato që do të ndodhin së shpejti

Ato që do të ndodhin së shpejti

Kapitulli 3

Ato që do të ndodhin së shpejti

1. Si mund t’i shpëtosh gjykimit që do të sjellë Perëndia mbi këtë botë?

NGJARJET e sotme botërore duhet ta shqetësojnë thellë secilin prej nesh. Pse? Sepse kjo botë nuk mund t’i shpëtojë gjykimit të Perëndisë. Kurse ti mund t’i shpëtosh, duke u siguruar që nuk je «pjesë e botës» që është dënuar me shkatërrim. Kjo s’do të thotë të bësh një jetë të rreptë prej murgu, por do të thotë të bësh një jetë të pasur e plot domethënie, t’i rrish larg korrupsionit politik, komercializmit të pangopur, feve që çnderojnë Perëndinë dhe sjelljes së dhunshme e imorale. Në të njëjtën kohë, duhet të zbatosh normat e larta të Perëndisë në lidhje me sjelljen dhe të përpiqesh të bësh vullnetin e tij. (Gjoni 17:14-16; Sofonia 2:2, 3; Zbulesa 21:8) Libri i Zbulesës tregon sa e rëndësishme është të punosh në këto aspekte e të bësh ndryshime në jetën tënde sa herë që të jetë e nevojshme.

2. Si na e prezantoi apostulli Gjon profecinë e mrekullueshme të Zbulesës? Kujt ia dha Perëndia këtë mesazh me peshë?

2 Ja si na e prezantoi apostulli Gjon këtë profeci të mrekullueshme: «Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën Perëndia ia dha për t’u treguar skllevërve të vet ato që do të ndodhin së shpejti.» (Zbulesa 1:1a) Pra, këtë mesazh me peshë Perëndia ia dha Jezu Krishtit të ringjallur. Fjalët e këtij vargu tregojnë se Jezui është i nënshtruar ndaj Atit të tij, dhe aspak pjesë e një Triniteti të mistershëm. Po ashtu, ‘skllevërit’ që formojnë kongregacionin e krishterë janë të nënshtruar ndaj Jezu Krishtit dhe ‘vazhdojnë ta ndjekin, kudo që të shkojë’. (Zbulesa 14:4; Efesianëve 5:24) Por kush janë vërtet ‘skllevërit’ e Perëndisë sot dhe si nxjerrin dobi ata nga Zbulesa?

3. (a) Cilët janë ‘skllevërit’ që i janë nënshtruar Jezu Krishtit? (b) Cilën vepër po bëjnë ‘skllevërit’ e besueshëm nën drejtimin e engjëjve?

3 Apostulli Gjon, i cili shkroi librin e Zbulesës, e përshkroi veten si një nga këta skllevër. Ai ishte apostulli i fundit që vdiq dhe bënte pjesë në grupin e «skllevërve» të mirosur me frymë, që trashëgojnë pavdekësinë në qiell. Sot në tokë kanë mbetur vetëm pak mijëra prej tyre. Perëndia ka edhe shërbëtorë të tjerë, një shumicë të madhe me burra, gra dhe fëmijë, që sot numërohen me miliona. Ata janë bashkuar me ‘skllevërit’ e mirosur dhe, nën drejtimin e engjëjve, u shpallin të gjithë njerëzve lajmin e mirë të përhershëm. Sa shumë mundohen të gjithë këta ‘skllevër’ që t’i ndihmojnë zemërbutët që janë në tokë të shpëtojnë! (Mateu 24:14; Zbulesa 7:9, 14; 14:6) Libri i Zbulesës tregon se çfarë duhet të bësh që të nxjerrësh dobi nga lajmi i mirë që sjell lumturi.

4. (a) Pse Gjoni foli për «ato që do të ndodhin së shpejti», ndërkohë që e shkroi librin e Zbulesës mbi 1.900 vjet më parë? (b) Çfarë tregojnë faktet e tanishme për gjërat e parathëna?

4 Megjithatë, pse tha Gjoni se këtyre «skllevërve» do t’u tregoheshin ‘ato që do të ndodhnin së shpejti’? A nuk u thanë këto fjalë mbi 1.900 vjet më parë? Nga këndvështrimi i Jehovait, për të cilin një mijë vjet janë veç «si e djeshmja», 1.900 vjet janë një kohë e shkurtër, po të krahasohen me kohën e pafund që harxhoi për të krijuar e përgatitur tokën që të banohej nga njerëzit. (Psalmi 90:4) Apostulli Pavël shkroi për ‘pritjen e zjarrtë dhe shpresën’ e tij, pasi me siguri shpërblimi që priste, i dukej shumë afër. (Filipianëve 1:20) Kurse sot, ka prova me bollëk se të gjitha gjërat e parathëna do të ndodhin siç ishte planifikuar. Kurrë më parë në histori, vetë mbijetesa e njerëzimit nuk është kërcënuar kaq shumë. Vetëm Perëndia mund ta zgjidhë këtë situatë!​—Isaia 45:21.

Kanali i komunikimit

5. Si iu përcollën fjalët e Zbulesës apostullit Gjon e më pas kongregacioneve?

5 Zbulesa 1:1b, 2 vazhdon: «Jezui dërgoi engjëllin e tij dhe, nëpërmjet tij, ia paraqiti atë [Zbulesën] me anë të shenjave skllavit të vet, Gjonit. Ky dha dëshmi për fjalët që dha Perëndia dhe për dëshminë që dha Jezu Krishti, madje për gjithçka që pa.» Pra fjalët e këtij tregimi të frymëzuar, Gjonit ia solli një engjëll që u përdor si lajmëtar. Pastaj Gjoni i shkroi në një rrotull dhe ua përcolli kongregacioneve të kohës së tij. Duhet të jemi të lumtur që Perëndia i ruajti për t’u dhënë zemër pothuaj 100.000 kongregacioneve të shërbëtorëve të tij të bashkuar sot në tokë.

6. Kë identifikoi Jezui si kanalin që do të përdorte për t’u dhënë ushqimin frymor «skllevërve» të tij sot?

6 Perëndia kishte një kanal përmes të cilit përcolli fjalët e Zbulesës në kohën e Gjonit, dhe vetë Gjoni ishte pjesa tokësore e atij kanali. Edhe sot, Perëndia ka një kanal përmes të cilit u jep ushqimin frymor «skllevërve» të tij. Në profecinë e tij të jashtëzakonshme për fundin e këtij sistemi, Jezui tregoi se pjesa tokësore e këtij kanali është «skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur». (Mateu 24:3, 45-47) Ai e përdor këtë grup, klasën e Gjonit, për të zbuluar kuptimin e profecisë.

7. (a) Si duhet të ndikojnë te ne shenjat që gjejmë në librin e Zbulesës? (b) Për sa kohë kanë marrë pjesë disa anëtarë të klasës së Gjonit në përmbushjen e vegimeve të Zbulesës?

7 Apostulli Gjon shkroi se Jezui e paraqiti Zbulesën «me anë të shenjave» ose simboleve të gjalla e drithëruese, që ia vlen t’i shqyrtojmë. Ato përshkruajnë një aktivitet plot gjallëri dhe duhet të na nxitin të përpiqemi me zell t’u flasim të tjerëve për profecinë dhe kuptimin e saj. Zbulesa na njeh me disa vegime që të ngrenë peshë. Në secilin prej tyre Gjoni mori pjesë aktivisht ose si vëzhgues. Anëtarët e klasës së Gjonit, disa prej të cilëve kanë marrë pjesë për dekada me radhë në përmbushjen e këtyre vegimeve, janë të lumtur që fryma e Perëndisë ua ka zbuluar kuptimin, dhe që mund t’ua shpjegojnë të tjerëve.

8. (a) Çfarë ka të veçantë çdo vegim i Zbulesës? (b) Si na ndihmon profecia e Danielit të kuptojmë se ç’përfaqësojnë bishat e Zbulesës?

8 Vegimet e Zbulesës nuk jepen në radhë kronologjike. Secili përmbushet në kohën e vet. Shumë nga vegimet janë jehonë e fjalëve që gjejmë në profeci të mëparshme, të cilat janë si një çelës për interpretimin e vegimeve të Zbulesës. Për shembull, profecia e Danielit përshkruante katër bisha të frikshme dhe shpjegonte se ato përfaqësonin fuqitë sunduese në tokë. Kështu, profecia e Danielit na ndihmon të kuptojmë se bishat e Zbulesës paraqitin ente politike, ku përfshihen edhe ato që ekzistojnë në kohën tonë.​—Danieli 7:1-8, 17; Zbulesa 13:2, 11-13; 17:3.

9. (a) Ç’qëndrim ka mbajtur klasa e Gjonit, duke imituar shembullin e apostullit Gjon? (b) Cila është sipas Gjonit rruga për të gjetur lumturi?

Gjoni e përcolli me besnikëri mesazhin që dha Perëndia nëpërmjet Jezu Krishtit. Ai përshkroi me hollësi «gjithçka që pa». Klasa e Gjonit ka kërkuar pareshtur drejtim nga Perëndia dhe Jezu Krishti, që ta kuptonte profecinë plotësisht dhe t’ia bënte të njohura aspektet e saj të vyera popullit të Perëndisë. Për dobinë e kongregacionit të mirosur (si edhe të shumicës së madhe nga të gjitha kombet, të cilën Perëndia do ta ruajë gjallë në shtrëngimin e madh,) Gjoni shkroi: «Lum ai që i lexon me zë dhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie! Lum ata që i zbatojnë gjërat e shkruara në të, sepse koha e caktuar është afër!»​—Zbulesa 1:3.

10. Ç’duhet të bëjmë me librin e Zbulesës, që të jemi të lumtur?

10 Do të nxjerrësh shumë dobi duke lexuar Zbulesën e aq më tepër, duke zbatuar gjërat që janë shkruar në të. Në një nga letrat e tij Gjoni shpjegoi: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij, e megjithatë, urdhërimet e tij nuk janë të rënda, sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia, e mund botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën, besimi ynë.» (1 Gjonit 5:3, 4) Nëse kultivon një besim të tillë, do të jesh i lumtur pa masë!

11. (a) Pse është e ngutshme t’u kushtojmë vëmendje fjalëve të kësaj profecie? (b) Cila kohë duhet të jetë afruar me vrull?

11 Është e ngutshme t’u kushtojmë vëmendje fjalëve të kësaj profecie, «sepse koha e caktuar është afër». Koha e caktuar për çfarë? Për përmbushjen e profecive të Zbulesës, ku përfshihet edhe gjykimi i Perëndisë mbi këtë sistem. Është shumë afër koha kur Perëndia dhe Jezu Krishti do t’i japin gjykimin përfundimtar sistemit të Satanait. Kur ishte këtu në tokë, Jezui tha se vetëm Ati i tij e dinte «atë ditë ose atë orë». Duke qenë largpamës për problemet që janë shtuar në tokë në ditët tona, Jezui tha: «Ky brez nuk do të kalojë kurrsesi, gjersa të ngjasin të gjitha këto gjëra.» Pra, koha e caktuar për ekzekutimin e vendimit të Perëndisë duhet të jetë afruar me vrull. (Marku 13:8, 30-32) Habakuku 2:3 thotë: «Vegimi është ende për kohën e caktuar dhe vazhdon të nxitojë duke gulçuar drejt fundit e nuk do të gënjejë. Edhe sikur të vonojë, rri në pritje të tij, sepse pa dyshim do të dalë i vërtetë. Nuk do të vonojë.» Le t’i kushtojmë vëmendje Fjalës profetike të Perëndisë, pasi nga kjo varet shpëtimi ynë në shtrëngimin e madh.​—Mateu 24:20-22.

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 15]

Që të kuptojmë librin e Zbulesës duhet:

● të kemi ndihmë nga fryma e Jehovait

● të dallojmë kur filloi dita e Zotërisë

● të njohim e të pranojmë skllavin e besueshëm dhe të matur sot